LAJMI I FUNDIT:

Prishja e besës, apo miti i flijimit të gruas

Prishja e besës, apo miti i flijimit të gruas

– Ese mbi dramën: Beselam pse më flijojnë, të Rexhep Qosjws –

Nga: Haqif Mulliqi

Drama e Rexhep Qosjës, Beselam pse më flijojnë është e shndërruar në një sintezë të sprovave reale ekzistenciale dhe të prceptimeve metafizike të mistereve, përmes pasqyrimit të vdekjes nëpër martirume, siç i quan profesor Islami aktet e flijimit mistik kundër profecive dramatike. Bile, në këtë vepër të vëzhgimeve mitike, Rexhep Qosja ka një prirje mjaft interesante e që ka të bëjë me përpjekjen për demitizimin. Autori merret me aspektet profane të jetës duke analizuar dikotomitë dhe kundërthëniet që burojnë nga realiteti objektiv dhe subjektiv i marrëdhënieve ndërmjet individëve, apo edhe të individëve me të tjerët. Fusha mjaft e gjerë e boshtit tematik, motivor, ideoestetik e filozofik e dramës Beselam pse më flijojnë, është fushë e cila, ndonjëherë, del nga rrafshi i lëvizjeve qendrore. Në këtë nivel, drama paraqitet si mister i rrënimit, ndërsa ne, tërë subjektin e veprës mund ta kuptojmë si një fabul të vullnetit të arsyeshëm moral, në pajtim me filozofinë e jetës dhe vdekjes, me aktin e flijimit në mes. Tek Beselam pse më flijojnë kuptojmë sakaq se miti, faktikisht, vjen pas ritualit dhe është i lidhur me të. Se miti është pjesa folëse e ritualit, gjegjësisht, ngjarja që zhvillohet gjatë ritualit?


“Rituali ekzekutohet për shoqërinë nga një plak pagan për ta parandaluar rrezikun, për të sjellë suksesin; ai është një “agendum”, një nevojë e përhershme dhe e vazhdueshme, ashtu sikundër janë të korrat dhe riprodhimi i fisit, sikundër është përgatitja e të rinjve për jetën në shoqëri e përgatitja për jetën e pashmangshme të përtejvarrit. Por, në një kuptim më të gjerë, miti, zakonisht, merr kuptimin e një rrëfimi anonim për origjinën dhe fatin: shoqëria u shpjegon të rinjve se nga lindi kjo botë dhe për ku vemi ne, dhe me figura mësimdhënëse vizaton tablonë e botës dhe fatin e njeriut.”[1]

Tragjedia greke ka shpërfaqur pamjen e një kozmosi të përbërë, ku pjesa e vogël e më e parëndësishmja e tij ishte pikërisht bota njerëzore. Ai kozmos qe i banuar, pakuptueshëm ndonjëherë, me një numër të konsiderueshëm fuqish të mëdha e madje-madje të mbinatyrshme (të personifikuara si perëndi të larta dhe perëndi të ulëta)[2], të cilat i drejtojnë gjërat e kësajbotshme së andejmi, pra edhe jetët e njerëzve. Mirëpo, për mitologjinë greke është e rëndësishme të thuhet se ajo nuk është marrë vetëm, dhe jo gjithmonë me fuqitë e asajanëshme e të mbinatyrshme, por edhe me praninë e tyre të madhe e shumë të fuqishme në jetën e njerëzve. E, në kuadër të kësaj, mund të thuhet se tema kryesore e mitit grek, tema e vërtetë e tij, ishte vetë njeriu dhe jeta e tij në atë kozmos të komplikuar. Në këtë kuptim është karakteristike të thuhet se, në gjithë tragjeditë antike vetëm Prometheu i mbërthyer[3] i Eskilit ndodh në botën e zotave. Prometheu i mbërthyer është vepër që i takon periudhës së fundit të krijimtarisë së Eskilit. Ajo është pjesë e trilogjisë Prometheu (Prometheu i mbërthyer, Prometheu i çliruar dhe Prometheu zjarrësjellës). Në këtë tragjedi nuk bëhet fjalë për një ndeshje midis dy grupe njerëzish, por për një ndeshje hyjnish për fatin e racës njerëzore, që popullon planetin. Pra, këtu kemi të bëjmë me flijimin e Prometheut për interes të njerëzimit.

Nëse këtu do t’i referohemi ndërlidhjes ndërmjet fatit të Prometheut të Eskilit dhe atij të Hanës nga Beselam pse më flijojnë, të R. Qosjës gjithsesi do të përfundopjmë tek një mit i përngjajshëm dhe unik, e ai është miti i flijimit. Kështu ta themi, Prometheu me vëllanë e tij, Epimeteun arrijnë, rastësisht në krahinën greke të një krahinë ku nisin të krijojnë firgura prej argjile. Dhe, Athena, perëndesha e urtësisë dhe e guximit, vendos t’ua dhurojë jetë atyre figurave. T’u japë shpirtë. Kështu që, figurat e Prometheut u shbndërruan npë njerëz, ndërsa ato të Epimeteut në kafshë.

Nga ana tjetër zeuri kërkonte nga njerëzit që t’i dërgojnë sakrificën, që t’i dëshmonin se janë të bindur karshi vullnetit të tij. Prometheu e flijon demin e madh dhe atë e ndanë në dy pjesë. Në të parën e vë mishin të cilin e mbulon me barkun e demit, ndërsa në të dytën eshtrat që i ka mbuluar me dhjamin. Atëherë Prometheu e thërret Zeusin që të bëjë përzgjedhjen. Ndërsa Zeusi e kupton mashtrimin ndaj dhe përcaktohet për grumbullin e eshtrave, vetëm që të krijoj shkasin që t’u hakmerret njerëzve. Mirëpo ekziston edhe një version i mitit, sipas të cilit Zeusi nuk e kupton fare mashtrimin dhe për këtë arsye e përzgjedh grumbullin e eshtrave. Ndaj dhe, që nga kjo kohë rrjedh edhe tradita e flijimit të eshtrave, me ç’rast njerëzit ia lënë vetes mishin. Me këtë rast Zeusi, i hidhëruar pehlim, ia ndalon vëllai që t’i iluminojë njerëzit. Ndërsa Athena, tejkalon urdhërin dhe vullnetin e Zeusit, ndaj dhe vendos ta udhëzoj Prometheun që ai ta bëjë edukimin e njerëzve, meqë mund ta bënte këtë. Dhe, kjo është arsyeja se përse Zeusi ua ndalon njerëzve zjarrin.

Nga ana tjetër, Epitemeu ua jepë, të gjitha kafshëve vetitë e mira. Por, kur në eradhë vjen njeriu, më nuk ekziston asnjë veçori e mirë. Duke pasur parasyshë se Prometheu mendon se njeriu është shumë më superiore karshi kafshëve dhe se edhe ata janë aftë që ta posedojnë ndonjë dhunti të cilën nuk e ka pasur asnjë kafshë. Prometheu i vështron krijesat e tija se si ngurtësohen, si ngrijnë, ndaj dhe vendos t’ua japë zjarrin. Kështu ky, tinëzisht e merr zjarrin nga perënditë dhe ua sjell njerëzve në shkopin e tij. Ndërsa ajo që është dhënë nga perënditë, më ëas Zeusi nuk ka mundur ta kthejë. Për këtë arsye njerëzimit i ngelë zjarri, porse Zeusi mbytet në tërbimin e tij ndaj dhe vendosë që ta dënojë Promertheun dhe krijesën e tij njerëzimin.

Kështu, te kjo vepër dramatike del se tema kryesore e tragjedisë është flijimi, gjegjësisht, vetëflijimi për qëllime të mëdha si dhe stoicizmi përballë psikotorturës së pushtetit, fuqise, natyrës dhe fatit për të mbrojtur ideale madhore si ato të Prometheut. Ndërsa motivi kryesor i veprës është njeridashja e Prometheut dhe lidhja e tij e ngushtë me njerëzimin. Kjo lidhje përforcohet nga fakti që një bir njeriu ka për ta çliruar atë nga prangat. Kjo njeridashje e shpie Prometheun në një konflikt të papajtueshëm me Zeusin. Ai është i ndërgjegjshëm për mëkatin që ka bërë ndaj perëndive në dobi të njerëzve, por edhe për ndëshkimin që merr. Ai e pranon sakrificën dhe është i vendosur ta provojë deri në fund.

Prometheu është boshti i kësaj tragjedie, një ndër figurat më të çmueshme në tërë historinë e dramës. Duke qenë simbol i rebelimit e i martirit të përjetshëm, është gjithaq simbol i përparimit, i gjenisë së punës, i qytetërimit e i mendimit të lirë krijues; është në radhë të parë sfiduesi i perëndive, i pamposhturi dhe martiri mijëvjeçar. Prometheu ishte titan, racë e perëndive të vjetër që kishin mbretëruar para Zeusit dhe Olimpikëve. Ai ishte i bekuar me talentin e profetizimit nga nëna e tij e quajtur Temis, hyjneshë e vjetër e tokës. Ai është i zgjuar, i mprehtë e kreativ, po ashtu një qenie e dhimbshme që merr anën e njerëzve të pambrojtur përballë pashpirtësise së Zeusit. Ai ka funksion të shumëfisht: është zoti i vërtetë (sepse krijoi njerezimin), mbrojtës i njerëzimit, metaforikisht është burimi i gjenisë dhe përndriçimit të mendjes njerëzore, vuajtësi i përkryer dhe hartuesi i një bote më të përparuar[4].

