LAJMI I FUNDIT:

Rugova më 2001: E mira është që të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet, prandaj Kosova e pavarur është optimalja jonë

Rugova më 2001: E mira është që të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet, prandaj Kosova e pavarur është optimalja jonë
Dr. Ibrahim Rugova (foto nga: Fahredin Spahija)

Telegrafi risjellë në kujtesë intervistën me Dr. Ibrahim Rugovën, të realizuar në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit 2001. Rugova ndër të tjerash flet vizionin e tij për qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe për synimet e tij: për Kosovën e pavarur, që shqiptarët në Maqedoni të jenë element shtetformues, ndërsa që shqiptarët në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës ta kenë administrim të vetin lokal. Ai nuk e mohon se më e mira do të ishte që të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet, porse, duke i pasë parasysh rrethanat, Kosova e pavarur ka qenë dhe mbetet optimalja jonë. “Unë shpesh them dy shtete, dy shtete e gjysmë, me gjysmën e Maqedonisë etj. Ne shqiptarët duhet të jemi gati që të punojmë sipas standardeve dhe kërkesave të kohës dhe kur të integrohemi në Evropë – edhe Kosova, edhe Shqipëria, edhe Maqedonia – atëherë këto probleme që, për fat të keq i ka pasur rajoni ynë, Evropa Juglindore, do të shuhen”, ka thënë ai. Intervista është realizuar për Radion Dialogu Danubian të Radios Ndërkombëtare Austriake dhe për Javoren Politike Shqiptar – “Zëri”. Intervistues ka qenë studiuesi Skënder Gashi.

Në hapjen solemne të fushatës zgjedhore ju thatë se partia juaj pret një fitore solide. Sa solide pritni të jetë ajo në pikëpamje të përqindjes?

Them një shumicë solide për LDK- në, duke pasur parasysh se ne në Kosovë e kemi pranuar pluralizmin dhe jetën demokratike. Dhe, meqë kërkoni ta them edhe me përqindje, unë them se në këto zgjedhje LDK-së do të fitojë me rreth 70 për qind. Dhe, është mirë që në Parlamentin e Kosovës ta kemi një parti me shumicë votash. Kjo na duhet për ta arritur një stabilitet më të madh dhe për ta realizuar zhvillim ekonomik dhe atë të sferave të tjera të jetës. Kjo është në të mirë të Kosovës.


Ju e përdorët jo rrallë nocionin bashkëqeverisje apo qeverisje së bashku. A na e zbërtheni më gjerë kuptimin e këtij nocioni?

Unë e kuptoj këtë si qeverisje në jetën demokratike të Kosovës. Vetë demokracia është bashkëqeverisje, d.m.th. i kemi ata që fitojnë dhe ata që do të jenë në opozitë. Bashkëqeverisje është sepse opozita nuk e len qeverinë apo, siç shprehemi ne nganjëherë në shqip, pozitën të “flejë”. Natyrisht që në Parlament do të ketë edhe parti apo grupacione të tjera politike që do të fitojnë më pak, por, duke qenë të përfaqësuar në Parlament, edhe ata qeverisin bashkë me “pozitën”. Përsa i përket ekzekutivit, partive që fitojnë një kusht apo që hyjnë në Parlamentin e Kosovës ne si LDK-së mund t`iu ofrojmë vende. Ne tash do t`i kemi nëntë ministri; i kemi reduktuar, i kemi përmbledhur të 20 departamentet që i kishim gjatë qeverisjes me UNMIK-un dhe nga ato departamente mund t`ua lëmë disa partive të tjera. Për mua hierarkia opozitë dhe pozitë është pra bashkëqeverisje.

Njëra ndër devizat e partisë suaj është bashkëpunimi me shtetet fqinje. Cili do të jetë vendi i Shqipërisë fqinje në kuadër të këtij bashkëpunimi. Kjo aq me tepër pse flitet për një paralelizëm në rrafshin politik . Disa shkojnë edhe më larg dhe pohojnë sikur paska dy politika shqiptare, sikur ka filluar të formohen dy kombe shqiptare!?

