LAJMI I FUNDIT:

Protestat për festivalin “Mirëdita, dobar dan”, organizatori Kushtrim Koliqi flet nga Beogradi: Ky është rezultat i politikëbërjes në Serbi karshi Kosovës

Protestat për festivalin “Mirëdita, dobar dan”, organizatori Kushtrim Koliqi flet nga Beogradi: Ky është rezultat i politikëbërjes në Serbi karshi Kosovës

Ashtu siç edhe pritej, fesitvali “Mirëdita, dobar dan” në Beograd të Serbisë, as sivjet nuk ka gjetur qetësinë.

Festivali i cili zhvillohet prej vitit 2014 dhe prezanton publikun e Beogradit në skenën kulturore të Kosovës, si një kontribut kulturor i aspiratave të përgjithshme për vendosjen e paqes së përhershme dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, sivjet nuk u prit mirë nga grupet e djathta të politikës së Serbisë.

Organizatori dhe regjisori Kushtrim Koliqi, i cili sivjet përfaqëson Kosovën në “Mirëdita, dobar dan” me shfaqjen e tij “Unë jam vetë grua”, në një prononcim për Telegrafin, ka treguar se çfarë ka ndodhur në Beograd të enjten, kur u bë edhe hapja e festivalit.


Festivali “Mirëdita, dobar dan” pritet me protesta në Beograd, e quajnë ngjarje politike që promovon anëtarësimin e Kosovës në UNESCO
Lexo po ashtu Festivali “Mirëdita, dobar dan” pritet me protesta në Beograd, e quajnë ngjarje politike që promovon anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

“Festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’ prej fillimit është përshkruar me protesta kundër festivalit. Fatkeqësisht këto 3-4 vitet e fundit, protestat janë më agresive dhe më masive. Këto janë protesta që organizohen zakonisht prej grupeve, organizatave, asociacioneve të ndryshme nacionaliste të cilat nuk e pranojnë apo e kanë shumë të vështirë me i pranua realitetet e reja në Kosovë, njëkohësisht është shumë vështire me i pranua të bëmat e shtetit serb gjatë luftës në Kosovë. Këta në mënyre të vazhdueshme e kundërshtojnë festivalin, ndërsa arsyeja pse vitet e fundit janë më agresive është fakti sepse tentojnë ta ndalin festivalin, duke tentuar të hyjnë fshehurazi brenda, Megjithatë festivali gjatë gjithë kohës po ruhet nga policia. Edhe ne si ekip i Kosovës po ruhemi 24 orë nga policia, por megjithatë ata gjejnë mundësi për të depërtuar brenda. Çka duhet kuptuar është që unë së paku, ky është interpretim i imi: Ky është rezultat i politikëbërjes në Serbi karshi Kosovës edhe për këtë arsye, këta janë vetëm një produkti final ,i cili është i mbushur me dogma, me nacionalizma, edhe ata vetëm i realizojnë agjendat e politikëbërësve të Serbisë”, ka thënë Koliqi për Telegrafin.

Kushtrim Koliqi, organizator i festivalit “Mirëdita, dobar dan” (Foto: Kushtrim Koliqi/Instagram)

Në vazhdimësinë e bisedës, regjisori kosovar ka treguar edhe programin e sivjetmë të Kosovës, i cili përbëhet nga katër shfaqje dhe dy debate.

“Si çdo vit ne i kemi dy programe, është programi artistik dhe programi i debateve. Në programin artistik i kemi katër ngjarje: Shfaqja “Unë jam vet grua” ku unë jam regjisor dhe producent, qe u dha dje pas hapjes. Është ekspozita “Trashëgimia e kujtesës së Kosovës’ me autor Hekuran Krasniqin, në të njëjtën kohë nesër i kemi dy evente artistike, është promovimi i librit me përmbledhje tregimesh të Tristan Halilajt edhe do të përfundoje festivali me filmin e Lindita Zeqirajt, ‘Shpija e Agës’. Ndërsa në programin e debateve i kemi dy debate: debati që ka të bëjë me trashëgiminë e kujtesës në Kosovë edhe debati tjetër që ka të bëjë me drejtësinë racionale në Kosovë”, ka thënë tutje regjisori Kushtrim Koliqi.