Edhe vetë Vullkani tmerrohet nga ajo që shikon, duke treguar në një anë dhemshurinë që shfaq ndaj Prometheut. Le të mos harrojmë asnjëherë se nëse dikush do duhej të ishtë shumë i frustruar ndaj këtij të fundit, ai do duhej të ishte Vullkani, meqë bëhej fjalë për stolinë e tij, zjarrin. Autori i veprës me të vërtetë na paraqet ketu një kolazh të natyrës së trishtueshme e cila me të vertetë është e karakterit të ndëshkimit. Bile, mund të konstatohet se pikërisht te kjo vepër kemi të bëjmë me të vetmen tragjedi nga antikiteti, ku Zeusi paraqitet si personazh negativ. Zeusi, jo vetëm demaskohet nga Prometheu si tiran i egër, por jepet tërë rruga e ardhjes së tij në pushtet: rrugë krimesh e dhune, vetëm njëri prej te cilëve, rrëzimi i babait te tij, Kronit, ashtu siç kish bërë ky i fundit me babanë e tij, Uranin, do të mjaftonte t’i veje fisit te tij emblemën e atvrasjes për pushtet. Zeusi në këtë tragjedi personifikon të keqen, pushtetin dhe fuqinë. Këtë e mësojmë edhe nga dialogimi në vazhdim:

VULKANI: Zot i farkatarisë. Personazh i dhembshur me një luftë të brendshme tejet të madhe. I detyruar të kryej një detyrë të rëndë (lidhjen e mikut të vet) mundohet të kryej misionin por të mos e lëndoj mikun e tij, Prometheun.

PUSHTETI:  Personazh demoniak, armë e fortë e Zeusit. Ai simbolizon fuqinë dhe forcën brutale, si dhe metodat e tiranisë. Pushteti jo vetem se e kryen detyrën e tij me përpikëri, por edhe e tepron duke ndjerë kënaqësi dhe duke u pajtuar fort me dënimin e Prometheut.

KORI:  Përbëhet prej Nymfeve Oqeanide, bijave të Oqeanit. Janë hyjnesha të bukura të cilat vijnë për ta mbeshtetur Prometheun. Ato disa herë shprehin nje lloj dualizmi duke marë herë herë edhe anën e Merkurit për ta bindur Prometheun të heq dorë nga kokëfortësia, por prapë se prapë i qëndrojnë besnike Prometheut edhe atëherë kur vihet në rezik jeta e tyre.

OQEANI:  Nje nga perenditë e vjetra të Olimpit, kushëri e mik me Prometheun. Ai po ashtu vjen për ta ngushëlluar Prometheun dhe kërkon leje që të ndërmjetësojë për pajtim mes tij dhe Zeusit, por nuk ia arrin dot qëllimit andaj edhe heq dorë.

IOJA:  Bashkëshortja e kaluar dhe e ardhshme e Zeusit. Bashkëvuajtëse me Prometheun. Një personazh shumë tragjik për të mos thënë me tragjik se edhe vet Prometheu. Nga xhelozia e Herës, Ioja u shndërrua në nje lopë, e dënuar që të barëse kohë të pafund nëpër skaje të ndryshme të botës.

MERKURI:  Po ashtu një tjetër sejmen i Zeusit, i cili kryen me përpikëri detyrën e tij prej lajmëtari, shërbetori, kërkuesi e kasneci. Perëndi i tregtisë e i hajnisë[5].

Ndërsa në takimin e kryeheroit të kësaj tragjedie, Prometheut me Ionë, të përzgjedhurën e Zeusit për martesën e ardhshme, skenë kjo që na vjen në aktin e katërt, mësojmë për atë se si Ioja përballet me vështirësitë e saj, duke bredhur rreth e rrotull, meqenëse Hera, gruaja e Zeusit kishte dëgjuar për këtë relatë, ndaj dhe ia vështirëson jetën tej mase. Është ky akti kur bëhet zbulimi i profecisë ndaj Zeusit nga ana e Prometheut, duke u munduar gjithnjë t’ia zbusë asaj vuajtjen, por edhe duke i treguar se ky do të jetë elementi kyç për rënien nga pushteti të Zeusit. Mendojmë se pikërisht këtu edhe arrihet kulminacioni i veprës:

PROMETHEU:
Po edhe Zeusi ndonëse kryelartë,
Do bjer’ i përulur; sepse kjo martesë
Që mendon të bëjë, ka për ta rrëzuar
Si nga fron’i tija, si dhe nga fuqia.
E në këtë rasë pikë e për pikë
Do të vërtetohet ay mallkim
Që mi lëshovi at’ i tij Saturni,
Kur nga fron’i vjetër ra dhe u rëzua.
Nga të gjithë hyjet unë vetëm di
T’i thom këthjellët si ay do mundë
Të largoj prej vetes gjithë këtë mjerim.
I di që të gjitha e përveç kësaj di edhe se qysh.

Ky pra i goditur prej kësaj së keqes,
Ka për të mësuar se ka një ndryshim
Midis sundimtarit që sundon mi tjetrin
Dhe atij që është shërbëtor i tij[6].

Eskili, në veprën e tij, e posaçërisht te Prometheu i mbërthyer bënë apel për një lloj drejtësie gjithëpërfshirëse[7]. Lufta për drejtësi lidhë shumicën e veprave të mbetura të Eskilit. Kadare, ndër të tjera, thotë se e gjithë vepra e Eskilit është, veç të tjerash, një kambanë kushtrimi për t`i paralajmëruar njerëzit se çdo shkelje e “e së drejtës” do të kërkoj shpagimin e saj. Kjo është një drejtësi ideale që përputhet, në parim, me demokracinë e asaj periudhe, që, nga kjo perspektivë për shumë studiues, konsiderohet të ketë qenë në një stad të lartë të zhvillimit. Doemos këtu nuk mund ta lëmë anash as aspektin tjetër, që ka një rol të veçantë për ta ndriçuar sa më mirë figurën e Prometheut. Dhe kjo ka të bëjë me ndjenjën e fuqishme të tij për t’u sakrifikuar në favor të gjithë njerëzimit, pra me vendosmërinë e tij për flijim, për të arritur qëllimin e madh e sublim për të mirën e përgjithshme, një ideal të caktuar për të cilin duhet të sakrifikohen qoftë njerëzit ashtu edhe perënditë. Sepse, brenda strukturës së të menduarit pozitiv të këtij personazhi, e që na e mëson vetë Eskili, të gjithë duhet të sakrifikojnë diçka sot për të nesërmen. Pra, që ta sakrifikojnë personalen, atë vetanaken dhe më personalen për të mirën e përgjithshme, pikërisht ashtu siç bën Prometheu, duke lënë anash të gjitha atributet që gëzon në Olimp. Dhe kjo vetëm e vetëm për të krijuar një botë më të mirë. Andaj mund tëf. themi se Eskili, përmes kësaj vepre kishte për synim që të krijonte një model, duke e sjellë atë tek njerëzit e rëndomtë (të vdekshëm) e përmes saj të përcillte një apel të fortë për sakrificë e vetëmohim në të mirë të gjithë njerëzimit. Prometheu e vuan këtë dënim me qëllimin e vetëm mbrojtjen, ruajtjen dhe zhvillimin e qenieve njerëzore, paçka se nuk ishte njëri ndër ta. Dhe për këtë ideal e pëson rëndë[8].

Urat si simbol të lëvizjes së papenguar të njerëzve, apo edhe si formë e globalizimit të botës

Në këtë rrafsh edhe tema kryesore e dramës Beselam pse më flijojnë, ka të bëjë me mitin e flijimit. Në rastin konkret, të flijimit të gruas së njërit prej tre vëllëzërve, e cila quhet Hana. Bile, mund të konsiderojmë se në këtë vepër, R. Qosja, në një mënyrë të fuqishme, sikur ironizon me kalatë dhe kështjellat si simbole të mbylljes dhe të izolimit, duke kërkuar ndërtimin e urave si metafora të afrimit dhe të komunikimit të njerëzve, apo analizuar edhe me fjalorin e sotëm, urat si simbol të lëvizjes së papenguar të njerëzve, apo edhe si formë e globalizimit të botës, pa pasur nevojë që të kemi kufinj në mes njerëzve dhe kulturave. Ndaj dhe, ura tek Beselam pse më flijojnë vjenë si një metaforë e shpresës dhe mundësisë për ta përmbysur izolimin apo edhe vet-izolimin e njerëzve, brenda një vendi, apo edhe brenda një kombi të vetëm. Dhe, për ta thyer këtë izolim, i cili vjen si shkak-pasojë e rrënimit të urës nga ustallarët, flijohet Hana.

Kështu Beselam pse më flijojnë është mundësi për komunikim. Është lidhja mes njerëzve, mes popujve, si nevojë që nuk është zhbërë asnjëherë gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Dhe, paçka se motivet janë të dallueshme, megjithatë, Hana, sikundër edhe Prometheu, duhet të flijohet në emër të së ardhmes. Në emër të progresit; me ç’rast Qosja, në vend të kështjellës, në themelet e së cilës duhet flijuar dikë, motivet e dramës së tij i ndërton, gjithashtu në bazë të legjendave që kanë në zanafillën e tyre flijimin e gruas së re në themelet e urës. Kjo është nevojë e tija.Sepse ura, në këtë dramë, simbolizon, mbi të gjitha lidhjen me botën, apo, po e shikuam në kontekstin kohorë të periudhës kur është shkruar kjo dramë, edhe të lidhjes së shkëputur të Kosovës me Shqipërinë; ndërkohë që kulla, në kontekstin e kësaj rrethan më shumë do të përrfaqësonte idenë e ngujimit, qoftë të Shqipërisë apo edhe tp Kosovës. Për dallim nga flijimi në themelet e Kalasë së Rozafatit, ku kjo ndërtesë nuk shembet pas murosjes së gruas, megjithatë, tek drama e Qosjës, edhe pas flijimit të gruas, ura, megjithatë sjhembet, gjë që na shpie të besojmë që autori çështjen e izolimit e kupton si mallkim të njerëzve

Kur e sjell bukën Hana, ajo e kupton se diçka nuk është në rregull. E hutuar, e trembur dhe e trishtuar madje, ajo e merr vesh lajmin se do të murooset asaj dite.

HANA:
“Ku më doni?
Ç’doni të bëni me mua?
Nuk kam faj, betohem.
Kujt do t’ia lë djalin?
Kush do ta lajë dhe kush do ta mëkpjë?
Tamblin e kujt do ta pijë?
Kush do ta veshë e kush do ta mbathë?
Këngë djepi kush do t’i këndojë?
Vetëm një nënë mund të kete,
nënë tjetër nuk do mund të gjejë.
Kur të rritet çka do t’i thonë?
Se nënën e tij e kanë mbuluar me gurë!

Dy ushtarët e tërheqin përpara.

