LAJMI I FUNDIT:

Roli i Candida albicans te diarreja dhe dhimbjet e barkut

Roli i Candida albicans te diarreja dhe dhimbjet e barkut

Candida albicans është një nga kërpudhat (fungjet) më të shpeshta që izolohen në një laborator mikrobiologjik

Dr. med. Fatime Imeri
MSc in Life Sciences UZH, EMBA UZH
Specialiste për mikrobiologji, kimi klinike, hematologji, imunologji, diagnostikë molekulare
eMail: fimeri@lg1.ch


Llogaritet që 50% e njerëzve janë të kolonizuar me Candida albicans. Tek individët e tillë, Candida jeton në mukoza të ndryshme së bashku me shumë mikroorganizma tjerë si pjesë e florës normale mikrobike që ndryshe quhet edhe mikrobiota e organizmit.

Kjo situatë ndryshon kur prishet balansi i mikrobiotës në zorrë si rezultat i marrjes së antibiotikëve, dhe sidomos te gjendjet me defekt të imunitetit apo kur imuniteti bie.

Në grupin e pacientëve me imunitet të kompromituar apo të ulët bëjnë pjesë pacientët me AIDS, ata që kanë pasur transplantim të ndonjë organi, pacientët që marrin barna imunosupresive etj. Te këta pacientë, Candida albicans mund të shkaktojë infeksione të një apo edhe të shumë organeve njëkohësisht, dhe te disa prej tyre mund të kalojë pas një kohe në gjak.

Mostrat nga të cilat në laborator kultivohet Candida albicans janë ato të traktit respirator, gjenital, urinar etj., ku Candida mund të shkaktojë simptoma të ndryshme që e bëjnë të domosdoshëm edhe trajtimin medikamentoz.

Për qartësim, Candida albicans në laborator rritet në terrene të posaçme ushqyese. Për ta identifikuar atë, mostra e marrë nga pacienti duhet të mbillet në këto ushqimore specifike që e mundësojnë rritjen e saj.

Kultivimi i Candida albicans nga mostrat e fecesit

Sipas rekomandimeve për laboratoret mjekësore dhe bazuar në publikime shkencore, ushqimoret specifike për Candida nuk duhet të mbillen nga mostrat e fecesit. Sidomos jo te individët me
imunitet intakt, sepse Candida albicans konsiderohet pjesë e mikrobiotës normale të zorrëve dhe tërë traktit gastrointestinal.

Pra, edhe po të mbillej në ushqimore dhe rezultati për Candida në feces të ishte pozitiv, ky fakt nuk është indikacion për trajtim me barna antimikotike. Përjashtim bëjnë pacientët me imunitet të dobësuar.

Diarre dhe dhimbje barku: a është shkaktare Candida?

Vite më parë, Candida është përshkruar si shkakatare e mundshme e diarresë (barkqitjes). Edhepse këto të dhëna më nuk janë aktuale, ka ende të tillë që konsiderojnë se prania e saj në zorrë në çdo rast është e rrezikshme për shëndetin tonë. Dhimbja e barkut, barkqitja, por edhe simptome tjera si dhimbje nyjesh, migrenë, depresion etj., përshkruhen të gjitha si pasojë e pranisë së Candida albicans në traktin gastrointestinal.

Ka edhe rekomandime për dieta specifike ku preferohet të konsumohen sa më pak ushqime që përmbajnë sheqer. Mendohet që Candida albicans, duke konsumuar sheqerin nga ushqimi të cilin ne e marrim, prodhon substanca të dëmshme në zorrë, të cilat mund të shkaktojnë sëmundje dhe simptoma të ndryshme.

Mirëpo, vlerësimet dhe rekomandimet zyrtare të marra nga revistat shkencore të mjekësisë dhe mikrobiologjisë janë që prania e saj në traktin gastrointestinal është normale dhe si e tillë nuk kërkon trajtim medikamentoz.

Rekomandimet aktuale zyrtare për Candida albicans

Candida albicans është pjesë e florës normale mikrobike të zorrëve.

Rrjedhimisht, në laborator as nuk mbillen terrenet ushqyese për Candida albicans nga mostrat e fecesit, përveç te pacientët me barkqitje që kanë imunitet të ulët (AIDS, pas transplantimeve etj).

Te pacientët me imunitet normal, Candida albicans nuk konsiderohet shkak i barkqitjes dhe dhimbjeve të barkut.

Në disa raste barkqitja dhe dhimbja e barkut zgjasin me javë dhe muaj të tërë. Pasi të përjashtohet etiologjia infektive (bakteret, parazitët, viruset), duhen bërë teste plotësuese diagnostike për të identifikuar shkakatarët joinfektivë të këtyre simptomave.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori