LAJMI I FUNDIT:

Rruga “Muharrem Fejza” në gjendje të mjerueshme, Komuna e Prishtinës premton rindërtimin e tërësishëm

Rruga “Muharrem Fejza” në gjendje të mjerueshme, Komuna e Prishtinës premton rindërtimin e tërësishëm

Banorët në rrugën “Muharrem Fejza” në lagjen Mati 1 të kryeqytetit, po vazhdojnë të përballen me probleme të shumta. Rruga thuajse e shkatërruar, mungesa e trotuareve dhe vërshimet e ditëve të fundit po u shkaktojnë probleme banorëve të kësaj rruge.

Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të tyre që Komuna e Prishtinës të intervenojë në këtë rrugë, deri më tash një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Nga Komuna e Prishtinës thonë se procedurat për rindërtimin e kësaj rruge kanë filluar para 13 muajve por që janë bllokuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

E si zgjidhje të përkohshme, banorët sot kanë marrë zotim nga Komuna e Prishtinës që do të sanohen gropat deri në fillimin e punimeve për rindërtimin komplet të rrugës.


Dren Shahini, që banon në këtë rrugë, thotë se jetesa po bëhet e pamundur në këtë pjesë të kryeqytetit. Sipas tij, gropat e shumta që janë krijuar në këtë rrugë po u shkaktojnë edhe prishje të veturave.

“Problematikat janë të shumta të kësaj rruge, por më qenësorja tashmë është bërë rruga ‘Muharrem Fejza’ gropat që janë shkaktuar prej reshjeve, prej ndërhyrjeve ilegale që i kanë bërë ndërtuesit e rinj, prej ndërhyrjeve edhe legale por që nuk janë kthyer në gjendjen e mëparshme dhe pas reshjeve të shumta tashmë gropat janë pothuajse të pakalueshme. Rruga ‘Muharrem Fejza’ është kthyer në një rrugë tejet shqetësuese, stresuese për banorët këtu, e kushtueshme që besa sepse veturat po dëmtohen edhe me rrezikshmëri të lartë pasi që veturat duke iu shmangur gropës ka ndodhur që kanë kaluar edhe në trotuare ku kanë qenë këmbësorët”, tha ai.

Në këtë rrugë ka mungesë të trotuareve, e në ato pak metra ku ka hapësira për këmbësorë Shahini thotë se qytetarët nuk mund t’i shfrytëzojnë pasi që gjithmonë ka vetura të parkuara që ua pamundësojnë shfrytëzimin e tyre.

E reshjet e ditëve të fundit, sipas Shahinit, kanë ndikuar që rrugët e bodrumet e banesave të vërshohen nga kanalizimet.

“Vështirësitë kanë qenë kryesisht tek këmbësorët, nuk kanë mundur të kalojnë sepse uji kur mblidhet rrjedh në anën e poshtme andej ka kalojnë këmbësorët, është e tmerrshme se sa vështirë është të kalosh nëpër këtë rrugë kur ka reshje. Mandej bllokimi i bodrumeve të ndërtesave, futja e ujit të kanalizimit nëpër bodrume të ndryshme. Krejt këto e shkaktojnë një stres të paparë, është aq tronditëse aq e pabanueshme si lagje dhe si rrugë saqë nuk e di çka them”, u shpreh ai.

Ai ka kritika për kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku thotë se përkundër ftesave të shumta që ia kanë bërë nuk i ka vizituar që nga viti 2016.

Edhe banori tjetër i rrugës “Muharrem Fejza”, Arbër Mehmeti, ankohet se jetesa po bëhet e vështirë në këtë pjesë të kryeqytetit. Ai thotë se rruga është e shkatërruar total dhe vazhdimisht është tejet e ngarkuar nga lëvizja e mjeteve të rënda që kalojnë në atë pjesë.