Si të vdes e pa burrë!
Pa e gëzuar e pa e martuar!
Pa ia pa nusen dhe pa ia përkundur fëmijët!

Dy ushtarët e shtyjnë përpara.

Nuk ju vjen mëkat prej meje!
Pse s’iu vjen mëkat prej birit tim!
A jeni njerëz? A keni zemër? A keni fëmijë?

Dy ushtarët e shtyjnë akoma përpara.

A nuk mund të preni një kurban!
Dy ushtarët e shtyjnë me hov përpara.

A s’ka kush që mendon ndryshe!

Këtu miti i mursosjes së gruas shkon larg deri në Greqinë e lashtë, ngase, sikundër e kuptuam nga miti mbi Prometheun, Zeusi, që atëherë, që nga “joja që i bëhet me demin e madh si fli, kishte vendosur që kafshët të mos flijoheshin më për të. Ai kishte vendosur që t’i ndëshkonte njerëzit, ndaj dhe miti u bart me kulturat e popujve të ndryshëm si kërkesë e padiskutueshme e flijimit të njerëzve në themele të ngrehinave të ndryshme. Në rastin konkret të gruas, me ç’rast nisë, që bashkë me kulturat e ndryshme, në veçanti në Ballkan[9], të jetojë, nëpër shekuj miti i murosjes së gruas. Ndaj dhe për këtë arsye, antropologu Mark Tirta konstaton se – një nga krijimet më interesante e me subjekt mitik më të lashtë është-balada e murimit, baladë kjo e cila, në thelb të saj ja të bëjë me flijimin e njeriut në ndërtimin e kështjellave, të urave, të kishave. Balada e murimit të një gruaje në një ndërtim, sipas këtij autori, gjendet në tërë trojet shqiptare, në variante të ndryshme, në ndërtime objektesh të caktuara, rrënojat e të cilave janë në këmbë akoma dhe sot[10]:

“Balada me këtë temë”, thekson antropologu Tirta, “kemi për kalanë e Valdanuzit (afër Ulqinit), për atë të Shkodrës, për atë të Drishtit, të Prevezës (Çamëri), për Urën e Fshajt (pranë Gjakovës), për Urën e Skiles, për atë të Qystendilit (në Maqedoni), për atë të Artës (Çamëri), për ndërtimin e një kishe të vjetër në Lin (Pogradec). Po legjenda për sakrificë njeriu (një grua) ka në ndërtimin e Kalasë së Turrës (bregdeti i Kavajës), për Kalanë e Elbasanit, në atë të Vlorës (ndoshta; Kalaja e Kaninës), në Urën e Drashovicës (të vjetrën), në Urën e Bratajt (Labëri), në Dardhë e në Sinicë të Korçës për një urë e për një kala.”[11]

Në baladën shqiptare, strukturën dramatike të të cilës e gjejmë edhe tek drama e Rexhep Qosjës, Beselam pse më flijojnë, ashtu si dhe në baladat tjera ballkanase, kryetragjikje vjen nusja e vëllait të vogël e që është figura më e punuar edhe këngës duke qenë se është një grua punëtorë, e palodhshme, e shkathtë, por, mbi të gjitha edhe nënë e një fëmije të vogë që garanton instikt të fuquishëm amnor. Fundi tragjik i saj (Qosja në dramë e quan Hanë) si një grua e re, por edhe nënë e një foshnjeje. nuk do mend se lidhet edhe me besimin pagan, sipas të cilit edhe tani rrjedh qumësht nga gjiri i kësaj nëne të re të murosur. Natyrisht, aty është ujë gëlqeror që rrjedh nga pjesët më të ulëta të kështjellës, apo të urës. Pra ujë nga depozitat e shiut, konstaton studiuesi Tirta, për çfarë, në bazë të këtyre besimeve dhe bestytnive, gratë që nuk kanë qumësht gjiri për fëmijët, shkojnë e marrin nga ky ujë dhe lagin gjijtë që “t’u vijë qumështi”, bazuar në besimet popullore[12].

Beselam pse më flijojnë apo tabloidi i ferrit

Nga ana tjetër, edhepse analogjia nuk është krejtësisht identike, gjatë analize të kësaj vepre të rexhep Qosjës, ia vlen që të merret parasysh edhe miti biblik mbi Abrahamin[13] të cilit Perëndia i kërkon ta sakrifikojë të birin e tij të vetëm, për t’ia vënë në provë besimin e tij ndaj të Madhërishmit.

Është ai moment kur Isaku i flet të atit të vet duke i thënë:

ISAKU: Ati im!

ABRAHAMI: Ja ku jam birë Abrahamit.

ISAKU: Ku është qëngji dhe sakrifica?[14]

Ndërsa Abrahami gjegjet se vetë Perëndia do t’ia sigurojë qengjin për ta sakrifikuar. Ndërkohë që Abrahami e zgjatë dorën dhe e merr thikën për ta therrë të birtin, ndërkohë që, engjëlli i Zotit e thërret nga qielli duke i kërkuar Abrahamit që të mos e zgjatë dorën dhe të mos e lëndojë djalit ndonjë të keqe[15].

Tregimi i Abrahamirt që ta flijojë të birin, vetëm e vetëm që ta dëshmojë adhurimin e tij ndaj Zotit, është vendimi më i vështirë, më sfidues por edhe më madhështor që mund ta merr dikush në një rast si ky, ndaj dhe, në bazë të mësimeve biblike, në çastin e fundit kur ai nuk ka asnjë lloj mëdyshjeje për ta bërë këtë flijim, Perëndia ia dërgon qëngjin, dhe këtu gjithçka shndërrohet në rit i cili edhe sot e kësaj dite zë vend në traditën e hebrenjve dhe të muslimanëve.

Ta themi, prerja e kurbanit tek myslimanët është një lloj simbolike për ta ndarë me tjetrin një të mirë që ti e posedon. Po ashtu kur dikush ndërton themel të shtëpisë, brenda kësaj filozofie dhe këtij rituali, therret nj kafshë, me ë’rast, themelet e godinës spërkaten me gjak, me besimin bestyt se ai objekt do të jetë i mnrojtur nga bestytnitë dhe do të mbijetojë.

Në rrafshin konkret të krahasimeve, Abrahami, tregon gatishmërinë e tij për ta flijuar Isakun për të dëshmuar adhurimin e devotshëm të tij ndaj Perëndisë, por ama, Beselami është disi oportun, ngase ky nuk është i gatshëm – as ta kundërshtojë e as ta pranojë sakrificën e gruas së tij, Hanës, qoftë edhe për interes të ndërtimit të urës të cilën ai dhe vëllçëzërit e tij nuk ia dalin në asnjë mënyrë ta ngrejnë. Beselami na vjen si një burracakt që heshtë, duke mos dëshmuar vullnet, guxim e as zotësi që ta pengoj këtë akt të rëndë, paçka se e di fare mirë, brenda vetes së tij, se një veprim i tillë nuk është i drejtë, meqë nuk ka forcë as guxim që t’i kundërvihet mitit.

Pra, Beselami i Qosjës nuk na vjen si ndonjë engjëll si ai që ia tërheq vërejtjen Abrahamit që të mos e dëmtojë të birin. Ky është i padenjë dhe nuk lëshon asnjë zë për ta mbrojtur Hanën as atëherë kyr ajo i drejtohet atij dhe vetëm atij me pyetjen e trishtë dhe të dhëmbshme:

Beselam, pse më flijojnë?
Beselam, pse më flijojnë?
Beselam, pse më flijojnë?[16]

Për të pëshpëritur si një burracak i padenjë, atëherë kur më asgjë nuk mund të ndryshohej, pa mundur ta ngre kokën prej zhburrërimit për të para para vetes me përplot zhgënjim:

BESELAMI:
Beselam, pse më flijojnë?
E unë as luajta vebndit!
Tani duhet të jetoj
dhe ndërtimit të urës t’i gëzohem![17]

Mirëpo, nga e tëra kjo mund të mësojmë se, nuk do të thotë që, vetëm të vrasësh është tragjike, ngase nuk është tragjike, ta zëmë që, në luftë një ushtar ta vrasë një tjetër, e as armiku ta vras armikun, por, siç e vë në pah edhe Aristoteli, është tragjedi kur vëllai e vret vëllain, djali të jëmën (siç është rasti kur Oresti vret nënën e vetë Klitemestrën) dhe kështu me radhë. Atëherë, kjo gjë është shumë tragjike dhe anjëri prej nesh nuk është i përgatiturpsikikisht për diçka të tillë. Por, nuk domend, edhe siç na vjen tek drama e Qosjës, është po aq tragjike edhe murosja e Hanës nga i shoqi i saj heshtak, Beselami, si dhe ëllëzërit e tij të pabesë dhe farefisi (anipse ata vetëm zbatojnë urdhërin që jepet nga më të lartit – Haruni) për t’u varrosur gjallë në urë. S’do mend se kjo është diçka shumë e vështirë dhe tronditëse për ta përjetuar, dhe këtu nuk ekziston vetëm njëra ana, pra ajo e viktimës, por që të dyja anët e një ngjarjheje, ngase, është e qartë seedhe ai që mbetet gjallë s’do ta gjejë prehjen as në këtë e as në jetën e përtejme. Kjo ndodh, ta themi tek Orestia kurkryepersonazhi, pra Oresti çmendet pas vrasjes së nënës së vetë, ndaj dhe, në këtë rrafsh, qëllimi kryesor të cilin e thekson edhe vetë Aristoteli ishte dhe mbetet ajo që arsyeja që i serviret spekatatorit në teatër për t’u përballur me diëka të tillë, para së gjithash ka të bëjë me vetdijësimin e tij, që diçka e tillë të mos i ndodh dhe mos t’i përseritet. Ndaj dhe besojmë se edhe R. Qosja e kishte po këtë synim tek drama e tij Beselam pse më flijojnë, e cila ka qëllim që të shpie lexuesin dhe shikuesin deri në katarsis duke u përpjekur që kështu ta lirojë nga ky demon mitik. Dhe, ja si e sjell këtë autori përmes fjalëve të Beselamit, të thuash në fund të dramës:

BESELAMI:
Beselam, pse më flijojnë?
E Beselami të ka flijuar
që të jesh e shenjtë,
e shenjtë për së vdekuri,
ashtu siç ishe për së gjalli,
shenjtorja ime e kotë!
Të kam flijuar,
që të dalim në dritë,
por driten s’e ke pritur,
nuk e di kush do ta presë,
shënjtorja ime e kotë!”[18]

Nga kjo del edhe ajo se drama Beselam pse më flijojnë e Rexhep Qosjës mund të lexohet edhe si një tabloid ferri, pra një alegori që, në një mënyrë a tjetrën paraqet ferrin jetësor brenda një rendi totalitar në të cilin, të thuash akëcili mund të jetë viktimë dhe viktimizues, në të njëjtën kohë, anipse, sipas Dabnte Aligerit, gjykimi nuk është i njëjtë për të gjithë. Janë të nëntë rrathët e ferrit dhe këtu varet ajo se të çfarë shkalle janë mëkatet e njeriut, në bazë të të cilës e “meritojmë” rrethin e caktuar.

