LAJMI I FUNDIT:

Shefki Karadaku, këngëtari i fundit i reve

Shefki Karadaku, këngëtari i fundit i reve

Shefki Karadaku, këngëtari i fundit i reve

Nga: Enver Kushi


Dy ditë pas 14 marsit, që në Shqipëri, por veçanërisht në Elbasan festohet si Dita e Verës apo edhe Dita e Luleve, pushoi së rrahuri zemra e Shefki Karadakut, një prej poetëve dhe prozatorëve të njohur të letërsisë shqipe, si dhe miku im i kahershëm. Jo pa qëllim e nisa këtë shkrim in memoriam me Elbasanin dhe Ditën e Luleve.

Shefki Karadaku është nga Elbasani. Ai lindi dhe u madhua në një nga qytetet më të bukur të Shqipërisë, qiejt, ajri dhe toka e të cilit, në të gjitha stinët, kanë ca aroma të veçanta dehëse… Elbasasni “noton” në këto aroma të çuditshme erëmira, ku lirizmi është pjesë e pandarë e qënies së këtij qyteti.

Këtu lirizmi buron. Ai nuk është kalimtar ose i përkohshëm. Ky dimension e ka bërë këtë qytet dhe banorët e tij të butë dhe të brishtë, arsimdashës dhe të kulturuar. Nuk është e rastit që kronisti osman Evlia Çelebi, shkruan për vasha aq të bukura të këtij qyteti, sa njeriu pandeh se ndodhet në mes të perrive të dheut apo e quan Elbasanin dhe tregun e tij “nusja e Shqipërisë dhe e Rumelisë”…

Gjithashtu nuk është e rastit që nga ky qytet, dolën qindra mësues, shumë të përkushtuar jo vetëm në Elbasan e rrethina, por në të gjithë hapësirat shqiptare. Mësuesit e mi të fillores ishin Abedin Turku dhe Sadete Turku, ndërsa më pas, në vitet e mëtejshme të shkollimit tim edhe Hyjni Ceka, Musa Xhepa, Tahir Belshaku, Sami Stringa, Besnik Bedalli, Ndriçim Gani… Në vitet e mia studentore, për katër vite isha në të njëjtën dhomë me dy elbasanllinj të mrekullueshëm: Tomor Domin e ndjerë dhe Shefki Karadakun.

Dhe, fal tyre, do të njihesha edhe me Durim Shishmanin, Sulejman Balëzën dhe Astrit Loparin, që gjithashtu ishin nga Elbasani dhe vazhdonin studimet për muzikë në Institutin e Lartë të Arteve… E pra, të gjithë këta dhe krijues të tjerë që njoha më pas, si Musa Vyshkën, kishin shumë nga qyteti i tyre: butësinë, botën e madhe shpirtërore, lirizmin, humorin e spikatur.

Dhe, këtu do veçoja Shefki Karadakun. Pata fat që për katër vite, isha në një dhomë me të, si dhe Moikom Zeqon, Tomorr Domin dhe Niko Kacalidhën. Tashmë Tomorr Domi, miku im i rinisë studentore nuk është më. Ai shkoi i ri. Shumë i ri. Nuk është më as Moikom Zeqo, i cili ka qenë përtej kuptimit të fjalës mik për mua… Shkoi edhe Shefki Karadaku, dy ditë pas Ditës së Verës.

E mbaj mend mirë udhëtimin me tren nga Rrogozhina për në Tiranë. Ishte vjeshtë e parë… Stacioni hekurudhor i Tiranës. Bulevardi i Madh. Sheshi “Skënderbej”. Rruga e Elbasanit dhe aroma e luleve, që vinte nga vilat, rrethuar me kangjella. Godina e bukur e Fakultetit të Histori-Filologjisë. Regjistrimi në sekretari. Pastaj e përpjeta që të çonte në Qytetin Studenti. Magazina në katin e parë, ku shpërndaheshin çarçafët dhe batanijet…

Me Shefkiun u takuam në radhë, duke pritur para magazinës së godinës, ku do të kalonim katër vite, në një dhomë të katit të dytë. Ishte para meje… Mbaj mend që ishte veshur me një bluzë të lehtë me mëngë të shkurtra. Ktheu kokën dhe më vështroi gjatë. Pastaj më pyeti nga isha. I thashë emrin tim dhe nga isha.

– Unë jam nga Elbasani, – tha pas pak – Quhem Shefki Karadaku. . .

– Kam blerë librin tënd “Kënga e karrove të drithit”. E kam lexuar disa herë. Edhe poezitë që boton në gazeta, – shtova.

