LAJMI I FUNDIT:

“Shkëmbimi i territoreve” – zgjedhja më e mirë

Ekzistojnë katër fakte historike dhe aktuale prej të cilave lehtë , mundemi të nxjerrim përfundimin se pse duhet të jenë vetë Shqiptarët ata që duhet të ngulin këmbë për një lëvizje serioze drejt një marrëveshje historike me fqinjin tonë verior Serbinë. Kështu ishte fati që do të duhet të jetojmë me ta si fqinjë për shumë vite në vazhdim dhe ata anasjelltas me ne. Nuk jemi ishuj të harruar diku në Oqeanin Paqësorë, që të kishim luksin e të jetuarit vetëm, rehat dhe larg fqinjëve problematik që kanë pretendime territoriale ndaj nesh.

Fakti i parë është se Serbia asnjëherë për gati një shekull e gjysmë nuk arriti të integrojë shqiptarët brenda sistemit të vetë shtetëror. Që përfundojë me shkëputjen e Kosovës dhe pavarësinë e saj.


Fakti i dytë është se Kosova tash e 12 vite dhe 3 vite pas pavarësisë nuk arriti kurrë t’i integroj serbët e veriut në sistemin shtetërorë të saj, duke krijuar kështu një zonë veriore jashtë çdo kontrolli qeveritar.

Fakti i tretë është se shqiptarët e Kosovës Lindore apo Luginës së Preshevës asnjëherë nuk arritën të pranojnë faktin se janë pjesë e shtetit Serb dhe të integrohen brenda këtij vendi me çka situata degjeneroj drejtë një lufte të armatosur për çlirim kombëtar në vitin 2001. Edhe pas përfundimit të konfliktit të armatosur atje dhe nënshkrimit të marrëveshjes në Konçul, 10 vite pas, shqiptarët vazhdimisht kanë refuzuar të gjitha përpjekjet për mundësin e integrimit të plotë brenda shtetit serb. Problemet janë akumuluar aq sa situata shkoj deri në organizimin e protestave së fundi dhe bojkotin e regjistrimit të popullsisë. Bile ka zëra për radikalizim të mëtutjeshëm të padëgjueshmëris qytetare.

Bazat e fqinjësisë së mirë, me besim reciprok mes vendeve fqinje, është rruga që na drejton drejt Bashkimit Evropian apo me saktë prosperitetit europerëndimor me kryeqytet Brukselin. Drejtë NATO-së dhe anëtarësimit të sigurt të Kosovës në OKB.

Janë katër fakte aktuale për momentin të pakalueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë që detyrimisht do të duhej të na nxiste të analizonim me shumë kujdes dhe me mendje të ftohët larg nga romantizmi nacional idetë e fundit mbi mundësin e një korrektimi të kufijve aktual mes Kosovës dhe Serbisë. Dikur të vendosur nga presidenti Jugosllavë Tito si vija ndarëse administrative pa karakter shtetërorë. Shumë dekada nga ajo ndërhyrje arbitrare jugosllave kur Kosovës ju amputua pjesa lindore e saj (Lugina e Preshevës) për t’i ju dhënë një zonë malore mbi Mitrovicë (Leposaviqi dhe Zubin Potoku me rrethina), sot kur Kosova është Republikë e pavarur botërisht e njohur si e tillë, në rrugën e saj drejtë BE-së dhe botës moderne janë pikërisht këto gabime që bënë komunistët jugosllavë të Titos që po e ngadalësojnë dhe pse jo ndalojnë rrugëtimin e rehatshëm të saj drejt prosperitetit europerëndimore, është Kosova ajo që po paguan taksën më të shtrenjtë se çdo kush në rajon.

Janë populli shqiptar i Kosovës, ai që po përjeton sakrificën e madhe të izolimit ndërkombëtarë politikë, kulturorë dhe sportiv ata që duhet dhe do të duhej të mendonin me kokë të ftohur dhe qasje realiste dhe më shumë se kaq njerëzit që udhëheqin politikën Kosovare duhet të reflektojnë politikë të mençur dhe serioze. Pas intervenimit të dështuar policor në veri të vendit me 25 korrik dhe 16 shtator dhe pas rezistencës efektive të serbëve lokal kundër çfarëdo vendosje të institucioneve kosovare atje me anën e vendosjes simbolike të mureve të betonit në magjistralet kryesore në veri, situata e krijuar mbi Ibër e tutje në veri, ngjason një territori rebel buzë shkëputjes.