Po sipas Dantes qielli është atdheu i vërtetë i njerëzve, ndërsa toka vend i mërgimit të përkohshëm e ferri vend i mërgimit të amshueshëm. Kështu, Beselami, sado që në fund përëiqet që të marrë tiparet e heroit kryengritës dhe ta gjykojë realitetin ekzistues, megjithkëtë, në esencë eshtë tragjik. Ai edhe mund të ketë diku vizione optimiste për të ardhmen e vetë, por, gjithsesi është viktimë e fatit të vetë të keq.

Mbi fajin tragjik të Beselamit

Sikundër te Sfinga e gjallë, edhe tek Beselam pse më flijojnë kemi të bëjmë me fajin tragjik të personazhit. Tek tragjedia greke konsiderohej se – kur heroi ndodhet në kundërshti të plotë me atë që ndodhë përreth tij, si dhe kur idetë e tija janë në kundërshtim të plotë me atë që ndodhë, atëherë kemi të bejmë me fajin tragjik[19]. Kjo, ngase, ai kështu e merr nëpër këmbë traditen e mituizuar dhe normat e kultet e rregullimit autoritar i cili i posedon armët e vetapër ta dezintegruar vetë personalitetin e njeriut. Në këtë vepër e kemi Beselamin, i cili është personazhi kryesor apo heroi i veprës i cili tek në fund e thotë atë që mendon dhe që ndjenë, e ajo është se ai, nuk pajtohet me atë që konsiderohet mit apo edhe traditë. Ai, tek atëherë shpërfaq nj lloj mospajtueshmërie dhe revoltë duke u rebeluar kundër kodeve, kundër ligjeve dogmatike, duke mos i pranuar madje as lutjet të cilat nuk i kupton. Beselami e ka formën e vetë të lutjeve. Ai, ç’është ee vërteta, nuk beson në profecinë mbi atë se, poqëse muroset gruaja ura do të qëndrojë, meqë këtë e ka thënë Haruni. Bile, beselami edhe bënë ca përpjekje për t’u ngritur kundër së keqes, kundër errësirës dhe gjërave djallëzore, duke e sjellë kështu, përmes këtij personazhi lirinë e personalitetit të njeriut i cili mund të mendojë me kokën e vetë.

Megjithkëtë, Beselami nuk e posedon fuqinë e duhur e cila atë do ta shndërronte në hero, atë fuqi e cila do ta cytte të veprojë në harmoni me idetë e tija. Ai nuk e ka as guximin e as forcën e duhur që t’i kundërvihet dogmës, t’i kundërvihet ritit, krahas kësaj pra, as aparatit represiv të pushtetit. Dhe, kështu, në vend që të luftojë për ta mbrojtur të shoqen e vetë të cilën, nuk ka dyshim se e dashuron marrëzisht, ai lutet që ajo të mos vijë për ta sjellë ushqimin e ustallarëve si rëndom.

BESELAMI:
… Por, nusja do të sakrifikohet!
Se pa zgjuar mëshirën
nuk mund të bëhet asgjë!
Ashtu është thënë lart
E ashtu bëhet poshtë!
Çdo ditë vjen,
mund të vijë edhe sot.
Atje ku ka më shumë dashuri,
atje edhe dhëmbja është më e madhe.
Atje ku ka më shumë dashuri,
atje edhe fatkeqësia është më afër.
Do të vijë që ta sakrifikojmë:
dhe mos ta shoh kurr më!
Do të vij që ta sakrifikojmë:
dhe mos ta dëgjoj kurrë më!
Do tp vijë që ta sakrifikojmë:
dhe mos ta puthë kurrë më!
Le t’i bie perdja në sy,
le t’i mbushet zemra hidhërim,
le t’i mbushet mendja dyshim,
le t’i rëndohen këmbët si malet –
vetëm mos të vijë sot.

Heshtje e gjatë. Vjen Hana.

Predimensionimi i mitit dhe krijimi i një legjende

Beselam, pse më flijojnë, pra, është dramë e cila finalizohet me sakrificën e njeriut për një objekt tejet të thjeshtë në kohën moderne (urën). Dhe pikërisht absurdi kryesor lind këtu. Kjo dramë e Qosjës ka në qendër të saj shi flijimin dhe sakrificën, ndërsa, sikundër dihet kjo legjendë, në rastin e Rozafatit predimensionohet. Flijimi i gruas (nuses më të vogël të familjes) këtu ndodhë për të ndërtuar themelet e kalasë, të madhe, të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse, ndërsa tek Beselam pse më flijojnë ndërtohet ura. Dhe kjo urë arrin të ndërtohet, porse me flijim, duke u sakrifikuar një grua e pa fajshme, që bëhet kurban pa dëshirë, madje për një urë e cila në fund shembet.

Subjekti i dramës është si vijon: sundimtari i një qyteti, Haruni, u premton qytetarëve se do të ndërtohet ura. Ndërsa orakulli, Molosi, parashikon shenja të këqija. Prifti, Ixhlili, këmbëngul që qytetarët të mos reshtin duke u lutur. Por, për çudinë e të gjithëve, përveç Molosit, ndërtimi i urës nuk përparon. Përkundrazi, dikush apo edhe diçka, përnatë, pamëshirshëm e rrënon gjithë atë që kanë ndërtuar ustallarët e urës gjatë ditës. Për këtë flijohet nusja e Beselamit, Hana, por, edhe përkundër kësaj sakrifice, megjithatë ura rishtazi rrënohet. Kjo ndodh kështu, derisa në fund zgjidhet enigma e ndërtimit të saj: prania e Iblisit – si shpërfytyrim i satanait, demonit, djallit a lugatit, por që ka fytyrë dhe trup njeriu[20]. Këtë të fundit, pra Iblisin, e zbulon Beselami dhe e vret. Mirëpo, siç thotë kritiku Musa Ramadani, Iblisi nuk do të ishte Iblis sikur të ishte vetëm një dhe sikur të zhdukej vetëm me një thikë.[21] Ndërsa, Monumi, njëri prej personazheve me peshë në dramë, diku në pjesën e parë të saj, ndër të tjerat shprehet se si besimtar që është i frikësohet lanetit.

MONUMI:
Nuk e di nga vjen e keqja:
As shoh, as dëgjoj gjë.
Nuk mund të luftoj kundër asgjësë.
Fjalimi yt do të sjell sqarime[22]!

Në grupin e Monumit, të Molosit e të Beselamit dalin në pah skicuesit e brishtë të konstruksionit të ardhmërisë së atij vendi. Këto janë personazhe tek të cilët vihet re një lloj guximi për t’u përballur, e edhe për t’u rrokur në ballafaqim me problemet e shoqërisë, por edhe pengesat e ndërtimit të urës. Në këtë rrafsh shquhet veçanërisht Monumi. Përkundër trimërisë dhe vullnetit të madh që ka, ai nuk ia del të zhbirojë deri tek misteret jetësore me të cilat përballet ajo shoqëri. Gjithashtu as Molosi, i cili ka prirje defetiste, ndaj dhe nuk beson se ata mund t’i realizojnë synimet që kanë, ndonëse ka aftësi për ta identifikuar të keqen dhe për ta kundërshtuar atë.[23]

MOLOSI:
Shkaku: që të mos ndërtohet ura,
Se te ne nuk ka burra.
Koha: ndërmjet gjelave të parë dhe të dytë,
Kur s’është moti i butë.
Drejtimi: derisa janë katër anë
Është vështirë të thuhet nga e cila
Për arsye se e keqja ka shumë kopila.
Qëllimi: që të dëshpërohen qytetarët,
Që të ndërrojnë mendjen ustallarët,
që të përmbyset, ndoshta, pushteti
Dhe të rrëzohet, ndoshta, mbreti.
Mënyra: me dorë të vetë e më parë të tjetërkujt
Se ashtu qytetarët hutohen si buejt[24].

