LAJMI I FUNDIT:

Riinvest: Qeverisja e NP-ve është përmirësuar

Riinvest: Qeverisja e NP-ve është përmirësuar

Instituit për Hulumtime, RIINVEST ka vlerësuar se krahasuar me vitin 2006 është bërë një progres sa i përket Qeverisjes Korporative të Ndërmarrjeve Publike, megjithëse qeveria ka dështuar në hartimin e politikave të qarta në disa sektorë. Ky ka qenë rezultati i një raporti të institutit “Riinvest” ku janë përcjellur rrjedhat e “Qeverisjes Korporative dhe Transparencës në Ndërmarrjet Publike”.

Menaxheri i projektit Salvador Elmazi tha se që nga shpërndarja e raportit të parë, janë shënuar dy arritje të rëndësishme, përfshirë këtu adaptimin e kodit të qeverisjes korporative nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) dhe kalimin e Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike.

Megjithatë sipas tij edhe përkundër se AKM-ja ka adaptuar Kodin e Qeverisjes Korporative të NP-ve në shtator të vitit të kaluar për të ndihmuar përmirësimin e qeverisjes së NP-ve, politikat operacionale të Kodit nuk janë proceduar deri në fund dhe ka qenë një gjendje e pakënaqshme.

”Përveç Aeroportit të Prishtinës asnjë nga Bordet tjera të NP-ve nuk kanë monitoruar zbatimin e Kodit. AKM-ja nuk ka arritur ta realizojë objektivin e vet dhe detyra e avancimit së Kosovës të kryej këtë punë andaj i mbetet qeverisë së Kosovës ta përfundoj atë”.


Elmazi tha se Qeveria ka dështuar në krijimin e politikave të qarta sa i përket ristrukturimit të sektorëve të ndryshëm si energjia, telekomunikacioni dhe aeroportit duke përfshirë edhe shthurjen e ndërmarrjeve, privatizimin e plotë apo të pjesërishëm të tyre, koncesionin dhe krijimin e partneriteteve publike-private.

”Detyrat tani i mbeten qeverisë së re. Edhe Ligj mbi NP-të e ka saktësuar se do të bëhet sqarimi i politikës së pronësisë ndaj NP-vë nga Qeveria për 90 ditë. Kjo njëherësh është vlerësuar mjaft pozitive sa i përket Ligjit të NP-ve”.

Sa i përket pronësisë dhe kontrollit të NP-ve, Elmazi tha se disa kanë qenë të mendimit se NP-të duhet të funksionojnë nën kontrollin qeveritar ndërsa disa të tjerë kanë konsideruara se NP-të duhet ti raportojnë direkt Kuvendit.

Problem tjetër sipas menaxherit të projektit ka qenë transparenca.”është më rendësi të thuhet se përveç KOSTT-it asnjë nga NP-të nuk kanë publikuar raportet e auditorit për vitin 2007”.

Kritika janë dhënë edhe sa i përket Bordeve të drejtorëve të NP-ve.”Edhe pse ligji i ri jep shenja pozitive sa i përket anëtarëve të Bordeve të cilët pritet të zgjidhen bazuar në rekomandimet e Komitetit të Rekomandimeve i cili do të themelohet nga Sekretari permanent i zyrës së Kryeministrit, megjithatë ai nuk garanton përbërje profesionale të Bordeve dhe ekziston frika nga influenca politike. /Telegrafi/