LAJMI I FUNDIT:

Prostitucioni – dukuri shqetësuese në përhapje!

Shprehur me zhargonin e popullarizuar figurativ -“zanati më i vjetër në botë” – prostitucioni, si një fenomen negativ i etikës kolektive të një shoqërie, me një ekspansion marramendës, po na shpaloset edhe në realitetin tonë të pasluftës kosovare. Mos është vallë kjo , në mesin e shumë të tjerave, edhe një flijim i yni i paevitueshëm moral, që në emër të lirisë dhe proceseve të pashmangshëm të integrimeve ndërkombëtare, edhe këtë patjetër si risk duhet ta paguajmë sot ne kosovarët?! Aspak nuk mund të konstatohet se gjatë etapave të ndryshme të emancipimit tonë si popull, fare nuk ka ekzistuar prostitucioni si fenomen, por kurrsesi ajo nuk ka qenë si karakteristikë aq e shprehur, saqë, fenomenologjia e paraqitjes së saj në rritje, të arrij shkallën e një brenge serioze shoqërore. Fatkeqësisht, kjo e vërtetë e pamohueshme neve si shoqëri po na ndodhë. Viteve të fundit edhe statistikat zyrtare të përhapjes së saj të shpejtuar janë alarmante edhe në Kosovën tonë.

Që ky të jetë një breng edhe më e madhe dhe më e dhembshme, përveç anës së saj kriminale, tërthorazi na paraqitet edhe si paralajmëruese e një krizë serioze morale që po e kalon shoqëria e jonë e re demokratike në dhetëvitshin e fundit të lirisë së saj. A nuk mund të merret si shqetësues fakti se sot gjatë ushtrimit të kësaj veprimtarie në Kosovë, si prostitute nuk paraqiten vetëm femra të importuara nga vendet tjera të regjionit, por është numri në rritje progresive i shqiptareve vendase, të cilat, në shumicën e rasteve, për t’u marr me këtë zanat, e kanë edhe bekimin e heshtur të familjarëve të tyre?


Çka është prostitucioni dhe si definohet ajo?

Prostitucioni është njëra prej formave të eksploatimit seksual të seksit të kundërt, ku trupi i femrës shndërrohet në send për shit-blerje. Pra, bëhet madh tregu. Me këtë veprim, seriozisht rrezikohet integriteti fizik dhe dinjiteti njerëzor, vlera këto, që sipas standardeve të legjislaturës bashkëkohore normative, konsiderohen si të drejta të pacenueshme individuale të njeriut. Praktikisht, prostitucioni është forma përmes së cilës mashkulli, për qëllime të kënaqjes së kërkesave të veta seksuale, në mënyrë komerciale, si dhe duke përdorur metoda tjera të ushtrimit të dhunës, realizon nevojën e qasjes së vetë në trupin e femrës. Pra, motivi i përmbushjes i kësaj dëshire epshore arrihet: ose përmes detyrimit me dhunë, pagesës me para të shërbimit, apo të dyjave së bashku.

Femrat si subjekte, pse mos të themi në këtë rast edhe si objekte të prostitucionit, zakonisht janë nga shtresat sociale të kategorive të ulëta shoqërore, gjegjësisht, janë ato viktima, që në rrethin e tyre ku punojnë dhe veprojnë kanë një ndikim më të vogël shoqëror. Të gjitha ato që zakonisht përfundojnë si prostitute janë nga shtresat më të vobekta. Shumica nuk kanë shtëpi ose në atë vend kanë qëndrim të përkohshëm dhe tretmanin e refugjates. Ato, pra, janë njëra prej kategorive sociale të gjinisë femërore, të cilat më së shumti diskriminohen në çdo shoqëri.

Edhe pse realisht, shoqëria i urren femrat që merren me prostitucion, ajo në mënyrë indirekte edhe vetë i prodhon ato. Prostitutat, zakonisht janë femra që pak kanë alternativa tjetër që ta ushqejnë, së pari veten, pastaj fëmijët dhe familjen e tyre në përgjithësi. Meqë, papunësia dhe lufta për ekzistencë janë shkaqet më themelor që i shtyjnë shumicën e femrave të merren me këtë profesion, zgjedhja e problemit të papunësisë së shprehur në një shoqëri, patjetër duhet të jetë prioritet i çdo elite politike në pushtet.

Pasi, prostitucioni si dukuri është shumë e përhapur në të gjitha shoqëritë kudo në botë, ajo fatkeqësisht edhe tentohet të konsiderohet si normale. Si arritje pa mund deri tek parat, kjo veprimtari është një biznes komercial tejet profitabile. Andaj, qendrat dhe punktet e ndryshme ku ajo ushtrohet legalisht dhe ilegalisht, zakonisht kontrollohen nga “bossët” dhe “makrotë” të qarqeve mafioz, të cilët, për të siguruar rregullisht numër të konsiderueshëm të femrave, nuk kursejnë kurrfarë metoda të veprimit: që nga gënjeshtrat dhe mashtrimet, e deri tek ushtrimi direkt i dhunës fizike. Si mënyra më e shprehur e regrutimit të femrave për ushtrimin e veprimtarisë së prostitucionit është premtimi gjoja se për një pasurim të shpejtë dhe një jete më e mirë.

