LAJMI I FUNDIT:

Shpallen eksportuesit e vitit

Shpallen eksportuesit e vitit

Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), mbajti sot konferencën informuese me bizneset të cilat merren kryesisht me eksport.

Drejtori i përgjithshëm i KIESA-s, Besian Mustafa, fillimisht falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë konferencë e cila ka për qëllim të krijojë bashkëpunim në mes bizneseve dhe institucioneve.

“Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë ka pesë fusha nën mandatin e saj: promovimin e investimeve, eksportit, turizmit si dhe përkrahjen e NVM-ve dhe zonat ekonomike përmes së cilave ne mundohemi të jemi më afër bizneseve dhe t’u ofrojmë shërbime në fusha të caktuara. Përmes sektorit për promovimin e eksportit gjatë këtij viti kemi realizuar 14 panaire ndërkombëtare përmes së cilave u është mundësuar pjesëmarrja e kompanive kosovare të promovojnë produktet e tyre si dhe të krijojnë marrëveshje bashkëpunimi. Kompanitë prodhuese dhe eksportuese do të vazhdojnë të jenë boshti kryesor i zhvillimit ekonomik”, tha Mustafa.


Ai po ashtu theksoi se përqendrimi i KIESA-s edhe në vitin në vijim do të jetë promovimi i kompanive kosovare përmes pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare dhe takime B2B.

Ndërsa, Zef Dedaj, udhëheqës i Divizionit për Politika Tregtare në MTI, i njoftoi bizneset rreth përgatitjeve dhe obligimeve të cilat dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA) si dhe me përparësitë e Kosovës dhe kompanive prodhuese-eksportuese për kriteret e inkuadrimit në tregun e BE-së. “MSA paraqet marrëveshjen e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së si dhe do të promovojë marrëdhëniet ekonomike dhe të zhvillojë gradualisht një zonë të tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe BE-së”, tha Dedaj.

Nexhat Hasani, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës prezantoi rolin dhe rëndësinë e eksportit në zhvillimin ekonomik.
Në konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të bizneseve qe merren kryesisht me eksport të cilët parashtruan pyetje të ndryshme rreth shqetësimeve të tyre rreth zhvillimit të aktiviteteve të tyre biznesore. Ata morën përgjigje nga ana e përfaqësuesve institucional rreth mbështetjes dhe nismave që janë duke u ndërmarrë me qëllim të zhvillimit të sektorit privat në veçanti promovim të eksportit.

Në fund të konferencës nga Shoqata e Eksportuesve të Kosovës u shpallën eksportuesit e vitit .

Eksportuesi i vitit 2015 për Mikro ndërmarrje, “Eurofruti”
Eksportuesi i vitit për ndërmarrje të vogla, N.P.P “Amo”
Top eksportuesi i vitit ndërmarrja e mesme “Frutex” sh.p.k
Ndërsa, mirënjohje morën kompanitë eksportuese: “Agro –Peti”, “Hit flores”, “Fungo FF”, “ Scardus”, “Haxhi Jaha” dhe “Pestova”. /Telegrafi/