LAJMI I FUNDIT:

Punëtorët e KEDS-it këmbëngulës në kërkesat e tyre

Punëtorët e KEDS-it këmbëngulës në kërkesat e tyre

Punëtorët e KEDS-it edhe sot kanë vazhduar grevën e tyre njëorëshe, duke kërkuar ngritje të pagave dhe kushte me të mira për punë. Pjesëmarrësit në grevë shprehen të vendosur se do t’i vazhdojnë grevat deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Zëdhënësi i Këshillit grevist, Hysni Gashi, tha se do të jenë këmbëngulës në realizimin e kërkesave të tyre, pasi që punëtorët e KEDS-it sipas tij po punojnë në kushte tejet të vështira, ku u mungojnë dhe gjërat elementare për punë.

“Jemi këmbëngulës në realizimin e të drejtave të punëtorëve. Sinqerisht po shihet edhe sot, se asnjëri nuk ka rrobe të punës, mjetet mbrojtëse të punës u mungojnë, detyrohen me punu nën tension. Punëtorët janë të detyruar të punojnë pa orar të kufizuar. Shumica dërmuese e punëtorëve në KEDS-it tani për tani punon me orar të zgjatur çdo ditë”, tha ai.


Ndërsa, thotë se nëse nuk ka rritje të pagave, s’duhet të ketë as ngritje të çmimeve nga ana e KEDS-it. E sa i përket mos pjesëmarrjes së punëtorëve të distriktit të Gjilanit në grevë, ai thotë se ata janë manipuluar. “I vetmi distrikt i cili nuk është bashkëngjit është Gjilani për të cilin sot mbas 12 ve do t’i japim saktësisht arsyet pse. Mirëpo sa po shihet ka gjasa që janë punëtorët shumë të manipuluar dhe ka qenë aktiviteti i kryesisë së sindikatës nuk ka qenë në nivel në Gjilan.

E Fehmi Pajaziti, kryetar i sindikatës tha se ata mbeten unik në kërkesat e tyre. Ndërsa, pas një orë grevë, ai kërkoi nga punëtorët grevist që t’i kthehen punës dhe t’i evitojnë defektet, pasi që një pjesë e vendit që nga mbrëmë është në terr. E për këtë, sipas tij fajtor është menaxhmenti i KEDS-it, e jo punëtorët.

“Greva si grevë prej dje që ka filluar dhe është e kënaqshme. Prandaj, të jemi unik në kërkesat tona… Prej mbrëmë në 12 ora të natës gjysma e Kosovës është në terr. Nuk është fajtor punëtori pse është në terr, por është fajtor një pjesë e menaxhmenti, sepse investime në rrjet nuk ka bërë absolut asnjë cent. Prandaj këta punëtorë që janë sot në grevë këtu, duhet të dalin në punë dhe po ato defekte ti evitojnë dhe t’i ndreqin, që qytetarët e Kosovës dhe konsumatorët e Republikës së Kosovës, të kenë energji elektrike”, tha ai./Telegrafi/