LAJMI I FUNDIT:

Shaqir Hoti, apo okarina e artë e melodisë popullore

Shaqir Hoti, apo okarina e artë e melodisë popullore

Fyellin, kavallin, bishtnicat, pipëzat i ka trashëgim nga familja. Kur i ka pasur vetëm 6-7 vjeç, ka interpretuar në odë të burrave në Rogovë të Hasit. Herë pas here, është mbyllur në kullën e axhës dhe bashkë me babanë e tij ka interpretuar melodi me fyell e me kavall. Sot është legjenda e gjallë e instrumenteve frymore burimore.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Mbi supe mban peshën e viteve, por me duart e tij çdo ditë gdhend një instrument e nga shpirti i tij çdo ditë nxjerr nga një tingull. Ka dëshirë që zanatin e tij, të krijimit të instrumenteve frymore e të thurjes së melodive me fyell e kavall, t’ua trashëgojë edhe të tjerëve, por…askush, as nga Ministria e Arsimit e as nga Akademia e Arteve nuk po shpreh interes për talentin e tij.


Shaqir Hoti është okarina e artë e melodisë popullore, është legjenda e gjallë e fyellit, kavallit, bishtnicave, është enciklopedia e instrumenteve frymore. Mirëpo, pret “dorën” e shtetit që t’ia dhurojë Kosovës gjithë këtë thesar burimor.

Ai flet për herë të parë për jetën e tij artistike, prej fëmijërisë e deri më sot.

Lexojeni e “dëgjojeni” melodinë e Shaqir Hotit!

Baca Shaqë, a mund t’ju drejtohemi me këtë nofkë, meqë të gjithë ju thërrasin kështu, pa hezituar, sigurisht për t’ju nderuar?

Edhe për mua është një nderim. Kështu ndihem krenar me këtë emër.

Kur ka zënë fill dashuria juaj e paharruar ndaj fyellit dhe kur keni filluar të nxirrni melodi nga një instrument, në shikim të parë shumë i thjeshtë, por shumë ‘lozonjar”?

Me vite nuk mund ta di, sepse isha shumë i vogël. Por e di se si fëmijë, pa hyrë në shkollë, kam filluar me fyell, në ndërrojcë (një pjesë e bishtnicës), pipëza etj.

Fyelli e kavalli, trashëgim familjar

A e keni trashëgim familjar fyellin dhe kavallin, apo ju jeni i pari që e keni marrë këtë ‘zanat’ që kërkon shumë frymë, durim dhe përkushtim?

Baba im ka mësuar nga gjyshi, unë nga baba, por edhe nga Mëhalla e Godenëve. Ishte kohë me një mentalitet më ndryshe. Me babën kam luajtur thuaja tinëz në shtëpi, kurse në kullë kam luajtur me kushëririn Dinë Godeni, me dy kavalle, zakonisht në të njëjtën kohë.

Jeni i njohur edhe si flautisti i parë në Kosovë. Kjo ju bën një fenomen dhe tregon për talentin tuaj që keni për të zotëruar shumë instrumente frymore.

Unë luaj jashtëzakonisht mirë edhe me çifteli, sharki. Disa këngë i kam përcjellë me çifteli, si te Nexhmije Pagarusha “Sytë për ty i kam të njomë”, “Bijnë tupanat”, Sabri Fejzullahun me disa këngë. Ilir Shaqiri, ndoshta është i vetmi prej të gjithë këngëtarëve që i ka përdorur të gjitha instrumentet frymore, duke filluar prej pipëzës e deri te kavalli. Çiftelia shumë herët ka qenë e përfshirë edhe në orkestër, por unë u përcaktova për instrumentet aerofone qysh herët. Këngëtarja e parë që përdori okarinën prej balte me këngën ‘O moj dele, delja rude’ ishte Nexhmije Pagarusha, ndërsa unë i kam rënë. Okarina zakonisht bëhet nga balta, por ka edhe nga druri, por tingull më të mirë lëshon balta.

