LAJMI I FUNDIT:

Ragmi Mustafi konfirmon kandidaturën për kryetar të Bujanocit, bënë thirrje për mobilizim masiv

Ragmi Mustafi konfirmon kandidaturën për kryetar të Bujanocit, bënë thirrje për mobilizim masiv

Ragmi Mustafi do të jetë kandidat i Partisë për Veprim Demokratik për kryetar të Komunës së Bujanocit.

Këtë e bëri të ditur vetë Mustafi në një postim në Facebook, duke thënë se këtë të mërkurë ka pranuar nominimin për kryetar të Bujanocit për zgjedhjet lokale të 2 qershorit që do të mbahen në Serbi.


“Sot kam pranuar nominimin e Partisë për Veprim Demokratik dega në Bujanoc për kryetar të komunës së Bujanocit, në zgjedhjet e 2 qershorit!  Karrierën time politike e kam filluar si shumë i ri, me ëndrrën e madhe, t’i shërbej shqiptarëve të Luginës së Preshevës në përgjithësi, e Komunës së Bujanocit në veçanti”, ka shkruar Mustafi.

Ai më tej ka shtuar se është ndër privilegjet më të mëdha kandidimi i tij për kryetar të Bujanocit.

“Besimin që më dha, fillimisht kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi, kryetarit Kuvendit Enver Ramadani, kryesia e anëtarësia e partisë me të cilën u rritëm të gjithë, që pas udhëheqjes më Këshillin Kombëtar Shqiptar të marrim #Bashkë udhëheqjen e Komunës së Bujanocit është ndër privilegjet më të mëdha të jetës sime, andaj FALEMINDERIT”, ka shkruar tutje Mustafi.

Mustafi ka theksuar se sfidat janë të shumta, problemet e mëdha me të cilat komuna jonë vazhdon të ballafaqohet.

“Jam i bindur se bashkë e me përkushtim, do ngadhënjejmë, që fitorja jonë e 2 qershorit te jetë e madhe, e të fillojë një epokë e re, plotë zhvillim e angazhim në përmirësimin e situatës politike, sociale e ekonomike në Bujanoc.  Prandaj, sot po bëjmë thirrje për një mobilizim masiv dhe të përkushtuar. Të zgjasim dorën njeri – tjetrin,  të respektojmë njëri-tjetrin dhe të përbashkuar të fitojmë.

Nga nesër, çdo ditë deri në ditën e zgjedhjeve, të punojmë e angazhohemi, sepse fitorja jonë nuk është vetëm detyrë, por është domosdoshmëri për vizionin e së nesërmes”, ka shkruar Mustafi. /Telegrafi/