Rreziku i pavarësimit të veriut të Kosovës dhe bashkimit të tij me Serbinë, është rritur së fundi pas tejzgjatjes së paparashikuar të rezistencës së serbëve lokal ndaj Policisë së Kosovës dhe KFOR-it. Fakt që bindi edhe KFOR-in të deklarohej se atje po luhet loja e “maces me miun” dhe se heqja e barrikadave është sipas tyre më shumë problem politikë se sa ushtarak, andaj KFOR-i këtu nuk ka asnjë kompetencë dhe kjo i mbetet të zgjidhet nga politika e jo ushtria-KFOR-i. Mos interesimi i KFOR-it për konfrontimin e mëtutjeshëm me ekstremistët serb në Veri, me shumë afinitet e kanë kuptuar politologë dhe Qeveritar serbë në Beograd, të cilët haptas dhe me shumë diplomaci po kërkojnë, dikush “marrëveshje historike me shqiptarët” e dikush tjetër “Dejton 2 për Kosovën”, e ca tjerë flasin për “dy Kosova, një shqiptare e një tjetër Serbe”, me të vetmin qëllim strategjikë, marrjen e tri komunave veriore Leposaviqin, Zubin Potokun dhe Zveçanin dhe një status autonom për veriun e Mitrovicës. Gjitha këto të fuqizuara diplomatikisht edhe nga politikanë me renome botërore që propozojnë “ndarjen” e Kosovës. Së fundi edhe Erhard Busek u rreshtua pro idesë për rregullimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë. Të njohur mirë me historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, ata e dinë mire se si dhe çfarë duhet për të ecur përpara. Andaj doemos dhe me gjakftohtësi larg iluzioneve për një kthim të shpejt të sovranitetit në veri, duhet trajtuar -analizuar këshillat, propozimet që vinë nga po këta ekspertë ndërkombëtarë.

Kohët e fundit mbi horizontin mediatik dhe politikë kosovarë kanë filluar të shfaqen diplomatë, politikanë dhe analistë të karaktereve të ndryshëm që kanë filluar seriozisht të mendojnë se si duhet të ecet tutje. Kongresmeni i njohur për mbështetjen ndaj shqiptarëve z.Dana Rohanbaher, i cili i pari morri guximin për të shtruar hapur idenë e një korrigjimi të kufijve në raportet kosovaro-serbe. Kjo ide sipas tij do të drejtonte shqiptarët dhe serbët drejtë përfundimit të mosmarrëveshjeve mes tyre dhe hapjen e një kapitulli të ri paqësor mes tyre. “Çuditërisht” kjo ide u mbështet së fundi edhe nga Presidenti serb Tadiq dhe disa ministra serb në kabinetin e tij. Edhe kryeministri Thaçi, foli kohëve të fundit për një “përmbyllje historike” të kontradiktave mes Kosovës dhe Serbisë.

Ideja erdhi si koncept për një korrigjim të vijave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gabimisht të quajtura si shkëmbim territori. Sepse Kosova sot nuk ka territor për të shkëmbyer pasi që ato territore që i kontrollon Kosova nuk kërkon t’i marr Qeveria në Beograd ajo shfaq interesimin e saj për legjitimimin e strukturave të saja shtetërore në veri të Kosovës apo në atë zonë që Tito ja mori dhe ja dha Kosovës pa një marrëveshje paraprake me Serbinë. Nëse Kosova do të pranonte këtë kërkesë të tillë serbe, Republika e Kosovës nuk do të humbiste asgjë më shumë se që posedon sot, pos vetëm që do të fitonte hapësirë për marrjen e krahut të saj lindore Luginën e Preshevës një territor me peshë enorme strategjike në relacionet e reja brenda ballkanike dhe brenda evropiane. Shtrirja e shtetit Kosovarë brenda Luginës së Preshevës asaj do t’i jepte avantazhin e pjesëmarrjes direkte në kontrollin e lidhjes së vetme tokësore mes Ballkanit Verior dhe atij Jugorë, forcimin strategjik të Kosovës dhe forcimin e saj ekonomik si pasoj e të ardhurave të mëdha nga lugina e Preshevës si zonë transiti për miliona udhëtarë që qarkullojnë ne relacionet Evropë-Azi. Vlen të përmendet se brenda vitit 2009 nëpër Luginën e Preshevës qarkulluan mbi 9 milion mjete të vogla transporti (automobila) dhe mbi 30 mijë mjete të mëdha transporti (kamion dhe trena me linja ndërkontinentale) , që shteti serbë morri miliarda euro përfitime nga ky qarkullim masiv i pandalshëm. Fitorja e dytë e Kosovës do të ishte fitorja politike dhe diplomatike që aspak nuk është më e parëndësishme se e para. Sepse pasi që të rregullohej përfundimisht problemi shqiptaro-serb, Kosovës do ti hapen dyert për të ecur me shpejtësi drejt organizmave ndërkombëtarë politikë dhe BE-se .