Përveç ekzekutues virtuoz dhe tejet origjinal, me fyell dhe kavall, ju luani edhe me instrumente të tjera, sidomos me sharki, lahutë, gajde…

Tërë jetën luaj më fyell dhe kavall, madje e kam bërë një album dhe e kam titulluar ‘Një jetë me tinguj’. Pa pushim, prej vegjëlie e deri më sot, kurrë nuk jam ndarë nga këto instrumente. Dikur, në fshat punoja në arsim, por krahas të gjitha punëve të tjera, çdo ditë, një orë a dy u kam rënë këtyre instrumenteve.

Instrumentet tona të traditës ndahen në tri grupe: ritmike, frymore (aerofone) dhe kordofone (me tela). Në kordofone luaj në çifteli, sharki, lahutë. Në instrumentet frymore duke filluar prej pipëzës, deri te kavalli që është një ndër instrumentet më të gjata frymore…E veçanta është se unë luaj edhe në okarinë. Në krejt trevat shqiptare, jam i vetmi që luaj me këtë vegël.

Edhe në Rogovën e Hasit nga vendlindja e jote, thonë, “ti je bira e mramë (e fundit) e kavallit”. Nuk të ka penguar ty ky “epitet”?

Po, kështu thotë një fjalë popullore, por “bira e mramë e kavallit” është vrima që e mban ison e melodisë së kavallit, pra ia mban temenanë e melodisë përderisa me vrimat e tjera thuren melodia dhe tingujt. Prandaj, unë nuk e marrë si ofendim këtë thënie popullore, sepse me vrimën apo me “birën e mramë” të kavallit thuri meloditë më të bukura të melosit tonë popullor.

Tërë jetën fyellin dhe kavallin nuk i keni hequr nga dora. Jeni mishëruar me ta, si me frymën e shpirtit. A ju kujtohet kur keni “kënduar” për herë të parë para një publiku, në ndonjë odë burrash apo para një mase të caktuar?

Unë ju thashë më parë se këtë “zanat” e kemi trashëgim familja, nga gjyshi, baba, axhallarët, etj. Por për shkak të mentalitet të atëhershëm që njerëzia të mos thonë, “qe ata babë e bir po luajnë me kavalle”, ne u binim instrumenteve frymore, kryesisht kavalleve, disi tinëz. Ndërsa, diku rreth moshës 7-8 vjeç, për herë të parë, në kullë, në Rogovë të Hasit, më thërrasin burrat, në odë të burrave, ku kishte edhe mysafirë të tjerë. Aty interpretova vetëm, pa qenë i shoqëruar me të tjerët, një melodi me fyell.

Po pastaj si ka ecur rrugëtimi juaj?

Një kushëri yni, Dinë Godeni, ortoped laik, i njohur shumë në anën tonë, duke luajtur në kavall, e hetoi talentin tim dhe për çdo ditë vinte e më merrte nga shtëpia, më dërgonte në kullë. Atje të dy bashkë, luanin një ose dy orë. Në shumë vende, zakonisht luhej me dy kavalle, njëri e mbante ison e tjetri i binte. Ndërsa, ne, bashkë, njëkohësisht e luanim melodinë.

Instrumentet frymore janë traditë kombëtare

Ka një trashëgimi jo vetëm kulturore, por edhe historike, që lidhet me etninë e shqiptarëve dhe lidhjet me instrumentet me frymë

Instrumentet frymore duhet të jenë më të vjetra dhe më të lashta sa edhe vetë historia jonë e lashtë kombëtare. Shembull e kemi okarinën origjinale, të gjetur në fshatin Runik afër Skenderajt. Okarina i takon një periudhe shumë të hershme, diku neoliti i mesëm. Sipas të dhënave të arkeologëve, i bie diku në periudhën e Starçevit, rreth 5000 vjet e vjetër.

Ju nuk jeni vetëm instrumentist i veglave me frymë, por edhe arkitekt i tyre. Prej nga ky pasion dhe kjo mjeshtëri që ju bëjnë një artist me zë?

