LAJMI I FUNDIT:

QKK merr pjesë në Festivalin e Filmit në Stamboll

QKK merr pjesë në Festivalin e Filmit në Stamboll

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, ka qenë një ndër panelistët e diskutimit të titulluar “Meet the funds” që është organizuar nga Istanbul Film Festival në edicionin e 34-të këtij festivali.

Krahas drejtorit të QKK-së, pjesë e panelit kanë qenë edhe Irina Kanousheva (Bulgarian National Film Center), Jovan Marjanovic (Creative Europe and City of Sarajevo), Khalil Benkirane (Doha Film Institute), Salome Murvanidze (Ministry of Culture of Ajara Region), Giorgi Khabashvili (Georgian National Film Center) Eva Hubert (Filmförderung Hamburg Schleswig-Holstein), Sergio Garcia de Leaniz (Eurimages), Snezana Maric (Serbian Film Center) dhe Teresa Hoefert de Turégano (Medienboard Berlin Brandenburg).

Aty u diskutua rreth mënyrave të bashkëprodhimit në Ballkan ndërsa Zharku inkurajoi producentët turq që të shfrytëzojnë mundësitë që i ofron Kosova si vend potencial për xhirim të filmave.

Këtë vit, Festivali i Filmit në Stamboll tërhoqi vëmendje të madhe për shkak se Ministria turke e Kulturës nuk lejoi shfaqjen e filmit dokumentar “Bakur” me arsyetimin se ky film nuk i kishte autorizimet e nevojshme.

Në shenjë solidarizimi dhe proteste kundër censurës, ky festival ka anuluar konkurrencën ndërkombëtare dhe kombëtare, konkurrencën kombëtare për filmat dokumentarë si dhe ceremoninë e mbylljes së festivalit. /koha.net/