Beselami shndërrohet në personifikim të një personazhi me përplot fatalitet i cili, me vetëdijen që ka, me vullnetin për të mos ndenjur pa vepruar, me shpirtin e trazuar dhe rebel që e trazon si dhe heroizmin sizifian, ai, megjithatë, nuk ia del që t’i shmanget fatit tragjik dhe të ikë nga pesha e pësimit. Dhe kjo jo për fajin e tij, por për fajin e shoqërisë që i përket e që është jofunksionale, ndonjëherë edhe amorfe. Rebelimi, ndjenja për t’u hakmarrë si dhe pësimi i Beselamit, vëllait më të vogël nga të tre ustallarët, sublimojnë nebuloza e mistifikime kolektive të marrëdhënieve reale si reflekse të vetëdijes mitike, të besëtytnive, të religjionit dhe idolatrisë dhe frikës nga nata, të cilat krijojnë gjendje me shumë enigma.[25]

Ndërkaq, shikuar nga aspekti i kërkesave edhe ligjeve që shtrojnë drama dhe skena, në përgjithësi Beselam pse më flijojnë e Rexhep Qosjës është e shkruar për të qenë një dramë-ide, që, e mbështetur tek një legjendë e moçme shqiptare, atë mbi murosjen e gruas në Urën e Fshenjtë, inicion, shtron, intrigon motivin e flijimit. Në fund, sipas këtij kritiku, flijimi vetë del i kotë dhe i përngjet mitit që u zu në gojë më lartë, pra Mitit të Sizifit.[26]

Mu kjo qasje e këtij autori, i jep mundësinë që dramaturgjikisht lënda të mos shtjellohet sipas parimeve të dramaturgjisë klasike, me ç’rast, edhe pse shkalla e simbolizmit në vepër (gjegjësisht transformimi simbolik i realitetit) është e madhe, brenda vetes përmban gjithsesi, siç do të shprehej Samuel Taylor Coleridge [27] në veprën e tij të njohur Biographia Literaria (1. 81. 7): “… realitetin i cili e bënë të kuptueshëm, madje në atë mënyrë që t’i detyrojnë ca objekte konkrete që të jenë të domethënshme, madje me një domethënshmëri shumë më të madhe se sa rëndom mund ta kenë”. Në rastin konkret, Rexhep Qosja, jo vetëm tek kjo dramë, pra tek Beselam pse më flijojnë, por edhe tek dy dramat e tij të tjera: Sfinga e gjallë dhe Vdekja e një mbretëreshe, aplikon diçka që është shumë e afërt me përcaktimet psikologjike të Jungut të cilat, faktikisht, shquhen për atë që posedojnë, pra një lloj të jolinearitetit dramaturgjik, ndaj dhe pikërisht kjo mund të jetë arsyeja se përse kësaj drame i mungon ajo që njihet si konflikti qenësor midis personazheve kryesore. Dhe sikurse merret me mend, mungesa e këtij konflikti qenësor pamundëson ne një masë të caktuar bartjen e ideve të ndryshme në vepër, rrjedhimisht kundërthëniet të cilat do ta dinamizonin jo pak atë (domethënë konfliktin), gjë që s’do të ishte pa ndikim edhe në dramaticitetin e veprimit të ngjarjes.

Megjithatë, edhe përkundër kësaj, Qosja nuk e lë pa dhënë në mbështetje këtij miti fakturën diktatoriale të pushtetit e të pushtetmbajtësve. Drama ndjek variantin e vet letrar sepse edhe sot mitet kanë mbetur mite, kurse jeta sikur mbështillet ende nën vorbullën e saj. Beselam pse më flijojnë rrjedh përmes një rrëfimi mitik, linjë e cila përfillet vazhdimisht si qasje e preferuar e autorit, me ravijëzime konceptuale, veprime këto që kanë bërë që drama të mos derivojë jashtë ngjarjeve dramatike. Këtë konstatim mund ta vërejmë edhe tek parathënia e librit Mite të zhveshura, e që është përmbledhje e tri dramave të R. Qosjës ku, me ç’rast, studiuesi i letërsisë Dr. Bajram Krasniqi, në parathënie të librit, vë re se si R. Qosja ka mundur të shkrijë në një sintezë të vetme të shkuarën dhe tradicionalen me modernen dhe vështrimet tek e ardhmja. Ngjet kështu, nënvizon Bajram Krasniqit, me qenë se të tri dramat e R. Qosjës përfaqësonin një lloj avangarde reale të dramës shqipe (sigurisht për kohën kur janë shkruar, botuar apo edhe inskenuar – vr. e H. M.), në kuptimin e aplikimit të një mendësie dhe koncepti të ri për shfrytëzimin e rrëfimeve dhe parabolave mitike, në kuptimin e kontestimit të klisheve, skemave dhe konvencioneve të ngrira të dramës së realizmit socialist në përgjithësi, në kuptimin e një gjuhe të re që kërkonte dhe gjente forma artistike dramatike, duke futur në përmbajtjen e hershme të miteve një qasje filozofike, etike, estetike dhe artistike moderne[28]. Sipas këtij studiuesi, synimi i Qosjës ishte që, përmes veprave dramatike, mbi të gjitha të ndikonte në çlirimin nga vetëdijet e prapambetur, nga trajtat e ngurtësuara, nga obskurantizmi, ekzotizmi dhe anakronizmi i tejkaluar e dëmprurës për progresin social dhe shpirtëror të kombit shqiptar[29]. Sjellja e një kuptimi të ri ideofilozofike nga shfrytëzimi i mitologemave shqiptare, sikurse rizgjimet artistike që vijnë prej lëndës mitike së bashku me sintezat e eksperiencave humane, sociale e nacionale që përshfaqen aty, ka bërë që lexuesi të pikasë qëllimet e autorit në ndriçimin e ndërgjegjes kombëtare për një kuptim dhe qëndrim të ri ndaj vetes dhe historisë së tij, brenda një qarku të nënkuptuar kohor e hapësinor[30].

Dramën Beselam pse më flijojnë të Qosjës, sikundër edhe dramën Sfinga e gjallë në thellësinë e saj e përshkon një dozë e fuqishmerefuzimi si dhe një dozë po aq e fuqishme skepticizmi, që, përveç tjerash kushtëzohet edhe nga vetë qëndrimi i autorit ndaj traditës, historisë dhe mitologjisë sonë. Dhe, pikërisht këtu vjen në shprehje edhe dëshira e këtij autori që t’i përmbys ato, t’i demaskojë, t’i zhvesh, apo, thënë më trup – t’i demitizojë ato para publikut. E, në gjithë këtë, mund të thuhet se ekziston edhe një qëllim tjetër i autorit, e ai është: para se ta zhvesh një mit, një gojdhënë, një baladë apo edhe nj legjendë të ardhur deri në bashkëkohësinë e tij, apo bashkëkohësinë tonë nga lashtësia, gjithësesi të vë edhe korespodenca kuptimore dhe relacione me kontekstet e kohës që e jeton autori, pra, bashkëkohhësinë e vetë e kështu, të zhvillojë dialogë me të.

Shi për këtë, mu tek ky rrafsh mund të kërkojmë dhe t’i gjejmë vlerat më të mëdha dhe më të qëndrueshme të dramës Besalam pse më flijojnë, e që nënkupton aktualizimin e temave “të moçme” të cilat “shpluhërosen” përmes një gjuhe të re dhe të fuqishme alegorike e cila ndërtohet me plotë simbole dhe kuptimësi moderne. Thjeshtë, këtu autori ia del që ta bëjë trajtimin e problemeve bashkëohore përmes vendosjes së tyre brenda vorbullës së mitit të lashtë.

Ky qëndrim, në veçanti është mbajtur tek drama Beselam pse më flijojnë, ku, përmes një legjende shumë të lashtë dhe gjithashtu shumë të përhapur, të murosjes së gruas, legjendë kjo e cila ka jertuar dhe vazhdon të jetojë edhe brenda folklorit, edhe brenda kulturës, por edhe të letërsisë sonë, të krijopjë kontekste bashkëkohore të cilat e tejkalojnë, në rrafshin interpretativ, edhe periudhën kohore në të cuilën është shkruar vepra. Ndërsa, një moment tjetër, këtu, që e gjejmë tek drama Beselam pse më flijojnë e Rexhep Qosjës, është ai që ka të bëjë me “gjenezën” e mitit, gjegjësisht me kalimin që ndeshim këtu nga balada e flijimit tek miti i urave, që vjen përmes ndërtimit të mundimshëm dhe të rrënimit të mistershëm, e që do të thotë: në demitizimin e saj.

Sinteza e sprovave reale ekzistenciale dhe perceptimeve metafizike të mitit

Një “aritmetikë” e tillë ka bërë që te drama e këqyrur më lartë, por edhe në dramat e tjera të R. Qosjës, prej materies mitologjike është rivlerësuar fuqia sintetizuese e përvojave etnike që shprehet përmes saj, fuqi e cila kundrohet prej autorit në tri rrafshe: edhe si filozofi jetësore ekzistenciale, edhe si energji psikike e akumuluar nëpër rrjedhën e shekujve, edhe si apel për proceset bashkëkohore. Në të tre këta rrafshe dramat e R. Qosjës sjellin relieve tronditëse me praninë e fenomeneve të të madhërishmes, të tragjikes, të sublimes, të epikes, por edhe të satirikes e të sarkastikes, ku shfaqet një forcë e atillë shprehëse dhe një impakt i tillë me lexuesin, sa që rrallë mund të vërehet në dramën shqipe. Ndërsa, në kornizën e një legjende të njohur, siç është ajo e murosjes së gruas, vihet re intenca që të tejkalohet paraqitja njështresore e problemeve të kohës, në favor të krijimit të një teksti dramaturgjik me elemente të dukshme mediative – sentenciale për ta shtrirë në planin e synuar të metatekstit të veprës. Dhe kjo na bënë të gjykojmë se edhe për këtë autor, motivet e rëndësishme janë figura ose tablo rrëfimi apo tregimi shoqëror, i mbinatyrshëm (ose i panatyrshëm dhe irracional), arketipi apo universali, paraqitja simbolike e idealeve të përjetshme përmes ngjarjeve të kushtëzuara nga një kohë konkrete, programatikja apo edhe eskatalogjikja, mistikja, etj. Ndërsa, në mendimin e sotëm, prirja ndaj një miti apo tjetrit mund të përqendrohet gjithandej, duke u përhapur në mitet e tjera.[31]

Si rrjedhojë e kësaj, edhe drama e Qosjës Beselam pse më flijojnë është shndërruar në një sintezë të sprovave reale ekzistenciale dhe të perceptimeve metafizike të mistereve, përmes pasqyrimit të vdekjes nëpër martirume, siç i quan profesor Islami aktet e flijimit mistik kundër profecive dramatike. Bile, në këtë vepër të vëzhgimeve mitike, Rexhep Qosja ka një prirje mjaft interesante e që ka të bëjë me përpjekjen e asaj që ai e promovoi si përpjekje për demitizim. Autori në dramë merret me aspektet profane të jetës duke analizuar dikotomitë dhe kundërthëniet që burojnë nga realiteti objektiv dhe subjektiv i marrëdhënieve ndërmjet individëve, apo edhe të individëve me të tjerët. Ndërsa, fusha mjaft e gjerë e boshtit tematik, motivor dhe ideoestetik dhe filozofik të dramës së tij Beselam pse më flijojnë, është fushë e cila, ndonjëherë del nga rrafshi i lëvizjeve qendrore. Në këtë nivel, kjo dramë paraqitet si një mister i rrënimit, ndërsa ne, tërë subjektin e saj mund ta kuptojmë si një fabul të vullnetit të arsyeshëm moral, në pajtim me filozofinë e jetës dhe vdekjes, me aktin e flijimit në mes. Ndërsa, tek Beselam pse më flijojnë kuptojmë edhe atë që miti, faktikisht, vjen pas ritualit dhe është i lidhur me të. Se, miti është pjesa folëse e ritualit, gjegjësisht, ngjarja që zhvillohet gjatë ritualit.