Kam filluar shumë herët me instrumentet frymore për nevoja të mia, por kurrë nuk mund të gjeja instrument që është i akorduar tamam, atëherë angazhohesha vetë. Ishte shumë e vështirë ta bëje një instrument, sepse nuk kishim mjete të punës, nuk kishim turjelë të posaçme. Zakonisht kishim një shtog, një lloj druri me palcë në mes, pastaj e dëlirnim pak, e bënim një tytë dhe gradualisht duke hulumtuar nxirrnim tingujt. Deri në luftë kam pasur rreth 100 copë instrumente. Kur u ktheva, nuk e gjata asnjë instrument në shtëpi, por prej atëherë më kurrë s’jam ndalur së punuari.

Sa instrumente keni krijuar deri më tashti?

Sigurisht janë mbi një mijë copa. Në secilin instrument mundohem të them diçka. Dhe, nuk është me rëndësi materiali prej cilit punohet. Duhet të jemi të kujdesshëm që vetëm tyta të jetë e shëndoshë, mos të jetë e çarë dhe e shpuar. Ka qenë bindja deri vonë se instrumenti duhet të jetë i drejtë, por nuk është kështu. Mund të jetë i kthyer sado pak por që mund të lirojë tinguj të pastër muzikor.

Okarina e gjetur në fshatin Runik të Skenderajt

Një histori e veçantë është edhe ajo me okarinën. Na tregoni më gjerësisht mënyrën e cila tregon aftësinë tuaj për krijimin e kësaj vegle fisnike (etnike)?

Po, ka qenë një festival, quhej “Akordet e Kosovës”, që kishte filluar në vitet ’66-67. Më 1968 filloi të shpërblehej vendi i parë me okarinën e artë. Me të dëgjuar për atë instrument, kisha kureshtje të madhe ta kisha atë instrument, ta prekja, hulumtoja ata tinguj. Arkeologët, pasi e kishin pastruar, e kishin vënë në Muze të Kosovës, e kishin mbyllur hermetikisht okarinën, të cilën si thashë më lart ishte gjetur në Runik të Skenderajt. Unë disa herë kam tentuar ta kem në dorë atë, por përpjekjet e mia ishin të kota. Gjatë luftës, okarina u mor nga regjimi serb prej Muzeut të Kosovës por kureshtja mu shtua shumë për këtë instrument. Fillimisht, duke pyetur për të dhe duke lexuar shkrimet e Ramadan Sokolit e Rexhep Munishit, mora masat e madhësisë dhe të gjerësisë. Të parën e bëra nga druri. Tingujt dolën bukur, por nuk isha i kënaqur, sepse mendoja që dheu ka tjetër timbër. Të dytën e kam bërë nga plastika, megjithatë gjithnjë mendja më rrinte te dheu. Dikur ia mora dorën dhe e punova okarinën nga dheu dhe kisha pasur të drejtë, sepse ky instrument nga dheu kishte krejt tjetër tingull nga ai prej druri dhe plastika. Okarina origjinale ka dy vrima. Zakonisht kur të hapësh radhas gishtat, jep tre tinguj. Instrumenti frymor sa vrima ka, gjithmonë jep një tingull më tepër. Për herë të parë dëgjoja ata tinguj, u kënaqa. Duke hulumtuar ato dy vrima, aty gjeta edhe melodi. Tani bëra edhe tre tinguj të tjerë.

Kur e keni bërë okarinën me duar tuaja?

Me duar të mia e kam bërë më vitin 2010, po flas për okarinën prej dheut. Ashtu e tharë jepte tinguj, mirëpo e kisha frikën se ajo do të prishej menjëherë. Hulumtova në internet dhe mësova që dheu duhej të piqej rreth 900 gradë. E dërgova në fabrikën e tullave në Landovicë, më priti drejtori mirë dhe kështu sot kam këtë instrument pothuaj origjinal.

A ngjajnë tingujt e okarinës orkestrale me origjinalen?

Jo, sepse okarina orkestrale ka atë gjuhën… dritaren, kanalin, aty ku pritet zëri i fiksuar. Ndërsa okarina ime origjinale dëgjohet krejtësisht ndryshe edhe fryma, është një tingull krejt i posaçëm.

Breshka dhe okarina

A keni një rrëfim tjetër interesant të përpjekjeve tuaja për të krijuar një okarinë tjetër, me material tjetër?