Përcaktimi i popullit të Kosovës e edhe i shqiptarëve në përgjithësi, është që të jetë një Kosovë e pavarur, që shqiptarët në Maqedoni të jenë element shtetformues, pastaj që shqiptarët në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës ta kenë një administrim të vetin lokal. Ky është një opsion me të cilin punojmë tash e sa vjet dhe jo vetëm që e ka pranuar populli, porse edhe bota e merr si opsion të optimales, i cili Kosovës ia garanton pavarësinë.

Sa iu përket marrëdhënieve me fqinjët, Shqipëria do ta ketë një rol si të gjithë fqinjët e tjerë, natyrisht duke mos i lënë anësh lidhjet që i kemi të përbashkëta, si ato të gjuhës, të kulturës e të tjera, por edhe në planin ekonomik. Unë kërkoj gjithnjë ta ndërtojmë rrugën Prishtinë-Prizren-Durrës. Kjo do të thotë se Kosova do të marrë pjesë në integrimet evropiane dhe në integrimet shqiptare. Unë nuk do të kisha polemizuar për këtë. E di se ka edhe njerëz që mendojnë se po u bëkan dy kombe etj. Le të mos shkojmë më larg: sot në Evropë kemi një Gjermani, kemi një Austri që për kah historia e gjaku janë i njëjti popull si edhe një pjesë e Zvicrës gjermane, por ato janë tri shtete. Këtu nuk ka asgjë të keqe. Shteti nënkupton realizimin e kombit, pra mbrojtjen, realizimin e një populli.

Kosova, nëse duam të themi, e ka edhe një bazë historike në këtë plan sepse ajo në antikë ka qenë një mbretëri ilirësh dardanë, pastaj edhe në kuadrin e Perandorisë Romake e ka pasur identitetin e vet e gjithashtu edhe gjatë Mesjetës, si edhe gjatë kohëve më të reja. Si Dardania përbrenda ilirëve, ashtu edhe Kosova përbrenda shqiptarëve e ka pasur identitetin dhe peshën e vet. Më vonë ka ndodhur rrudhja e Ilirisë dhe kemi mbetur në këto troje ku jemi sot.

Unë e kam thënë dhe e them hapur se natyrisht që është mirë që secili të jetojë në një shtet, në një vend, por janë relacionet e ndryshme, prandaj Kosova e pavarur ka qenë optimalja jonë. Pse të mos i kemi edhe ne dy shtete. Unë shpesh them dy shtete, dy shtete e gjysmë, me gjysmën e Maqedonisë etj. Ne shqiptarët duhet të jemi gati që të punojmë sipas standardeve dhe kërkesave të kohës dhe kur të integrohemi në Evropë – edhe Kosova, edhe Shqipëria, edhe Maqedonia – atëherë këto probleme që për fat të keq i ka pasur rajoni ynë – Evropa Juglindore, do të shuhen.

Kalojmë tash te kjo pjesa praktike. Ka parti rivale politike që elektoratit i premtojnë jo kornizë kushtetuese, por kushtetutë të plotë, jo gjysmë qeverie – siç shprehen ato, por një qeveri të mirëfilltë me të gjitha resorët e kompetencat. Çfarë qeverie do të ketë Kosova në të vërtetë?

Po, tashti flitet shumë për këto çështje. Aktualisht ne jemi në fazën transitore, jemi nën administrimin e OKB-ës. Deri tash ne kosovarët e kishim një qeveri të përbashkët me UNMIK-un. Pastaj e kishim Këshillin Transitor (që unë e quaja edhe miniparlament). Tash e kemi një kornizë kushtetuese që, duke e marrë parasysh progresin në Kosovë, megjithatë është një hap përpara. Kemi edhe një dokument bazë, përveç Rezolutës 1244 së OKB-ës.

