LAJMI I FUNDIT:

Qeveri legjitime, por aspak kredibile

Besimi është çështje e pranimit të fakteve. Nëse faktet nuk pranohen si të qena, kontestohen, edhe besimi lëkundet, apo humb fare. Përkundrejt vërtetësisë së tyre, pasi faktet, sidomos në dukuritë shoqërore dinë të jenë bukur të kamufluara, rrjedhimisht ato edhe më lehtë mund të kontestohen, apo interpretohen ndryshe nga versioni i dhënë.

Tani, po t’u kthehemi çështjeve politike dhe shtetërore në tërësi, ku interpretimi i fakteve duhet të gjejë zbatim praktik, atëherë laborator i vetëm i nxjerrjes së fakteve dhe vërtetësisë së tyre, janë, kush tjetër pos institucionet e drejtësisë. Në demokraci këto institucione janë të pavarura. Sesa janë të pavarura, është e qartë, se varet nga niveli i zhvillimit të sistemit demokratik në tërësi.


Meqenëse demokracia në Kosovë është krejt në fillet e saj, sesa janë të pavarura institucionet e drejtësisë në Kosovë, por që është shumë me rëndësi edhe sesa janë profesionale, le të mbetet në bindjen e secilit t’i vlerësojë. Institucionet e drejtësisë, si të gjitha institucionet tjera të shtetit janë prodhim i sistemit politik, përbërës të së cilit në demokraci janë edhe partitë politike. Pjesët e të njëjtës tërësi nuk mund ta mohojnë njëra tjetrën, por ta ndihmojnë për përmirësim njëra tjetrën, sepse ato kanë lidhje organike me njëra tjetrën.

Andaj, pyetjet e para që mund të bëheshin janë:
– A forcohen këto institucione duke u refuzuar vendimet e tyre nga vet partitë politike, kur së bashku me to janë pjesë e të njëjtit sistem?
– Nëse kontestimi vjen nga vet partitë politike, çfarë porosie i dërgohet popullit në raport me institucionet e drejtësisë?

Pas kontestimeve pa kufi të rezultateve zgjedhore në Shqipëri, një i tillë me natyrë dualistike po ndodh edhe në këtë pjesë të Shqipërisë nga disa prej partive politike. Natyrë dualistike, sepse kontestimi dhe pranimi po bëhen në të njëjtën kohë. Në të vërtetë, pranimi bëhet për t’i shfrytëzuar mundësitë që ofron sistemi, kurse kontestimi bëhet për ta shantazhuar po të njëjtin sistem për interesa vetëm partiake, apo edhe më të ngushta, e aspak kombëtare.

Nga ana tjetër, opinionit publik, pranimi i rezultateve, nga njëra parti i thuhet se bëhet në emër të ruajtjes së stabilitetit insitucional (duke u “viktimizuar” edhe njëherë). Bile, nga njëri anëtar i udhëheqjes së re të kësaj partie që ka fituar postin e deputetit, jo vetëm procesi, por edhe vet mandati i tij qenka i kontestuar. Interesin e kujt do ta mbrojë me mandat të vetëshpallur si të kontestuar ky deputet i ri kur të ulet në parlament? Ndoshta vetëm të partisë së tij, s’ka të kujt tjetër, se zgjedhësit e tij janë inekzistent, ai vet e pohon këtë. Ironi dhe kontradiktë bashkë. Për më tepër, po marr shkas nga deklarimet e të njëjtit, që për çudi, nuk do të identifikohet me asgjë me trashëgiminë e kësaj partie, se poqëse nuk vihet në vend vota e popullit, pra nuk mbahen zgjedhje të reja në vjeshtë, ata nuk do të lejojnë që vendi të rrëshqasë në autokraci dhe si mjet i fundit mund të ketë edhe protesta. Më duket se është hera e parë që dëgjoj të përmenden protestat nga udhëheqja e kësaj partie. Pasi protestat nuk kanë qenë mjet politik i kësaj partie as në kohërat e okupimit, tani, e adaptuar si mjet politik për ta mbrojtur votën, jam shumë kureshtar të shoh sesi do ta organizonte një protestë kjo parti! Ndoshta me udhëheqjen e re, kjo nuk është edhe për tu çuditur?

Nga tjetra parti, emri i së cilës përveçse shprehë reminishencë nga kohët e okupimit ka edhe një nga shenjat e pikësimit në të, pas “mbrojtjes” prej tyre, siç thonë ata, të votave që u sollën mandatet e caktuara, kontestimi bëhet për të na treguar se po të mos ishte “mbrojtja”, ata sikur do t’i merrnin 100% të votave (harrojnë se me ligj komisionarët partiakë delegohen për këtë qëllim!). Por, vetëm aq mundën të mbronin, jo edhe tjerat. Kurse, pranimi thonë ata se bëhet për ta ndryshuar komplet sistemin.

A e thonë të vërtetën, a kanë rrugë tjetër për të mbetur në politikë, përveç asaj institucionale? Njëra e ka provuar. Nga ana tjetër numri i madh i ankesave të bëra në drejtim të institucioneve tona të drejtësisë, për vjedhjet që kanë ndodhur, është mënyra më e mirë për t’i forcuar ato. Dhe për këtë partitë që kanë dërguar më së shumti ankesa mund të quhen edhe kontribuuesit më të mëdhenj të forcimit të tyre. Sikurse edhe vendimet që dalin nga to duhet respektuar. S’ka rrugë tjetër.

E dimë ç’bëri Serbia me GJND-në, ku vet iu drejtua për drejtësi, vet e shpërfilli para gjithë botës vendimin e saj. Makiavelizëm? Gjithsesi. A duhet të shkojnë kaq larg edhe partitë tona politike duke mos zgjedhur mjete? A duhet edhe ne të jemi kaq të papërgjegjshëm përpara institucioneve tona të drejtësisë?

Ata që deshën ta largojnë qeverisjen e keqe të deritanishme, pjesë e së cilës disa prej tyre ishin, sado që duan të maskohen pas një udhëheqësie të re, pse nuk gjetën kurajën për koalicione parazgjedhore, e cila do tu siguronte fitoren? Shumë më lehtë do ta kishin atëherë sesa tani. Apo, çështje konceptesh. Qesharake. Duket se nuk ishin të gatshëm, nuk kishin guximin. Si pasojë, duket se do të kemi një qeveri legjitime, por aspak kredibile. Po, numrat mund të sigurohen, por me deputetë ahtisarian me 300 vota. Për këtë janë po aq fajtorë edhe kontestuesit. Procese jo të lehta e presin Kosovën, disa e dinë këtë. Kontestimet u ndihmojnë si alibi kinse do të donin të ishin pjesë e tyre.