LAJMI I FUNDIT:

Ruli-Zharku, pajtohen për bashkëpunim të ndërsjellë ekonomik

Ruli-Zharku, pajtohen për bashkëpunim të ndërsjellë ekonomik

Bashkëpunimi i ndërsjellë ekonomik, si në shkëmbimin tregtar , po ashtu edhe në investime, ka qenë temë diskutimi mes ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Lufti Zharkut dhe mysafirit të tij nga Shqipëria ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, Genc Rulit.

Për një bashkëpunim më të mirë mes dy vendeve, dy ministrat janë pajtuar të themelojnë një grup të përbashkët punues, që do të merret me identifikimin e problemeve dhe mundësive të bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Mendoj se brenda dy apo tre muajve do të kemi një raport të identifikimit të këtyre problemeve prej atij grupi” , tha ministri Zharku.

Në anën tjetër, ministri Ruli vlerësoi se, në kuadër të avancimit të bashkëpunimit, do të zbatohen një mori politikash dhe instrumentesh për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investuese dhe se qeveria e Shqipërisë do të angazhohet për eliminimin e barrierave burokratike tregtare gjatë shkëmbimeve me Kosovën.


“Shifrat e statistikave në kuadër të shkëmbimeve tregtare sipas marrëveshjes CEFTA tregojnë se ka të arritura”.

Ruli po ashtu përmendi investimet e përbashkëta në sektorin e energjetikës me qëllim të ngritjes së kapaciteteve prodhuese, si në Kosovë me Termocentralin “Kosova C”, po ashtu edhe me ndërtimin e hidrocentraleve në Shqipëri. /Telegrafi/