Korniza Kushtetuese është një kurorëzim i suksesit që ne e kemi arritur në Kosovë. Ne e kemi pasur edhe kushtetutën e Republikës së Kosovës, që është aprovuar më 1990 dhe me të kemi punuar 10 vjet. Pas luftës, me vendosjen e administratës ndërkombëtare, ne i suspenduam funksionet tona dhe e patëm administratën e përbashkët.

Kosova do ta ketë sigurisht edhe kushtetutën e vet, do t’i ketë të gjitha – edhe simbolet kombëtare etj. Kjo mund të bëhet gjatë kësaj faze, gjatë këtij mandati apo gjatë mandatit të ardhshëm. Këtë tash nuk e konteston askush.

Është e natyrshme për partitë politike të bëjnë, e them në kuptimin e mirë të fjalës, propagandë, të premtojnë më shumë e të fitojnë më pak. Është me rëndësi që kjo kornizë e garanton funksionimin e institucioneve të qeverisë që do të dalë nga këto zgjedhje dhe kjo do të jetë një qeveri e fortë, e cila do ta ketë edhe një president dhe një Parlament, ndërsa transferi i pushtetit nga UNMIK-u tek organet demokratike të zgjedhura, them unë, do të bëhet gradualisht. Sa më të organizuar, sa më efikas që të jemi, aq më shumë pushtet do të marrim nga UNMIK-u.

Duket sikur Kosova të jetë në një lloj sprove, në një lloj provimi përpara demokracisë. Ndoshta bashkësia ndërkombëtare, si të thuash, po e teston atë sensin demokratik të kosovarëve, në mënyrë që këtyre gradualisht t’ua lëshojë pushtetin?

Po, është edhe ajo. Edhe për ne që e kemi përjetuar luftën dhe megjithatë kemi ecur shumë më shpejt, kjo periudhë mund të shikohet si periudhë e testimit, gjë që vlen për të gjitha vendet postkomuniste. Por, ne e kemi dhënë një test edhe gjatë 10 vjetëve të kaluara kur kemi drejtuar një jetë demokratike, edhe pse ishim nën dominimin e huaj. Ajo periudhë ka qenë pozitive, edhe sot po i jep rezultatet në Kosovë. Këtë e dëshmon funksionimi i pushtetit lokal në Kosovë, edhe pse ka kufizime midis kompetencave të pushtetit qendror të UNMIK-ut e atij lokal. Kemi të bëjmë me një test pozitiv, të demokracisë në nivel lokal. Pas këtyre zgjedhjeve do ta dëshmojmë demokracinë në vepër, në nivel qendror.

Ju dhe partia që ju e drejtoni jeni këmbëngulës në kërkesën që Kosova të pavarësohet sa më parë që të jetë e mundshme. Cilat janë faktet, mbështesat që e arsyetojnë këtë kërkesë? Cila është strategjia juaj për arritjen e këtij ideali të kosovarëve?

RUGOVA: Ne insistojmë që pavarësia e Kosovës të njihet sa më parë. Kjo së pari do ta qetësonte rajonin, pra Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi e edhe Serbinë, sado që Serbia momentalisht e mendon të kundërtën. Pavarësia do t’ i qetësonte vetë kosovarët në planin shpirtëror, psikologjik, sepse me një status, kështu, ende të padefinuar (edhe pse jemi nën administrimin ndërkombëtar, me siguri ndërkombëtare), njerëzit ende kanë frikë nga e ardhmja, ende frikësohen se mund t`u ndodhë ajo që e kanë përjetuar. Kosova dhe kosovarët do ta kishin kështu një perspektivë të hapur dhe njerëzit do t`i rregullonin shumë gjëra më qartë. Për anën historike folëm pak më parë. Po shtoj se Kosova ka qenë gjithnjë entitet më vete. Edhe në atë ish-shtetin që u shkatërrua, ka qenë element i mëvetshëm i federatës jugosllave. Duke qenë se ajo federatë nuk ekziston më, e drejtë jona është që të dalim nga ajo edhe formalisht. Mund të them se edhe në BE ka mirëkuptim për pavarësinë e Kosovës. Pas zgjedhjeve do të punojmë që rrethi i mirëkuptimit të zgjerohet dhe që pavarësia e Kosovës të njihet sa më parë.

