LAJMI I FUNDIT:

Protokolli EULEX – Serbi një realitet i hidhur!

Ditë më parë në mediat tona u lansua lajmi për një marrëveshje protokollare të fshehur në mes të EULEX-it dhe shtetit serb, pa qenë në dijeni shteti kosovar. Kjo ngjalli reagime të ndryshme dhe debate në mediat tona, njëherësh tregoi një pasqyrim real që me sa duket nuk po e preokupon edhe aq ,,elitën politike”. Por, në anën tjetër shihej qartë elementi e asaj se të tjerët ende vendosin për ne, madje kjo ishte edhe revolta e lëvizjes “Vetëvendosje,, para disa dite, ku me këtë rast u arrestuan disa nga aktivistët e kësaj lëvizje si shkak i protestimit dhe dëmtimit të disa veturave të misionit të EULEX-it.

Të jesh sovran në kuptimin logjik do të thotë që udhëheqësia politike është ajo që vendos lidhje, marrëveshje, apo çdo lloj marrëveshje e cila është në interes të vendit dhe nuk bie ndesh me vlerat, normat dhe të drejtat e vet qytetarëve të atij shteti. Fenomeni EULEX, që në fillim kur hapi valvulet e tij të famshme në Kosovë, për herë të parë atëbotë kishte deklaruar se është këtu të ndihmon, apo thënë më mirë asiston organet vendore dhe se ,,Zot shtëpie,, janë vetë kosovarët. Por, si duket tani del e kundërta apo thënë më mire atë që e quan Fanon ,,Maskat e bardha lëkura e zezë” pra, një lloj aktori që luan dy role.


Kjo, marrëveshje ndoshta edhe marrëveshje tjera për të cilat nuk jemi në dijeni, dalin çdo ditë në shesh që bëhen pazarllëqe në emër të shtetit kosovar dhe kosovarët nuk dinë asgjë lidhur me këto marrëveshje. Justifikimi është tepër i thjesht, madje duke u arsyetuar se kjo marrëveshje ka të bëjë vetëm me nivelin e sigurisë dhe nuk paraqet ndonjë rrezik potencial. Mirëpo, zoti EULEX duhet të ketë të qartë se mandati i tij është vetëm t’i mbikëqyr organet vendore dhe të këshillon ato në praktikat e tyre e jo të nënshkruaj në emër të tyre. Por, si duket kjo nuk i preokupon këta të fundit, sepse realisht del se ,,Sovrani,, është dikush tjetër.

Ky mund të duket ndoshta si paradoks, por realiteti është tepër i hidhur, sepse në këto raste duhet të jetë vetë shteti sovran, ai i cili që bënë një marrëveshje të tillë, qoftë ajo në nivel sigurie apo marrëveshje të tjera të tilla që ka vetë shteti interes. Lidhur me këtë marrëveshje edhe shefi i policisë serbe Ivica Daçic ishte deklaruar për mediat serbe se “kjo marrëveshje është mu në interes të vetë shtetit serb”.

Pafuqia e institucioneve tona përkundër shumë premtimeve nga ana e bashkësisë ndërkombëtare tregon edhe njëherë se kur kemi të bëjmë me disa pika pak si më të ndjeshme për këto pyetet dikush tjetër, madje deklaratat e presidentit të Kosovës dhe kryeministrit pothuajse hasen në vesh të shurdhër. Andaj, shtrohet pyetja – cili është sovrani? A vendos Kosova për vetën e saj apo duhet që UNMIK-u, EULEX-i apo dikush tjetër të vendos? A mund të thuhet që kemi të bëjmë në këtë rast me demokraci?

