LAJMI I FUNDIT:

Raportimi në mediat serbe për luftën në Kosovë, diskurs i njëanshëm dhe shtrembërues

Raportimi në mediat serbe për luftën në Kosovë, diskurs i njëanshëm dhe shtrembërues

Raportimi në mediat serbe për të “vërtetën” e luftës dhe “viktimizimin”, i rrënjosur në shumicën e mediave në Serbi, ka rezultuar në ndërtimin e një diskursi të njëanshëm dhe shtrembërues.

Me tituj të mëdhenj e sensacionalë, ballinat e një numri të madh të mediave serbe pothuaj çdo ditë u ofrojnë lexuesve lajme të rreme rreth zhvillimeve politike në Kosovë, por më së shumti rreth së kaluarës.


Raportet e organizatave ndërkombëtare e kanë theksuar praninë e lajmeve të rreme në mediat e Serbisë dhe kanë nxjerrë përfundimin se peizazhi mediatik në vend dominohet nga Partia Progresiste Serbe e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Studimi i fundit i Komitetit për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian për lajmet e rreme dhe dezinformimin në Ballkanin Perëndimor thekson se gjatë viteve të fundit, vëzhguesit kanë parë përkeqësim të mbulimit mediatik në Serbi, që karakterizohet me raportim favorizues dhe mungesë të kritikave ndaj Vuçiqit. Sipas këtij raporti, rol parësor në dezinformimin e përkrahur nga shteti luajnë kanalet televizive dhe tabloidet.

Për Tamara Skrozza, gazetare e revistës “Vreme” nga Beogradi, mediat në Serbi janë të mbushura me lajme të rreme dhe Kosova nuk është tema e vetme për të cilën shpërndahen ato.

“Lajmet e rreme rreth Kosovës nuk janë aq të shpeshta sa për temat tjera. Jo vetëm rreth Kosovës, por ato mbulojnë të gjitha sferat e raportimit, të shpërndara gjithandej, madje edhe të pritshme”, thotë Skrozza.

Ajo thotë se kur bëhet fjalë për Kosovën, më të efektshmet janë lajmet ku informata e rëndësishme është “harruar” dhe shmangur me lehtësi.

“Pra, mediat serbe hulumtojnë thellësisht kur bëhet fjalë për krimet e luftës të shqiptarëve dhe nuk i mbulojnë ato të serbëve: ato numërojnë kufomat serbe, duke harruar që pak kilometra larg Beogradit ka varreza masive të civilëve kosovarë të vrarë nga serbët në vitin 1999”, thotë ajo duke iu referuar qendrës stërvitore të policisë serbe në Batajnicë ku pas luftës u zbuluan varreza masive me civilë shqiptarë të vrarë.

Në maj të këtij viti, tabloidi serb “Informer” raportonte se “shqiptarët po planifikonin që ta kidnaponin tenistin serb Novak Gjokoviq” për shkak të deklaratave që ai kishte bërë rreth Kosovës.

Hapësirën më të madhe të lajmeve të rreme në mediat serbe e zënë artikujt që kanë të bëjnë me luftën e fundit në Kosovë të viteve 1998-1999.

“E vërteta për Reçakun ka dalë moti në sipërfaqe, por askush nuk po përqendrohet në të”, është ky një lajm tjetër nga portali Politika. Ky artikull pohon se “Rasti i Reçakut ka qenë i fabrikuar në një kohë kur bisedimet në Rambuje ishin në krizë”.

Masakra e Reçakut, e cilësuar nga vëzhguesit e OSBE-së dhe hetuesit e huaj si krim kundër njerëzimit, ka ndodhur më 15 janar 1999 dhe kjo masakër nxiti bashkësinë ndërkombëtare të ndërmarrë hapa seriozë diplomatikë për t’i bindur palët në Kosovë dhe Serbi që t’i qasen negociatave në kështjellën mesjetare të Rambujesë në Francë, në kërkim të një zgjidhjeje e cila do t’i jepte fund përshkallëzimit të luftës.

Artikulli i “Politika”-s thotë që qëllimi i ambasadorit William Walker dhe i perëndimit ishte “ta sigurojnë përkrahjen e qeverive dhe opinionit publik botëror, ende të pavendosura, për agresion kundër Jugosllavisë”.

“Për shumicën e qytetarëve serbë, Kosova është ende pjesë e Serbisë, ndërsa krimet e luftës janë pak a shumë vetëm krime të luftës shqiptare”, ka thënë Skrozza.

Serbia këtë vit u rendit në vendin e 93 për shprehjen e lirë të mediave, 34 vende më poshtë së në vitin 2016 sipas organizatës së gazetarëve Reporterët Pa Kufij (RWB).

