LAJMI I FUNDIT:

Privatizimi i KEK-ut, opozita do informata shtesë

Privatizimi i KEK-ut, opozita do informata shtesë

Anëtarët e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion u pajtuan në parim për privatizimin e shpërndarjes dhe furnizimit të KEK-ut. Por, përpara se të mbështesin vendimin e qeverisë për privatizimin e këtyre sektorëve, ata kërkuan informacione shtesë rreth arsyeshmërisë së tij.

Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion nuk e procedon në Kuvend vendimin e Qeverisë për privatizimin e shpërndarjes dhe furnizimit të KEK-ut.

Anëtarët e komisionit kritikuan ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shalën, i cili është përgjegjës për privatizimin e ndërmarrjeve publike, por që sipas tyre po e anashkalon punën e Komisionit të Kuvendit.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka- Pula tha se kompetencë e saj është procesi deri te privatizimi i KEK-ut, ndërkaq përgjegjës për privatizimin është Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala.


Megjithëse me Ligjin për ndërmarrjet publike përgjegjës për privatizimin e këtyre ndërmarrjeve është ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ai nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e komisionit përkatës parlamentar për të diskutuar rreth vendimit për privatizim të shpërndarjes dhe furnizimit të KEK-ut.

Ministrja e energjisë dhe minierave, Justina Shiroka-Pula, kërkoi ndjesë për mungesën e ministrit Shala dhe sqaroi para anëtarëve të komisionit përgjegjësitë e saj.

Et’hem Çeku, nga AAK-ja, tha se komisioni nuk mund të diskutojë dhe as të marrë vendim pa pasur një analizë rreth kësaj çështjeje.

Berim Ramosaj, nga LDD-ja tha se më parë duhet të sqarohet se a është fjala për termocentralin Kosova C apo “Kosova e re”, dhe se a ka arsyeshmëri privatizimi i sektorëve në projektin ekzistues. Ramosaj tha se përpara privatizimit duhet të përfundojë procesi i koorporatizimit të kësaj ndërmarrjeje.

Fatmir Rexhepi nga LDK-ja kërkoi që me politikë të privatizimit të ndërmarrjeve publike të ruhet një interes shtetëror. Kurse Haki Shatri nga LDK-ja tha se krejt çfarë kërkojnë nga qeveria është që të japë më shumë informacione rreth vendimit për privatizim.

Kryetarja e Komisionit, Myzejene Selmani, tha se ministri nuk duhet ta anashkalojë komisionin:

Sherri plasi kur anëtarja e komisionit nga PDK-ja, Sala Berisha-Shala, kritikoi komisionin për zhurmën që bënte, ndonëse ristrukturimi i KEK-ut nuk fillon tani.

Anëtarët në fund njëzëri kërkuan nga qeveria informacione të hollësishme rreth vendimit të qeverisë të datës 2 tetor, rreth privatizimit të sektorit të shpërndarjes dhe furnizimit të KEK-ut, që të mundet më pas të marrë vendim për procedimin e kësaj çështjeje në Kuvend./RTK/