LAJMI I FUNDIT:

RTCG diskriminon shqiptarët

Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, në një intervistë të para disa kohe tek “Bugajski Hour” pati thënë se “Harmonia multietnike dhe stabiliteti në Mal të Zi nuk u vunë asnjëherë në dyshim”, për të vazhduar se me kujdes “jemi duke shikuar në zgjidhjen e problemeve që mund të kenë pakicat, edhe ajo shqiptare”. Ajo çfarë foli KM Gjukanoviq në atë emision tek Janusz Bugajski ishte tentim për të fshehur problemet e thella që kanë shqiptarët në Mal të Zi, por edhe komunitetet e tjera etnike.

Ballafaqimet e shqiptarëve në Mal të Zi përfshijnë shumë segmente të jetës së tyre atje, e që këto ballafaqime vinë sa si produkt i dobësisë për të vepruar të klasës politike shqiptare atje, e sa nga politikat e shpërfaqura diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e Podgoricës zyrtare.


Ajo që shqetëson kohëve të fundit është periudha në të cilën po kalon sidomos programi shqip i Radio-Televizionit të Malit të Zi (RTCG). Duhet kujtuar se RTCG është medium shtetëror, i cila nga viti 1998 filloi së realizuari programe informative edhe në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Kjo periudhë ishte kthesë pozitive e një fillimi të mbarë në këtë fushë.

“Kompletimi me një staf të gjerë i redaksisë së Radios së Malit të Zi dhe formimi i Programit shqip të televizionit shtetëror, në qershor të vitit ‘98, pastaj formimi i gazetës së përjavshme në gjuhën shqipe ‘Koha javore’ dy vjet më vonë, u prit mirë nga komuniteti shqiptar dhe njëkohësisht ishte sinjal pozitiv për të ardhmen e tij”, vlerëson gazetari i Programit në Gjuhën Shqipe i RTCG- së, Musa Gjoka. “Këto momente ishin shpresëdhënëse për një qasje të re të institucioneve shtetërore në realizimin e një të drejte të popullatës shqiptare, të drejtës në informim”, përfundon ai në një tekst autorial në të përjavshmen shqiptare në Mal të Zi, “Koha Javore”.

Emisioni disa minutësh i quajtur “Mozaiku”, jepet një herë në javë. Ky emision kishte një shtrirje kohore 60 minuta, ku në fillim quhej “Mozaiku 60”, por pas një kohe filloi shkurtimi i tij njëherë në 40, mandej 35 e kështu me radhë, me ç’rast edhe pjesëza “60” iu hoq. Arsyeja të cilën e japin nga RTV Mali i Zi, për këtë shkurtim, është ajo financiare. E që është e çuditshme të shkurtohet bash ajo pjesë ku i dedikohet pakicës shqiptare në Mal të Zi.

Si qershi në tortë diskriminimit të këtij emisioni i bëhet ndërrimi i shumë hershëm i kohës së transmetimit. I çdo ditshëm është emisioni i lajmeve në gjuhën shqipe. Kohëzgjatja e të cilit ishte 15 minuta, ndërsa tani është 10 minuta.

Publicisti Nail Draga këtë diskriminim që po i bëhet Programit shqip të Radio-Televizionit të Malit të Zi e konsideron të pa merituar. “Shqiptarët nuk e votuan pavarësinë e Malit të Zi në këtë formë e përmbajtje që po sillet pushteti ndaj shqiptarëve”, vlerëson Draga. “Redaktor, gjoja i programit të pakicave (lexo) në gjuhën shqipe, është malazias që nuk e din asnjë fjalë në gjuhën shqipe. Athua se nuk ka pasur shqiptar? Edhe kësaj i thonë barazi qytetare e nacionale në stilin malazez”, konkludon ai, për të vazhduar se gazetarët shqiptarë i kanë larguar disa si teprica teknologjike, por nga këta nuk kemi ndonjë reagim, përveç së fundi të gazetarit Musa Gjoka.

Spektri politik shqiptar në Mal të Zi është i obliguar që zëshëm të reagojë në kohën kur tentohet të vendoset me metoda të sofistikuara “demokratike” terr informativ nga Radio-Televizioni i Malit të Zi në raport me shqiptarët. “Për fat të keq spektri politik shqiptar në Mal të Zi është në pozitën më të keqe prej fillimit të pluralizmit, këtë e dëshmon përfaqësimi shumë i dobët në Kuvendin e Malit të Zi dhe në Qeveri. Prandaj, edhe fuqia e tyre për të bërë trysni, në drejtim të përmirësimi të pozitës së Programit në Gjuhën shqipe në RTCG është e vogël”, komenton gazetari Musa Gjoka.

Duhet përkujtuar se në Marrëveshjen për formimin e koalicionit figuron edhe aneksi për përmirësimin e pozitës së medies në gjuhën shqipe. Marrëveshja edhe pse e nënshkruar në fund të viti të kaluar ende nuk ka filluar të jetësohet.

Republika e Malit të Zi dhe kryeministri i saj, janë shprehur për qasje evropiane ndaj të drejtave të komuniteteve në këtë shtet, por kjo nuk po duket në horizont. Përderisa shpërfaqën veprime të atilla që e margjinalizojnë median në gjuhën shqipe, e garantuar me çdo dokument kombëtar e ndërkombëtar si e drejt në informim, nuk mund të mendojmë për një shtet i cili pretendon standardet evropiane.