LAJMI I FUNDIT:

Sërish rënie e bursave

Sërish rënie e bursave

Çmimet e aksioneve në tregjet e Azisë, sërish pësuan rënie, sot në hapje të bursave, pas shitjes masive të aksioneve dje në Wall Street. Kjo pasi investitorët janë te mendimit se ekonomia po shkon drejt ngecjes.

Indeksi i bursës së Japonisë, Nikkei, ra rreth 10 për qind, dhe ndoshta do të shënojë javën më të keqe në historinë e tij. Edhe bursat e Australisë dhe Koresë së Jugut ranë ndjeshëm në hapje.

Investitorët duket se nuk janë bindur që masat e marra kohët e fundit nga autoritetet në gjithë botën janë të mjaftueshme për të gjallëruar kreditë dhe për të shmangur ngecjen. Presidenti Bush ka në plan të bëjë në deklaratë mbi gjendjen ekonomike të vendit sot në mëngjes.

Në bursën e New York-ut dje, shitjet masive të aksioneve sollën një rënie të mëtejshme prej 7 për qind të indeksit Dow Jones, ose 675 pikë, duke përfunduar në 8570, shifra më e ulët në 5 vjet.


Shumica e shitjeve u bënë dje vonë në një ditë me luhatje të ndjeshme. Dow Jones u mbyll në nivelin më të ulët që nga gushti i vitit 2003. Indeksi kryesor i bursës së Nju Jorkut ka rënë deri tani 37 për qind, ose më shumës e 5000 pikë që nga maksimumi i tij i arritur një vit më parë.

Kjo ishte dita e shtatë radhazi që bursa e Nju Jorkut mbyllet me humbje.

Çmimi i naftës bruto qëndroi në 86 dollarë për fuçi dhe vlera e arit ra 20 dollarë për aunc, në 886 dollarë.