Këto dhe shumë pyetje të tilla vërtet meritojnë një analizë të thellë sociologjike-politike. Ekzistojnë dy faktorë që duhet të kemi parasysh lidhur me këtë rast. Së pari, duhet të kemi të qartë se në rast të pranimit të këtij protokollimi të kësaj marrëveshje nga udhëheqësia e Kosovës, atëherë shumë lehtë mund të vije deri tek një mosvendosmëri e vetë udhëheqësisë tonë, madje drejt asaj që quhet sistem anarkie dhe një humbje e besimit të qytetarëve kosovar në institucionet vendore.

Dhe së dyti, në raste të tilla duhet të kemi parasysh edhe faktorin tjetër kognitiv – emocional të vetë qytetarëve të Kosovës, rasti i aktivistëve të “Vetëvendosjes” ishte një shembull tipik që gjërat lehtë mund të dalin nga kontrolli, por duhet të kemi parasysh edhe të drejtat e vetë qytetarëve lidhur me revoltën, protestimin ndaj elementeve të tilla në mënyrë paqësore, por ndonjëherë mund të vije deri tek humbja e kontrollit që gjërat shumë lehtë mund të marrin tëposhtëzën, dhe kjo mund të kushtoj më tepër.

Andaj, elita politike duhet të ketë një kulturë politike dhe një mobilizim drejt këtyre pikave të ndjeshme të cilat mund të dëmtojnë procesin nëpër të cilin po kalon Kosova dhe të arriturat e gjertanishme.

Cila është detyra e elitës politike kosovare?

Padyshim se shteti kosovar duhet shikuar mënyrën e një zgjidhjeje drejt kësaj çështje të ndjeshme, sepse gjërat ende nuk kanë marrë fund, elita politike duhet të jetë e vetëdijshme që në ato poste ka arritur falë votës së popullit, e vota e popullit në aspektin demokratik është diçka e shenjtë e cila nuk mund të krahasohet me asgjë.

Demokraci nuk do të thotë që shteti të qëndron duarkryq, e në këtë rast të mos ndërmarrë ndonjë iniciativë e cila do të shërbente për një zgjidhje drejt këtij problemi. Andaj, në këtë rast shteti kosovar duhet të përdor metoda demokratike, madje ato metoda që politologu i famshëm Joseph A. Schumpeter i quante ,,sisteme institucionale për vendimet politike,, që duhet ndërmarrë vetë elita politike. Sepse realisht vetë demokracia është sfidë për institucionet qeverisëse të çdo vendi, dhe ato (institucionet) duhet të japin llogari para vetë popullit lidhur me vendimet e tyre pavarësisht se në cilin stad janë, atëherë kemi të bëjmë me procesin e quajtur demokraci.

Projeksionet e vetë elitës politike duhet të jenë të tilla që të mos anashkalohen bashkëpunimet me bashkësinë ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë të arrihet një marrëveshje e cila do të respektonte sovranitetin e Kosovës, dhe në asnjë mënyrë të mos vendosen marrëveshje të tilla të cilat do t’i dëmtojnë interesat e vetë qytetarëve të Kosovës dhe do të krijohet një imazh negativ ndaj vetë misioneve të tilla si ai i EULEX-it, sepse hulumtimet e bëra më herët kanë dëshmuar kënaqësi bukur të mirë ndaj EULEX-it, andaj kjo marrëveshje mund të marrë një konotacion negativ drejt këtij misioni.

Shumë lehtë mund të irritohet ky mision, me faktin se kur janë në pyetje marrëdhëniet Kosovë – Serbi, gjërat janë më të ndjeshme dhe shumë shpejt mund të dalin nga kontrolli. Prandaj, do të ishte demokratike dhe pragmatike që institucionet kosovare të gjejnë një mekanizëm demokratik drejt një koncenzuesi me këtë mision lidhur me këto çështje, sepse Kosova është e aftë të arrin marrëveshje me shtetet fqinje dhe rekomandimet pozitive do të ishin të mirëseardhura me kusht që të tjerët mos të vendosin për Kosovën por, vetë Kosova të vendos për vetën e saj.

(Autori është master i Sociologjisë)