LAJMI I FUNDIT:

Rritja e kredive, uli normat e interesit

Rritja e kredive, uli normat e interesit

Rritja e numrit të kredive të lëshuar nga bankat komerciale në Kosovë ka bërë që të ulet edhe kamata për kreditë e lëshuara. Aktualisht norma e interesit për kredi është 7.4 për qind.

Shoqata e Bankave të Kosovës ka organizuar forumin e hapur me temë: “Sektori bankar dhe sistemi i zbatimit të kontratave në Kosovë”, ku u tha se krahasuar me disa vite më herët numri i kredive është rritur gjë që ka ndikuar në uljen e normave të interesit.


Zëvendësguvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, tha se normat e interesit nga dyshifrorë sa kanë qenë janë kthyer në një shifrore. Sipas tij, kreditë kanë shënuar rritje prej 9.7 për qind. ”Kjo konfirmon kërkesën e vazhdueshme për financim të bizneseve si shfrytëzues kryesor të kredive dhe gatishmërinë e përkrahjes nga bankat për sektorin privat. Ndër faktorët e rritjes së kredive pa dyshim që është edhe ulja e kostos së financimit të tyre. Duhet të theksojmë se një fushë ku është arritur progres i rëndësishëm është padyshim ajo e normave të interesit. Përderisa vetëm para dy viteve ato ishin në nivel dyshifror tashmë ato ja në vetëm në një nivel njëshifror dhe kjo është konkurrent me vendet tjera”, tha Mehmeti.

Kurse, përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeule, tha se FMN është shumë e interesuar në zbatimin e kontratave përmbaruese pasi kjo ndihmon në rritjen e zhvillimit ekonomik.

“Jemi shumë të interesuar për zbatimin e kontratave sepse kjo ndihmon rritjen e zhvillimit ekonomik dhe kjo faktikisht shihet si rritje pasi që ajo ndikon edhe në zhvillimin e Kosovës. Jo performanca e këtyre kredive e zvogëlon edhe financat apo investime direkt të jashtme dhe mos zhvillimi i këtyre kontratave parandalon edhe firmat për tu zhvilluar më tutje”, ka thënë Vermeulen.

E, kryetari i Shoqatave të Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka deklaruar se sistemi i përmbarimit në Kosovë ka ndikuar pozitivisht në sektorin bankar. “Sistemi i përmbarimit ka ndikuar mjaft pozitivisht në sektorin bankar që nga dhënia e këtij sistemi në funksion të zbatimit të kontratave. Numri i madh i lëndëve që presin të ekzekutohen, ekzekutimi i mangët i vendimeve, mangësitë në sistemin ligjor që e rregullon fushën e përmbarimeve, vonesat e vazhdueshme dhe ngecjet në gjykatat themelore sa i përket çështjeve profesionale dhe administrative teknike etj”, tha Balija. /Telegrafi/