LAJMI I FUNDIT:

Pushteti si kosi

Pushteti si kosi

Përtej reklamës për kosin që e dëgjojmë disa herë në ditë buzagaz, është dhe ajo tjetra që nuk është reklamë. Jo vetëm kosi, po dhe pushteti hahet e pihet!… Ky nuk është një proverb, ani se mund të jetë një batutë që shpreh thelbin e njeriut të dhënë aq shumë pas të mirave të pushtetit.

Nuk e dimë se kur ka filluar turravrapi i shqiptarëve pas pushtetit, kacafytja e tyre për pushtet, kacavarja pas degëve të pushtetit për përfitime. Mund të ketë nisur joshja e pushtetpasjes atëherë kur ne filluam të kishim shtetin tonë, pra në fillimet e shekullit XX, pasi deri atëherë pushteti i përkiste tjetërkujt dhe shqiptarët thjesht i shërbenin me pak thele pushteti për të qenë vasalë pushtetit sulltanor.


Në kohën e Zogut nuk kishte shumë hapësira për pushtet jashtë Tiranës: pak xhandarë dhe ende më pak mësues nëpër katunde – këta të fundit si rrogëtarë të shtetit. Vetëm pas Luftës II Botërore pushteti u kthye në qëllim i shumë individëve, që falë besnikërisë politike ndaj regjimit do të mbijetonin gjatë në pushtet, aq sa kur erdhi ’90-a, një kategori e madhe njerëzish nuk mund ta besonte se pushteti po iu rrëshqiste nga duart me mjete demokratike. Ata kishin besuar se ishin të prerë për pushtet, se pushteti u takonte vetëm atyre si fitimtarë, njëlloj si deviza e re: “toka i takon atij që e punon”, domethënë bujkut, paçka pronarit të ligjshëm që e kishte në tapi.

Pushteti për disa u kthye në arë që i korrnin bereqetin vetëm ata, në lopë që bënte qumësht vetëm për fëmijët e “pushtetit popullor”. Lopa e tyre mund të kulloste dhe në “Bllok” pa u trazuar nga askush. E milnin vetëm për vete pa dashur t’ia dinin se tambli i saj si rregull duhet të shkonte për të gjithë njerëzit.

Siç shihet, nuk është hiç e re kjo puna e kosit që edhe hahet edhe pihet. Njëlloj si patatja që ishte edhe bukë, edhe gjellë. S’është fort e hijshme të bësh humor me lopën, por ajo nuk iu ka shpëtuar as mitingjeve elektorale.

Thuhet se në një nga fshatrat më të bukur të Matit, njëri nga liderët e së djathtës, vite më parë, duke parë mullarët e barit në livadhe, pati thirrur plot entuziazëm: “Rrofshin fermerët tanë! I gëzofshi vëllezër të mirat që iu solli rikthimi i pronës private, tufat e lopëve!…”. Ndërkohë, një ministër kandidat për deputet i së majtës pati dhuruar lopë për zgjedhësit e Saukut. Ja, këso gjërash të vijnë ndërmend tani që jemi në fushatë zgjedhore, ku asgjë të keqe nuk ka nëse partitë ndërtojnë politika për mbarështimin më të mirë të lopëve, deleve, dhive e pulave, po fjala është te simbolika e kosit, rrjedhimisht dhe e lopës së pushtetit.

Vërtet konkurrojnë partitë dhe kandidatët për kryetarë bashkish, por konkurrojnë në mënyrën e tyre dhe shumë të tjerë, një mori këshilltarësh që nuk kanë as shkollimin e mjaftueshëm, le pastaj staturën për të qenë njerëz publikë vendimmarrës në një komunitet. Të tillë deri tani kanë miratuar buxhetet, kanë dhënë titujt e nderit dhe kanë vendosur emrat e rrugëve dhe të institucioneve, zakonisht në këto të fundit duke u nisur nga njerëzit e fisit të tyre.

Pushteti kur i turresh mbrapa t’i dhuron të gjitha. Mjafton të kesh oreks për pushtet dhe t’i ngjitesh atij me thonj, pa nuk mbetesh pa gjë. Pushteti te ne e ka: më jep vota e të jap shpërblimin (punësim, bursa, tenderë etj.). Ka një tundje e shkundje të njerëzve dhe në këtë fushatë, të shumtë janë ata që e duan fotografinë me kandidatët, që kur të zgjidhen më 21 qershor t’i kenë dyert hapur. Kaq shumë plane bëjnë disa në këtë kohë, e shohin veten nga policë bashkiakë në drejtorë departamentesh. Po pse duhet ta kenë kaq të zhvilluar disa njerëz këtë “shqisën” e pushtetpërfitimit?