Po para katër-pesë vjetësh, pikërisht këtu në oborrin e shtëpisë, e gjeta një breshkë të vogël, të mbytur. Ishte mbushur me insekte të vogla. E lashë afër pemëve në kopsht, që pastaj ta pastroja, ta dezinfektoja dhe nga ajo ta bëja një okarinë. Por, pas një jave, nuk e gjeta. Sigurisht e kishin kapur shpezët. E kërkova kudo, por nuk e gjeta. Megjithatë, aty ku e kisha lënë breshkën, e gjeta një gëzhojë, një gjysmë arre dhe vendosa ta bëja okarinën nga arra. Prej gjysmë arre, nxora një instrument. Pastaj, mu në vendin ku më kishte humbur breshka, vjen një breshkë tjetër. E mora në dorë, lëvizte, e rrethova në një vend dhe mendoja se do të ngordhte, por nuk më bënte zemra ta mbysja. Kaloi java, në një moment mendova se isha bërë një lloj xhelati dhe, e lëshova të ikte. Nuk e bëra okarinën me gëzhojën e breshkës.

Me cilin instrument ne mund të krenohemi, përveç okarinës?

Me fyellin e shokës. Tingulli i tij është krejt ndryshe nga instrumentet e tjera. Edhe kavalli është fyell, por është më i madh. Kavalli si termin vjen shumë më vonë, prej turqve. Ky fyell, mjeshtërinë e ka në gojë, ngjashëm me flautin, porse formën e ka ndryshe.

Në cilin manifestim të parë muzikor në Kosovë keni marrë pjesë me vegla të tilla?

Në vitet ’53-54, në Radio Prishtinë, u bënë disa incizime. Bile deri kur u okupua Radio Kosova nga regjimi serb, programi i Radios hapej me këtë melodi time me tingujt e kavallit. Ndërsa, me okarinën origjinale, nuk kam marrë pjesë ende në ndonjë festival kombëtar apo ndërkombëtar.

Zëri juaj ka depërtuar edhe përtej kufijve kombëtarë. Deri ku ka arritur të dëgjohet melodia e instrumenteve tuaja frymore përtej kufijve të Kosovës?

Janë shumë festivale me karakter vendor e ndërkombëtar. Për fat të mirë kur erdha në Prishtinë më 1967, bashkë me një grup këngëtarësh dhe instrumentistësh formuam Ansamblin ‘Azem Bejta’. Ai grup ka qenë i veçantë, sepse aty gjithmonë ka buruar dhe është interpretuar muzika burimore autoktone. Këngëtarë kanë qenë dhe Abdurrahman Sfirca dhe Riza Spanca me orkestrues të tjerë: Ramë Thaçi -sharki, Bajram Rrmoku – sharki, Murat Bunjaku -çifteli, Ismet Sopi – çifteli dhe unë e kam udhëhequr ansamblin, kam krijuar shumë këngë dhe valle burimore të folklorit tonë autokton.

Vendi i parë në Berlin me “Bareshën” e Nexhmije Pagarushës

Keni shëtitur shumë vende të botës me instrumentet frymore. A ju kujtohet ndonjë moment i veçantë i paraqitjes dhe si është pritur prezantimi juaj atje?