“Si po e shihni edhe vet kjo rrugë është jashtëzakonisht shumë e dëmtuar, ka mbingarkesë shumë të madhe…Qytetarët e kanë problem me ec në trotuare për shkak po e shihni edhe vet bëhen vend parkimet në mënyrë jashtëzakonisht të keqe. Rruga është e shkatërruar total, është një rrugë që në qytet sidomos në kryeqytet, por po them edhe në qytetet e Kosovës, nuk ishte dashur me qenë në këtë masë”, thotë ai.

Reshjet e ditëve të fundit, për banorin Isak Pireva kanë ndikuar që banorët të përballen edhe me vërshimet nga kanalizimi.

“Kjo pjesë e rrugës këtu është katastrofë nga këtu nuk është e bërë mirë, kanalizimi ose uji i shiut hyn edhe në lokale, nëpër banesat deri atje poshtë, aq katastrofë është sa nuk ka kush të interesuar që të vijë me këqyrë të rregullojë apo me e ndreq siç duhet”, thotë ai.

Gjatë ditës së sotme banorët e rrugës “Muharrem Fejza” i ka takuar drejtori i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave të Komunës së Prishtinës, Gëzim Mehmeti.

Ai për KosovaPress deklaroi se procedurat për rindërtimin e kësaj rruge i kanë filluar para 13 muajve, por që shtoi se procesi është bllokuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit ku pesë herë është kthyer në rivlerësim procedura.

Ai thotë se derisa të nënshkruhet kontrata për rindërtimin e kësaj rruge, do të sanojnë dëmet që janë në këtë rrugë.

E me të përfunduar procedurat, ai deklaroi se do të fillojnë me punimet në këtë pjesë të kryeqytetit, ku rruga do të ketë një gjerësi prej gjashtë metrave, dy metra trotuare, si dhe shtigjet për biçikleta. Ai po ashtu theksoi se kjo rrugë do të jetë një kahore me drejtim nga rrethi te Rruga C.

“Komuna e Prishtinës para 13 muajve ka filluar me procedurën për rindërtimin e rrugës ‘Muharrem Fejza’, në këtë rrugë është paraparë besoj që shumë shpejt do të fillojë implementimi i ekzekutimit të punimeve ku rruga do të ketë një gjerësi gjashtë metra, dy metra trotuar dhe dy metra shtigje të biçikletave. Do të jetë me standarde moderne dhe ne me padurim e presim fillimin e ekzekutimit të punëve, sepse më të vërtetë ka nevojë të madhe për implementimin e projekteve të Komunës së Prishtinës që është paraparë para 13 muajve. Kjo rrugë do të jetë një kahore, do ta shkarkojmë në masë të madhe edhe qarkullimin e automjeteve… Ne kemi filluar procedurat para 13 muajve, një gjë që do ta bëjmë do t’i sanojmë sa më shpejt dëmtimet që janë në rrugë, me përfundimin e procedurave sepse 5 herë është kthyer procedura në rivlerësim. Sot kam një lajm të mirë, shpresoj që ka përfunduar çdo procedurë dhe në momentin që nënshkruhet kontrata ne jemi të gatshëm me ekzekutimin e punimeve sipas planit”, u shpreh ai.

Mehmeti thotë se fillimi i punimeve në këtë rrugë do të varet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, por rindërtimin e kësaj rruge e sheh si të domosdoshme.

“Përgjegjësitë janë të ndara, ne planifikojmë që të ekzekutohen, por çështjet e OSHP-së nuk është në kuadër të komunës, janë procedura të nivelit të instancës së dytë që unë nuk kam ndikim dhe nuk kam të drejtë të kem ndikim në këtë procedurë… Rruga për shkak të ndryshimeve në planin urbanistik ka nevojë të madhe dhe ne për atë arsye që ka nevojë para 13 muajve kemi filluar me procedura që kjo rrugë të rindërtohet. Do të thotë janë të arsyeshme kërkesat e banorëve sa i përket rindërtimit të rrugës, por prapë siç e thash më parë do të kemi një rrugë moderne”, theksoi ai.

Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” edhe më parë kanë mbajtur protesta për shkak të dëmtimeve të rrugëve e vërshimit nga kanalizimet.