LAJMI I FUNDIT:

Sekuenca filmike që ndryshoi mënyrën se si e shohim luftën

Sekuenca filmike që ndryshoi mënyrën se si e shohim luftën
Pamje nga filmi “Saving Private Ryan” (1998), nga skena hyrëse e invadimit në Normandi

Nga: Mark Allison / BBC (titulli: How Saving Private Ryan’s D-Day sequence changed the way we see war)
Përkthimi (i pjesshëm): Telegraf.com

Në mesin e 156 mijë trupave aleate që zbarkuan në Normandi më 6 qershor 1944, në terren ishin kameramanët e Njësisë së Filmit dhe të Fotografisë të Ushtrisë Britanike/Kanadeze, si dhe të Njësisë Fotografike Amerikane. Nëpër plazhet e invadimit, ata krijuan një dosje të jashtëzakonshme që shpejt e gjeti rrugën drejt buletinëve të lajmeve në të dy anët e Atlantikut – duke nisur kështu një obsesion kinematografik për Ditën-D, i cili vazhdon për 80 vjet rresht. Nga melodrama romantike e Henry Kosterit [D-Day the Sixth of June, 1956] e deri te aksioni horror me zombi i Julius Averyt [Overlord, 2018], kineastët kanë mbetur të magjepsur nga spektakli dhe drama njerëzore e zbarkimeve në Normandi. Por, asnjë film nuk e ka formësuar si duhet imagjinatën popullore të Ditës-D, sa kryevepra e Steven Spielbergut e vitit 1998 – Shpëtimi i ushtarit Rajan [Saving Private Ryan].

Spielbergu e afroi audiencën më afër se kurrë me pamjet dhe tingujt e tmerrshëm të luftimeve, duke rishpikur filmin e luftës në proces. Skena hapëse e betejës, e cila përshkruan zbarkimet e ShBA-së në plazhin Omaha, është tabloja befasuese dhe krejtësisht tronditëse e luftës si ferr, ndryshe nga çdo gjë që është hasur më parë në kinemanë amerikane. “Në këta 23 minuta, Spielbergu krijoi një moment të historisë së filmit që meriton vendin e vet – krahas hapave të Odesës të [Sergei] Eisensteinit, ndjekjes së karrocave së udhëtarëve të [John] Fordit dhe betejës në shi të samurajëve të [Akira] Kurosawas – në panteonin e sekuencave të shkëlqyera të filmit aksion”, shkruan James Chapman – profesor i studimeve të filmit në Universitetin e Lesterit – në librin e tij Lufta dhe filmi [War and Film].


I xhiruar në bregun lindor të Irlandës me rreth 2 500 rezervistë të Forcave Mbrojtëse Irlandeze, si statistë, është i palëkundur në përkushtimin ndaj origjinalitetit. Rampa e varkës bie dhe ushtarët e rinj sakatohen nga plumbat dhe mortajat, para se të mund të arrijnë në plazh. Djemtë e lënduar kërkojnë gjymtyrët që u mungojnë, ndërsa të tjerët bërtasin për nënat teksa zorrët derdhen në rërën e lagur nga gjaku. Kinematografia e Janusz Kamińskit qëllimisht kujton pamjet origjinale të buletineve të lajmeve dhe fotografitë e Robert Capas, ndërsa kompozitori i muzikës, John Williams, nuk ofron asnjë tingull për kakofoninë e të shtënave të armëve dhe vdekjes. “Shpresojmë se, nëse i kemi bërë gjërat siç duhet, audienca do të mendojë se ne ishim atje”, thotë Spielberg në dokumentarin për realizimin e filmit [Making Saving Private Ryan].

Menjëherë u pranua rëndësia e tij si moment vendimtar në historinë e kinemasë. Kritika e Janet Maslinit, në The New York Times, e shpalli “filmin më të mirë të luftës të kohës sonë”, ndërsa Roger Ebert tha se aksioni ishte “më ilustrues sesa çdo film lufte që kam parë”. Filmi që atëherë u bë pikë referimi për kinemanë moderne të luftës dhe vulë kinematografike mbi Luftën e Dytë Botërore. Hija e tij shtrihet mbi çdo film luftarak të çerekshekullit të fundit, nga Black Hawk Down (2001) i Ridley Scottit deri te All Quiet on the Western Front (2022) i Edward Bergerit.

“Filmi është aq i fuqishëm dhe i realizuar me kaq mjeshtëri, saqë qëndron me ne përgjithmonë si një lloj baze vizuale dhe emocionale për atë që imagjinojmë se çfarë ka qenë plazhi Omaha dhe Normandia. Është aq i saktë saqë përmirëson njohën e historisë. Disa nga incidentet që përshkruan filmi janë marrë drejtpërdrejt nga rrëfimet e të mbijetuarve”, thotë John C McManus, profesor i historisë ushtarake në Missouri S&T dhe autor i një libri për Normandinë [The Dead and They About to Die: The Big Red One në Omaha Beach].

