LAJMI I FUNDIT:

Sakrifica dhe liria

Logjika e shëndoshë edhe mund ta pranojë si të mirëqenë se është çmenduri të sakrifikosh jetën për një kauzë. Ky rezonim nuk mund të thuhet së është jo legal, por patjetër, në rastin tonë në Kosovë të shpie në pyetjen se përse në të vërtetë duhej të luftohej Serbia. Nga kjo logjikë mund të pyesim se përse duhej ndjekur një ëndërr për një Shqipëri? Pse duhej synuar ky cak kur duhej luftuar?

Për të marrë përgjigje në këto pyetje, le t’i shtrojmë edhe disa tjera. Them se ato do të shërbejnë si përgjigje.


Pse duhej të varroseshin vetëm në një vend në Francë 28 mijë ushtarë anglezë që kishin rënë në krye të detyrës luftarake në territorin e Francës, apo pse vetëm në ditën e parë të zbarkimit në Normandi duhej të vdisnin mbi 4500 ushtarë amerikanë, po ashtu për lirinë e Francës. A duhet të kërkuar përgjegjësi morale apo penale për humbjen e këtyre jetëve nga prijësit e shteteve përkatëse.

Lufta si e tillë është çmenduri. Por, jo të gjithë që marrin pjesë në luftë janë të marrë.

Pra, sikur realiteti i kombeve të konsoliduara të mos e jepte përgjigje, nuk do ta kuptoja kurrë se përse do të duhej të vdiste dikush për atë që quhet liri. Përse një njëri nga mishi e nga gjaku do të duhej të vdiste për lirinë e një tjetri po nga mishi dhe gjaku?

Kur jemi te zbarkimi në Normandi, është një moment unikat në një dokumentar televiziv, kur eprori iu drejtohet jenkive duke u thënë se shumëkush nga ne nuk do të jetë pas vetëm pak orëve, por ne duhet të shkojmë tutje. Duke pasur një minimum empatie, besoj se duhet ta kishim vënë veten në pozitën e atyre ushtarëve.

E ndjej veten jo njeri jo adekuat për të shprehur në mënyrë të duhur keqardhjen, edhe pas kaq kohësh, për të gjithë ata njerëz që vetëdijshëm shkuan drejt vdekjes duke besuar se nuk duhej ndërruar kursi i hapave luftarak të tyre, hapa të cilët origjinën e kishin të në hapat politikë, të cilët ishin marrë lidhur me një vendim të cilit i duhej shkuar deri në fund.

Emëruesi i përbashkët i kësaj ishte vdekja. Njëherë pata dëgjuar Dritëro Agollin të shprehej se edhe ai i frikësohet vdekjes, sepse siç tha ai: “Po dola matanë nuk kthehem më dot këtej”. Diçka njerëzore, sepse frika është kategori e pandashme e njeriut. Besoj se këtë fakt duhet ta ketë provuar gjithkush.

Megjithatë, sikur ekziston edhe diçka që i tejkalon kufijtë e frikës. Është ky një dimension i qenieve njerëzore që synon diçka më shumë. Ky është dimensioni i lirisë. Dimension ky i cili vije në shprehje, atëherë kur humbë çfarëdo kuptimi i ekzistencës biologjike duke e pasur të cenuar komponenten morale të ekzistencës.

Në të vërtetë, çfarë do të ishte liria pa moral, pos një mungesë banale kufizimi që e kanë edhe dimensionet tjera të jetës biologjike?

Momenti kur njeriu vendosë të e transcendentojë veten e tij, në funksion të një qëllimi, është momenti kur koncepti i frikës vdirret dhe ekzistenca individuale shkon drejt aktit i cili më nuk e njeh frikën. Andaj duket sikur liria ndërlidhet me përgjegjësinë dhe detyrën. E kur jemi te detyra, ka nxënës të mirë dhe të këqij

Nuk mund të bëjmë dallim ontologjik më mes të ushtarëve që ranë në Normandi dhe Jasharajve. Të parët zbatonin urdhrat e një shteti, të dytët bënin punën që nuk e kishim bërë të tjerët. Jasharajt po bënin detyrat e shtëpisë që nuk ishin bërë me dhjetëra vite. Ata duke dashur lirinë e atdheut vepronin sikur një shtet.

Kam pasur fatin të jem ndër ushtarët e shumtë shqiptarë të mbërthyer nga lufta jugosllave në Kroaci, dhe ju them se e di se çka është lufta, dhe si ndjehet njeriu në një situatë kur është vetëm numër. E di se çka është frika, ashtu sikurse e di se çka është tejkalimi i frikës, sepse pata vendosur ta tejkaloj atë duke qenë ndër dezertuesit e parë në aeroportin Pleso në Zagreb, vendi ku më kishte mbërthyer lufta.

Do ta merrja vendimin për të dezertuar në rrethana kur asnjë parametër logjik nuk shkonte në favor të veprimit tim. Por, kisha vendosur ta bëja këtë me çfarëdo çmimi, sepse qëndrimi i mëtejmë ishte më shumë se poshtërues. Në fakt, që nga fillimi qëndrimi dhe vet shkuarja në këtë armatë nuk ishte asgjë tjetër pos poshtërim. Fakti se sot jam gjallë duke mos pësuar nga kjo ikje nuk ka një sqarim logjik. Besoj shumë se më ndihmoi Zoti i Madhërishëm.

Ikjen time nga ushtria jugosllave nuk e konsideroj trimëri, assesi, me gjithë lavdin publik që më pat bërë gazetari i atëhershëm i Zërit dhe ish kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Bajram Kosumi. Unë nuk kam qenë ushtarë i UҪK-së dhe këtë nuk e kam as lavd as krenari. Këtë moment e theksoj për të arsyetuar dhe mbrojtur marrjen e një vendimi, një vendimi fondamental, i cili vjen në një çast; vendim ky i cili nuk ka kthim prapa, sado absurd që është nga këndvështrimi i logjikës vegjetative; vendim me të cilin paraprakisht duhet jesh i gatshëm që kurrë të mos e mohosh.