Sa i përket formës, a do të kërkohet që pavarësia të arrihet përmes një referendumi, siç e provon Mali i Zi, apo pavarësia do të arrihej pas konferencave ndërkombëtare që propozohen?

Më 1991 ne e kemi mbajtur një referendum, si edhe ish-republikat e tjera të ish-Jugosllavisë. Sado që në planin ndërkombëtar rezultatet e atij referendumi kanë qenë të njohura vetëm parcialisht, për ne shqiptarët ai ka funksionuar. Unë e kam një rrugë tjetër. Propozoj që pavarësinë e Kosovës ta njohin sa më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, e pastaj do ta njohin edhe vendet e tjera. Atëherë edhe Kosova do të anëtarësohej në OKB dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare.

Unë nuk ushqej ndonjë optimizëm për konferenca të këtij lloji sepse për rajonin tonë ato nuk kanë qenë fatlume dhe kanë lënë defekte. Unë jam kundër aranzhmaneve të reja, për të cilat dyshoj se rajonit tonë do t`i sillnin diç tjetër përpos tragjedive të reja. Ne të gjithë e kemi paguar shumë shtrenjtë këtë tragjedi, apo konfliktin e fundit politik i cili e prodhoi konfliktin ushtarak, prandaj më mirë është kështu. Të gjitha shtetet e rajonit tonë, të gjithë ne, jemi të vegjël dhe duam të integrohemi në Evropë dhe në NATO. Kjo është perspektiva për gjithë rajonin tonë.

Në programin e partisë suaj është fiksuar edhe nocioni “marrëdhënie të posaçme, speciale ” me ShBA-në. Si mund të shpjegohet ky nocion?

Nocioni i marrëdhënieve speciale apo të posaçme, njihet në diplomacinë ndërkombëtare. I gjithë populli i Kosovës dhe unë personalisht i shohim Shtete e Bashkuara të Amerikës ndër vendet e para që ka bërë shumë për Kosovën, që edhe sot janë prezente në Kosovë dhe që kanë një kujdes të vazhdueshëm për Kosovën. Amerika ka qenë që nga fillimi i shekullit të kaluar dhe në fillim të shekullit XX-të e involvuar rreth çështjes shqiptare dhe ka ndihmuar shumë. Tash, nga fundi i këtij shekulli, u angazhua për çështjen e Kosovës. Ne ia kemi borxh këtij vendi të madh e mik marrëdhëniet miqësore të mira, por edhe në planin e interesave reciproke. Amerika është një vend i madh, një treg i madh; ne jemi një vend i vogël, por kemi mundësi që të bëjmë marrëdhënie të forta ekonomike, miqësore, kulturore, shkencore që na duhen; ShBA ka teknologji të lartë. I shikoni të rinjtë tanë te të cilët gjuha angleze apo amerikanishtja siç i thonë nganjëherë në Paris etj. është bërë gjuha e dytë këtu në Kosovë, pra pas shqipes dhe të rinjtë aspirojnë kah ShBA-ja. Natyrisht ne do të jemi një vend i integruar në Bashkimin Evropian për kah gjeografia, për kah vendi dhe interesat ekonomike e kulturore që i kemi, por do të kemi lidhje apo marrëdhënie speciale miqësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ju në asnjë mënyrë, besoj, nuk e injoroni Evropën?

Jo, jo larg asaj. Mund të merret se mund ta injorojmë Evropën, por jo. Unë Evropën dhe ShBA-në i shoh si një familje; edhe ne që jemi më të vegjël do të jemi në atë familje dhe do të kyçemi në të gjitha integrimet evropiane. Tashmë është e njohur se ne, menjëherë pas luftës, tash e dy vjet, në qarkullim e kemi markën gjermane, gjë që na ka shpëtuar në planin ekonomik. Tash do ta kemi euron. Legjislacioni ynë, që po e përgatisim bashkë me UNMUIK-un, është shumë kompatibël me standardet e Bashkimit Evropian, gjë që për vendet që aderojnë për t`u pranuar anëtare të BE-së është një problem. Pra, ne do të jemi komplet me BE-në, me NATO-n dhe do të kultivojmë lidhje miqësore apo lidhje speciale me ShBA-në.