Në të vërtetë, pikëpamja subjektive e ofruar nga Spielbergu, qëllimisht e pengon audiencën të kuptojë tablonë më të madhe të Ditës-D. Derisa epikat e mëparshme të Normandisë – si The Longest Day (1962) e Darryl F Zanuckut – dhanë pamje të gjerë të betejës, duke përfshirë të shtënat gjithëpërfshirëse ajrore dhe sekuencat e gjata nga këndvështrimi gjerman, Spielbergu nuk e bën asnjë përpjekje të tillë për të kontekstualizuar veprimin. Gjithçka në Omaha përjetohet nga këndvështrimi i kufizuar i kapitenit Miller që luhet nga Tom Hanks. Armiqtë e Vermahtit që qëllojnë në të paraqiten në skica të paqarta, strukur prapa mitralozave të zhurmshëm ose midis fortifikimeve.

Akoma më pak kohë i kushtohet aleatëve të Amerikës në fushatën e Normandisë; përmendja e tyre e vetme është një referencë e shkurtër përçmuese ndaj gjeneralit “të mbivlerësuar” britanik Montgomery. “Shpëtimi i ushtarit Rajan jep përshtypjen se Dita-D ishte çështje tërësisht amerikane”, thotë James Chapman. “Historianët britanikë u munduan të vinin në dukje se në terren, më 6 qershor, kishte më shumë trupa britanike dhe të Komonuelthit sesa amerikanë”.

Pas betejës të dhunshme hapëse, skenari i Robert Rodatit zhvendoset në një territor më konvencional, duke kujtuar filmat klasikë të aventurave, të “burrave në mision” si The Guns of Navarone (1961) ose Where Eagles Dare (1968). Disa ditë pas pushtimit, kapiteni Miller urdhërohet të mbledh një skuadër dhe të lëviz në kërkim të ushtarit Rajan (Matt Damon), parashutistit të cilit tre vëllezër iu vranë kohët e fundit në luftë [bazohet në historinë e vërtetë të vëllezërve Niland].

Derisa Milleri dhe skuadra e tij fillimisht ankohen për absurditetin e misionit të tyre, duke rrezikuar jetën e tetë vetëve për të shpëtuar një njeri, ata përfundimisht arrijnë të kuptojnë, sipas fjalëve të rreshterit Horvath që luhet nga Tom Sizemore, se “një ditë mund të kthehemi prapa dhe të themi se shpëtimi i ushtarit Rajan ishte e vetmja gjë e mirë që mundëm të nxirrnim nga gjithë kjo rrëmujë e tmerrshme dhe e ndyrë”. Rajani është më shumë sesa një individ – ai përfaqëson një mjet me të cilin këta të rinj të brutalizuar mund të kapen pas humanizmit mes tmerreve më çnjerëzore. Funksionon si metaforë për drejtësinë morale të misionit më të gjerë çlirimtar të Amerikës në Luftën e Dytë Botërore, pavarësisht nga sakrifica e tmerrshme që kërkonte.

Kjo nuk do të thotë se filmi është triumfalist. Përkundër patriotizmit, skenari ka qëndrim të paqartë ndaj heroizmit dhe nuk i shmanget pasojave psikologjike të luftës. Duart e kapitenit Miller dridhen në mënyrë të pakontrolluar, ndërsa ai dhe veteranët e ushtrisë nën komandën e tij janë të prirë të qajnë; këto janë shenja të dukshme të lodhjes nga lufta, ose të asaj që tash quhet stresi post-traumatik. Është shumë larg stoicizmit të John Wayneit te The Longest Day.

Por, derisa Milleri dhe pjesa më e madhe e skuadrës së tij arrijnë të kontrollojnë frikën në kulmin e betejës, rreshteri Upham, i cili luhet nga Jeremy Davies, dështon në këtë sprovë. Edhe pse është i njohur me poezitë që nxisin luftën, të Tennysonit dhe Emersonit, ai nuk mundet ta mbledhë brenda vetes forcën e tillë. I pamësuar për të luftuar, është i gjymtuar nga frika gjatë betejës kulmore dhe nuk është në gjendje të veprojë në mbrojtje të miqve. Është moment i mundimshëm dhe i pazakontë që një film luftarak i Holivudit të përshkruajë frikacakët. Edhe pse ata që nuk e kanë përjetuar kurrë luftën mund ta përçmojnë Uphamin dhe ta çmojnë guximin dhe gjakftohtësinë e kapitenit Miller nën zjarr, e vërteta është se për të qenë ushtar kjo kërkon instinkte brutale që shumëkush thjesht nuk i posedon.

Ata që kërkojnë rrëfim historik të asaj që ndodhi në Ditën-D, mund të shërbehen më mirë nga The Longest Day ose nga ndonjë numër i dokumentarëve. Por, Shpëtimi i ushtarit Rajan komunikon përvojën e luftës – ndjesitë fizike, përgjegjësitë dhe plagët mendore – me një ndershmëri të paparë. Ka trimëri, shoqëri dhe sakrificë, por ka edhe frikë, tmerr dhe turp. Në 80-vjetorin e Ditës-D, teksa këto përvoja rrëshqasin nga kujtesa, himni i Spielbergut për të rënët është më kumbues se kurrë. /Telegrafi/