Pra, kjo do të thotë se mesazhet e një vepre siç është kjo e Qosjës, arrijnë tek publiku duke e shtuar intensitetin emocional, por jo edhe ritmin dhe tempin e shfaqjes. Këtë të fundit e ngadalëson drita mjaft e mangët, si përmes efekteve të pamjaftueshme të ndriçimit, të cilat do të duhej ta lokalizonin veprimin, ashtu edhe përmes elementeve sugjestive të projektuesit.

Drama Beselam pse më flijojnë, siç thotë edhe studiuesi Besim Rexhaj në librin e tij Tipat e dramës së sotme shqipe në Kosovë 1950-1990[32] ka brenda vetes një gamë të gjerë semantike të boshtit të saj tematik, motivor dhe ideofilozofike, fushë kjo e cila, ndonjëherë, sikur del nga rrafshi i lëvizjeve qendrore por edhe nga rrafshi i lëvizjeve dhe veprimeve kuptimisht e stilistikisht pasuruese që, ndryshe e dobëson pjesën e tërësisë:

“Fusha e këtillë, e gjerë pra”, thotë Rexhaj, “sendërtohet në koordinata të këtilla kuptimore e artistike, ngaqë, midis të tjerash, në qendër ka vënë ritualin, veprimin e risemntizuar ritualesk, i cili, në formën e rrathëve koncentrik, pasurohet në lëvizjet modifikuese të realitetit edhe ashtu të pasur të tij (të ritualit).[33]

Dramaturgu Rexhep Qosja e realizon qasjen e tij karshi realitetit, atë qasje që, po u shprehëm me gjuhën e kategorive estetike, quhet poesis[34] krijim, krijim i pastër, sado jo në kuptimin demiurgial. Në rastin që po shqyrtojmë “poesisi” funksionon si një mekanizëm i shthurjes së marrëdhënieve racionale karshi botës si dhe afirmim i fuqisë në kuptimin e fatit të profetizuar. Ndaj dhe, hove-hove, na krijohet përshtypja se, pikërisht këtu, nihilizmi shkakton një kthesë në të vrojtuarit e gjërave, por jo thjeshtë si përfillje apo mospërfillje e ngjarjes së murosjes së Hanës në themelet e urës, por më shumë si një ballafaqim i një bote kur njerëzit janë të rrethuar dhe të pleksur nga një profeci që i bindë ata se, megjithatë, nuk ekziston një dritë absolute në jetën e kësajbotshme, një mirësi, një mendje, nga fakti se neve na nevojitet diçka e tillë dhe absolute:

HANA:
Pse nuk bënë atë që ke ndërmend?
Më e dua vdekjen prej duarve tua
Se sa jetën pa ty.

Ndalet dhe i shikon dy ustallarët e tjerë, që shikojnë
të tronditur prej fjalëve që dëgjojnë.

Jetën fjalët mund ta turbullojnë!
Pse heshtin ata?

BESELAMI:
Vdekjen tënde ata s’e dëshirojnë,
Por i gëzohen jetës së vet.

HANA:
Ma thuaj edhe një fjalë:
Pse duhet të vdes?
Ta di dhe të vdes më lehtë.
Tre vjet bashkë kemi kaluar,
Më japin të drejtë të kërkoj aq prej teje.

BESELAMI:
Do të vdesësh që të jetojnë ata!
Që të jetojnë:
Kush e meriton e kush s’e meriton
Agun e ditës së nesërme,
Vesën e kthjellët në lule,
Diellin që do zgjojë bimët,
Gëzimin që do ta sjell ura,
Që do të bëhet nesër a pasnesër,
Që do të behet se pa të s’jetohet.

HANA:
Të vdes për ty nuk e kam vështirë,
Vetëm ta di se po vdes me nder.[35]

Në rastin konkret, tek drama Beselam pse më flijojnë e Rexhep Qosjës, realisht ndodh, sikundër edhe tek autorët tjerë, shqiptarë apo të huaj, që kanë trajtuar tema të tilla apo edhe të ngjashme mitologjike, me apo pa dashje autori ka futur poetikën dramatike në fushën e antropologjisë. Kjo prani, pra poetika dramaturgjike në kontekste antropologjike, fillimisht u paralajmërua nga Fridrih Niçe, por u sendërtua tek punimet e Bachelardit[36] apo edhe të Bataillesë[37] duke vazhduar pandashëm edhe tek poststrukturalizmi[38].

Nga ana e tij, Qosja poetikën e tmerrit tek drama Beselam pse më flijojnë e prezanton përmes jetës të një çasti historik në qytetin-shtet, me një qytetërim relativisht të zhvilluar dhe me antagonizma të mëdha që gati-gati janë kushtëzuesit kryesor të pikës së kthesave të mëdha që ndodhin në dramë.

Mitet si përpjekje për të dhënë sqarime mbi sprovat ekzistenciale

Trajtimi i një subjekti të këtillë, të marrë nga një legjendë e moçme, siç e bëri Rexhep Qosja tek drama Beselam pse më flijojnë, por edhe tek dy dramat tjera të librit Mite të zhveshura, pra edhe te Sfinga e gjallë dhe Vdekja e një mbretëreshe, në teori të dramës quhet ndjesia tragjike e botës. Teoricienët që merren me hulumtimin e miteve kanë bërë përpjekje të pareshtura që të dëshmojnë se ekzistojnë lloje të ndryshme të miteve. Në këtë aspekt ata ekzaminojnë një lloj tipologjie dhe klasifikimi të tyre duke shquar edhe funksionin që kanë. Shi për këtë, sipas disa teoricienëve mitet mund të ndahen në dy grupe: i pari – në mite natyrore dhe, i dyti, në mite shoqërore.

Mitet natyrore janë ato mite përmes të cilave njerëzit janë përpjekur që të japin sqarime të caktuara në lidhje me dukuritë natyrore, ndërkohë që mitet shoqërore sqarojnë dukuritë shoqërore. Ndaj dhe mitet ndahen në:

a) mite teogonike, që kanë për qëllim te sqarojnë aspektin hyjnor të krimit të botës;

b) mitet kosmogonike, të cilat mëtojnë të japin përgjigje si dhe ta sqarojnë atë se si duhet të jetojë bota;

c) mitet antropologjike, që flasin për lindjen dhe zhvillimin e njeriut;

d) mitet eshatolnike, të cilat merren me çështjet e projeksioneve futuristike si dhe fundit e njeriut dhe botës;

Ndërsa, sipas një klasifikimi, mitet mund të ndahen në:

– mite rrëfimtare, që, funksionin kryesor e kanë që të argëtojnë;

– mitet aperative, që japin këshilla praktike mbi jetën; dhe,

  – mitet eksplantorike, që kanë për qëllim që të japin sqarime,    por edhe të interpretojnë diçka.

Por nuk janë të pakët as ata teoricienë që përpiqen të dëshmojnë dallimet ndërmjet miteve politike dhe atyre religjioze. Ndërkohë që, mund të thuhet se, karakteristikë e miteve religjioze është se ato janë apokaliptike, pra të eshalogizuar dhe se për ta e mbinatyrshmja është primare, se substanca e tyre themelore dhe përmbajtja kanë të bëjnë me Zotin dhe njeriun. Ndryshe nga mitet religjioze, miteve politike nuk u përket roli dhe rëndësia e të mbinatyrshmes, ngase këta nuk e hiperstrofizojnë rolin dhe rëndësinë e epiteteve të andejshme. Për përmbajtje të veten ato kanë pikërisht njeriun. Bëhet e qartë pra se gjatë shthurjes së dramës Beselam pse më flijojnë ndodhë edhe një proces tjetër, që e quajmë demistifikim. Kjo ndodh atëherë kur dështojnë tentimet e pushtetit për ta futur lutjen e huaj në faltoren e vendit. Kur nuk mund të mposhtet ndjenja e sakrifikimit fisnik më anë të forcës së pushtetit. Madje as atëherë kur nuk mund të bëhet tjetërsimi i prijësve të qytetit dhe, siç thotë profesor Islami, veglat e personifikuara në personazhet e Harunit, Inxhilit dhe Haranit njësohen me figurat e rrënuesve të urës, të cilët, punën dhe ndërtimet që janë bërë gjatë ditës i kanë shkatërruar gjatë natës, dhe kur, siç do të shprehet Haruni:

“Që të bëhemi një, pa kurrgjë shkallë në mes njërit dhe të gjithëve… Që njëri të mos duket por të duken të gjithë e kur humbet njëri, të humbet edhe ajo – të gjithë!”[39]

Nga kjo dramë e R. Qosjës nënkuptohet edhe një gjë, se miti nuk përcakton lëndën e porosisë, por vetëm e indikon mënyrën në të cilën bartet ajo porosi. Shi për këtë mund të thuhet se, jo vetëm te kjo dramë, por edhe te ato të autorëve tjerë si Milazim Krasniqi, Ymer Shkreli, Beqir Musliu, Teki Dërvishi, Ajri Begu, Fadil Hysaj, e ndonjë tjetër del se kufijtë e mitit, para së gjithash janë formal. Ndaj dhe parashtrohet një pyetje shumë e logjikshme, brenda këtij konteksti: a thua çdo gjë mund të jetë mit? Teoricieni i shquar francez, Roland Barthes beson se kjo është e mundshme ngase, sipas tij bota është pakufijshmëm e bindshme (cytës) – ndaj dhe beson se çdo lëndë në botë mund të kalojë në gjendje foljore që të jetë në dispozicion të shoqërisë.[40]

