LAJMI I FUNDIT:

PTK konfirmon: Adnan Merovci drejtor menaxhues

PTK konfirmon: Adnan Merovci drejtor menaxhues

Adnan Merovoci, që nga dita e sotme zyrtarisht është drejtor menaxhues i kompanisë më profitabile në vend, Post Telekomit të Kosovës (PTK). “Bordi i Drejtorëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot pas shqyrtimit të listës së ngushtë të kandidatëve nga konkursi i kaluar, ka përzgjedhur, Adnan Merovcin për kryeshef ekzekutiv të PTK-së”.

Bazuar në njoftimin e PTK-së, këtë vendim Bordi e ka marrë duke u bazuar në ligjin për ndërmarrjet publike,të miratuar kohë më parë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës si dhe rregulloret e brendshme të Bordit të Drejtorëve.

“Mandati i kryeshefit të ri të PTK do të jetë konform ligjit në fuqi, dhe do të ushtroj detyra dhe përgjegjësit sipas përshkrimit të detyrave që janë dhënë. Bordi konsideron se kandidati i përzgjedhur nga lista e ngushtë i ka plotësuar kushtet ligjore dhe të eksperiencës të cilat garantojnë menaxhim efikas dhe efektiv të PTK ”.

Vendim i sotëm i Bordit të Drejtorëve për emërimin e kryeshefit ekzekutiv është bazuar në nevojën imediate për menaxhimin PTK pasi që me tepër se një vit kjo pozitë ka qenë vakante.


Në anën tjetër Zëvendës ministri i Transportit dhe Post Telekomunikacionit (MTPT), Adem Grabovci tha për “Telegraf”, se sa i përket përzgjedhjes së drejtorit menaxhues të PTK-së,kjo ministri ka bërë përpjekje ta lë të lirë Bordin të vendosë“.

“Ne nga Bordi i drejtorëve të PTK-së kemi kërkuar që ta shikoi bazën ligjore por jo edhe ti përzihemi në vendimmarrje”.

“Është e vërtetë që ka qenë një konkurs i hapur vitin e kaluar ku Bordi i kaluar e ka zgjedhur një listë të ngushtë me kandidatë dhe në mesin e tyre ka qenë edhe emri i Adnan Merovcit. Me siguri se Bordi ka marrë vendim në përputhje me ligjin në fuqi”.

Madje sipas Zv/ministrit Grabovci ka qenë edhe deklarata e ish shefit të Shtyllës së Katër të UNMIK-ut që Bordi i ri i drejtorëve të PTK-së duhet ta zgjedh njërin nga kandidatët e listës së ngushtë.

“Një konkurs i ri për drejtor menahxues të PTK-së do të merrte shumë kohë”. /Telegrafi/