Luginën e Preshevës një territor me peshë enorme strategjike në relacionet e reja brenda ballkanike dhe brenda evropiane

Gjeografikisht ura lidhëse e basenit të Moravës dhe Vardarit, e vendosur në thellësinë e Ballkanit qendrorë, mikro-regjioni i njohur si lugina e Preshevës, posedon çmimin më të madh strategjikë në rajonin e Evropës Juglindore. Ky mikro-regjion, zyrtarisht hynë në 5 pikat e rëndësisë së veçantë strategjike të Evropës, të gjitha luftërat përcaktuese gjatë dy luftërave botërore në Ballkan janë bërë për të zotëruar pikën strategjike të njohur si lugina e Preshevës.

Kepi i Gjibraltarit, Porti i Amsterdamit, ngushtica e Bosforit, ngushtica e Dardaneleve dhe lugina e Preshevës janë 5 mikro territoret e rëndësisë së veçantë strategjike të Evropës që posedimi i tyre ka pasur efekt dominant në renditjet e mëvonshme gjeopolitike në kontinent. Luftërat dhe konfrontimet për këto pika shpesh here janë zhvilluar në periferi apo shumë larg tyre, por qëllimi final dhe vendimet politike që janë marrë vonë kryesisht kanë pasur qëllim vendosjen e ndikimit mbi këto zona interesi.

Kontratat e Versajës, Berlinit apo ajo në Jaltë edhe pse dukej se nuk kishte të bënte asgjë me këto zona, në fund, si pasoj e këtyre marrëveshjeve, dolën renditjet e reja gjeopolitike me rezultat 4 me 1 për Perëndimin. Pasi Gjibraltari, porti i Amsterdamit, dhe ngushticat turke të Dardaneleve dhe Bosforit mbetën nën influencën NATO-s deri sa lugina e Preshevës ju dha Lindorëve Sovjetik, dhe u betonizua si territor i tillë me marrëveshjen e Titos kur ju shkëput Kosovës “për të ndryshuar realitetin etnik në Kosovë” dhe ju dha si kompensim Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani.

Ky amputim i Luginës së Preshevës nga Kosova, nuk e kishte qëllimin e ndryshimit etnik të Kosovës, por betonizimin e Kontratës së Jaltës, që donë të thotë Moska vetëm nëse Lugina do ishte nën administrimin direkt të Serbisë do të ishte e sigurt se influenca e saj do të shtrihej në thellësinë e Ballkanit për të penguar avancimin amerikan në Ballkan. Për të ndikuar direkt mbi damarët e komunikacionit Evropian dhe eliminuar të gjitha elementët anti-rusë në korridorin jug-veri apo luginat e Moravës dhe Vardarit.

Spastrimi i vijës strategjike nga Lugina e Moravës drejt Luginës së Vardarit nga Shqiptarët, rrënjët i ka tek politika Ruse, tek tendencat e saj imperialiste për eliminimin e ndikimit perëndimor mbi Ballkanin duke krijuar kështu nga Ballkani një vegël Ruse me të cilin do të sundonte Mesdheun dhe ndryshonte ekuilibrat në thellësinë kontinentale të Evropës kur t’i donte qejfi.

Kanali ujorë Moravë-Preshevë-Vardar – ide e vjetër amerikane

Përdorimi i kapacitetit transportues të Luginës së Preshevës , ka filluar diku rreth viteve 1888 me ndërtimin e Hekurudhës Paris -Selanik si pasoj e një marrëveshje bashkëpunimi mes Obrenoviqit dhe Perandorit Francez Napolonit të 3-të. Më vonë dikur ky përdorim u sofistikua edhe më shumë, me hapjen e autostradës si një projekt evropian sikurse i pari, por tani i quajtur me emrin strategjik Korridori 10. Këto dy ndërtime hekurudha dhe autostrada, ngadalë janë shndërruar në pika referimi çdo here që përmendet Lugina e Preshevës dhe historia e saj.

