LAJMI I FUNDIT:

Shpërndahen 1.3 milion euro te privatizimit

Shpërndahen 1.3 milion euro te privatizimit

Rreth 1.3 milionë euro do t’u shpërndahen javën e ardhshme punëtorëve të dy ndërmarrjeve kosovare nga 20 përqindëshi i shitjes; fabrikës së tullave në Gjakovë dhe asaj të lodrave dhe plastikës në Skenderaj.

Këtë vendim e ka marrë Bordi i drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në mbledhjen e fundit, njoftuan zyrtarë të agjencisë në një konferencë për media në Prishtinë.

Zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit janë të vetëdijshëm se mund të hasin në vështirësi gjatë privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore nëpër vendbanimet me shumicë serbe, siç është rasti me Brezovicën. Megjithëkëtë, zëvendës drejtori i AKP-së, Shkumbin Bicajt thotë se sipas ligjit, AKP-ja është e autorizuar të bëjë privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore në tërë Kosovën.

Ndërkohë, punëtorët e dy ndërmarrjeve të privatizuara, fabrikës së tullave në Gjakovë dhe asaj të lodrave dhe plastikës në Skenderaj, javën e ardhshme do të marrin paratë që u takojnë nga 20 përqindëshi i shitjes. Zëdhënësi Ekrem Tahiri tha se AKP-ja do të punojë me kapacitet të shtuar njerëzor dhe logjistik për ta kryer sa më shpejt punën e saj.


Ndërkohë, ndërmarrjet e shitura përmes spin-offit special, që nuk i kanë përmbushur obligimet e kontraktuara, do të ndëshkohen, madje edhe ritenderohen, tha Bicaj.

Bicaj nuk dha informacione se cilat ndërmarrje mund të ritenderohen, me arsyetimin se rreth tyre janë duke u mbledhur informacione, që do të ndikojnë në vendimet e mëtejshme. Kurse rreth çështjeve të papërcaktuara pronësore, siç është rasti i Kosova Petrolit, ai tha se vendimin mund ta marrë vetëm gjykata.
Ndryshe, bordi i drejtorëve të AKP-së, në mbledhjen e fundit ka miratuar rrethin e 32-të të privatizimit, të cilin e përbëjnë gjashtë ndërmarrje shoqërore, kryesisht toka bujqësore