LAJMI I FUNDIT:

Raportit i Progresit – këndvështrimi nga pozita, opozita dhe shoqëria civile

Në përgjithësi integrimet kërkojnë harmonizim dhe standardizim të funksionimit të institucioneve të një vendi dhe ngritje të standardit jetësor në mënyrë që të mos kemi çrregullim të sistemit juridik, politik dhe ekonomik të bashkësisë në një vend që synon të integrohet.

BE-ja ka instaluar mekanizma të shumtë: në vlerësimin e stabilitetit institucional, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, zhvillimit ekonomik, mbrojtjen e monumenteve kulturore dhe historike, zhvillimin e aktiviteteve rinore dhe krijimin e kushteve për investime të huaja.


Komisioni Evropian për të gjitha shtetet kandidate dhe kandidatët potencial ka paraparë të harton raporte të cilat njihen me emrin si Raportet e Progresit dhe që kanë për qëllimi primar të vlerësojë të arriturat dhe ngecjet që shtetet kandidate dhe shtetet kandidate potenciale janë afër apo larg integrimit në institucionet e Bashkimit Evropian.

Raporti i Progresit për Republikën e Kosovës u analizua nga tri këndvështrime: nga ana e institucioneve shtetërore (partive të cilat qeverisin – pozita), nga ana e oponencës kryesore politike në vend (partive opozitare) dhe nga ana e shoqërisë civile (OJQ-të, mediat, bizneset dhe intelektualët).

Këndvështrimi Institucional – komentimi i Raportit të Progresit në Republikën e Kosovës gjegjësisht partitë të cilat qeverisin me shtetin duhet të kenë kujdes në të gjitha kritikat, vlerësimet dhe analizat që janë dhënë në raportin e progresit lidhur me funksionimin e institucioneve kryesore shtetërore dhe pikat e dobëta të funksionimit të këtyre institucioneve si:

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të themelojë departamentin ligjor në mënyrë që të ofrohen këshilla ligjore për udhëheqësit e administratës dhe kuvendi të përfaqësohet në gjykatë përmes këtij departamenti. Kapaciteti i Kuvendit për monitorim dhe hulumtime mbetet ende i dobët. Procedura legjislative duhet përforcuar për të siguruar një ekspertizë ndërsektorale. Zyra për çështje ligjore, standardizim dhe harmonizim ka mungesë personeli, duke dobësuar kështu shqyrtimin e efektshëm dhe të hollësishëm të legjislacionit. Kapaciteti i Kuvendit për sigurimin e përputhshmërisë me normat evropiane duhet të avancohet në mënyrë efektive (shih Raportin e Progresit për Kosovë, 12 tetor 2011, fq. 6).

2. Qeveria e Republikës së Kosovës ka pasur progres të kufizuar sa i përket administratës publike, integrimeve ekonomike, politikave fiskale, mbikëqyrjen civile të forcave të sigurisë, luftimin korrupsionit etj. Ka pasur progres të kufizuar në kuptimin e reformës së administratës publike. Strategjia e rishikuar e administratës publike për periudhën 2010-2013, e cila u miratua nga qeveria në shtator të vitit 2010, nuk është zbatuar ende. Një grup ndërministror pune, përgjegjës për hartimin e planit të veprimit në zbatim të strategjisë së reformës së administratës publike, është themeluar në nëntor të vitit 2010. Plani i veprimit nuk është finalizuar ende, duke vonuar kështu në masë të konsiderueshme zbatimin e reformave të parashikuara. Procesi në përgjithësi pengohet nga mungesa e resurseve financiare dhe mbështetja e pamjaftueshme politike. Në takimin e tij të parë qysh prej shtatorit 2010, komiteti ndërministror për reformën e administratës publike ka miratuar katër plane strategjike zhvillimore në korrik.(shih Raportin e Progresit për Kosovë të 12 tetorit 2011, fq. 8).

3. Sistemi gjyqësor ka ngecje por duhet zhvilluar edhe me tutje për shkak të numrit të madh të lëndëve të pazgjidhura dhe mungesës së personelit në gjykata, por megjithë ate edhe në krahasim me vitin e kaluar ka një progres, por edhe në krahasim me sektorët tjerë ka rezultate shumë pozitive. Kosova ka bërë përparim në sektorin gjyqësor. Gjykata Kushtetuese ka marrë një numër vendimesh, të cilat kanë pasur ndikim të konsiderueshëm. Institucionet kanë siguruar që këto aktgjykime të zbatohen. Në shtator, Gjykata Kushtetuese vendosi mbi çështjen e imunitetit funksional të deputetëve të kuvendit, presidentit dhe anëtarëve të qeverisë. Përveç konfirmimit që askush nuk është imun për veprimet e ndërmarra dhe vendimet e bëra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre, vendimi gjithashtu përcakton rastet dhe rrethanat sipas të cilave mund të bëhen apo të mos bëhen arrestimet apo burgosjet. Autoritetet e Kosovës kanë vazhduar të zbatojnë legjislacionin e miratuar për reformimin e gjyqësorit, sidomos ligjin për Këshillin Gjyqësor dhe atë për Këshillin Prokurorial, për gjykatat dhe prokurorinë. Buxheti vjetor për gjyqësorin është rreth 17 milionë euro për vitin 2011. Më 2011, ishte rreth 14 milionë Euro, që vlerësohet të jetë 0.34% të BPV-së së vitit 2010. Kosova ka miratuar një ligj mbi aspektet civile të rrëmbimeve ndërkombëtare të fëmijëve në tetor të vitit 2010, si dhe ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve në korrik. Lig përgjegjësinë penale të personave juridikë për veprat penale, ligji për ndihmën juridike ndërkombëtare në çështje penale, ekstradimit dhe transferimit të personave të dënuar, si dhe ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, të gjithë janë miratuar në fund të gushtit. Zbatimi i ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme paraqet vështirësi të konsiderueshme në kuptimin e mungesës së gjyqtarëve të kualifikuar vendorë. Ligji gjithashtu kufizon rolin e EULEX-it në Dhomë, që është çështje brengosëse… (shih Raportin e Progresit për Kosovë, të 12 tetorit 2011, fq. 9).

