LAJMI I FUNDIT:

Rrëfim prekës: Pas 70 vitesh familja kupton të vërtetën e anglezit që ndihmoi shqiptarët – ata që kurrë s’e kujtuan!

Rrëfim prekës: Pas 70 vitesh familja kupton të vërtetën e anglezit që ndihmoi shqiptarët – ata që kurrë s’e kujtuan!

Unaza martesore e pilotit britanik të operacioneve speciale të Luftës së Dytë Botërore, John Thompson, i është kthyer më në fund familjarëve të tij, pasi ai u zhduk kur avioni i tij u rrëzua mbi territorin shqiptar. Dorothy Webster mban sot unazën e vëllait të saj që vdiq në moshën 23-vjeçare.

Më shumë se 70 vite pasi ai u zhduk gjatë një misioni të operacioneve speciale të RAF (Forcave Ajrore Mbretërore), misteri që rrethonte fatin e pilotit është zgjidhur. Thompson ishte një nga shtatë anëtarët e ekuipazhit në bordin e një bombarduesi Halifax që po lëshonte nga ajri furnizime për luftëtarët e rezistencës në Shqipëri – partizanët që luftonin kundër nazistëve – kur avioni u përplas me një kreshtë mali dhe u rrëzua në 29 Tetor të vitit 1944.


Misioni u mbajt i fshehtë dhe për dekada të tëra familja e tij luftoi për të zbuluar nëse ai ishte i gjallë apo i vdekur.

Përpjekjet e tyre për të gjetur pikërisht atë që kishte ndodhur me të, u pengua më tej kur Shqipëria ra nën regjimin komunist, duke u bërë një nga shtetet më paranojake dhe të fshehta të Evropës.

Por, të hënën, një unazë martesore që piloti 23-vjecar mbante në dorë në kohën e aksidentit, i është kthyer familjes së tij, duke sjellë fundin e tragjedie që ishte zvarritur për shtatë dekada.

Unaza iu dha një nga të afërmve të tij të mbijetuar, motrës 92-vjeçare, bashkë me një matës karburanti nga bombarduesi dhe një shkëmb nga mali me të cilin ai u përplas.

Në brendësi të unazës së arit janë gdhendur emrat John dhe Joyce. Piloti ishte martuar me një londineze të quajtur Joyce Mozley në qershor 1944, para se të dërgohej jashtë shtetit për shërbim aktiv. Ajo u martua sërish pas luftës, por vdiq më 1995.

Halifaxi i tij, pjesë e skuadriles 148, u rrëzua rreth 25 milje në veri të Tiranës, teksa dërgonte armë dhe furnizime të tjera në ndihmë të partizanëve shqiptarë që luftonin nazistët. Në vitin 1960, një banor i zonës ku ra avioni, shqiptari Jaho Cala, gjeti unazën teksa kishte dalë në mal për të mbledhur dru.

I shqetësuar rreth informimit të autoriteve komuniste të regjimit të Hoxhës rreth kësaj, ai e mori unazën në shtëpi dhe e fshehu për dekada të tëra.

Më voni Cala zbuloi ekzistencën e unazës te djali i tij, Xhemil Cala, duke e udhëzuar atë që të përpiqej të gjente se kujt i përkiste ajo.

Djali i tij, që u bë oficer policie, e kishte mbajtur në dorë prej vitesh atë unazë dhe bëri disa përpjekje për të gjetur se kujt i përkiste, por pa sukses.

Dy vite më parë, ai kontaktoi ambasadat britanike dhe amerikane në Tiranë, duke supozuar se ndoshta unaza i përkiste ndonjë piloti të forcave aleate që kishin fluturuar mbi Shqipëri.

Në tetor, një ekip i zyrtarëve britanikë dhe amerikanë lokalizuan mbetjet e avionit të rrëzuar në shpatet e një mali.

Ambasada britanike ishte tashmë në gjendje të konfirmonte se unaza i përkiste John Thompsonit, që erdhi nga Darley Dale në Derbs të Mbretërisë së Bashkuar.

Ambasada kontaktoi familjen e tij dhe të afërmit e gjashtë anëtarëve të tjerë të ekuipazhit të Forcave Ajrore Mbretërore.

“Kemi pritur për shtatëdhjetë vite rresht. Nuk mund ta besojmë se jemi këtu sot duke festuar pas gjithë kësaj kohë”, tha e motra, znj. Webster, një vit më e re se vëllai i saj.

Ajo shoqërohej nga katër nipërit e saj dhe anëtarët e tjerë të familjes në një ceremoni në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në Tiranë.

“Yt vëlla ndihmoi për të çliruar vendin tim. Ai nuk do të harrohet kurrë”, i tha ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, zonjës Webster.

“Ne tani e dimë pothuajse çdo gjë që ka ndodhur. Kjo është një ndjesi e përfundimit të gjithçkaje. Ne e dimë se ku është John. Ai është atje në mal”, tha njëri prej djemve të saj.

Ndërsa, Xhemil Cala, teksa u dorëzoi unazën, tha se ndihej i lehtësuar që përmbushi dëshirën e babait të tij, që ajo të kthehej në familjen e pilotit. /The Telegraph/Përktheu: Alteo Hysi/