LAJMI I FUNDIT:

Rreth debatit për kombin kosovar

Rreth debatit për kombin kosovar

Para pak ditësh, në një debat televiziv qenka debatuar, mes tjerash, edhe për rrjedhën natyrale të konsolidimit (zhvillimit) të shtetit të Kosovës dhe zhvillimeve shoqërore brenda tij, dhe temë bosht e panelit të përzgjedhur ishin kahet zhvillimore të popullsisë së Kosovës – me theks të veçantë të shumicës së saj, të shqiptarëve. Mendoi se paneli i cili debatoi këtë temë shumë të ndjeshme ishte kompetent, dhe sikur mos të kishin qenë fyerjet e një “patrioti” të VV, në drejtim të z. Halil Matoshit si njërit prej panelistëve, ky debat, me rëndësi për mua si qytetar, do të më kishte ikur pa e parë. Mu dashtë rishtas ta kërkoj dhe ta shikoj.

S’do mend se në mungesë të dijes vështirë se gjendet argumentit, në mungesë të argumentit pasojnë fyerjet, dhe me ata që fyejnë nuk ja vlen të merresh. Por, pa marrë parasysh çmimin, në as një moment nuk duhet të bëhemi oportunë dhe të heqim dorë nga debati i cili synon të jetë në funksion: së pari, të prodhojë një vlerë të dobishme shoqërore dhe, së dyti, kuvendimi është traditë dhe institucion i këtij populli, ku z. Matoshi është njëri nga pishtarët e vazhdimit të kësaj tradite – kuptohet në kushte tjera.


Ky institucion (“kuvenimi” gegërisht, pjesë e vokabularit të z. Matoshit), edhe pse është zhvilluar në ambiente si oda apo nën hije të rrapeve, në traditën e popullit ka luajtur një rol shumë pozitiv, ngase ka qenë instrument i rregullimit të jetës tonë shoqërore në mungesë të institucioneve shtetërore. Ajo që e karakterizon debatin shekullor shqiptar është fakti se ai ka qenë demokratik dhe e drejta e fjalës dhe e mendimit nuk i është cenuar askujt, ku për mendimin e shprehur nuk është fyer dhe dënuar askush edhe me kushtin e “kuvenimit” për tema të natyrës për “formimin e kombit shtet dhe shtetit komb kosovar”.

Degradimi i debatit shekullor shqiptar është bërë në kohën e komunizmit, ku fyerjet dhe ndëshkimet për mendimet e shprehura janë pjesë e trashëgimisë komuniste e cila vazhdon të rëndojë mbi kokat e një pjese të njerëzve të cilët në forma të ndryshme janë bërë pjesë e jetës publike kosovare.

Sikur që shteti, dhe populli i Kosovës në vazhdimësi janë në zhvillim e sipër, edhe debati për këtë ka rrjedhën e vet, dhe kjo nuk do të thotë se i vihet pikë çdo gjëje. Tema nuk duhet të jetë tabu, ngase ne në këtë hapësirë jetojmë në një realitet të ri i cili ndërkombëtarisht ka kufijtë e përcaktuar dhe nuk duhet të lejojmë t’i bëjmë inkuizicionin njerëzve, ku pasi të kalojë një kohe, të kuptojmë se “megjithatë Toka rrotullohet”

Ajo me të cilën duhet të pajtohemi është fakti i “foshnjërisë së kombit kosovar”, ngase atë e përcakton hapësira e njohjes ndërkombëtare me këtë emër dhe vitet nga kur është njohur. Por, a do të zhvillohet kjo “foshnje” apo jo dhe si do të zhvillohet, determinohet nga shumë faktorë, ku ai serb është me ndikim të madh.

Pa më të voglin dyshim, në kushte normale popullsia në territorin e Republikës së Kosovës, si rezultat i zhvillimeve shoqërore do të evoluonte në kategorinë me homogjene shoqërore të quajtur komb, në këtë rast kosovar. Në këtë pikë pajtohem me z. Matoshin dhe mikun tim N. Spahiu. Këtë rrugë vështirë se do ta devijonte ndokush nga brenda, përfshirë këtu edhe Lëvizjen Vetëvendosje. Ajo do të mjaftohet të marr pushtetin përmes parullave për Shqipërinë Etnike, ndërkohë që posa të marr atë, reagimi i saj do të jetë i njëjtë sikurse i PDK-së e cila unanimisht aprovoi simbolet shtetërore pa elemente kombëtare shqiptare. Këtë gjë nuk do ta ndalte as historia ideologjike që mësohet në shkollat tona, as folklori i ynë i cili mbush kanalet televizive dhe portalet tona. Maksimumi i formësimit të plotë të “kombi kosovar”, me të gjitha atributet, do t’i ishte rrumbullakësuar më së largu me vitin 2030.

