LAJMI I FUNDIT:

Rupel: Pavarësia e njëanshme nuk është në interes as të kosovarëve

Rupel: Pavarësia e njëanshme nuk është në interes as të kosovarëve

Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Dimitrij Rupel, ka deklaruar sot, për gazetën gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung", se vendi i tij kundërshton shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës sepse, sipas tij, kjo do të ndikonte negativisht në situatën e sigurisë në rajon.

“Shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës do të nxiste reaksione të cilat nuk do të ishin as në interes të kosovarëve”, ka thënë Rupel për FAZ.

Rupel, vendi i të cilit, nga 1 janari i këtij viti do ta marrë detyrën e kryesuesit të Bashkimit Evropian, ka thënë se ka “mirëkuptim të plotë për Serbinë” një vendi i cili “mban çelësin e stabilitetit në rajon”.

Duke e akuzuar Serbinë se, më 1999, në kohën e Sllobodan Milosheviqit “vetë e ka nxitur ndarjen e Kosovës”, Rupel ka vlerësuar se “bashkimi i sërishëm do të jetë i mundshëm në kontekst të Bashkimit Evropian”.


“Ndërkohë, na duhet një zgjidhje kalimtare e cila do të zgjaste derisa Kosova dhe Serbia nuk do të hynin në BE”, ka thënë Rupel.