Vura re që portreti i tij, veçanërisht sytë, morën një dritë të veçantë. Më pas ai u skuq dhe buzëqeshi lehtë… Pastaj ngjitëm shkallët dhe u gjendëm në një dhomë, me krevate tip marinari. Këtu erdhën edhe Tomorr Domi, Moikom Zeqo dhe Niko Kacalidha. Ne ishim disa vite më të rinj sesa Shefkiu, por kjo diferencë në moshë për ne ishte vlerë. Jo vetëm unë, por edhe Moikomi, Tomorri dhe Nikua, vlerësonim pjekurinë e Shefkiut. Ai kishte kryer shërbimin ushtarak dhe kishte punuar disa vite mësues, në një nga fshatrat e largët të Elbasanit…

Emri i tij ishte i njohur në rrethet letrare të kryeqytetit dhe vlerësohej për poezinë lirike. E megjithatë mbaj mend modestinë e Shefkiut, që ishte dhe mbeti deri në fund të jetës, një nga tiparet e karakterit të tij. Dua të nënvizoj edhe një anë tjetër të Shefkiut, butësinë, qetësinë dhe humorin fin. Ai kishte shumë nga Elbasani nga shpirti lirik i këtij qyteti. Edhe nga humori i mprehtë, e qeshura e natyrshme, gëzimet e jetës, që elbasanasit e kanë pjesë të karakterit të tyre…

Nuk do t’i harroj kurrë rrëfimet e Shefkiut, mbrëmjeve apo mëngjeseve, kur ai sapo zgjohej, i binte me grusht murit të dhomës dhe niste të tregonte aq bukur dhe me humor histori nga më befasueset, shoqëruar me qeshjet e tij, si nëpër zë.

Vitet dhe koha bënë të tyren. Shefkiu, pasi mbaroi studimet e larta në degën gjuhë-letërsi, u emërua në revistën “Ylli”. Moikomi në gazetën “Drita”. Unë mësues në shkollën e mesme të Rrogozhinës dhe Nikua mësues në një nga fshatrat e Sarandës.

Edhe një fakt tjetër, që e mbaj mend. Me Moikomin ngjitëm ca shkallë të godinës, ku ishte redaksia e revistës “Ylli”. Koridori m’u duk shumë i gjatë. Nuk e mbaj mend nëse Moikomi takoi Qamil Buxhelin, një nga shkrimtarët më të mirë të humorit dhe kryeredaktor i revistës “Ylli”, me origjinë nga Pandelejmoni, një fshat i Çamërisë së Vogël, mbetur në territorin shqiptar pas vendimeve të Konferencës së Londrës. Fjalën e kam gjetkë.

Atë ditë takova, krahas mikut tim Shefki Karadaku, edhe Nadiren, që do të bëhej bashkëshortja e Shefkiut. Nadirja punonte në revistën “Ylli”. Të parët e saj ishin me origjinë nga Çamëria, nga një fshat i Filatit, që quhet Varfanj… Vite më parë, kur kam qenë në këtë fshat, shumë pranë lumit Kalama kam parë bukuritë e tij (si shumë fshatra dhe qytete të Çamërisë), m’u kujtua Nadirja, hijeshia dhe bukuria e saj, që Shefkiu i ka kushtuar disa poezi të frymëzuara Nados së tij të dashur.

E kam të vështirë të analizoj krijimtarinë e gjerë të Shefki Karadakut si poet, prozator apo publicist. Jam i bindur që në të ardhmen, studiuesit shqiptar do të meren me prurjet cilësore të Shefkiut në fushën e letërsisë. Në këtë shkrim do të nënvizoj vlerat e tij si poet lirik.

Në këtë lëmi, ai zë një vend nderi dhe nëse do ta quaja metaforikisht poezinë lirike si gjuhë të shpirtit dhe qiellit, zëri i Shefki Karadakut është i tij dhe vetëm i tij, që vjen nga hapësirat sa të Elbasanit, aq edhe ato të Shqipërisë e përtej saj. Ai është vazhdues i etërve të mëdhenj të lirikës shqiptare dhe asaj botërore. Këto ditë u jam rikthyer disa përmbledhjeve me poezi, që Shefkiu m’i ka dhuruar. Në parathënien e njërit prej këtyre librave ai shkruan: “Ndoshta s’do ta kisha përshkruar fare këtë rrugë plot zigzake shpirti, nga ku u nisëm gjithësesi poetët që nga Alkeu deri Poradeci, nëse s’do të kisha përherë me vete si hajmali, përpos këmishës së ndjenjave të tjera, flakën e pashuar të asaj lënde arkaike, por të mrekullueshme, siç është dashuria për disa njerëz, gurë, drurë, male, emra krejt të veçantë e magjepës për orealin artistik… “