Më 1969, në Berlinin Perëndimor, për herë të parë ne përfaqësonim ish-Jugosllavinë në një festival ndërkombëtar. Në krahasim me shtetet e tjera, në ishim një orkestër fare i vogël. Në prova të përgjithshme ishim mjaft të zhgënjyer, nuk dinim se çdo të ndodhte. Ne ishim 6 orkestrues: unë me flaut dhe çifteli (fizarmonikë – Kolë Bala, Isak Muçolli – violinë, Jashko Makiq – kitare, Zef Tupeci me def dhe një tjetër Velko Vojnoviq – obo, si dhe Nexhmija si këngëtare. Të gjithë ishim me veshje kombëtare. Së pari, u prezantuam me këngën “Binë tupanat në katër anë”, të cilën këngë e kam përcjellë me çifteli. Na dhanë një duartrokitje ashtu mesatare. Kënga e dytë ishte “Sytë për ty i kam të njomë”, ndërsa në këngën e tretë kam marrë pjesë me flaut. Nexhmija interpretonte këngën e “Baresha”. Në këtë Festival Ndërkombëtar të Berlinit, në fakt, ishte edhe premiera e këngës “Baresha”. Kjo këngë e bërë me tekst të Rifat Kukajt dhe kompozim e aranzhim të Rexho Mulliqit ishte bërë me dy formacione. I vogli me gjashtë anëtarë dhe i madhi prej 14 instrumentistësh. Kur përfundoi kënga, publiku u ngrit në këmbë. Ne u tërhoqëm në gardërobë, por dy herë e detyruan Nexhmijen që të dilte në skenë që të përshëndetej me publikun. Ishte e vetmja këngëtare që u kërkua nga publiku të kthehej në skenë. Të nesërmen në mëngjes, na njoftojnë se ishim shpërblyer me vendin e parë. Dua të përmend edhe një detaj tjetër. Ne në Gjermani shkuam me aeroplan. Kishim zbarkuar në Berlinin Lindor, kaluam murin e famshëm të ndarjes së Berlinit dhe pastaj shkuam në Berlinin Perëndimor. Ndërsa rrugën për në Kosovë e bëmë me tren. Kështu kishim kohë të bisedonim dhe disi ndiheshim krenarë për këtë sukses. Madje prisnim që të na bëhej një pritje madhështore. Por u zhgënjyem. Kaluan disa ditë, kaluan javët, muajt… u bënë edhe më shumë se 40 vjet dhe, askush, asnjë rresht nuk e ka shkruar për atë rast!

Keni shoqëruar shumë këngëtarë me instrumentet tuaja. Cilin këngëtar, cilën këngë apo interpretim do ta veçonit?

E kam pak të vështirë të veçoj dikë, sepse këto instrumente, sa i përket diapazonit dhe shkallës muzikore, janë pak të cunguara, mirëpo kanë një ëmbëlsi. Të gjitha instrumenteve jam munduar t’u jap shpirt, por, megjithatë, do ta veçoja këngën e Shkurtës ”Mora fjalë” për Adem Jasharin. Te kjo këngë kam interpretuar me kavall. Por edhe kënga e Ilir Shaqirit me bishtnicë, që me të vërtetë është shumë e goditur, shumë e dëgjuar.

Premtimet e kota të Ministrisë së Arsimit dhe të Akademisë së Arteve

Jeni ndër të rrallët apo të vetmit që krijoni instrumente, u bini atyre, por që nuk jeni angazhuar në asnjë institucion profesional të artit e të muzikës. Pse nuk jeni profesor i instrumenteve: fyellit, kavallit apo bishtnicave në Fakultetin e Arteve në Prishtinë?

Është një pyetje mjaft e qëlluar, sepse të gjitha vendet e tjera kanë shkolla për instrumente të traditës, ndërsa këtu te ne jo. Shumë herë kemi bërë kërkesa…gjithmonë kemi marrë premtimet, por ato fjalë mbeten vetëm premtime. Unë mendoj se në Akademinë e Arteve duhet të futet lënda e interpretimit të instrumenteve autoktone, siç janë: fyelli, kavalli, bishtnicat, etj. Ka nevojë, sepse këto instrumente e kanë përcjellë popullin tonë me shekuj, pra janë instrumente të lashta, të traditës e të folklorit tonë burimor. Por, si duket, nuk kanë interesim as në Ministrinë e Arsimit e as në Akademinë e Arteve të Kosovës.

Keni një punëtori dhe një galeri të instrumenteve. A po trashëgohet gjithë kjo pasuri nga ndonjë familjar juaji?