Planprogrami i Kosovës sivjet në “Mirëdita, dobar dan”

I pyetur për sigurinë e ekipit të Kosovës në këtë festival, ai shpjegoi se nuk ka vend për t’u ndjerë “të kërcënuar”.

Mirëpo, siç rrëfen regjisori i shfaqjes “Unë jam, vetë grua”, kujtimi i së kaluarës së hidhur që Kosova e ka plagë nga Serbia, i bën pjesëmarrësit të ndjehen jo mirë, kur edhe pas kaq vitesh situata mes dy shteteve është kaq e tensionuar.

“Jo nuk mund të them që ndjehemi të pasigurt. Ndjesia nuk është e mirë, për shkak të memories që e kemi, për shkak të kaluarës që na ka ndodhë, konkretisht prej sistemit serb, mirëpo jo direkt. Ne ruhemi shume prej një numri të madh policësh, por ndjesia është jo pozitive, dhe si me thënë është edhe e dhimbshme, dhe ndoshta të shkakton ‘frikë’, jo pse doemos i frikohesh atyre, sepse ne në fund të fundit i konfontojmë me argumente, me prodhime tona e me aktivitete tona, mirëpo për shkak të të kaluarës së hidhur që e kemi, ajo kujtesa na kthehet edhe është a padiskutueshme që na shkakton ndjesi jo të mirë. Gjendja e qetë, kemi informata që edhe në evente tjera do të kemi protestues. Me përpara zakonisht protestat janë fokusuar në hapje edhe mbyllje. Ndërsa 3-4 vitet e fundit thuajse në çdo event i kemi ato grupe protestuese, të cilët bëjnë thirrje për ta ndalë festivalin”, thekson Koliqi për Telegrafin.

Pamje nga protestat në Beograd për shkak të festivalit “Mirëdita, dobar dan” (Foto: N1)

Tutje, regjisori Kushtrim Koliqi thotë se kulminacioni i hidhërimit të protestuesve të nxitur vjen në momentin kur mësojnë se programi i Kosovës në “Mirëdita, dobar dan” është i përbërë nga aktivitete të ndryshme që pasqyrojnë të bëmat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitet 1997-1999.

“Ata sidomos janë shumë të ndjeshëm kur ne kemi shfaqur aktivitete artistike që e trajtojnë luftën. Faktikisht kjo është edhe një prej misioneve të festivalit. Në Beograd i kemi sjell të gjithë filmat e mirë që e kanë trajtuar luftën, duke filluar nga: “Kolona”, “Shok”, “Tri dritare dhe një varje”, “Shpija e Agës” etj. Në të njëjtën kohë kemi promovuar librin e grave të dhunuara, kështu që ‘Mirëdita, dobar dan’ përveçse është një platformë që i promovon artistët, ai ka edhe një mision, që audiencës së Beogradit me iu dhënë një narrativë tjetër, një pasqyrim tjetër të asaj që ka kaluar Kosova dhe ky është një mision që unë për vete si regjisor jam i lumtur që e çoj përpara”, ka përfunduar regjisori Koliqi.

Kushtrim Koliqi, organizator i festivalit “Mirëdita, dobar dan” (Foto: Kushtrim Koliqi/Instagram)

Vizitorët e festivalit “Miurëdita, dobar dan” kanë mundësinë të mësojnë më shumë rreth skenës kulturore të Kosovës – teatër, film, muzikë dhe vepra arti vizuale. Përveç kësaj, pjesë e festivalit janë edhe debatet publike të cilat do të shqyrtojnë në mënyrë kritike marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës nga pikëpamja e trashëgimisë nga e kaluara, si dhe perspektiva për bashkëpunim në fushën e ekonomisë, tregtisë, arsimit, sportit, sektorit civil dhe të gjitha segmenteve të shoqërisë. /Telegrafi/