Në poezinë lirike, Shefki Karadaku duket sikur shkruar herë-herë mbi re, nga ku bota dhe realiteti duken ndryshe dhe herë-herë nga thellësitë e tokës apo brigjeve të Shkumbinit, lartësitë e Krastës, brigjeve të detrave. Në lirikën e tij, natyra dhe njeriu janë si në foshnjërinë e tyre. I tillë është qielli, yjet, retë, shirat, ylberët, lindjet dhe perëndimet e diellit, erërat, stinët, gëzimet dhe hidhërimet njerëzore.

Në të mungojnë tamtamet e kohës, patetizmi fals, fanfarat, poezitë për vjelëset e pambukut, industrializimin socialist. Duket se Shefki Karadaku, ashtu si Odisea i Homerit, ka mbyllur veshët, për të mos dëgjuar, patetizmin e kohës kur jetoi.

Në esenë “Miti i poezisë” Stefan Cvajg shkruan: “Asnjë poet gjerman nuk ka besuar sa Hëlderlini te poezia dhe origjina hyjnore e saj, askush nuk e ka mbrojtur me aq fanatizëm dhe në mënyrë aq të vendosur pastërtinë e saj nga çdo ndotje tokësore… E quan poezinë, me nderim të thellë, ndërlidhëse e hyjnore që ngjiz dhe i jep tokës jetë, të vetmen harmoni në të cilën zbuten e zgjidhen, për disa çaste të lumtura, grindjet e përjetshme të qënies…”

Poezia lirike e Shefki Karadakut, noton në hapësira të tjera qiellore. Ajo është e brishtë, lozonjare, e ndrojtur dhe herë-herë e lodhur:

I lodhur jam, i lodhur jam,
Dua të fle, dua të fle.
Kali i bardhë e hëngri mbrëmjen.

Ose:

Nuk ka shërim pikëllimi im i vjetër,
Në çdo lirikë e fus, e mbjell nga pak.
Shkëlqen dielli si mirazh, si ëndërr.

Poeti:

E për tetorin qava në pranverë,
Si për hurmane që lëngon në shi.

Në këtë mënyrë, Shefki Karadaku ka sendërtuar shtëpinë e shpirtit të tij buzë Shkumbinit, atje ku “ylberi ka rënë mbi brigjet e trishtuara”. Dhe kjo shtëpi e shpirtit të poetit, ka mbledhur brenda stinët dhe qiejt e Elbasanit, shirat zemërak, çeljen e karakafteve, zërat njerëzor, jehonat e largëta të fëminisë, këngët e Isuf Myzyrit, kuajt e hazdisur, kopshtijet e vendlindjes, nënën dhe babain, Nadiren dhe mallin për Çamërinë, Dorianin dhe Albanën, fëmijët e tij.

Në këtë shtëpi të shpirtit të tij vinë erërat e vjeshtës “të m’i krehë flokët kaçurrelë” apo ulen dhe ngrihen lejlekët. Përqark saj “qielli plot me re i leckosur vjen”. Dhe kur heq çatinë e kësaj shtëpie shpirti, poeti sheh “qiellin plot me re që i leckosur vjen përqark…” Dhe, kur hap dritaret e kësaj shtëpie shpirti, bashkë me valët e Shkumbinit që “përplas jehonën e planetit”, vjen Nadirja që i “sjell erën çame o bukuroshe magjishme” dhe “gëzimet misterioze të një atdheu të braktisur”.

Ky është Shefki Karadaku, që shkoi më 16 mars, vetëm dy ditë pas Ditës së Verës. Shkoi në një ditë të trishtë dhe gri marsi, këngëtari i reve, ose siç shkruan ai në një nga lirikat e tij: “Këngëtari i fundit i reve”, duke lënë pas “shtëpinë e poetit me njëqindmijë dritare”.

Në trend Kultura

Më shumë
LAMTUMIRË VËNDET E MIJA

LAMTUMIRË VËNDET E MIJA

Poezi
PAS VDEKJES SIME

PAS VDEKJES SIME

Poezi
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
“Dhoma e gjumit” e van Goghut

“Dhoma e gjumit” e van Goghut

Piktura
Çfarë është kultura?

Çfarë është kultura?

Kulture
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
Kalo në kategori