Ka edhe shume çështje tjera në të cilat institucionet e vendit duhet punuar vazhdimisht për ta reformuar punën dhe rritur efektivitetin infrastrukturor dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale në të gjitha institucionet tjera.

Ajo çka vlen për tu theksuar është se Republika e Kosovës ka suksese në disa sektorë si në Siguri (Polici dhe kompletimin e FSK-së), mbledhjen e tatimeve dhe taksave nga dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, përmirësimin e pagave në sektorin gjyqësor, miratimin e disa ligjeve me rëndësi për funksionimin e institucioneve (infrastruktura ligjore) por kjo nuk nënkupton se Republika e Kosovës në këtë drejtim është perfekt por në krahasim me vitin e kaluar ka progres në fushat të cilat u cekën më lartë. Ajo çka më së shumti i duhet institucioneve tona janë kritikat konstruktive, analizat, këshillat dhe vështrimet pozitive dhe negative që vijnë nga partitë opozitare dhe shoqëria civile lidhur me raportin e progresit në mënyrë që të prosperojnë në të gjitha fushat e jetës në të ardhmen.

Këndvështrimi i partive opozitare – komentimi i raportit të progresit nga ana e partive politike opozitare është bërë në forma të ndryshme, por ka dështuar mënyra se si është debatuar lidhur me këtë pasi që ka shumë fusha për të cilat mund të kritikohet puna e institucioneve në raportin e progresit.

Ajo çka është dashur të bëjë opozita politike është të informohet edhe me shumë opinioni publik se institucionet tona kanë ngecur në këto fusha të cilat përmenden në raportin e progresit:

1. Zgjedhjet dhe përsëritja e tyre kanë dëmtuar kredibilitetin e procesit dhe legjitimitetin e rezultateve,
2. Kapacitetet e kuvendit për monitorim dhe hulumtime janë të dobëta dhe nuk janë shfrytëzuar mjaftueshëm buxheti për trajnimin e personelit të kuvendit,
3. Qeveria duhet ti mbështesë komunat në avancimin e decentralizimit e sidomos komunat me shumicë serbe,
4. Administrata publike ka pasur përparim të kufizuar në kuptim të reformës së administratës publike,
5. Institucioni i Ombudspersonit nuk ka përkrahje në pavarësimin e punës funksionale dhe financiare nga qeveria dhe ende nuk janë emëruar zëvendësit e ombudspersonit.
6. Është rritur deficiti buxhetor gjatë dy viteve të fundit dhe nuk kemi rritje ekonomike të konsiderueshme,
7. Zbatueshmëria e dobët e kontratave të kompanive të ndryshme investuese në Kosovë, etj.

Këndvështrimi i shoqërisë civile – edhe nga shoqëria civile (OJQ-ët, mediat, komuniteti i biznesit) raporti i progresit nuk është pritur mire, por ajo çka është më brengosëse raporti nuk është vlerësuar, por vetëm është thënë se nuk ka progres, apo me një fjalë janë përsëritur ato që thuhen në raportin e progresit për Kosovën të 12 tetorit 2011 (progres i kufizuar) kjo i bie që ka pasur tendenca të vërtetimit të gjendjes faktike, por fare jo vlerësim dhe kritikë konstruktive dhe ofrim të alternativave se si duhet të jetë raporti më progresiv në vitin e ardhshëm. Analizuar edhe me qëndrimin e viti të kaluar del se është e njëjta qasje dhe nuk kemi propozim konkrete për raport të progresit pozitiv për vitin e ardhshëm, por kemi ofrim të zgjidhjeve të kufizuara nëse shprehemi sipas gjuhës së raportit si progres i kufizuar në disa fusha.

Përfundimi

Qëndrimi jo unik i opozitës fare nuk mund të konsiderohet si kontribut apo vlerësim lidhur me Raportin e Progresit për Kosovë të 12 tetorit 2011, sepse për të dalë Raporti pozitiv ashtu siç duhet pjesë të përgjegjësisë bartë edhe opozita sidomos te vlerësimi i punës së Kuvendit ku pjesë e Kuvendit është edhe opozita dhe vendimet për sukseset e Kuvendit nuk merren vetëm nga pozita. Sheteti është edhe i opozitës sikurse që është i gjithë popullit.
E vërejmë se nga të tri këndvështrimet raporti i progresit për Kosovë i vitit 2011 del të jetë i ndryshëm dhe nuk kemi asnjë pikë të përbashkët të vlerësimit të tij dhe në këtë drejtim shtrohet pyetja se Raporti i progresit nga Komisioni Evropian bëhet për shtetin, pozitën, opozitën apo shoqërinë civile të Republikës së Kosovës.
Ne mendojmë se Raporti i Progresit nga Komisioni Evropian bëhet për shtetin e Republikës së Kosovës.

(Flamur Hyseni është asistent në Katedrën e shkencave Kushtetuese – Administrative në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa Burim Haliti ka thirrjen shkencore Master i shkencave juridiko – financiare)