LAJMI I FUNDIT:

Qeveria ul shpenzimet edhe për 21 milionë euro

Qeveria ul shpenzimet edhe për 21 milionë euro

Koha Ditore shkruan se vetëm brenda një nate Qeveria e Kosovës ka ndërruar mendje rreth lejimit të shpenzimit të mjeteve në nivel të përgjithshëm për gjashtëmujorin e mbetur, duke i zbritur ato për 21 milionë euro.

Të martën ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka prezantuar lejimin e shpenzimeve më të mëdha për 111 milionë euro, shumica prej tyre e destinuar për investime kapitale, por një ditë më pas ka kufizuar ato për 21 milionë euro.

Ndryshimet sipas kësaj gazete janë bërë kryesisht tek shpenzimet kapitale, duke i zvogëluar ato për miliona euro, por ka pasur edhe bartje të mjeteve nga një kategori tek tjetra.

Më së shumti nga këto lëvizje ka pësuar Korporata Energjetike e Kosovës ku nga kategoria e subvencioneve dhe transferimeve kësaj kompanie i janë hequr dy milionë euro.


Po ashtu tek shpenzimet kapitale për këtë kompani është hequr shuma prej 9 milion eurove nga shuma totale prej 41 milionë euro.

Ndryshime ka pasur edhe në ministrinë e Transporteve dhe Telekomunikacionit ku janë hequr rreth 3 milionë euro nga shpenzimet kapitale nga shuma totale prej 69 milion eurove.

Ministria ka pasur edhe një ndryshime tjetër,tek programi për ndërtimin e rrugëve të reja,ku është hequr shuma prej 3.6 milion euro nga shuma totale prej 27 milionë euro.

Shuma të tjera prej 500 mijë euro, 1 milion euro janë hequr pothuajse nga çdo ministri.