LAJMI I FUNDIT:

SHBA, kriza 1 triliardë dollarë

SHBA, kriza 1 triliardë dollarë

Qeveria amerikane vendosi së fundmi të shtetëzojë kompani e asete me vlerë 1 triliardë dollarë, si masë për shpëtimin e vendit nga kriza më e thellë financiare në një shekull.

Ndërhyrja e qeverisë në blerjen e kompanive private, është hap i paprecedent i qeverisë amerikane. Plani i qeverisë amerikane solli një rritje dramatike të deficitit buxhetor të vendit si dhe dobësim të shpejtë të dollarit amerikan kundrejt të gjitha monedhave të tjera. Dollari ra dje deri në 1.467 dollarë për euro, kur qe në kuotën e 1.42 të enjten e kaluar.

Tashmë ka filluar lufta politike në kongres, ku plani i blerjes së aseteve të këqija të bankave nga ana e qeverisë, do të duhet të miratohet gjatë javës. Por Kryetarja e Kongresit, Nancy Pelosi, deklaroi se megjithëse propozimi i Bush do të diskutohet, kongresi nuk është se thjeshtë do të firmosë një çek të bardhë për Wall Street.

Kongresmenët janë duke debatuar se kush mund të përfitojë nga ndihma shtetërore dhe në çfarë mase. Alan Greenspan, kryemjeshtri i menaxhimit të tregjeve, komentoi krizën aktuale financiare si “ngjarje që ndodh një herë në shekull”. Depresioni i Madh filloi më pak se 80 vjet më parë, por gjithsesi ne jemi në një shekull të ndryshëm. Nuk është e sigurt nëse deri në vitin 2099 botës nuk do t’i ndodhë asgjë më e keqe, por fakti që asgjë kaq e tmerrshme nuk ka ndodhur në 80 vjetët e fundit, është mbresëlënëse.


Të gjithë ekonomistët janë dakord se që nga lufta e Dytë Botërore e pas nuk ka patur një recesion të përmasave si ato të viteve ’30, por jo të gjithë janë të bindur se një i tillë ka filluar.

Si erdhi kriza
Në fillim të këtij viti, rënia e çmimeve të pronave të paluajtshme në SHBA si dhe rënia e të ardhurave të popullatës, bëri të qartë për botën se shumë prej njerëzve që kishin marrë kredi për shtëpi, nuk mund të shlyenin më këstet e tyre mujore. Për pasojë, bankat u detyruan të klasifikojnë si kredi të këqija asete prej miliarda dollarësh. Shumica e bankave dolën me humbje dhe u detyruan të shkurtojnë forcën e tyre punëtore.

Për shkak se bankat kishin blerë kreditë e njëra-tjetrës, kriza amerikane përfshiu shumë institucione financiare në të katër anët e botës. Për të mbuluar humbjet, institucionet financiare iu drejtuan tregjeve për të grumbulluar kapital të ri. Por për disa banka, si Lehman Brothers, nuk u gjetën dot blerës.

Qeveria amerikane ndërhyri fillimisht pjesërisht duke blerë kompanitë që privatët nuk pëlqenin t’i blinin, ndërsa tani, ka ndër mend të blejë të gjitha asetet e rrezikuara.

Si kriza e viteve ’30
Karakteristika kryesore që e bën krizën e tanishme të ngjashme me Depresionin e Madh, është ndërhyrja masive e qeverisë, shtetëzimi i kompanive të rrezikuara dhe nxjerrja në faliment e atyre bankave të konsideruara “më pak të rëndësishme” për ekonominë amerikane.

Tashmë, Ken Lewis, bosi i Bank of America, deklaron se më pak se gjysma e 8500 bankave që SHBA-të kanë sot, do të arrijnë të mbijetojnë nga kriza aktuale. Në vitet ’28-’30, patën falimentuar 11 mijë banka. Por në dallim me atë kohë, tashmë shihet se qeveria federale e SHBA-ve ka përmasa shumë herë më të mëdha sesa tregjet financiare.