Dallojmë dy mënyra të nxitjes së femrave për marrje me prostitucion: mënyra e vullnetshme dhe e dhunshme. Sikur cekëm më sipër, tanimë na është i njohur mënyra e dhunshme e nxitjes së femrave për tu marr me prostitucioni, ndërsa, tek shkaktarët e vullnetshme, më tepër dominojnë motivet materiale, e shumë më pak ato fiziologjike dhe psikologjike të nevojave të shfrenuara epshore tek femrat. Pa marrë parasysh se në çdo shoqëri të organizuar, prostitucioni sanksionohet me ligje të ashpra, nën pretekstin e respektimi të drejtës individuale të vullnetit të lirë, nën një mbikëqyrje më të rreptë institucional, në disa shtete dhe shoqëri, kjo veprimtari lejohet edhe legalisht.

Në vazhdim, do t’i paraqesim disa forma të lejueshme dhe të tolerueshme të biznes-seksit, në disa shtete të botës, e, që, tolerueshëm dhe heshtur kalojnë pa u përndjekur si krim edhe në Kosovë.

1. Tregtia seksuale me gra

Në shtetet e ekonomikisht të zhvilluara, përmes rrugës së letërkëmbimit të ndërsjellët, meshkujt e pasur, arrijnë që t’i blejnë femrat në rrugën legale. Deri para disa viteve, numri mi i madh i femrave përmes letërkëmbimit sigurohej nga Azia dhe Amerika Latine. Kurse, kohën e fundit, ky letërkëmbim dhe marrëveshje, bëhet me femrat nga ish shtetet socialiste të Evropës lindore. Në këto raste, mënyra e vënies së kontaktit të ndërsjellët, më tepër arrihet përmes shpalljeve të publikuara nëpër revista të ndryshme, ndërsa me përhapjen e rrjetit digjital të komunikimit global (INTERNETIT), këto kontakte realizohen përmes internetit. Me krijimin e një shtrese që shpejtë po pasurohet, kjo formë e arritjes me pagesë, apo interes, deri tek “mishi i bardhë”, kohën e fundit ka filluar të shfaqet edhe në Kosovë.

2. Prostitucioni në shtëpitë legale publike.

Ky lloj i prostitucionit është një formë e ushtrimit legal të kësaj veprimtarie, ku femrat që dëshirojnë të merren me këtë profesion, për këtë “marrëdhënie pune” paraqiten vullnetarisht dhe pa imponim. Kryhet në objekte dhe vende të caktuara që nënshtrohen kontrollit të rreptë institucional. Kjo formë e prostitucionit, është më e shprehur nëpër metropolet e mëdha botërore dhe qendrat e ndryshme të biznesit. Vendi apo objekti ku kryhet kjo veprimtari, mund të jetë si “bordel” klasik, apo lokal turistik hotelier, i cili, përveç ofertës turistike-hoteliere, për mysafirët e vetë që zakonisht vijnë nga vendet tjera, është i kombinuar edhe me këtë shërbim specifik.

3. Prostitucioni ushtarak

Kjo formë e prostitucionit është e shprehur në zona të ndryshme të konflikteve ndërkombëtare; më së shumti nëpër ato vende dhe regjione ku janë të përqendruara kontingjentet e mëdha të trupave ushtarake. Bëhet si shërbim me pagesë, për kënaqjen e epsheve ushtarëve të tyre, të cilët, gjatë shërbimit ushtarak, një kohë të gjatë kanë qëndrua jashtë familjeve të tyre. Shpesh nga disa komanda ushtarake të këtyre shteteve, në mënyrë të organizuar sillen grupe të përkohshme të prostitutave që do ta kryejnë këtë shërbim. Me ardhjen dhe stacionimin e trupave ushtarake të NATO-s në Kosovë, kjo formë e prostitucionit te ne është mjaftë e shprehur. Edhe pse jo ende legale, ajo në heshtje tolerohet nga institucionet tona.

4. Seks-turizmi.

Edhe seks-turizmi, ose përcjellja afariste, i takon njërës prej formave legale dhe të tolerueshme të marrjes me prostitucion. Edhe pse ka por ende nuk është zyrtarizuar në Kosovë, në shumë shtete të zhvilluara të botës, ekzistojnë agjenci të caktuara turistike që ofrojnë përcjellje dhe shoqëri të femrave për afaristët dhe vizitorët e ndryshëm turistik. Këtë lloj të prostitucionit, kohën e fundit, me të madhe po e shfrytëzojnë edhe qarqet shtetërore institucionale, në këtë formë, duke siguruar shoqëri femrash atraktive për miqtë e tyre të huaj politikan dhe diplomat.

Nëse me vëmendje i shikojmë këto forma tolerante apo të lejueshme të prostitucionit në shoqëritë e përparuara dhe moderne, do të vërejmë se të njëjtat, si në mënyra legale dhe gjysmë-legale, me të madhe janë prezentë edhe në Kosovë?!Dhe për fund, t’i kthehemi edhe një herë asaj pyetje shqetësuese nga fillimi, e cila, si duket, edhe më tej do të mbetet pa përgjigje adekuate: Vallë, a është kjo edhe një risk tjetër tejet i dhembshme që duhet ta paguajmë ne kosovarët për këtë liri dhe modernizim të pashmangshëm të shoqërisë tonë si vazhdimësi?!

Në trend

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

Lajme
Rebelohet një lojtar në zhveshtoren e Real Madridit, Ancelotti nuk mund ta menaxhojë më

Rebelohet një lojtar në zhveshtoren e Real Madridit, Ancelotti nuk mund ta menaxhojë më

La Liga
Rënia e një prej më të mirëve në botë – e larguan nga klubi në ditën e dasmës, tani stërvitet me amatorë

Rënia e një prej më të mirëve në botë – e larguan nga klubi në ditën e dasmës, tani stërvitet me amatorë

Ndërkombëtare
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Kalo në kategori