Unë nuk mund të konstatoj mënyrën se si Adem Jashari ka vendosur të bëj atë që ka bërë, por besoj dhe jam plotësisht i bindur se kalkulimet e tij nuk ishin aspak të rastit. Në fakt, mendoj se ai e kompensoi një borxh të madh të gjithë klasës politike të Kosovës.

Por, e di një gjë. Pasi që fati e ka dashur të jem një nga familjarët e heroit Agim Ramadani (për koincidencë vëllai i tij quhet Jashar) ju them se vendimi i tij për t’u futur në luftë nuk ishte aspak i rastit. Ai luftën e kishte filluar qysh si oficer i Armatës jugosllave duke i tërhequr ushtarët shqiptarë nga i dallgët e luftës. Vendim plotësisht i vetëdijshëm dhe i kalkuluar deri të detaje, qysh nga atëherë kur i kishte venë vetes për detyrë të ndihmonte shumë bashkëkombës të tij, shumica e të cilëve sapo i kishin rënë brisk fytyrës.

Pse duhej ta bënte këtë sakrificë ky njeri?

Ajo që më bën ta ngre zërin, është qasja morbide e relativizmit të vlerave dhe humanizmit. Pa njohur nga afër Adem Jasharin, por duke njohur Agim Ramadanin, ju them se ai i kishte të gjitha mundësitë që të mos përfshihej në zjarrin e luftës. Hapësira për t’iu shmangur luftës ishe pakufishmërisht më e madhe se sa për të iu bashkuar asaj. Por, ai vetëdijshëm, krejt në mënyrë absurde shikuar nga logjika oportuniste dhe pragmatiste vegjetative, e dha kontributin e tij. Nuk ishte rastësi kjo. Bile kjo për të nuk ishte as tragjedi. Ai erdhi sepse të njëjtën e kishte bërë edhe Adem Jashari. Erdhi sepse bashkëkombësit e tij ishin mbërthyer keq nga frika dhe nga miti i Serbisë së pathyeshme. Erdhi sepse duhej racionalizuar liria, e jo ajo të mbetej vetëm një gojëdhënë, një përrallë. Liria duhej bërë realitet dhe për këtë gjasat ishin tepër të mëdha që edhe të humbej jeta. Kjo dihej paraprakisht.

Edhe liria e fituar në truallin evropian sot nuk supozon se secili nga qytetaret evropianë e ndjejnë dhembjen dhe respektin e duhur për mijëra e mijëra djem të cilët humbën jetën në plazhet e Normandisë. Dikush ata mund t’i quaj edhe të krisur. Dikush mund të tallet me ta. Jam i bindur se në Evropë ka të tillë që nuk duan t’ia dinë për ta, ashtu sikurse jam bindur se ka edhe nga shqiptarët të tillë që nuk kanë dimension ontologjik për respektuar Adem Jasharin, Ukshin Hotin, Agim Ramadanin, Indrit Carën, Tahir Sinanin dhe tërë sojin fisnik të tyre. Kur kjo ndodh nga eunukët kozmopolitë nga Shqipëria londineze, disi e kapërdij këtë shkarje, ngase e kuptoj mungesën e transcendentales te ta, por kur kjo ndodhë nga individ nga Kosova, edhe shqiptarë, atëherë më humbë mirëkuptimi.

Vendimi i Presidentit të SHBA-ve për të hyrë në Luftën e Dytë Botërore është i ekuivalent me vendimin për të luftuar policinë serbe, vendim që e kishte plasuar publikisht Shaban Jashari disa muaj para se të binte heroikisht. Duhet të na kujtohet kur i pat thënë gazetarit: “Ne kemi edhe qynga”.

Nga vendimi i të parit do të vdisnin një mizëri ushtarësh, ndërsa nga vendimi i të dytit pothuajse i tërë trungu familjari Jasharajve. Por, liria do të vinte në të dy rastet.

Unë besoj se ka një paralelizëm ontologjik mes ushtarëve që zbarkuan në Normandi dhe armatës së vetmuar të Jasharajve. Them se ishin të vetmuar sepse ishim me qindra e mijëra që bëmë sehir (ndër ta edhe unë), ashtu sikur qindra miliona marka të grumbulluara që nuk u vunë kurrë në funksion të Atdheut?

Fakti se njëri vendim kishte me miliona ushtarë që e zbatonin, e tjetri disa dhjetëra familjarë, nga aspekti ontologjik nuk dallon gjë. Në të dy rastet kemi vendime fondamentale të cilët më së paku mund të quhet të papërgjegjshëm, me gjithë tragjizmin individual që prodhonin.

Ushtari i panjohur amerikan i cili ka mundur të bie vetëm pas dy apo tre hapave në plazhet e Normandisë, nuk dallon aspak nga cilido luftëtar i Jasharajve.

Kam mirëkuptim për të gjithë që shkrihen së jetuari duke u kënaqur vetëm me kategori biologjike të ekzistencës. Por, nuk i kuptoj moralizimet e tyre nihiliste. Pse do te duhej të debatohej vetëm për të relativizuar gjithçka. Në fakt pse diçka e jo asgjë?

Kjo pyetje fondamentale ontologjike e përcjell njerëzimin së paku këto dy mijë e pesëqind vitet fundit. Definitivisht nuk e kam të qartë përse relativizohet diçka vetëm sa për të relativizuar. Një nihilizëm larpurlartist ky i vonuar frikshëm.