LAJMI I FUNDIT:

Religjioni dhe shoqëria

Feja është gjallë, ajo nuk ka vdekur ! Kështu tha Tony Bler vitin e kaluar në një prononcim të tij.
Ndërsa një studiues shqiptar në vitin 1936 në revistën Kultura Islame mbi rolin e fesë kishte nënvizuar:
“Feja është një institut që vëllazërimin e ka parim themelor, e kur ajo bie në shkallë sa bëhet vegël anarkie për të përçarë një popull nuk është më fe, por është shoqëri politike e mshefun nën maskën e fesë; është një fe deformuese”.

Shqiptarët kanë pasur dhe kanë specifikat e tyre si popull duke qenë një komb i cili shekuj me radhë ka përfaqësuar tri fe monoteiste. Historikisht ndaj armikut okupator kemi qenë unik dhe fatmirësisht, si komb nuk kemi pasur ndonjë konflikt mbi baza fetare, gjë që është vlerësuar dhe vlerësohet edhe sot nga të gjithë – vendas edhe ndërkombëtarë – praktikë kjo e cila duhet të vazhdojë në mesin tonë edhe në të ardhmen dhe që të gjithë ne duhet të jemi kontribuues në këtë drejtim.


Lufta ndaj fesë kudo në botë, ka prodhuar kundër-efekte në shoqëri dhe shih për këtë shembullin më të mirë e kemi edhe shtetin tonë amë Shqipërinë gjatë periudhës së regjimit enversit. Sistemi monist në Shqipëri me gjithë sanksionimin e hekurt ndaj fesë, dekada me radhë nuk ka arritur të zhduk ndenjen shpirtërore për fe tek njerëzit, dhe shih për këtë, me të përfunduar regjimi totalitar, qytetarët e këtij vendi, hapin e parë që bënë, rikthyen praktikumin e fesë së tyre, duke ndërtuar e rindërtuar institucionet fetare të cilat shihej qartë se u kishin munguar shumë.

Tek ne në Kosovë, në ish sistemin e kaluar, ka pasur një qasje më të butë karshi fesë, e cila edhe pse është luftuar në forma dhe mënyra të ndryshme, megjithatë çështja nuk ka pas shkuar deri në atë masë sa që njerëzit të vriten dhe të burgosen pse praktikonin fenë e tyre, përkundrazi faltorët tek ne ishin të hapura, por edhe institucionet edukative fetare të të gjitha konfesioneve ishin aktive.

Pas rënies së sistemit komunist në botë, shoqëria njerëzore është hapur më shumë ndaj fesë, ndërsa numri i besimtarëve në mesin e të gjitha konfesioneve fetare është vazhdimisht në rritje, e këtu në këtë mes, pashmangshëm bëjmë pjesë edhe ne si shoqëri.
Ndarja e fesë nga shteti në sistemet demokratike nuk nënkupton diskriminimin e fesë dhe ithtarëve të fesë. Praktikimi i lirë të fesë duhet respektuar dhe duhet rregulluar me ligj duke mos lënë hapësirë dhe boshllëk për komentime të ndryshme.

I
Edukata fetare – e të gjitha feve , në shkollat tona në të ardhmen, me një currucule, mirë të përgatitur, të mbikëqyrur nga ekspert fetar, në bashkëpunim me pedagog, sociolog e psikolog si dhe në koordinim të plotë me institucionet tona relevante , nuk do të mund të ishte e dëmshme për shoqërinë tonë, siç kemi dëgjuar dhe po dëgjojmë zëra së fundi nga disa prononcime të analistëve tanë. Mendojë se kjo çështje në të ardhmen ja vlen të diskutohet dhe të debatohet me ekspertë vendor dhe ndërkombëtar si dhe në koordinim me të gjitha bashkësitë fetare.