Por për dekada të tëra është fshehur me dinakëri, një projekt tjetër shumë më ambicioz dhe më i rëndësishëm se dy të parat, plani i vjetër amerikan për konstruktimin e kanalit ujor diku nga gryka e Gërdelicës deri tek Shkupi dhe krijimin e rrugës së lundrimit mes përmes Evropës kontinentale pa pasur nevojë të lundrohet rreth e rreth Mesdheut. Ky plan ishte propozuar nga Konsulli Amerikan me seli në Konstantinopol, z.John Luishman dhe ishte publikuar me datën 7 korrik të vitit 1909 në dokumentacionet e përjavshme të U.S.Consular and Trade Raports.

Qeveria Serbe dhe ajo Ruse shumë gjatë (që vazhdon edhe sot ) kishin tentuar të humbin origjinalitetin e këtij propozimi duke e paraqitur gjatë viteve herë si plan serb i një ish mbreti të tyre e herë si ide evropiane duke tentuar të humbin origjinalitetin e saj si ide dhe propozim amerikan që daton saktësisht prej ditës së 7 korrikut të 1909 kur për herë të parë Konsulli amerikan në Konstantinopoj shkroi për këtë ide dhe raportojë direkt nga terreni, saktësisht nga lugina e Preshevës dhe Shkupi ku ishte me vizitë zyrtare. Në dokumentacionin dhe korrespodencat e asaj kohe raporti i konsullit amerikan ne Stamboll z.Xhon Lieshman është dokumenti i parë zyrtar në gjuhën angleze që ka të bëjë me idenë e rregullimit të kanalit ujor.

I planifikuar në mënyrë precize dhe ekonomikisht shumë mirë i arsyetuar, ky plan kishte elektrizuar aq shumë klasën sunduese serbe të asaj kohe, sa që implikimi Rusë ishte bërë aq i domosdoshëm sa herë që qeveria e Obrenoviqit mendonte se pozicioni serb ishte dobësuar në nivel ndërkombëtar. Çfarë e kishte ushqyer aq shumë qëndrimin e ashpër Rus, në kundërshtimin dhe minimin e vazhdueshëm të çfarëdo marrëveshje mes Qeverisë Serbe dhe asaj Amerikane për marrjen me koncesion të terrenit ku do të rregullohej ky kanal, ishte frika Ruse për rritjen e mundshme të influencës amerikane mbi ekonomin serbe të asaj kohe dhe tmerri Rusë i humbjes së faktorit Serbi në planet e saja për rregullimin e Ballkanit, ky qëndrim i ashpër Rusë dhe pozita e saj e fuqishme ndërkombëtare në botën e viteve 1910-13, përball pozitës shumë të dobët ndërkombëtare të Qeverisë Amerikane (si një shtet që po konsolidohej në vazhdimësi) kishte imponuar bisedimet e Janarit të 1913 -tës, në oborrin mbretërorë të Shën Peterburgut në Rusi.

Ishte shumë interesante që gjatë gjithë dokumenteve historike mbi marrëdhëniet Ruso -Amerikane në Ballkan, marrëveshja e 13 Janarit e vitit 1913 për ndërtimin e përbashkët të kanalit ujore në luginën e Preshevës (që pati tendenca tradhtie nga Rusia dhe Obrenoviqi më vonë) është marrëveshja e parë e nënshkruar mes këtyre dy vendeve për ndonjë çështje që zhvillohet në Ballkan. Dhe nga këtu karakteri i një territori atëherë pa emër tani me emrin strategjik Lugina e Preshevës morri karakter global, hyri në agjendat e Moskës dhe Uashingtonit. Të gjitha renditjet e ardhshme gjeopolitike në Ballkan kanë pasur për qëllim ndikimin direkt mbi këtë pikë strategjike të rëndësisë së veçantë.

Atëherë çfarë saktësisht duan serbët? Ultimatumi i Nikoliqit…

Ata e kanë me hile si çdo here, nisën me “bisedimet teknike”, për të fituar rastin për bisedimet e “vërteta” për “kompromisin historik” me shqiptarët. E duan veriun e vendit dhe pranojnë të kompensojnë me Preshevën, por pa luginën strategjike të saj, pa Bujanocin dhe pa Medvegjën. Rreziku i ndarjes së brendshme të Luginës së Preshevës tani është shumë evident, para ca muajsh Tadiq publikisht kishte deklaruar se ishte për kompensimin e marrjes së veriut të Kosovës me dhënien e “komunës së Preshevës”. Deri sa sipas gjitha gjasave Kryeministër i ardhshëm serb Tomislav Nikoliq (që pritet pas zgjedhjeve parlamentare në pranverë të marrë drejtimin e Qeveris serbe në koalicion me Partin Demokratike të Tadiqit ), para disa ditësh para elektoratit të tij, shpalosi dy orientimet kryesore strategjike të Qeveris së tij, nëse ai fitonte zgjedhjet parlamentare.

