LAJMI I FUNDIT:

Schulzi në rënie të lirë

Schulzi në rënie të lirë

Angela Merkel ka forcuar pozicionet kohët e fundit, ndërsa Martin Schulz po bie. Ka dhe parti të tjera të cilat po përfitojnë nga zhvillimet e fundit në Gjermani dhe Evropë.

Zgjedhjet parlamentare në Gjermani do të mbahen me 24 shtator, por në vend dhe në Evropë po shtrohet një pyetje e “madhe”: Kush do të qeverisë me Gjermaninë pas këtij legjilacioni dhe a do të marrë fund periudha e Angela Merkelit?


Kjo në radhë të parë varet nga kandidati i socialdemokratëve (SPD) Martin Schulz. Në fund të janarit, kur u bë e ditur se ai do të jetë kandidati i kësaj partie për kancelar, ai arriti shumë shpejt ta përmirësojë pozitën e dobët të kësaj partie. Në opinion u krijua një “efekt Schulz”, që për herë të parë pas vitesh të tëra i siguroi SPD-së një mbështetje më të lartë se 30 për qind.

Për këtë kandidat në fillim gjendja dukej shumë e mirë. SPD-ja u barazua shpejt me vota me CDU-në e kancelares Merkel dhe në Gjermani flitej për “Efektin Schulz”. Por, duket se tani gjendja ka ndryshuar, të paktën kështu thuhet në sondazhet e fundit të bëra me porosi të televizionit publik ARD, nga instituti “Infratest dimap”. Instituti ka pyetur 1000 vetë dhe ka konkluduar mbi bazën e këtyre rezultateve.

Krahasimi i drejtpërdrejtë mes Merkelit dhe Schulzit tregon se ky i fundit ka rënë dukshëm. Sikur gjermanët ta zgjidhnin drejtpërdrejt kancelarin, atëherë gati gjysma do të votonte për Angela Merkelin, që do të thotë tre për qind më shumë se në sondazhet e fundit. Ndërsa, Martin Schulzi ka humbur katër për qind të votave dhe tani e mbështesin vetëm 36 për qind e të anketuarve. Para tre muajsh Schulzi kishte mbështetjen e gjysmës së personave të anketuar.

Problemi kryesor i Schulzit është mungesa e ofertave. Dy të tretat e të anketuarve thonë se Schulzit i mungon një linjë e qartë në politikë. 45 për qind e të anketuarve thonë se ata kanë pritur më shumë nga Schulzi. Ndërsa shumica e konsideron kancelaren aktuale Merkel si garante për mirëqenie dhe stabilitet. Merkel është në pushtet prej 12 vitesh dhe ka shprehur gatishmëri që të vazhdojë të mbajë këtë post edhe katër vite të tjera.

Ngritja e vlerave të kancelares në sondazhe ka rritur edhe mbështetjen e partisë së saj CDU. Sikur zgjedhjet të zhvilloheshin këtë të dielë, CDU-ja do të fitonte 37 për qind të votave – pra tre për qind më shumë se muajin e kaluar. Ngritja e CDU-së shkon më së shumti në llogari të SPD-së, e cila ka shënuar një rënie prej katër për qind dhe tani do të fitonte vetëm 27 për qind të votave. Në zgjedhjet e fundit të zhvilluara në vitin 2013, kjo partia ka fitruar 25,7 për qind të votave.

Më së shumti është këndellur kohët e fundit Partia Liberale, FDP, e cila në zgjedhjet e kaluara nuk është futur fare në Bundestag. Në sondazhet e tanishme thuhet se për këtë parti do të votonin tetë për qind, që është vlera më e lartë që nga viti 2010. Vlerat e ekologjistëve (tetë për qind) dhe të Majtës (shtatë për qind) mbeten të njëjta. Ndërsa partia djathtiste AfD ka rënë me një për qind dhe tani do të fitonte 10 për qind. Kjo do të thotë se në Bundestag për herë të parë në historinë e pasluftës mund të futet një parti populiste e djathtë.

Tema e cila këto ditë më së shumti ka preokupuar gjermanët është skandali në Bundeswehr, ku ka pasur të arrestuar nën dyshimin për ekstremizëm të djathtë. Dyshohet se oficeri Franco A. ka përgatitur sulme terroriste dhe atentate ndaj politikanëve kryesorë të vendit. Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar reforma të thella në ushtri, por punën e saj e vlerësojnë vetëm 38 për qind e gjermanëve, që do të thotë 16 për qind më pak se një muaj më parë. Dy të tretat e të anketuarve mendojnë se Bundeswehrit i mungon udhëheqja dhe kontrolli i duhur, ndërsa çdo i treti mendon se idetë e ekstremizmit të djashtë janë më të përhapura në ushtri se në pjesët e tjera të shoqërisë.

Britanikët do të largohen nga Bashkimi Evropian ndërkohë që edhe në disa vende të tjera është shtuar ndikimi i forcave antievropiane. Por jo edhe në Francë, ku me mbi 65 për qind të votave fitoi kandidati proevropian Emannuel Macron. Ai angazhohet për një Evropë të fuqishme dhe bashkëpunim të ngushtë me Gjermaninë. Por më shumë se gjysma e gjermanëve mendojnë se vendi i tyre nuk duhet të vërë edhe më shumë para në dispozicion për Evropën. /DW/