“Për gjashtë vite nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiqit, së pari si kryeministër dhe pastaj si president, Serbia është bërë vend ku shpesh është e rrezikshme të jesh gazetar dhe ku lajmet e rreme po fitojnë shikueshmëri dhe popullaritet me një shpejtësi alarmante”, shkruhet në raportin e RWB-së.

Idro Seferi, gazetar i televizionit shqiptar ABC News në Beograd, thotë se ka shkrime që flasin për “krime monstruoze” të shqiptarëve, por jo shumë diskutime për krimet e kryera nga serbët në Kosovë.

“Lajmet e rreme mund të jenë pjesë e ekzagjerimeve të pabazuara, por më shumë ka të bëjë edhe me një garë të mospranimit të fakteve”, ka thënë ai.

Analisti kosovar Imer Mushkolaj thotë se lajmet e rreme në raport me të kaluarën janë të përhapura në shumicën dërmuese të mediave në Serbi.

“Përveç kësaj, këto raportime i karakterizon gjuha e urrejtjes dhe padurimi karshi shqiptarëve. Shqiptarët etiketohen me terma fyes”, u shpreh Mushkolaj.

Skrozza thotë se tek lajmet e rreme për Kosovën, më të efektshmet janë ato ku informacionet e rëndësishme shmangen me lehtësi. “Shumica e mediave ‘redaktohen’ nga Qeveria. Shtrembërimi është më i spikatur në mediat pro pushtetit: TV Pink, TV Happy dhe tabloidet Informer, Alo, Srpski Telegraf”, thotë ajo.

Ndërsa Seferi thotë se narracioni politik në një shumicë domethënëse është se serbët kanë qenë viktima të përndjekjeve në Kosovë dhe se NATO-ja ka bombarduar Serbinë.

“Në disa gjykime për krime lufte në Beograd, ku të akuzuarit ishin serbë dhe viktimat shqiptarë, është folur ndonjëherë, por krimet nuk janë pjesë e një narracioni të pranueshëm publik”, thotë Seferi.

Imer Mushkolaj thotë se ekziston një diskurs shfajësues sa i përket përgjegjësisë së shtetit dhe shoqërisë serbe për atë që ka ndodhur në Kosovë. “Në media mund të gjendet ‘e vërteta serbe’ për luftën, por jo edhe versioni i palës tjetër. Po ashtu,  raportimi për të kaluarën po bëhet gjithnjë e më i vështirë kudo në vendet e Ballkanit”, thotë ai.

Sipas Idro Seferit, në shumë media në Serbi, tema e krimeve të luftës “është tentuar të mohohet në vazhdimësi”.

Tamara Skrozza thekson se mediat në të dyja anët vuajnë nga të njëjtat “sëmundje”, edhe pse serbët “udhëheqin” kur bëhet fjalë për shtrembërimin e së vërtetës.

“Mediat në Kosovë janë më të fokusuara tek e ardhmja, ndërsa mediat serbe analizojnë më shumë  në të kaluarën”, thotë ajo. /Albijona Hoxhaj/

Ky shkrim është produkt i trajnimit online për raportim gazetaresk në fushën e Ballafaqimit me të Kaluarën (BmK) /Gazetaria e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD.

Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Telegrafi.com

Në trend Lajme

Më shumë
Çështja e shpërndarjes së Kuvendit, Kusari-Lila mohon se ka pasur diskutime mes PDK-së e LVV-së

Çështja e shpërndarjes së Kuvendit, Kusari-Lila mohon se ka pasur diskutime mes PDK-së e LVV-së

Jehona Hulaj
Kosova në KiE dhe rezoluta për Srebrenicën, mediat rajonale:  Vuçiq e pranoi zyrtarisht humbjen

Kosova në KiE dhe rezoluta për Srebrenicën, mediat rajonale: Vuçiq e pranoi zyrtarisht humbjen

Lajme
90 milionë euro për rrugën drejt BE-së, ambasadori gjerman: Përkushtim i fortë për integrimin evropian të Kosovës

90 milionë euro për rrugën drejt BE-së, ambasadori gjerman: Përkushtim i fortë për integrimin evropian të Kosovës

Lajme
Çitaku: Memli Krasniqi ka pasur kontakte me Vetëvendosjen për ta shpërndarë Kuvendin

Çitaku: Memli Krasniqi ka pasur kontakte me Vetëvendosjen për ta shpërndarë Kuvendin

Lajme
Ragmi Mustafi konfirmon kandidaturën për kryetar të Bujanocit, bënë thirrje për mobilizim masiv

Ragmi Mustafi konfirmon kandidaturën për kryetar të Bujanocit, bënë thirrje për mobilizim masiv

Lugina
Rinia Demokratike aksion para Qeverisë, simbolizojnë ikjen e profesionistëve

Rinia Demokratike aksion para Qeverisë, simbolizojnë ikjen e profesionistëve

Lajme
Kalo në kategori