LAJMI I FUNDIT:

Rritja e qarkullimit të bizneseve kosovare në Shqipëri, vazhdon të jetë sfidë

Rritja e qarkullimit të bizneseve kosovare në Shqipëri, vazhdon të jetë sfidë

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka pritur në një takim anëtarët e komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri në Parlamentin e Kosovës. Ai e ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm midis dy vendeve në fushën e transportit.

Ai ka thënë se koordinimi mes dy vendeve në procesin e Berlinit ka qenë intensiv, ndërsa e konsideroi zhvillim mjaft të rëndësishëm vendosjen e “Rrugës se Kombit” në hartën Evropiane si pjesë e rrjetit bazë.

Kreu i MTI-së, theksoi se sfidë mbetet rritja e volumit të trafikut ekonomik të biznesit të Kosovës në “Rrugën e Kombit” dhe Portet shqiptare. Ai tha se palët duhet të forcojnë bashkëpunimin, dhe te heqin pengesat jo fizike, veçanërisht në pikat kufitare.


Haxhinasto nënvizoi rëndësinë e vlerësimit strategjik dhe ekonomik të lidhjes hekurudhore Shqipëri-Kosovë. “Koordinim më i mirë duhet bërë edhe për standardet e infrastrukturës, për mirëmbajtjen si dhe taksimin e rrugëve”, ka deklaruar ai.

Ministri u shpreh besimplotë se Komisionet parlamentare homologe të dy vendeve mund të nxisin në mënyrë të vazhdueshme forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, njofton ATSH.

Nga ana e tij kryetari i komisionit kuvendor kosovar, Muhamet Mustafa, tha se përveç bashkëpunimit mes qeverive duhet të intensifikohet edhe bashkëpunimi mes dy parlamenteve, raporton. Mustafa tha se në vepra të përbashkëta duhet bashkëpunim për t’i dhënë vlerën e nevojshme investimeve.