II
Çështja e shamisë – konkretisht e mbulesës së kokës, konsiderojë se është një e drejtë individuale e një besimtareje të besimit islam, e cila me bindjen e vet të lirë fetare si dhe me vullnetin e sajë të lirë – pa imponime, ka vendosur që të marr një hap të tillë.
Ndërhyrja në bindjet shpirtërore dhe personale të individit konsiderohet shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut, si në bazë të parimeve fetare e po ashtu edhe në bazë të normave civile ndërkombëtare.
Përjashtimi i një femre nga institucionet tona publike çfarëdo qofshin ato, vetëm pse ajo bartë një shami mbi kokë, për mendimin tim është diskriminim.
Nëse një femër është eksperte e rrallë ose e vetme në një fushë studiuese në vendin tonë, a do të duhej përjashtuar nga roli i saj kontribuues në ndonjë institucion vetëm për faktin se ajo bartë një shami mbi kokë !
E njëkohësisht konsiderojë si jo të drejtë gjykimin i cili i bëhet një femre e cila nuk bartë shami si jo besimtare myslimane!

III
Xhamia qendër, në Prishtinë, nga të gjithë ne duhet shikuar si nevojë të besimtarëve dhe jo si kundër përgjigje ndaj katedrales ose kundërveprim ndaj ndonjë konfesioni tjetër fetar në vendin tonë. Kjo nevojë duhet të rregullohet përmes përfaqësuesve legjitim të institucioneve tona siç është BIK-së në këtë rast dhe organeve komunale, dhe kurrsesi përmes individëve ose grupeve të cilat përfaqësojnë interesa të caktuara të tyre që janë mbi interesin e përgjithshëm tonë fetar dhe stabilizues në vend.
Nëse kërkesa në këtë rast është e drejtuar nga BIK-së, e cila ndryshe i përfaqëson besimtarët mysliman të vendit tonë, atëherë edhe organet kompetente duhet t`a marrin me seriozitet këtë kërkesë dhe së bashku me biseda dhe dialog dhe me zërin e arsyes të bëjnë zgjedhjen më të mirë të mundshme për të mirën e të gjithëve.

IV
Islami si fe hyjnore e ndërtuar mbi principet bazë të tij nuk ka qenë dhe nuk është radikal. Mirëpo, është shumë e vërtetë se ka pasur dhe ka interpretime dhe qasje më frymë të ashpër ekstreme, rigide dhe radikale të mësimeve të Islamit, si nga individ ashtu edhe nga grupe të njerëzve të cilët me vetëdije ose pa të, kanë rënë nën ndikimin e këtij lloji interpretimi, mirëpo fatmirësisht, marr në përqindje lokale dhe globale , këta njerëz ose këto grupe janë vetëm një bujashkë e trungut të madh të myslimanëve në botë të cilët në shumicë absolute përfaqësojnë islamin paqësor. Në vendi tonë si dhe në rajon pas viteve të 90-ta ka pasur dhe ka tendencë të rritjes së një praktikimi jo tradicional të interpretimit të Islamit – që nënkupton jashtë principeve të shkollës zyrtare fetare juridike Hanefite, mirëpo megjithatë, besojë se me një konsolidim më të mirë të BIK-së, këto tendenca mund të parandalohen.

Për të ardhur deri te një konsolidim BIK-së duhet të ketë status dhe pozitë të qartë juridike brenda sistemit institucional të vendit- gjë të cilën akoma nuk e ka të rregulluar në mungesë të ligjit, i cili akoma nuk është miratuar në Kuvend mbi rregullimin juridik të bashkësive fetare në vend.

V
Në vendin tonë duhet të mësohet dhe kultivohet Islami burimor – i vijës së mesme, me fjalë tjera as radikal e as ekstrem, i zhveshur nga ideologët e huaj ekstrem kushdo dhe nga kudo qofshin ata, i cili si i tillë është përmendur edhe në Kur’an.
Një qasje reale ndaj Islamit, i cili nuk i përçanë as besimtarët e as kombin tonë, si dhe as fqinjët tanë qofshin ata të afërt apo të largët kudo në botë.
Një kulturë fetare, cila në trojet tona ka rrënjë mbi 600 vjeçare, mbi bazat e shkollës Hanefite që e ka përfaqësuar dhe përfaqëson BIK-së, të zhveshur nga ndikimet e jashtme sektare dhe politiko-islame, e cila gjithmonë është treguar e afërt ndaj ithtarëve të vet dhe paqësore ndaj konfesioneve tjera.

(Fjalimi i Doc.dr. Xhabir Hamiti në debatin publik të organizuar të enjten në Prishtinë)