LAJMI I FUNDIT:

Refleksion sociologjik mbi kiçin e muzikës tallava

Duke u nisur nga retrospektiva sociologjike e historisë, shohim se Ballkani jo vetëm që ka qenë vatër e luftërave, konflikteve të ashpra, por ka qenë edhe një faktorë kyç në lidhjen e kulturave të ndryshme ndërmjet veti. Megjithatë, vlen të theksohet se edhe pse sot me kulturë nënkuptojmë vlerat kulturore, normat kulturore si dhe çdo gjë që e ka krijuar apo ka e ka punuar dora apo mendja e njeriut, kultura ka qenë një ndër elementet kryesore që të paktën i ka bashkuar apo i ka lidhë popujt e Ballkanit.

HomoBallkanasi, ka bërë që sot kultura, veçanërisht muzika si një art, estetik madje edhe vlerë të jetë shumë e ngjashme ndërmjet vetë shteteve ballkanike. Vlen të theksohet se tani më trendi i famshëm i kiçit të muzikës tallava, gjithnjë e më shumë është duke dominuar tek shoqëria jonë dhe si duket nuk ka të ndalur, andaj në këtë refleksion sociologjikë jemi munduar që të trajtojmë pikërisht këtë kiç, shound.


Çka është muzika tallava? Nga rrjedh ajo? A ka të bëjë me kulturën shqiptare etj… këto janë disa nga tezat që jemi munduar të reflektojmë mbi to! Duke u nisur nga rrethanat në të cilat ndodhte Kosova gjatë okupimit të Serbisë, shohim se tek populli shqiptarë megjithatë, kanë ardhur vlera ndryshme jo shqiptare dhe në këtë drejtim si duket shumica janë akomoduar me këto vlera.

Në periudhën pas luftës në Kosovë, fillon një ardhje e re subkulturave të ndryshme me shpejtësi të madhe sa që reflekton edhe negativisht në shoqërinë kosovare, por në anën tjerër reflekton edhe pozitivisht, madje në disa raste duke u krenuar me këtë shound edhe si një vlerë latente e shqiptarëve. Arsyetimi nga ana e opinionit publik është tepër i thjesht se kjo është shije, shije fakt që është por, çka në të vërtet është kjo muzikë?

Dikur Kanti theksonte se për shije nuk diskutohet, megjithatë Niçe i kundërvihet se edhe për shije diskutohet dhe varësisht nga estetika vlerës së shijes ajo mund të diskutohet. Prandaj, aktualiteti i sotëm tregon qartë faktin empirik se pavarësisht nga ajo çka thuhet në mediat tona, muzika e vjetër qytetare është zbehur apo thënë shkurt ka filluar të zhduket gradualisht si një dominim potencial i këtij kiçi…

Prejardhja e këtij kiçi!
Muzika tallava në kuptimin etimologjik të saj do të thotë e ,,Perzime ,, që “ sipas burimeve të shumta daton që nga vitet e 60-ta në Kosovë dhe pretendohet se është sjellë nga këngëtari rom “Tafa” i cili kishte migruar nga Maqedonia për në Pejë, me ç’rast edhe bartë këtë muzikë, megjithatë pretendohet se prejardhja e saj e vërtet është nga romët apo ciganët e Spanjës . Andaj, kjo muzikë padyshim se është e kombinuar me elemente të arabëve, grekëve, romëve, turqve, bullgarëve e të tjerëve e cila mirë është përshtatur edhe shijes së shqiptarëve.

Kohës së fundit gjithnjë e më shumë po jemi dëshmitarë të asaj se çfarë po ngjet në tregun medial të Kosovës, po jemi dëshmitarë të subkulturave të ndryshme që nga serialet latino-amerikane e deri tek kiçi i muzikës tallava, sepse si shoqëri e tranzicionit normalisht se kemi probleme edhe atë në shumë sfera duke u nisur që nga problemet ekonomiko – sociale e deri tek të drejtat e autorit që shkelen me të madhe, e mos të flasim për plagjiaturë sepse e gjithë muzika e kultivuar nga estrada është plagjiatë real i homologëve të tyre ballkanas.

Andaj, gjithnjë në këtë drejtim po kontribuojnë shumë faktorë, duke u nisur nga faktori medial sidomos me pasqyrimin e reklamave të shumta për mbrëmje në diasporën shqiptare, por edhe në Kosovë, që shpesh personat përgjegjës të televizioneve tona nacionale ritheksojnë: se fitimin më të madh e kanë pikërisht nga këto reklama të tilla. Pastaj, nuk duhet harruar fakorët ekonomiko – sociale që tani sipas shumë burimeve kemi afër 40 % në varfëri dhe mbi 16 % në varfëri të skajshme e të tjerë.

Ajo, çka meriton të theksohet është se mbi të gjitha është tendenca e prestigjit nga vetë shoqëria kosovare në raport më tjerët, sepse në dasma, restorante, klube, pube të ndryshme shohim se vetë qytetarët, opinion i gjerë, janë ata që më së shumti kontribuojnë në përhapjen e këtij kiçi, në këtë mënyrë duke u krenuar para tjerëve me faktin që ju dhurojnë para apo dhurata këngëtarëve vetëm për një përshëndetje për këndimin e tyre.

Nga kjo rrjedh se në dioptrinë analitike dhe sociologjike muzika tallava është një kiç që në esencë këngëtari krijon aty për aty tekstin e këngës, vokalizon dhe e këndon personin i cili gjendet apo nuk gjendet në atë vend, dhe që shpërblehet nga të pranishmit me dhurata, para apo me gjëra tjera. Kjo normalisht lidhet me efektin social, ekonomik dhe psikologjik të audiencës dhe raportit të këngëtarit me këtë të parën.

