LAJMI I FUNDIT:

Reciprociteti i munguar

Republika e Kosovës do të duhej të ndërmerrte masa reciprociteti ndaj Serbisë në të gjitha fushat shoqërore. Nëse do të veprohej në ketë mënyrë, presioni ndaj Serbisë do të ishte më i lartë për ta pranuar shtetin tonë. Kjo mundësi e humbur gjithsesi se e ka ndihmuar shtetin e Serbisë, e në anën tjetër e ka dëmtuar shtetin e Kosovës. Reciprociteti në të gjitha çështjet do të përshpejtonte zhvillimin e vendit tonë në çdo aspekt. Kjo u vërtetua me embargon që Qeveria e Kosovës ia bëri mallrave serbe për më pak se dy muaj. Për ketë kohë të shkurt edhe pse embargoja nuk ishte e plotë siç thuhej, bizneset e Kosovës duke pasur hapësirë më të madhe në treg e kanë rritur kapacitetin prodhues dhe kualitetin e prodhimeve të tyre.

Marrëveshja e Kosovës me Serbinë në Bruksel për vulat doganore dhe regjistrat kadastral është tërësisht jashtë logjikës se shtetbërjes dhe reciprocitetit. Vulat doganore të Kosovës që do të përdoren në pikat kufitare me Serbinë nuk do të jenë unike me vulat doganore që përdoren në pikat kufitare me vendet tjera fqinje. Vulat doganore që i ka pranuar Serbia i’u mungon fjala republikë, ndërsa vulat doganore të Serbisë do të jenë me emrin e plotë që e ka Serbia. Elementi tjetër që tregon se marrëveshja për tregti të lirë në mes Kosovës dhe Serbisë nuk është reciproke, është se Serbia nuk i pranon targat e automjeteve të Kosovës dhe as dokumentet tjera përcjellëse. E Kosova i pranon të gjitha dokumentet e qytetarëve dhe automjeteve të Serbisë.


Marrëveshjet për tregti të lirë mes dy shtetëve funksionojnë vetëm nëse shtetët e njohin njëra tjetrën dhe kanë marrëdhënie të mira. Kurrfarë marrëveshje nuk duhet pasur me Serbinë pa e njohur shtetin tonë dhe pa u përgjigj për të bëmat e saj në vendin tonë. Çdo marrëveshje që bëhet me Serbinë pa u plotësuar këto kushte qenësore është heqje dorë nga shtetbërja dhe progresi. Kjo u faktua me marrëveshjen e fundit për tregti të lirë mes Kosovës dhe Serbisë. Nga Serbia kanë hyrë mbi një mijë kamion me mallra serbe, ndërsa nga Kosova janë lejuar të hyjn në Serbi vetëm disa kamion me mallra vendore që kishin dokumente të strukturave paralele serbe. Mbase Qeveria e Kosovës ende nuk është bindur se Serbia nuk ka ndryshuar në raport me Kosovën, prandaj nuk po vendosë masa të njëmendta reciprociteti me Serbinë.

Plani i Qeverisë se Kosovës për të marrë përsëri nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 kishte dy efekte kryesore: E para, vendosja e doganiereve dhe policëve kufitare të Kosovës dhe EULEX-it dhe e dyta, që është tepër e dëmshme heqja e embargos për mallrat serbe. Ky veprim nuk ishte për të shtrirë sovranitetin dhe ligjshmërinë në terë veriun, por vetëm në kontrollimin e pikave kufitare me Serbinë. Po të ishte ashtu siç thonë qeveritarët tan nuk do të kishim barrikada në pothuajse çdo rrugë të veriut të cilat mbrohen nga grupe të armatosura të strukturave paralele serbe. Vetëm kur të kemi kontroll të plotë në pikat kufitare dhe në pjesë tjera të veriut mund të themi se Kushtetuta e Kosovës po zbatohet në terë territorin e Kosovës.

Vërshimi i mallrave të Serbisë në tregun e Kosovës kanë mbajtur vendin tonë në një gjendje stagnimi ekonomik. Për çdo vit Serbia ka eksportuar mallra në tregun tonë me vlerë prej 400 milion euro pa paguar taksa doganore. Kjo do të thotë se me konsumimin e mallrave serbe kemi kontribuar shumë në rritjen ekonomike të shtetit fqinjë që zyrtarisht jemi në gjendje lufte dhe praktikisht ka të pushtuar një pjesë të territorit tonë. Më paret tona e kemi rrit në masë të madhe buxhetin e Serbisë, nga i cili financohen strukturat paralele serbe për më shumë se një dekadë. Këto struktura paralele serbe që financohen nga Serbia përbëjnë kërcenim serioz për integritetin territorial dhe pengës reale për të finalizuar shtetbërjen e Kosovës.

Mallrat serbe nuk janë të dëmshme vetëm për ekonomin tonë, por edhe për shëndetin e popullatës. Cilësia e dyshimtë të produkteve serbe jo rrallë herë kanë nxitë reagimin e qytetarëve të Kosovës përkitazi me ketë problem. Ekspert të kësaj lëmie kanë alarmua se mallrat serbe po përhapin sëmundje kancerogjene dhe kanë ndikuar dukshëm në zvogëlimin e natalitetit në Kosovë. Institucioni që ka për detyrë të bëjë kontrollimin e cilësisë dhe vetive ushqyese të secilit produkt ushqimor, siç është Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës nuk është në nivelin e detyrës. Dihet mirëfilli që zyrtaret e kësaj agjencie shpesh herë veprojnë kundër përgjegjësisë ligjore që kanë duke mos konfiskuar mallin e dyshimtë dhe duke mosproceduar shkeljet nga ana e firmave që mbajnë produkte ushqimore.

Qeveria e Kosovës me lejimin e futjes se mallrave serbe në njërën anë, dhe me mos stimulimin e produkteve vendore në anën tjetër përfundimisht ia ka humbur gjasat vendit tonë të zhvillohet e të përparoj. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të qëndrojnë duarkryq përball kësaj situate të disfavorshme, por duhet t’i bojkotojnë masivisht një herë e përgjithmonë mallrat serbe. Pa dyshim se me bojkot të mallrave serbe do të lulëzoj ekonomia e Kosovës dhe në ketë mënyrë do të përmirësohet jeta sociale e qytetarëve tanë. Ta forcojmë shtetin tonë të ri duke blerë vetëm produkte vendore, ashtu siç kemi bërë në kohën e fundit.