Zgjatja e rrugës së formësimit të plotë të këtij kombi të ri, apo dështimi në formësim do të jetë i ndikuar nga Serbia dhe mangësi e analizave të debutuesve në këtë temë është anashkalimi i fuqisë ndikuese të këtij faktori. Ky ndikim në radhë të parë ka të bëjë me faktin se edhe pas vitit 1999, elitat politike serbe, ato intelektuale dhe Kisha Ortodokse Serbe, vazhdojnë të prodhojnë shovinizëm në drejtim të shqiptarëve. Kjo nënkupton se ne jemi duke jetuar në këto hapësira fal konstelacionit të raporteve ndërkombëtare.

Mos gjykimi i krimeve të llahtarshme serbe në Kosovë dhe mos kërkimi faljes për to nga ana e elitës politike serbe, asaj intelektuale dhe Kisha Ortodokse Serbe, le të kuptojë se ata në një gjendje tjetër kanë predispozita t’i bëjnë prapë ato. Kjo gjendje te popullata e Kosovës krijon efektin psikologjik të frikës, i cili detyrimisht të dërgon në “derën” e shpëtimit, ku më e afërta është ajo e nacionalizmit dhe e fesë. Dhe, baza e asaj se si ndihet një individ është gjendja e tij e ndikuar nga efektet psikologjike, ku siguria për jetën e vet dhe të familjes, për gjuhën, për pronën, traditën, folklorin, letërsinë, historinë etj. është qenësore, ndërkohë që në prizmin e këndvështrimit serb, në një moment të përshtatshëm, ato janë objekt i shkatërrimit.

Zbutja e ndikimit të këtij faktori ka mundur të bëhet nga ndërkombëtarët menjëherë pas vitit 1999, mirëpo kjo nuk u vlerësua drejt, dhe koha e lënë krijoi premisa që bombardimi në Serbi të mos ndikojë në “risocializim të serbëve” po në rritjen e epsheve shoviniste. Në anën tjetër, serbët shpëtuan lehtë pa u përgjakur në fushëbetejë.

Ajo që ne i themi “lufta jonë e lavdishme” në fakt nuk rezulton e tillë. Gjatë viteve 1998-99, serbët në fushëbetejë lanë rreth 500 të vrarë, ndërsa ata arritën që të vrasin rreth 12 mijë shqiptarë, të dhunojnë rreth 20 mijë gra, të dëbojnë rreth 1,5 milionë njerëz dhe ta djegin e plaçkitin pjesën më të madhe të Kosovës. Këto dy elemente dhe fuqizimi i ndikimit rus janë baza e rikonsolidimit masiv të mendimit hegjemonist serb në Ballkan, ku objektivi i parë dhe më i lehtë është fshirja nga faqja e dheut e shtetit dhe “kombit kosovar”.

Për analogji të kësaj po përmendim faktin se në prag të Luftës së Parë Botërore, masa të mëdha njerëzish te të gjithë popujt sllavë që me 1918 u bashkuan në Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene ishin të cytura kundër Austro-Hungarisë nën idenë e formimit të “komunitetit të kualifikuar” për shtetin dhe kombit jugosllav, dhe jemi dëshmitarë se ky projekt u shkatërrua nga tendencat hegjemoniste serbe.

Idetë hegjemoniste dhe shoviniste serbe në drejtim të shqiptarëve dhe Kosovës zbuten në dy mënyra: e para nga presioni i botës demokratike, dhe e dyta nga konsolidimi dhe funksionalizimi politik, ekonomik dhe kulturor i shtetit të Kosovës. Kjo krijon premisa të mjaftueshme të cilat sigurojnë prestigj të mirë dhe integrim në organizatat ekonomike, politike dhe ushtarake ndërkombëtare, ku mbi bazën e të cilave krijohen kapacitete të mjaftueshme frenuese dhe mbrojtëse në raport me Serbinë. Këto masa do ta përmirësojnë në masë mendësinë e mykur serbe dhe krijojnë premisa të zhvillimit të kombit dhe shtetit kosovar. Në këto kushte, pak e rëndësishme do të jete a ndihesh shqiptar apo kosovar.