Në dramën e Qosjës Beselam pse më flijojnë, shënuesi i miti tregohet në mënyrë ambivalente, ngase ai është, në të njëjtën kohë edhe kuptimësia edhe forma, e që mund ta interpretojmë edhe kështu, pra: nga njëra anë plot e nga ana tjetër zbrazët. Si kuptimësi, parasheh të lexuarit e logjikshëm. Gjithashtu posedon edhe vlerat e veta dhe, në një mënyrë apo tjetrën është i plotë. Thjeshtë, nënkupton dhe parashikon një lloj dije, një të kaluar, mbamendje (bosh). Ndërsa si formë (plot) – kur shënjuesi shndërrohet në formë, atëherë kuptimësia ndahet apo veçohet nga kontingjenti i vetë (me ç’rast kuptimësia ndahet nga diçka shumë e përafërt). Kësodore kuptimësia del se varfërohet sistematikisht, rrezikon të humbas domethënien e vetë, madje ndahet edhe nga historia dhe me atë rast, si në një mësim biblik, do të thoshim: mbetet vetëm fjala.[41] Që aty zë fill gjithçka, ndërsa çështja që mund të hapet këtu është ajo se sa dhe si është e mundshme që drama ta arrijë një shkallë të vërtetës të emancipimit në raport me përgjigjet e dëshiruara dhe të nevojshme që cilat bartin mitet brenda vetes?! Apo, a kanë forcë ato që t’i mbrojnë këto qëndrime, e që, gjithashtu, mund të dalë një tjetër çështje që duhet trajtuar bashkalidhur me të e cila akoma nuk dihet dhe nuk mund të definohet me saktësi? /Telegrafi/

___________________

[1] Wellek, Rene, Warren Austin, Teoria e Letërsisë, “Onufri”, Tiranë, 2007, f. 196 – 197.

[2] Zotërat (deiwo´s), janë qenie burimore etimologjike. Do të thotë, kur për ta flitet në mënyrë të përgjithësuar, atëherë ata vendosen lart në qiell. Kështu, ta themi, Indra prathamé víyomani, deva—´na—m Sádane ndodhet në qiejt më të lartë, në selinë e zotave (RV 8. 13. 2.) Dhe, vetëm në selinë më të ulët të vendndodhjes së zotave (sáda-m si, plural od sádas), thuhet se ata mund të jenë të vërejtshim. E njëjta shprehje „seli e zotave” apo edhe qθανα/ των aδο shfrytëzohet edhe tek Hesiodi kur bëhet fjalë për qiellin, ndërsa tek Homeri e gjejmë me trajtën Olimp. aδο-i sádas, janë po ato fjalë, përderisa, sádanam i sádman, flet për nocione me të njëjtën rrënjë etimologjike por me sufikse të ndryshme. Po kjo, gjithashtu, shfaqet edhe në gjuhën irlandeze si sid, e që, fjalëpërfjalshëm do të nënkuptojë „selinë”, e që është fjalë e përdorur për kodra dhe rrafshnalta ku, sipas besimeve të moçme është besuar se ishin vendet ku qëndronin zotat. Megjithatë, për qiejt, nuk mund të flasim si për selinë e të gjithë zotave e as të gjitha fuqive të mbinatyrshme. Disa prej tyre i kanë takuar tokës, apo edhe nëntokës. Shembulli më i njohur ka të bëjë me Hadin, (gr. ᾍδης, Haidēs; Ἀΐδης, Aïdēs = i papari) që është emërtim për botën e nëndheshme, ndërsa të njëjtin emërtim e mban edhe pushtetari (i zoti i saj.) Nëse ka ekzistuar dallueshmëri ndërmjet qiellit të kthjelltë mbi rè si dhe zonave më të ulëta nën rè, atëherë kjo është, një mënyrë apo tjetrën edhe kallëzues se, gjithashtu, kanë ekzistuar edhe fuqi me fuqi ndikimi edhe në sferën e dytë. Diçka që sot mund të jetë e ngjashme me një rend botëror. Ndaj dhe, nuk është e befasueshme ndarja në zotat e lartë dhe zotat e ulët.

[3] Këtu poeti trajton mitin e njohur mbi Prometheun, i cili, i pakënaqur me mënyrën e udhëheqjes së pushtetit nga ana e Zeusit të cilin e kishte ndihmuar për të marrë fronin e të atit, dhe i zemëruar ngaqë iu dhimb raca njerëzore, racë të cilën Zeusi e kishte ndërmend ta zëvendësonte me një tjetër, vendos t’i kundërvihet atij duke u rrëmbyer perëndive zjarrin dhe duke ua fale atë njerëzve. Dhe jo vetëm zjarrin që plotëson gati të gjitha nevojat elementare për jetesë e që ka kuptimin e iluminacionit – të përndriçimit të mendjes njerëzore por bashkë me të ai u fali atyre edhe mjeshtëritë, edhe gjykimin e shëndoshë, kujtesën, shkrimin, llogarinë, dallimin e stinëve, mjekimin e sëmundjeve etj. Kjo e bëri Zeusin të zemërohet dhe të urdhërojë që ta lidhin Prometheun në malet e Skithisë. Heroi u nënshtrohet vuajtjeve dhe mundimeve të mëdha, që i duron me një vullnet të hekurt. Në vendin e ngjarjes, mu aty ku fillon vepra, në vendin e internimit, Pushteti e urdhëron Vullkanin te kryej detyrën e tij, ta lidhë Prometheun me zinxhirë të fortë e të pa-thyer për shkëmbi. Vullkani fillimisht heziton që ta lidhë Prometheun që është një perëndi e që e ka gjak e fis, dhe nën trysninë e Pushtetit mundohet ta bëjë këtë pa e lënduar mikun e tij. Ndërsa Pushteti gjithnjë i tepërt në urdhërime, e qorton Vullkanin për mëshirë. Ata largohen duke lënë Prometheun të mbërthyer për shkëmbi. Prometheut i vijnë për ta ngushëlluar vajzat e Oqeanit, Oqeani det. Ai i mirëpret me një butësi e miqësi të rrallë duke i njoftuar me tërë anamnezën e tij, me fatin e tij e të Zeusit, me të mirat dhuruar njerëzisë, me marrëdhëniet me hyjtë e tjerë etj. Ato shprehin keqardhje për vuajtjet e Prometheut. Prometheu përmend sekretin që vetëm ai e parasheh. Një fat që ka për t’i rrëmbyer fronin e fuqinë Zeusit por që Prometheu e mban si sekret dhe si të vetmen rrugë për t’u çliruar e për të qenë i sigurt. Vetë plaku Oqean vjen për të shprehur keqardhjen e tij për Prometheun dhe për të ndërmjetësuar për pajtim midis tij dhe Zeusit. Prometheu ndonëse mjaft mirënjohës, nuk bindet dhe kërkon nga Oqeani të heq dorë nga ky mision. Oqeani heq dorë nga ai ndërmjetësim dhe kthehet prapa. Pastaj na paraqitet Ioja, një tjetër bashkëvuajtëse e Prometheut, viktimë e po të njëjtit tiran, Zeusit. Ajo qe e dashura e Zeusit të cilën, gruaja e tij nga xhelozia, e kishte shndërruar në lopë. Prometheu si profet, i tregon asaj fatin që e pret në të ardhmen, për vuajtjet e torturat që ka për te përjetuar. Prometheu me kërkesën e Iosë shfaq edhe sekretin për fatin e Zeusit. Një tjetër sejmen i Zeusit, biri i tij Merkuri vjen me urdhër të atit për të marrë nga Prometheu sekretin që vetëm ai e dinte. Prometheu nuk frikësohet, i injoron kërcënimet e Merkurit dhe kërkon që ai të kthehet nga ka ardhur. Prometheu i paraqet qartë qëndrimet e tij ndaj zotit suprem dhe vendos që të mos e shfaqë sekretin, pavarësisht nga shtrëngimet dhe urdhëresat e Zeusit. Merkuri e këshillon të heq dorë nga ato qëndrime. Kori del në anën e Merkurit për ta bindur që të heqë dorë nga kokëfortësia dhe me mençuri të veprojë ashtu si e kërkon koha, por kot. Merkuri e njeh Prometheun me tmerrin e ndëshkimit që ka për të ardhur së shpejti dhe kërkon që kori të largohet në mënyrë që të mos e pësojë nga zemërimi i Zeusit. Merkuri largohet, kurse kori mbetet gjithnjë afër Prometheut. Atëherë Zeusi e godet shkëmbin me rrufetë e tij dhe e rropos Prometheun thellë në humnerë.

[4] Xhaxhiu, Muzafer, Letërsia antike greke. Shtëpia Botuese e Librit Universitar, Tiranë 2001, f. 46.

[5] Eskili, Tragjedi, “Rilindja”, Prishtinë, 1982, f. 61.

[6] Po aty.

[7] Frajnd, Marta, Istorija u drami, drama u istoriji, Prometej, Institut za KnjiževnostSterijino pozorje, Novi Sad — Beograd 1996, 10-16.

[8] Qosja, Rexhep, Mite të zhveshura, “Rilindja”, Prishtinë, 1978.

[9] Në këtë kuadër është interesant fakti se kjo legjendë në mënyrë të shumëfishtë figuron edhe tek imagjinata nacionale e shqiptarëve: në rastin e Rexhep Qosjës, Stefan Çapalikut, apo edhe të autorëve të tjerë si pjesë, tashmë, edhe e kulturës sonë të shkruar e krijuar e krijuar në një fazë tejet interesante të zhvillimit të shqiptarëve si komb politik dhe kulturor me tipare krejtësisht evropiane. Nga ana tjetër vetë legjenda flet, para së gjithash, edhe për krijimin e njëfarë forme të bashkësisë njerëzore. Bile, edhe përmes dramës Beselam pse më flijojnë, por, edhe përmes veprave të tjera si kjo, të shkruara gjatë shekullit XX, jo vetëm në shqip, e në të cilat riciklohet kjo legjendë, ajo, të thuash, pa ndonjë përjashtim është përdorur në atë mënyrë që të ketë të bëjë me “Kombi”n, në formën siç e njohim ne sot. Ndërsa, në disa nga veprat e autorëve nga Ballkani, kjo legjendë është shpërfaqur edhe në forma, deridiku të ndryshueshme, pasi që, ka edhe raste kur është ndryshuar, ta themi, gjinia e viktimës, kështu që, nga trupi i femrës, e që është baza e ndërtimit artistik edhe tek legjenda, e edhe tek drama e Qosjës, por edhe ajo e Çapalikut, viktimat e ndërmarrjes së veprimeve të caktuara shndërrohen në meshkuj, gjegjësisht në trupa meshkujsh. Për shembull këtë e gjejmë tek romani i nobelistit kroat, Ivo Andriq, Ura mbi Drin, e që është vepra më e njohur e këtij autori. Apo edhe tek romani i njohur i Ismail Kadaresë, Ura me tri harqe (1978), me ç’rast viktimë është një mashkull i cili është vrarë nga ana e ndërmarrjes së ndërtimeve apo edhe roman i autorit grek, Aris Fakinos, i cili në romanin e tij Ëndrra e ndërtimtarit Nikita (1999) për viktimë ka arkitektin e urës i cili e hedh vetveten në ajër bashkë me urën të cilën e ka konstruktuar vetë.

