LAJMI I FUNDIT:

Promovohet libri që dëshmon shkatërrimin e trashëgimisë islame në Kosovë

Promovohet libri që dëshmon shkatërrimin e trashëgimisë islame në Kosovë

Java e Tolerancës dhe Pajtimit vazhdon me Promovimin e Librit të titulluar “Shkatërrimi i trashëgimisë islame në Luftën e Kosovës, 1998-1999”

Sot në Prishtinë u promovua libri i titulluar “Shkatërrimi i Trashëgimisë Islame në Luftën e Kosovës 1998-1999”.

Autor i këtij libri është Sabri Bajgora, Kryeimami i Kosovës, ndërsa është redaktuar nga Robert Elsie dhe Petrit Selimi.


Libri përmban fotografi shtesë dhe një parathënie nga Andras Riedlmayer nga Programi Aga Khan për Arkitekturë Islame i Universitet të Harvardit.

Publikimi është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe donatorët ndërkombëtarë të përfshirë përmes nismës Interfaith Kosova.

Gjatë promovimit, Bajgora tha: “Gatishmëria jonë për të jetuar së bashku, përkrahur nga nismat ndërfetare nga ana e Qeverisë, kanë kontribuar në rivendosjen e tolerancës për të cilën ne si kosovarë jemi shquar gjithmonë. Prandaj, unë dua të theksoj se qëllimi ynë nuk është që t’i ringjallim armiqësitë e vjetra. Ajo që ne synojmë është që t’u lëmë brezave të ardhshëm një dokumentim të detajuar për atë së çfarë ka ndodhur, me qëllim që të mos përsëritet më kurrë”.

Robert Elsie tha se ky projekt ka filluar realizimin dy vite më parë, në pranverë të vitit 2012, kur Petrit Selimi e kontaktoi dhe i kërkoi nëse do ta ndihmonte në përgatitjen e një katalogu për regjistrimin e dëmeve të tmerrshme që kanë pësuar monumentet kulturore islame në luftën e Kosovës të 1998-1999”.

“Unë e pranova këtë punë, sepse e ndjeva që kishte ende shumë për t’u bërë për të vetëdijesuar publikun ndërkombëtar për Kosovën dhe problemet e shumta që ka trashëguar nga e kaluara e zymtë”, tha ai. “Përderisa populli i Kosovës e di çfarë ka ndodhur në vendin e tyre në vitet 1998 dhe 1999, shkatërrimi i bërë ndaj trashëgimisë dhe arkitekturës islame ka mbetur kryesisht i panjohur në skenën ndërkombëtare”.

Libri “Shkatërrimi i Trashëgimisë Islame në Luftën e Kosovës 1998-1999” është promovuar në kuadër të “Javës së Tolerancës dhe Pajtimit” të këtij viti duke ofruar një platformë për komunitetet lokale dhe audiencën globale për të reflektuar për gjendjen e marrëdhënieve ndërfetare. /Telegrafi/