Përfaqësuesi i lartë i OSBE-së, z. Everts, jua sheh për të madhe se ju po e përmendni shumë shpesh çështjen e pavarësisë. A mund të jetë ky qëndrim i OSBE- së apo i Bashkësisë Evropiane?

Unë nuk shoh këtu diçka të madhe. Ndoshta kjo do të jetë ndonjë vërejtje për këtë fushatë zgjedhore, por nuk është qëndrim zyrtar i OSBE-së. Ambasadori Everts e ka bërë këtë sigurisht në kuadrin e obligimeve që i ka në kuadrin e përmbushjes së një pjese të rezolutës. Por, në atë rezolutë është thënë shumë hapur se ne kemi të drejtë të flasim si për ndërtimin e institucioneve, ashtu edhe për të ardhmen e Kosovës. E ardhmja e Kosovës, sipas nesh, kosovarëve, shqiptarëve, është pavarësia e saj. Unë ndoshta po bëj shaka tashti, por, nëse duan, në fushatë zgjedhore mund të hyjnë edhe OSBE-ja, edhe UNMIK-u.

Sado që, ende pa jua shtruar pyetjen, ju u përgjigjët paksa shkarazi, megjithatë desha t’ju pyes se cili është qëndrimi juaj karshi propozimeve të diplomatëve si Kisinxher, lordi Oven për rikomponimin e Ballkanit dhe formimin e shteteve nacionale, gjë që do të duhej arritur përmes ndonjë konference si ajo e Kongresit të Berlinit?

Unë nuk jam për konferenca të tilla. Tash jemi një shekull përpara, në një shekull të kohëve të reja. Besoj se të gjithë popujt e rajonit tonë, të Evropës Juglindore (as unë nuk e preferoj termin Ballkan, sepse është shumë fantazmagorik), edhe pa konferenca të tilla, de facto, po rikomponohen. Janë njohur shumë shtete (po flasim për atë shtetin që ka qenë ). Edhe Kosova është de facto e pavarur, e presim vetëm edhe njohjen formale. Prandaj nuk kemi nevojë për konferenca sepse objektivi i të gjithëve është hyrja në BE . Sa më shpejt të ndodhë kjo, aqë më mirë, sepse kështu do të bashkëpunonim më mirë ndërmjet veti, do të mbeteshim miq. Ne duhet patjetër të bëhemi një ditë miq ose do të çmendemi përsëri – sidomos ata që duan e mund të luftojnë – por besoj se ajo kohë ka kaluar. Luftëra globale dhe lokale patëm tash e 10 vjet, prandaj unë jam për këto njohjet e drejtpërdrejta dhe për bashkëpunim. Nuk po e lë porse pa e përmendur në këtë mes se zoti Kisinxher pati këto ditë edhe një mendim interesant sipas të cilit meqë u bë ajo luftë për Kosovën, ajo duhet të jetë tash e pavarur. Ai është një diplomat shumë i rezervuar, por kur thotë diçka, e thotë me një bindshmëri dhe me një arsyeshmëri të mbështetur mbi të drejtën ndërkombëtare dhe historinë e popujve .

Ju, me sa kuptoj unë, me këtë qëndrim që keni karshi këtyre propozimeve të këtilla nuk jeni as ithtar i ndonjë konference që e propozojnë disa liderë të Serbisë dhe që përkrahet edhe nga Rusia, që disa çështje që paskan mbetur pa u zgjidhur në Ballkan të zgjidhen me një konferencë ballkanike që do të kishte për qëllim fiksimin e kufijve të tashëm?

