LAJMI I FUNDIT:

Qeveria zhvendoset në Bruksel

Qeveria zhvendoset në Bruksel

Qeveria e Kosovës ka zgjedhur të përfaqësohet në nivelin më të lartë të mundshëm në konferencën e donatorëve që do të mbahet në Bruksel. Të mërkurën përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për në këtë vend kanë fluturuar kryeministri Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ministrat Ahmet Shala, Fatmir Limaj, Alush Gashi, e të tjerë.

Në Bruksel tashmë ndodhen edhe shumica e gazetarëve, të cilët kanë udhëtuar përmes aeroportit të Shkupit, udhëtimin e të cilëve e ka sponsorizuar operatori i dytë i telefonisë mobile IPKO.

Qeveria e Kosovës shpreson që donatorët në këtë konferencë do të konfirmojnë ndihmën prej 1.4 miliard eurosh për të financuar projekte të ndryshme.

Dy ditë më parë ministri i Ekonomisë dhe Financave,Ahmet Shala, ka konfirmuar se në këtë konferencë do të paraqiten gjithsejtë 588 projekte të ndryshme.


Numri i projekteve është reduktuar dukshëm pasi organizata të ndryshme buxhetore dërguan në qeveri me qëllim prezantimi para donatorëve rreth 4 mijë projekte.

Mbështetje publike deri më tani për dhënien e fondeve kanë dhënë SHBA-të me 400 milion dollarë, Gjermani, Franca, Britani e Madhe, Suedia etj./Telegrafi/