Kjo (tallavalogjia) stimulon këngëtarët në veçanti, sepse ata thjesht muzikën e shohin si biznes e jo si vlerë kulturore estetike, prandaj shpesh ndodh që të ketë edhe gara në mes të vet këngëtarëve për grumbullimin e të mirave materiale, të hollave gjatë këndimit të këtyre këngëve.

Këtu shihet më së miri se kah po shkon vlera e muzikës shqiptare, cila muzikë po dominon si dhe vetë esencën e këngëtarëve për të kënduar këtë muzikë për shkak të ardhurave më të mira. Prandaj, mund të themi se ky lloj kiçi po imponohet gjithsesi, dhe po krijohet mund të themi një subkulturë e cila po bie ndesh me kulturën tonë si dhe me vlerat e muzikës shqipe, pastaj mediat po luajnë rol me rëndësi në përhapjen e këtij kiçi përmes reklamave.

Mirëpo sipas kërkesave edhe vet këngëtarët po hyjnë në një valle të tillë, të cilët për shkak të efektit materialistë gjithnjë e më tepër janë duke magjepsur publikun dhe duke përhapur këtë shund, sidomos në diasporën shqiptare të cilët pothuajse janë të entuziazmuar rreth kësaj muzike dhe se kërkesat e tyre janë po aq të mëdha sa që çdo vikend pothuajse klubet, restorantet, diskot në diasporën shqiptare po janë të stërmbushura nga adhurues dhe këngëtarë të kësaj muzike.

Si thotë populli “ si është vendi ashtu është kuvendi” , këngëtarët po i përshtaten rrethit dhe gjithnjë e më shumë edhe pse para mediave nuk e pranojnë se këndojnë tallava, në realitet ata e këndojnë këtë kiç. Andaj, në këtë refleksion sociologjik të shkurtër jemi munduar që t’i identifikojmë tri grupe që bëjnë pjesë në këtë shound i cili si duket nuk ka të ndalur.

1. Tallavaistët – ku bëjnë pjesë – publiku i cili përkrah këtë muzikë (këtë shund), ata janë ithtarë në kuptimin e plot të fjalës sepse çdo herë kur dëgjojnë muzikë të tillë ata përjetojnë kënaqësinë shpirtërore, momentale dhe emocionale, pastaj producentët të cilët shtrojnë darka me qëllim të arsyetimit psikologjik që ti bindin këngëtarët të bëjnë duete të ndryshme dhe çdo herë të ketë risi e risi. Si dhe në fund në këtë grup bëjnë pjesë padyshim edhe vetë interpretuesit e kësaj muzike pra, këngëtarët të cilët për qëllimet e tyre personale, ekonomike, materialiste krijojnë një lloj imponimi psikologjik tek publiku, dhe publiku normalisht që këtu mendjen e ka vetëm tek argëtimi. Mund të themi se në një fare mënyre publikut iu është ofruar një lloj opiumi i cili po ndikon aq shumë tek ta, sa që janë në gjendje të dhurojnë edhe centin e fundit si dhuratë këngëtarëve vetëm e vetëm për një përshëndetje, sepse mbi të gjitha është ajo krenaria para të tjerëve apo prestigji shoqëror, gjendja emocionale – momentale etj.

2. A – tallavaistët – këtu bëjnë pjesë turma – masa të cilët para të tjerëve shtiren kinse nuk dëgjojnë muzikë të tillë dhe që janë “ të pa prekshmit ” në këtë rast, sepse sipas tyre ata nuk dëgjojnë muzikë tallava dhe e urrejnë në çdo aspekt, por në shtëpitë e tyre, veturat, restorantet mbizotëron ky kiç dhe ata janë adhuruesit më të flakt të kësaj muzike, në debate të shumta ata krenohen kinse i mbrojnë vlerat kulturo-muzikore të shoqërisë tonë dhe që janë kundër çdo elementi që futet në muzikën popullore shqiptare, ndërsa në realitet ndodh e kundërta.

3. Kundër – tallavaistët – janë zakonisht kritikët e ndryshëm të këtij kiçi të cilët japin një qasje pragamtike dhe praktike dhe që kundërshtojnë kategorisht në çdo pikëpamje muzikën tallava. Këta kritikë mundohen me fanatizëm ta mbrojnë muzikën e mirëfilltë shqipe dhe vlerat artisktike-kulturore shqiptare në çdo aspekt.

Andaj, si konkludim mund të themi se muzika tallava po krijon një dekonstruktivitet real në muzikën popullore shqiptare, sepse kopjimi, imitimi. huazimi dhe kombinimi i muzikave ballkanike me muzikën popullore shqiptare po krijon thjesht një antivlerë dhe një dekonstrukt të muzikës tonë, gjë e cila po ndikon negativisht në humbjen e kualitetit muzikor në përgjithësi.

Vetëdijesimi i publikut, mediat elektronike dhe ato të shkruara ndikimi i tyre, shtëpitë muzikore, e tjerë janë disa prej faktorëve të cilët mund të ndikojnë tek ndalimi i përhapjes së këtij shoundi apo kiçi, i cili e ka shëmtuar vlerën arstistike kulturore të popullit tonë.

Është e drejt e secilit që të shfaq të drejtën e tij për muzikë, apo për diçka e cila nuk do të bie ndesh me rregullat dhe normat e shoqërisë, mirëpo kur jemi tek vlera dhe estetika e muzikës shqipe duhet potencuar se me këtë ritëm të kësaj muzike, gradualisht do të kemi një humbje të muzikës popullore.

(Autori është master në Sociologji)