LAJMI I FUNDIT:

Rrjedhja e dokumenteve të Pentagonit një rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-së

Rrjedhja e dokumenteve të Pentagonit një rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-së

Një rrjedhje e dokumenteve të klasifikuara të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së është një rrezik “shumë serioz” për sigurinë kombëtare, ka thënë Pentagoni.

Dokumentet duket se përfshijnë informacione të ndjeshme në lidhje me luftën në Ukrainë, si dhe për Kinën dhe aleatët e SHBA-së, transmeton Telegrafi.

Zyrtarët thonë se dosjet janë në një format të ngjashëm me dokumentet e lëshuara për drejtuesit e lartë.


Një hetim është hapur për të gjetur burimin e rrjedhjes.

Dokumentet – disa prej të cilave zyrtarët thonë se mund të jenë ndryshuar – u shfaqën fillimisht në platformat ‘online’ si Twitter, 4chan dhe Telegram, si dhe në një server Discord për video-lojën “Minecraft”.

Përveç informacionit shumë të detajuar në lidhje me luftën në Ukrainë, disa nga dokumentet e zbuluara thuhet se hedhin dritë mbi materialet e ndjeshme informuese në lidhje me aleatët e SHBA-së.

Dokumentet e tjera thuhet se fokusohen në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme, si dhe në rajonin Indo-Paqësor.

Duke folur me gazetarët të hënën, një zyrtar i lartë i Pentagonit tha se dokumentet ishin “një rrezik shumë serioz për sigurinë kombëtare dhe kanë potencial për të përhapur dezinformata”.

“Ne jemi ende duke hetuar se si ndodhi kjo, si dhe shtrirja e çështjes,” tha Chris Meagher, ndihmësi i sekretarit të mbrojtjes për çështjet publike.

“Ka pasur hapa për të parë më nga afër se si shpërndahet ky lloj informacioni dhe te kush”. /Telegrafi/