Po unë merrem gjithmonë me këto instrumente dhe qëllim imi i përhershëm ka qenë që t’i çoj përpara, të mos harrohen, të jenë ende pjesë instrumentale të këngëve tona. Pikërisht jam përcaktuar në tri drejtime: të jem sa më i mirë në interpretim, t’i punoj vetë që të jenë sa më afër temperimit dhe të krijoj për këto instrumente. Kur është koha e mirë hyj në punëtori dhe punoj instrumente, por kur bën ftohtë, ulem dhe kompozoj melodi në kompjuter. Gjithnjë mbështetem në motivet tona, nga këngët më të vjetra që kemi.
Djali i madh ia pati filluar mirë, i përvetësoi jashtëzakonisht mirë instrumentet me frymë, edhe çiftelinë e sharkinë, por dembelia qe më e fortë… e braktisi. Në dy-tre vjet, i teket ndoshta të marrë në dorë një instrument, por që të jesh i përsosur…duhet që patjetër të jesh përherë në kontakt me të. Instrumentet frymore lypin ambazhurë dhe kur të jesh përditë me to, krijohet intensiteti. Manipulon më lehtë më to. Nëse të ik ambazhura, ai instrument nuk është më yti.

Ju krijoni instrumente nga materialet e ndryshme. Madje, njëherë më keni thënë se mbesës tuaj i ishte prishur rrethi i kërcimit të belit. Ju pastaj e kishit qetësuar atë duke ia krijuar një fyell nga ai rreth i plastikës.

Po, një ditë tek sa po luante mbesa ime me një rreth beli të plastikës, asaj iu thye ky rreth dhe ajo filloi të qante. Unë e qetësova mbesën time, e mora rrethin e belit prej plastike, i cili ishte dëmtuar në një pjesë, e këputa në madhësi të kavallit, e drejtova pak, ia hapa vrima dhe fillova t’i bie kavallit që e punova prej rrethit të plastikës së mbesës time e cila deri atëherë e kishte përdorur si lodër. Edhe unë krijova një instrument të ri, edhe mbesa u qetësua nga meloditë e kavallit tim.

Përveç koncentrimit të veshit muzikal, këto instrumente kërkojnë edhe një forcë, një frymë, një nivel përgatitjeje fizike e shëndetësore. Edhe sa kohë Shaqir Hoti do të ketë këtë fuqi e shëndet që të interpretojë në skenë, me frymën e fundit?

Eh, kjo varet sa do të më japë zoti shëndet e jetë. Përndryshe, nuk dua të më ikë asnjë ditë pa u rënë këtyre instrumenteve, qoftë edhe për pak minuta.

Cilat janë krijimet që janë bërë pjesë e trashëgimisë muzikore të Kosovës e që mbajnë emrin dhe vulën e Shaqir Hotit?

Përherë kam krijuar, por edhe me orkestër popullore. Nexhmija këndon këngë të mia, po ashtu Shahindere Bërlajolli ka qenë më e njohura me këngët e mia. Shembull po e marr këngën, ‘Bane zemrën gur’. Ka qenë edhe hit, por më vonë jam përcaktuar për krijimin e këngëve burimore, sepse te kënga popullore, tashmë kishte mjaft krijues si Isak Muçolli, Enver Stafa, etj. Dua të falënderoj, poetin tonë Rexhep Hoxha, Faruk Tashollin dhe Rexhep Sopin, të cilët shkruanin tekste jashtëzakonisht të mira, madje falas. Ndër këngët më të veçanta të ansamblit “Azem Bejta” ka qenë “Vashat e gurit”.

Këngëve burimore u jap frymë

Po ashtu, ju njiheni edhe për një mënyrë tjetër të krijimit të veprave muzikore: keni kompozuar mbi 180 këngë dhe valle, pa nota, por duke u bazuar në meloditë e tyre, madje, duke krijuar tre tinguj, njëherazi.

Po, si ju thashë më lart, unë mbështetem shumë në këngët e vjetra popullore. Këto këngë i përpunoj, u shtoj ndonjë tingull të instrumenteve me frymë, u jap frymë, u jap gjallëri dhe kështu i rikompozoj dhe i bëj këngë që dëgjohen me ëndje edhe sot e kësaj dite. Pra, këngëve tona burimore u jap melodi të përshtatshme dhe të pranueshme edhe për brezat e sotëm. Madje, disa prej tyre po bëhen hite edhe sot e kësaj dite.