E para një investim miliarda dollarësh në zonën industriale në mes Novi Sadit dhe Beogradit dhe e dyta hapjen e kanalit ujor dhe rregullimin e linjës lundruese Danub-Deti Egje. Te dyja investime miliarda dollarësh me dominim të kapitalit Rusë. Ata në një apo tjetër mënyrë po e përgatisin planin e fundit të tyre për shkëmbimin e Luginës së Preshevës me veriun e Kosovës dhe në këtë akt, qëllimi i tyre është të mundohen sa më tepër që të vendosin kufijtë e ri të Komunës së Preshevës, duke e shtyrë dhe rrudhur në maksimum këtë Komunë dhe për të lënë jashtë saj terrenet me strategjike që do të bëjnë pjesë në projektin final të hapjes së Kanalit ujor Morava-Vardar një projekt me vlera miliarda dollarësh.

Ndarja me vija ushtarake që po i bëhet Bujanocit me Preshevën me anën e bazës ushtarake Cepotin dhe tendencat për vizatimin e vijave të reja administrative të Komunës së Bujanocit, me planin e ndarjes në dysh të kësaj komune dëshmojnë dhe japin alarmin për lojën perfide serbe në procesin e “ndarjes së butë” të Kosovës. Tashmë atje ka filluar ekzekutimi i këtij plani, ku fatkeqësisht viktimat e para të kësaj kurthe janë liderët politikë shqiptarë të Bujanocit që pranuan të nënshkruajnë dokumentin e marrëveshjes për qeverinë multi-etnike të qytetit që fatkeqësisht është fillimi i fundit për qeverisjen shqiptare në Bujanoc. Sepse tashmë Serbët e kanë një dokument të cilin do ta kundërshtojnë si të “padrejtë” ndaj komunitetit të tyre dhe të rrisin kërkesat deri në maksimum ndaj palës shqiptare .

Edhe pse shumica e serbëve e “kundërshtuan” krijimin e Këshillit Nacional Serb, kjo trup është pjesë e një mozaiku të gjerë për ndarjen e brendshme të Kosovës Lindore. Duke detyruar prishjen e koalicionit dhe shpalljen e kërkesave të tyre për vizatimin e kufijve të ri komunal në Bujanoc si një “rregullim të pozicionit të tyre politikë” ndaj shumicës shqiptare në Bujanoc. Ardhja së fundi e rreth 500 kolonëve serb nga ish vise jugosllave në Bujanoc përfundimisht vulos qëllimet serbe ndaj rimarrjes së Bujanocit ( kësaj here përfundimisht) dhe ndarjes së brendshme të Preshevës me Bujanocin.

“Shkëmbimi i territoreve” – zgjidhja më e mirë

E mbështetur gjithherë e më shumë nga politikan prominent, mundësia e shkëmbimit territorial mes Kosovës dhe Serbisë po shihet gjithmonë e më shumë si një opsion real. Por çka duhet të kenë parasysh shqiptarët, gjatë procesit të komplikuar të ndryshimit të vijave kufitare me Serbinë.

– arsyen (gjenezën) e se pse ishte amputuar Lugina e Preshevës nga Kosova:
– të merren parasysh dy dokumentet më të rëndësishme hartat e vjetra që tregojnë kufijtë e shtetit serb para 1913-së .
– të drejtën Amerikane për shfrytëzimin e Luginës së Preshevës (përdorimin e territorit të saj) për hapjen e kanalit ujor Morava-Vardar, këtu kemi Marrëveshjen Ruso-Amerikane të 1913 -së dhe dokumentacionet e letërkëmbimeve diplomatike të viteve 1909-20 mes Qeverisë Serbe dhe asaj Amerikane që tregon se Asociacionit Amerikan të hapjes së kanaleve ujore me seli në Nju Xhersi i ishte dhënë me koncesion territori ku do të hapjes kanali ujor. Ky Asociacion kishte dizajnuar këtë projekt dhe e kishte emërtuar Linja e gravitetit të ekonomisë evropiane në drejtim me Suezin.

Revidimi i vijave kufitare mes Kosovës e Serbisë duhet të jetë rruga drejt paqes shqiptaro-serbe, pa asnjë dyshim, por ky revidim duhet të bëhet mbi bazat reale të problemit dhe jo mbi bazat e kamuflimit apo manipulimit të fakteve historike që e kanë determinuar fatin e tanishëm të mikro-regjionit të quajtur Lugina e Preshevës.