LAJMI I FUNDIT:

Pula diskuton me BERZH-it për termocentrale dhe hidrocentrale

Pula diskuton me BERZH-it për termocentrale dhe hidrocentrale

Një delegacion nga Kosova i udhëhequr nga ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula, të hënën u takua me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në zhvillimin e sektorit energjetik të Kosovës.

Diskutimi kishte në fokus projektet ekzistuese dhe ato të reja, kryesisht, Termocentralin “Kosova e Re”, Hidrocentralin e Zhurit, projektin për hidrocentralet e vogla, si dhe projektet për energjinë e ripërtëritshme dhe efiçiencën e energjisë.

BERZh vlerëson Projektin “Kosova e Re” si një projekt shumë të rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin si dhe shprehë gatishmërinë e vazhdueshme për të përkrahur këtë projekt duke siguruar një pjesë të financimit për fituesin e projektit.

Lorik Haxhiu prezantoi statusin e tanishëm të procesit të përzgjedhjes së ofertuesit për projektin e Termocentralit "Kosova e Re".


Përfaqësuesit e BERZh-it gjithashtu kanë informuar delegacionin e Kosovës për dy fondacione rajonale të cilat do të përkrahin zhvillimin e projekteve për energji të ripërtëritshme dhe efiçiencën e energjisë.

Delegacioni i Kosovës po qëndron në Londër për Konferencën "Mines and Money" ku do të promovohen mundësitë minerare të Kosovës për kompanitë ndërkombëtare dhe institucionet financiare. /Telegrafi/