Talenti juaj prej muzikanti të rrallë u ka rënë në sy edhe regjisoreve të filmit. Në cilët filma është përdorur kjo mjeshtëri e juaj?

Po disa melodi të miat janë përdorur në filmat ‘Kukumi’. ‘Rojat e mjegullës’. Kam interpretuar edhe në orkestrën serioze te Rafet Rudi, pastaj te “Shota”, etj.

Jeni një emër i njohur në krijimtarinë muzikore shqiptare, por sot pas më shumë se 70 vjetësh çfarë mendoni për këtë krijimtari dhe nivelin e saj.

Mendoj që krijimtaria e këngës së mirëfilltë nuk është në nivel artistik pasi që mungon kriteri.

Sa ishin përgjegjës kompozitorët në atë periudhë?

Kishte shumë përgjegjësi, kompozitorët krijonin duke bashkëpunuar me kolegë dhe me ndërgjegje.

Gjithmonë përmenden institucionet, të cilat pohojnë se marrin masa, por ju çfarë mendoni?

Ka kohë që flitet për mbrojtjen autoriale, por deri tani – vetëm fjalë. Mendoj se institucionet rrinë të heshtura dhe nuk e di se si rrinë në heshtje.

Si e kaloni ditën në këtë moshë me disa vite mbi supe, por me një shpirt të ri dhe plot harmoni?

Ditën e kaloj duke punuar instrumente frymore tradicionale si, pipëz, fyell të drejtë, fyell shoke, kavall, bishtnica, okarina të llojeve të ndryshme dhe duke krijuar melodi të këtyre instrumenteve, pasi që jam i pasionuar.

Dëshira për hapjen e një shkolle për instrumente tradicionale

Në fund të rrugëtimit të tij artistik është normale që çdokush të bëjë bilancin e vet. Në këtë retrospektivë që i bëni aktivitetit tuaj, si i shihni ato që keni arritur? Ju ka mbetur diçka peng nga e gjithë jeta juaj?

Po kisha dëshirë të flaktë për ta hapur shkollën për instrumentet tradicionale siç i kanë edhe shtetet e Ballkanit, etj. Por nuk po kam përkrahje institucionale, ndërkaq unë vetë nuk kam mundësi të formoj një shkollë të tillë. Unë kam talentin dhe profesionin tim, të cilin do të doja ta përcillja te brezat e ardhshëm, por askush nuk po shpreh interesim, së paku jo nga përgjegjësit tanë për ruajtjen dhe kultivimin e folklorit tonë burimor.

Deri më tashti ju folët në vetën e parë. A parandieni ndonjë profeci se si do të rrjedhë tash e tutje jeta juaj që mund të thuhet se zhvillohet në binom…

Mendoj që nuk do të ketë asnjë ndryshim, sepse gjërat në përgjithësi ecin ngadalë dhe fjala me veprën nuk shkojnë në një drejtim. /Telegrafi/

Foto/video: Përparim Namani & Robert Bacaj

Në trend

Më shumë
Digjet një fabrikë teknologjike në Berlin - ajo prodhon një armë të fuqishme të mbrojtjes ajrore, kishte furnizuar edhe Ukrainën

Digjet një fabrikë teknologjike në Berlin - ajo prodhon një armë të fuqishme të mbrojtjes ajrore, kishte furnizuar edhe Ukrainën

Evropa
Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerika
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Profesori shqiptar nga Londra: Në Britani të Madhe i gjithë spektri politik është pro Kosovës

Profesori shqiptar nga Londra: Në Britani të Madhe i gjithë spektri politik është pro Kosovës

Lajme
Bayern Munich nuk po gjen trajner të ri, deklarata e fundit e Thomas Tuchel bën ‘lëmsh’ ambientin bavarez

Bayern Munich nuk po gjen trajner të ri, deklarata e fundit e Thomas Tuchel bën ‘lëmsh’ ambientin bavarez

Bundesliga
Një milion qytetarë të regjistruar deri më tani, dalin statistikat sipas komunave

Një milion qytetarë të regjistruar deri më tani, dalin statistikat sipas komunave

Lajme
Kalo në kategori