Jo, jo, nuk jam për asofarë konference. Pak më parë e thashë në formë më të butë, por tash po e them edhe haptas se ka mbaruar koha e atyre konferencave, e atyre aranzhmaneve dhe e atyre allashveresheve të ndryshme. Kufijtë janë, kufijtë dihen. Brenda këtyre kufijve Kosova do të jetë shtet, unë them shpesh, i vogël e simpatik me shumicën shqiptare edhe minoritetet e grupet etnike, si në çdo shtet tjetër. Nesër po ashtu do të jetë edhe Maqedonia një shtet me një shumicë shqiptare, si element shtetformues, pastaj Mali i Zi me shqiptarë, Serbia me shqiptarë dhe Bosnja e Kroacia me entitetitet e tyre. Pra, kjo do të jetë rruga më e mirë sepse nëse shkojmë vijave strikte etnike, përsëri kalojmë në luftëra, ndoshta edhe më të përgjakshme. Prandaj, kufijtë e Kosovës ekzistojnë dhe ne nuk kemi kërkuar t’i ndërrojmë ata. Bota demokratike dhe politika ndërkombëtare e ka pranuar dhe çmuar këtë si diçka reale dhe optimale, një Kosovë me shumicë shqiptare, që e meritojnë shtetin. Natyrisht që është detyrë jona të kujdesemi për integrimin e plotë të grupeve etnike, nacionale (unë vetë nuk e përdori termin minoritet sepse disi nuk e dua) në shoqërinë kosovare dhe këtë do ta bëjmë. Ne ju garantojmë grupeve etnike jo vetëm mbrojtje simbolike të identitetit kulturor, por një mbrojtje dhe integrim me identitetin e tyre historik, kulturor etj.

Herë pas here, disa e shtrojnë edhe pyetjen: a ka Kosova infrastrukturë e resurse që do ta garantonin vetëmbajtjen, ekzistencën materiale të shtetit të Kosovës?

Ka dhe këtë e them me plot bindje. Kur e them këtë, e kam për mbështetje rrethanën që ne pa ndonjë ndihmë të madhe nga jashtë e prodhojmë vetë ushqimin. Kosova (sipas shënimeve të mëhershme) prodhon 600 mijë tonelata drithëra për dy milionë banorë. Me angazhim të shtuar do të prodhojmë edhe më shumë sepse Kosova ka një bujqësi të mirë, një tokë fertile. Po ashtu kemi resurse të mëdha energjetike, minerale etj. që janë të njohura në botë. Le të përmendim vetëm kapacitetet e minierave të linjitit që kapin 15 miliardë tonelata dhe janë pra ndër resurset më të mëdha energjetike në Evropë dhe në botë. Pastaj kemi një popull dinamik, një popull të kultivuar, një resurs njerëzor shumë të madh. Ne e kemi një shtresë të rinjsh shumë të kultivuar, shumë të civilizuar dhe të përgatitur në planin ekonomik, teknik, intelektual për t’ u marrë me jetën. E shihni se pas luftës rindërtimi është kryer shumë shpejt. Kemi pasur ndihma ndërkombëtare, por edhe vetë njerëzit kanë ecur. Sot ekonominë e kemi 50 për qind private, d.m.th. i kemi të gjitha resurset e potencialet. Bile, nganjëherë, disa na thonë: po ju s’keni det … Ka plot vende që s’kanë det e janë shtete mjaft solide. Unë ju them se së shpejti do ta kemi autostradën deri në Durrës. Prej Prishtinës deri në Lezhë, deri në bregdetin e Shqipërisë apo shqiptar, janë vetëm 200 kilometra. Në perspektivë do ta kemi edhe autostradën e Dalmacisë, e cila do të vazhdojë dhe se nga këtu e deri në Vjenë mund të udhëtohet nëpër diell, bregut të bukur të Adriatikut .

Kosovarët ju kanë njohur që nga vitet ’90 për president të tyre. Tashti, pas zgjedhjeve, me gjasë do të jeni edhe një herë president i legjitimuar i kosovarëve. A mendoni ju se në këtë post do ta ndërmerrni ndonjë iniciativë për njohjen e Kosovës shtet i pavarur? A keni në programin tuaj ndonjë “ofensivë” diplomatike?

