LAJMI I FUNDIT:

Pritet të arrihet marrëveshja për Kosovën e Re

Pritet të arrihet marrëveshja për Kosovën e Re

Zyrtarë të Qeverisë kanë deklaruar se në pjesën e parë të nëntorit në kryeqytetin amerikan, në Washington, përfundimisht do të vendoset lidhur me ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.

Kandidate për të marrë këtë projekt madhor për të ardhmen energjike të Kosovës është identifikuar kompania gjigante operuese e energjisë elektrike me seli në New York, Contour Global.  Financuesit kryesorë të këtij termocentrali të pritur gjatë supozohet të jenë Banka Botërore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Kostoja e ndërtimit parashihet të arrij deri në 1.6 miliard dollarë me një kapacitet prodhues prej 600 megavatësh.

Financimi do të bëhet në formë të huadhënies. Administrata amerikane ka mbështetur huadhënien nga Banka Botërore për vendet e varfra dhe në këtë kategori sociale është edhe Kosova. Dy vjet më parë Banka Botërore njoftoi se do të ndalë dhënien e huas për projekte të reja energjetike nga thëngjilli, përjashtuar rastet kur nuk ekzistojnë alternativa të tjera dhe mundësi financiare. Në rastin e Kosovës, Banka Botërore duket se ka bërë përjashtim duke garantuar ngritjen e termocentralit të ri për shkak të situatës emergjente të energjisë.  Po qe se arrihet marrëveshja, atëherë dy të tretat investuese do të vijnë nga kreditë për të cilat Banka Botërore është e gatshme të japë garancitë e veta të pjesshme.


Edhe administrata amerikane gjatë këtyre viteve ka pasur qëndrime të ndryshme: një që dekurajonte zhvillimet energjetike që kanë burim thëngjillin, mirëpo në rastin e Kosovës ka mbështetur projektin “Kosova e Re,” që arsyetohet me mospasjen e alternativës tjetër për energji dhe nevojën e madhe për te.  Mirëpo në Washington ka pakënaqësi rreth vonesës së vendimit dhe nisjes së realizimit të këtij projekti kyq për zhvillim, rritje ekonomike dhe investime potenciale në Kosovë.

Përfaqësues të kompanisë CountorGlobal kanë deklaruar se po qe se fitojnë projektin gjatë fazës së ndërtimit të Kosovës së Re do të krijohen rreth 10,000 vende pune ndërkaq me fillimin e prodhimit, do të mbeten 500 vende të përhershme pune. Nëse vendimi për Kosovën e Re merret gjatë vitit 2015, termoelektrana mund të fillojë prodhimin në vitin 2021. /RTK/