[10] Tirta, Mark, Mitologjia ndër shqiptarë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Dega e Etnologjisë, Tiranë, 2004. f. 347.

[11] Po aty.

[12] Po aty.

[13] Abrahami bëri jetë mjaft aktive dhe të lumtur; që ndonëse shpesh ishte e vështirë, gjithmonë kishte kuptim. Ndërsa Abrahami jetonte në Ur, Perëndia e udhëzoi që të largohej nga vendlindja e të shkonte në vendin që do t’i tregonte. Abrahami dhe Sara u bindën, edhe pse nuk i dinin të gjitha hollësitë—ku po shkonin e pse Perëndia po u kërkonte të largoheshin. Ata nisën të banonin në tenda në vendin e Kanaanit, dhe tërë jetën ishin banorë të përkohshëm.—Veprat 7:2, 3; Hebrenjve 1. 1 :8, 9, 13. Kur Abrahami dhe Sara ishin ende pa fëmijë, Jehovai premtoi se do të bënte një komb të madh nga Abrahami. Ai shtoi se të gjitha familjet e tokës do të bekoheshin nëpërmjet tij. (Zanafilla 1. 1 :30; 12:1. -3) Më vonë Jehovai e konfirmoi atë premtim. Ai i tha Abrahamit se pasardhësit e tij do të bëheshin të shumtë, si yjet e qiellit. Zanafilla 15:5, 6. Kur Abrahami ishte 99 vjeç dhe Sara afërsisht 90, Jehovai u premtoi se do të bëheshin me djalë. Megjithëse dukej e pamundur nga këndvështrimi njerëzor, shpejt Abrahami dhe Sara mësuan se s’ka gjë «të pamundur për Jehovain». (Zanafilla 18:14) Një vit më vonë, në moshën 100-vjeçare, Abrahami u bë me djalë, të cilin e quajti Isak. (Zanafilla 17:21. ; 21 :1. -5) Perëndia premtoi se pikërisht nëpërmjet Isakut, njerëzimi do të bekohej në masë të madhe. Disa vjet më vonë, Jehovai i bëri Abrahamit një kërkesë tepër të pazakontë. I kërkoi të flijonte birin e tij të dashur, Isakun, edhe pse ishte i ri, i pamartuar e pa fëmijë. Megjithëse ideja e humbjes së të birit duhet t’i ketë therur në shpirt, Abrahami u përgatit të bindej e të flijonte Isakun. Ai s’kishte pikë dyshimi se, po të ishte e nevojshme, Perëndia kishte fuqinë ta ringjallte Isakun që të përmbushte premtimet. (Hebrenjve 11 :19) Në momentin kyç, kur Abrahami gati sa nuk e flijoi të birin, Perëndia ndërhyri dhe ia kurseu jetën Isakut. Ai e lavdëroi Abrahamin për bindjen e jashtëzakonshme. Më pas, Jehovai i përsëriti Abrahamit premtimet e hershme. Zanafilla 22:1. -18. Në moshën 175-vjeçare, Abrahami ra në gjumin e vdekjes. Bibla thotë ai «vdiq në pleqëri të mbarë» dhe shton se ishte «i moshuar e i kënaqur». (Zanafilla 25:7, 8) Kështu, u përmbush një premtim tjetër i Perëndisë se Abrahami do të gëzonte jetë të gjatë para se të vdiste në paqe. Zanafilla 15:15. Abrahami është shumë më tepër se një figurë fetare ose historike që ka jetuar mjaft kohë më parë. Deri sot e kësaj dite, historia e tij është e gjallë e na lë të gjithëve një shembull që ia vlen ta imitojmë. (Hebrenjve 11: 8-10, 17-19) Le të shqyrtojmë katër nga cilësitë e mira që shfaqi Abrahami. Do të fillojmë me atë që është cilësia e tij më e njohur-besimi. Në fillim Abrahami njihej si Abrahami, ndërsa gruaja e tij, Saraja. Më vonë, Perëndia ia ndryshoi emrin nga Abram në Abraham, që do të thotë «atë i një shumice», kurse Sarajës ia ndryshoi emrin në Sara, që do të thotë «princeshë». (Zanafilla 17:5, 15) Për thjeshtësi, në këtë seri artikujsh do të përdorim emrat Abraham dhe Sara.

[14] Biblija, Stvarnost, Zagreb, 1969, Abraham i Isak, f. 88.

[15] Po aty.

[16] Qosja, Rexhep, Mite të zhveshura, “Rilindja”, Prishtinë, 1978, f. 260.

[17] Po aty.

[18] Qosja, Rexhep, Mite të zhveshura, “Rilindja”, Prishtinë, 1978, f. 289.

[19] Faji tragjik është ai lloj faji për shkak të të cilit heroi tragjik duron, mendon Aristoteli.

[20] Këtë figurë, në trajtë të një keqbërësi dhe tradhtari Qosja e ka përdorur dhe më parë tek romani i tij Vdekja më vjen prej syve të tillë, kur Iblisin e vë në një rang me Judën, me xhahilët dhe katilët, si dëmtues dhe keqbërës në shoqërinë tonë.

[21] Ramadani, Musa, Fjala në skenë, “Rilindja”, Prishtinë, 1980, f. 123.

[22] Qosja, Rexhep, Mite të zhveshura, “Rilindja”, Prishtinë, 1978, f. 133.

[23] Islami, Nebi, Historia dhe poetika e dramës shqiptare – I (1886-1996), “ARTC”, Prishtinë 2003, f. 22.

[24] Qosja, Rexhep, Mite të zhveshura, “Rilindja”, Prishtinë, 1978, f. 159.

[25] Vepra e cituar e dr. Nebi Islamit, po aty.

[26] Ramadani, Musa, Fjala në skenë, “Rilindja”, Prishtinë, 1980, f. 123.

[27] Samuel Taylor Coleridge (1772 – 1834), ishte poet lirik, kritik anglez i letërsisë dhe filozof. Vepra e tij më e njohur është Biografia letrare (1817) e që vlerësohet vepra më e mirë mbi kritikën letrare që është shkruar dhe botuar në periudhën e romantizmit Anglez.

[28] Krasniqi, Bajram, Nga parathënia e librit Mitet e zhveshura të Rexhep Qosjës, Semantika e miteve, “Rilindja”, Prishtinë, 1978, f. 7.

[29] Po aty.

[30] Po aty.

[31] Wellek, Rene, Warren Austin, Teoria e Letërsisë, Onufri”, Tiranë, 2007, f. 197.

[32] Kjo vepër është botim i punimit të magjistraturës të po këtij autori që bënë pjesë në radhën e studiuesve mjaft serioz të dramës në Kosovë. Vepra është botuar nga Shtëpia Botuese “Rilindja” në vitin 1994 dhe ka 278 faqe.

[33] Rexhaj, Besim, Tipat e dramës së sotme shqipe në Kosovë 1950-1990, “Rilindja”, Prishtinë, 1994, f. 123.

[34] Shih më gjerësisht tek Poetika e Aristotelit.

[35] Qosja, Rexhep, Mite të zhveshura, “Rilindja”, Prishtinë, 1978, f. 257-258.

[36] Është e njohur analiza e poetikës së Bachelardit. Duke i analizuar tekstet poetike evropiane nga shekulli i shtatëmbëdhjetë, ky kishte zbuluar tek ato forma paralogjike të të menduarit. Bachelardi, përndryshe, ishte matematicien dhe fizicien, ndërsa ideja e tij parësore (La formation de l’Esprit Scientifique, 1938) ishte që me psikanalizën e imagjinatës te mundësonte pastrimin e mekanizmit të observimit shkencor.

[37] Në Bataillenë ndikim të madh kishte Niçe, në veçanti koncepti i tij mbi mendjen e ndjesisë dhe përvojës trupore. Ndërsa, vetë, karakteri historik i mendimit të Bataillesë ndërlidhet në zërin apokaliptik të filozofisë së Niçes, para së gjithash përmes ndërgjegjes mbi krizën që mbisundon si dhe përmes eksplikimit të misionit historik të poetikës.

[38] Chimisso, Cristina, po aty.

[39] Qosja, Rexhep, Mite të zhveshura, “Rilindja”, Prishtinë, 1978, f. 347.

[40] Barthes, Roland, Mit danas, RAD, Beograd, 1974, f. 67.

[41] Fjala është diçka e thënë me gojë dhe e shqiptuar nëpërmjet një tingulli apo grupi tingujsh që tregon një kuptim, përshkrim, vend, kohë, lajm apo mendim. Fjala është pjesa themelore e marrëveshjes (komunikimit) gojor midis njerëzve. Ndërsa, në krishterim fjala (gr. logos) nënkupton një person (Jezu Krishtin) të njëjtë me Perëndinë dhe Frymën e Shenjtë që përbëjnë Trininë. “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë dhe Fjala ishte Perëndi. Ajo ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të saj, dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.” (Sipas Gjonit 1:1-3.) Pra, sipas apostullit fjala ishte Perëndi, bashkëqënëse, dhe bashkëkrijuese me Të. Nëpërmjet saj u krijua gjithçka që është. “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne;…” (Gjoni 1 :14.)