LAJMI I FUNDIT:

Shoqëria kosovare, problemet dhe sfidat?

Duke gjurmuar brenda shoqërisë kosovare në një periudhë të gjatë prej dhjetë vjetësh, jemi dëshmitar të asaj, që krahas shumë problemeve, sfidave nëpër të cilat ka kaluar shteti kosovar, problemet e shumta ende dëshmojnë se Kosova gjendet në një periudhë të vështirë me gjithë këtë konglomerat të përbërë prej problemeve. Nga burimet e shumta empirike, konkludojmë se çdo ditë probleme të shumta sa vijnë dhe shtohen, që me fjalë të tjera mund të themi se këto probleme edhe pse vazhdojnë jetëgjatësinë e tyre, ato paraqesin një kancer për shoqërinë kosovare, dhe si të tilla pasi që janë të shumta, ne jemi munduar që të identifikojmë disa nga ato:

Së pari, Zhvillimi ekonomik: Nga burimet e shumta, por edhe nga vet hulumtimet e bëra nga shumë Institute, theksojnë se Kosova ende nuk ka një përparim të dukshëm rreth një zhvillimi të frytshëm ekonomik. Ajo çka është brengosëse, është fakti që një pjesë bukur e madhe e rinisë gëzojnë një potencial profesional kualifikues superior, dhe akoma kanë mungesë të punësimit, gjë që e tëra kjo barë mund të bie mbi përgjegjësinë e institucioneve tona të cilat ende nuk kanë krijuar vende të reja të punës.


Pastaj, në këtë drejtim shteti si një mekanizëm i lartë institucional ka një obligim moral dhe detyrë që të paktën t’i zhvillojë hallkat e ekonomisë, në mënyrë që t’i stimuloj donatorët e jashtëm për investime në Kosovë, por edhe që Kosova të bën një hap përpara drejt një zhvillimi më të frytshëm ekonomik. Madje, ky ishte edhe qëllimi kryesor pse na shtyu ta radhisim zhvillimin ekonomik si prioritet të parë. Sepse sot, zhvillimi ekonomik determinon pothuajse të gjitha poret e jetës, përmes zhvillimit ekonomik, shoqëria, por edhe vetë mekanizmi institucional – shteti, mund të arrijnë përmirësimin e jetës së qytetarit, duke krijuar vende të reja të punës, por në të njëjtën kohë duke stimuluar edhe investitorët e huaj.

Aktualiteti i sotëm në bazë të hulumtimeve, tregon se Kosova ka një varfëri bukur të lartë, dhe varësisht nga statistikat që mund të ndryshojnë, të paktën termi varfëri ekziston. Prandaj, organet shtetërore, pasi që edhe aty janë nga vota e popullit duhet të mendojnë drejt këtij hapi, i cili nëse nuk fillon të dalë nga ombrella aktuale, pra nëse nuk fillon të lëvizë, atëherë edhe problemet tjera sociale do të jenë më të dukshme.

Së dyti, Fryma politike: Sot, jemi dëshmitar të asaj që, në proceset e partive politike në Kosovë, lirisht mund të thuhet se nuk ekziston një frymë ekuilibruese e partive politike. Edhe pse realisht shumica e partive politike nuk kanë një orientim apo profilizim të caktuar, ato ende nuk mbrojnë interesin e qytetarit as sa duhet. Pra, në këtë rast mund të thuhet se akoma nuk kemi një opozitë e cila do të ishte një avokat i rreptë në dobi të qytetarit, gjithnjë duke mbrojtur të drejtat e qytetarit. Një rast të tillë, që vlen të përmendet është rasti i Albin Kurtit, ku u arritën me mijëra nënshkrime, dhe u dërguan në Parlament, por prapë çështja mbeti diskutabile. Andaj, për të zhvilluar një frymë politike, moderne, normalisht që është e nevojshme një zë më i fuqishëm i elitës politike, sidomos nga ana e opozitës, e cila mund të luan një rol konstruktiv drejt një demokracie bashkëkohore, ashtu siç janë vendet tjera demokratike.

Së treti, Mediat: Mediat, sot në shoqërinë kosovare, janë një element ndoshta më i rëndësishmi, sytë e qytetarit janë të drejtuara kah mediat. Media paraqet një agjenci të veçantë të socializimit. Mirëpo, duke parë më për së afërmi zhvillimet e politikës kosovare, jemi dëshmitar të asaj që mediat kosovare janë të politizuara, me faktin që në to shpeshherë shtrohet trysni, presion social, në mënyra të ndryshme duke përdorur median si instrument drejt arritjes së qëllimeve të caktuara.

Mediat sot në botën bashkëkohore konsiderohen një element tepër pramgatik i cili defacto ndikon në perceptimin e opinionit të vet qytetarit, prandaj, në përgjithësi e sidomos sot postindustrialistët në krye me “Kahn pranojnë se mediat sot janë prore më të pranishme në shoqëritë e zhvilluara, dhe luajnë një rol shumë të madh në procesin e globalizimit”. Me fjalë të tjera, mund të themi se pikërisht këto media kanë ndikuar edhe tek qytetari kosovar, qoftë në aspektin pozitiv apo negativ, andaj mos përzieja e politikës në media do të shtonte edhe më shumë kredibilitetin e medias në raport me opinionin publik.

Sfidat dhe problemet e radhës!

Duke mos dashur që të thellohemi edhe më tepër në shumë probleme dhe sfida, të cilat ekzistojnë në shtetin kosovar, ne prekëm vetëm tri nga ato të shumta që janë, e që padyshim nuk do të mjaftonte që t’i thurim me pak rreshta në një refleksion të tillë të shkurtër. Prandaj, duke shëtitur më tej, dhe duke u socializuar më për së afërmi me disa nga problemet, ballafaqimet dhe sfidat që paraqesin një element dekonstruktiv për shtetin kosovar.

Mund të themi, se si sfida kryesore për Kosovën do të jenë: pikërisht zhvillimi ekonomik, mungesa e një infrastrukture të gjerë e cila do të krijonte vende të reja të punës, do të stimulonte investitorët e huaj, por edhe që do të ishte një hap i rëndësishëm për shtetin, si një shtet i fortë, funksional, dhe i aftë për t’i menaxhuar punët e tij me sukses. Sfidë tjetër e radhës, është edhe krijimi i një fryme politike më konstruktive, në krahasim me këtë e cila okazionalisht ekziston, pra që si opozita, ashtu edhe pozita të kenë gjithnjë në mendje qytetarin, në atë kuptim që qytetari mos dëmtohet, por të ndihet zëri i tij, sepse në fund të fundit falë votës së qytetarit elita politike në ato vende qëndron.

Pastaj, media e cila konsiderohet edhe si pushtet i IV-të, të jetë e pavaruar në kuptimin e trysnisë dhe presionit social, që asaj i bëhet çdo ditë nga shumë grupe, klane të interesave të ndryshme. Në fund mund të themi se këto janë disa nga problemet, sfidat, dhe ballafaqimet me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare. Ka edhe probleme tjera që normalisht nuk do të mjaftonte që t’i thurim me pak rreshta. Andaj, mbetet përgjegjësi e udhëheqësisë kosovare që t’i menaxhon me sukses këto sfida dhe sfida tjera që vijnë ndërkohë, nëse dëshiron të jetë shtet demokratik, funksional dhe i zhvilluar.

(Autori ka master në Sociologji)