Na duhet ta përkujtojmë herë pas here atë periudhën prej 10 vjetësh. Ajo është histori e re, por zgjedhjet, sistemi demokratik, e kanë mbajtur gjallë e shëndosh këtë popull dhe e kapërcyem edhe luftën. Kundërshtarit iu desh, prandaj, ose ta njihte atë shtet që ne e ngritëm dhe bota e njihte si shtet paralel, ose ta sulmonte. Dhe, ai vendosi ta sulmojë, por e mbrojtën miqtë tanë – ShBA-ja, BE-ja me NATO-n. Tash do ta kemi një president të zgjedhur nga Parlamenti i Kosovës. Ai do të ketë kompetenca dhe do të jetë i njohur ndërkombëtarisht. Në planin ndërkombëtar do të jenë të njohura edhe të gjitha institucionet tona. Unë do të punoj që të njihet sa më shpejt pavarësia e Kosovës. Se a do ta quajmë, siç e quajtëm 10 vjet me radhë, Republikë, shteti i Kosovës apo Republika e Kosovës, i mbetet që ta definojë Parlamenti i Kosovës, por gjithsesi të gjithë do të punojmë që sa më parë të bëhet njohja edhe formale e pavarësisë.

Në fund, zoti president, si e vlerësoni ju qëndrimin e diplomacisë austriake karshi Kosovës deri tash dhe çfarë prisni nga ajo?

Po, e çmoj për shumë pozitiv. Austria ka pasur, tash mund të themi, një rol historik. Është pjesë e historisë së popullit shqiptar në përgjithësi, por edhe e Kosovës si shtet. Vetëm këto 10-12 vjet që e kemi krijuar Kosovën si republikë, si shtet, Austria na ka dhënë një ndihmë të madhe dhe e kemi pasur, unë them, një vend të dytë prej ku kemi qarkulluar në Evropë. Austria ka pranuar njerëz tanët, jo vetëm ata që ishin punëtorë të viteve të ’70- ta; ka ofruar strehim për të rinjtë tanë që iknin nga represioni. Në planin diplomatik ndërkombëtar, Austria ka pasur një qëndrim e mirëkuptim pozitiv. Le ta përmendi vetëm ish-ministrin e Punëve të Jashtme, mikun e madh tonin, Alois Mock, që ishte ndër ministrat e parë që na ka pranuar dikund më 1991/92, pastaj ndihmat e ndryshme që janë dhënë përmes shoqatave dhe nga Qeverisa austriake. Para luftës, menjëherë pas amerikanëve, Austria e pat hapur zyrën këtu në Kosovë, ndërsa sot janë prezentë me ndihma, me pjesën e vet ushtarake dhe natyrisht pas zgjedhjeve presim një bashkëpunim ekonomik që këtë rrugë të ndihmave ta përkthejmë, ta bartim në një trase tjetër, pra në një bashkëpunim ekonomik, me investime në ekonomi dhe në të gjitha fushat e jetës. Prandaj, edhe një falënderim të madh Austrisë që mund të themi se është një mik tradicional i Kosovës, i kosovarëve dhe i shqiptarëve.

Në emër të dëgjuesve dhe të redaksisë së Radios Dialogu Danubian të Radios Ndërkombëtare Austriake dhe në emër të lexuesve të së përjavshmes “Zëri”, ju falënderoj përzemërsisht për këtë bisedë.

Ju falemnderit juve edhe për pikat që i prekët. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Kulture
Ismail Qemali, bekuesi i këngës sonë kombëtare

Ismail Qemali, bekuesi i këngës sonë kombëtare

Kulture
O GRUA

O GRUA

Poezi
Disa mësime nga historia, për Lindjen e Mesme të ditëve të sotme

Disa mësime nga historia, për Lindjen e Mesme të ditëve të sotme

Kulture
Kalo në kategori