Pushteti vërtet kërkon njerëz që ta lakmojnë atë, të atillë që duan t’i ndryshojnë gjërat në qytetin apo zonën e tyre me punë, me projekte, me vizione. Janë idealistët që gjithmonë shohin ëndrra të bukura me një Shqipëri ndryshe. Ku t’i gjesh këta e t’ua dorëzosh pushtetin me të dyja duart dhe konkurrimi të bëhet vetëm mes këtyre për të dalë më i miri në krye. Por, kjo kategori është e harruar nga partitë, thuajse askush nuk e kthen fytyrën nga ata. Përkundrazi, gjallinë ajo raca e ndjekësve pa shumë parime. Dhe këta mes nesh gjenden, njerëz pa pretendime kulturore, që karrierën e kanë kuptuar si një mundësi për ta mjelë vendçe lopën e pushtetit. Dihet që në pushtet nuk ngjiten akademikët, filozofët, shkencëtarët, artistët, nuk është aty fusha e tyre e lojës. Kjo nuk përjashton që dhe nga këta të ketë tek-tuk në pushtet, por nuk është diçka mbizotëruese. Atëherë e mbara do të ishte që elita e juristëve, inxhinierëve, ekonomistëve, urbanistëve, menaxherëve, teknicienëve të përfshihej në pushtet. Por janë kaq pak të tillë në radhët e konkurrentëve për kryebashkiakë dhe këshilltarë. Shumica e kandidatëve kanë vetëm identitet partiak. Dhe kjo s’ka si të jetë normale.

Ndoshta sociologët mbajnë shënim në këto kohëra politike, ndoshta jo dhe aq, përderisa ka pak analiza të tipit të sotëm sociologjik të shqiptarit. E sigurt është që spektaklet e humorit i bëjnë vazhdimisht objekt të tyre politikanët dhe passhpinasit e tyre “eunukë”. Duhet të vëzhgosh afishimet e fushatës për ta kuptuar se çfarë përfaqësojnë njerëzit e dhënë pas liderëve. Një përulësi e dhembshme dhe e frikshme ndaj “zotërve” të politikës. Një pragmatizëm që nis nga një birrë qyl në lokal nga kandidati te tenderët e nesërm të majmë. Secili nga zgjedhësit kësodore bën llogari, tjetër se pas fushatës pakkujt i dalin ato. Shihni “sfilatën” mediokre të disa partiakëve lokalë në tribuna kur aty është i pranishëm kreu i partisë nga qendra, që ai ta fiksojë fytyrën për sot, për nesër, për pasnesër.

Joshjet e fushatës shkojnë deri në paradokse, kandidatë për kryebashkiakë, sipas një stili të vjetër, thërrasin në takime të veçanta: “dibranët”, “çamët”, “vlonjatët”, “tropojanët” e qytetit, si të jemi ende në kohërat e vilajeteve, kur sot ka një tjetër qasje elektorale. Komuniteti votues i një qyteti nuk ka të bëjë me përkatësinë e origjinës së banorëve. Por kështu e paska kjo punë, dhjamë edhe nga pleshti, sot e gjitha u përkthyeka në politikë.

Na rrëfente një miku ynë jo pa të qeshur. Po ecnim në këmbë, thoshte, me një funksionar të pushtetit dhe gjatë gjithë bulevardit nuk pushonin përshëndetjet e njerëzve, duart që ngriheshin me adhurim, makinat që ndalonin. Nuk më kishte ndodhur më parë të merrja aq përshëndetje, që në fakt nuk ishin për mua, por për atë “shefin”, siç e thërrisnin të njohurit dhe të panjohurit e tij. Ata thjeshtë e dinin që ai kishte diçka në dorë dhe një ditë mund t’u nevojitej. Qëlloi një ditë tjetër të isha me një ish-drejtor të së djathtës, që gjithashtu e përshëndesnin me të njëjtin stil, dhe a e dini pse, se ai prapë mund të bëhej i madh?! Llogari të thjeshta, që i mbajnë njerëzit gjithnjë gatitu para pushtetarëve, atyre që janë dhe atyre që mund të jenë. Kjo është meseleja e kësaj race të përdorshme, që e stimulojnë të jetë e tillë vetë barinjtë e pushtetit e të politikës, që i shohin turmat si një “kope” votash, sado e rëndë të duket kjo. Kurse po qe i pavarur askush nuk ta ngre dorën për të përshëndetur. Nuk kanë kohë të humbasin ithtarët e shefave me të tjerët, sidomos në kohë fushate, ku përfitimi është dorë me një.

E keni dëgjuar kryesuesin e koalicionit qeveritar? Kudo që vete ai kërkon të votohen vetëm kandidatët e shumicës, duke iu thënë zgjedhësve se: nëse ju nuk do të votoni tanët, atëherë harrojeni “lopën” e pushtetit, se do të bëjë tambël për ju.

Eh, kosi, edhe hahet, edhe pihet jo vetëm në reklamë… /Gazeta Shqip/