Më 13 dhjetor 2013, në shënimin e 70-vjetorit të Konferencës së Bujanit (1943-44), nën patronatin e kryetarit të atëhershëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, u mbajt një tryezë shkencore. Më atë rast, Krasniqi deklaroi: “Kuvendi i Bujanit, i organizuar nga udhëheqësit e njësive Nacional-Çlirimtare të Kosovës, e të Shqipërisë, janë historia e lavdishme e historisë sonë moderne dhe janë pararendësit e këtij Kuvendi të Republikës së Kosovës së sotme”! Një prej ideatorëve të Bujanit ishte lideri i dikurshëm komunist i Kosovës, Fadil Hoxha, për të cilin janë dy versione të historisë: një negativ dhe një pozitiv, gjë që ilustrohet edhe me reagimet pro dhe kundër ngritjes së bustit të tij në Gjakovë. Telegrafi ju sjell më poshtë ca fakte që nuk janë shumë të njohura nga masat për këtë figurë, e që shpesh herë edhe mohohen.
Më 31 janar 1943, gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbahet Konferenca e Bujanit. Më 2 janar 1944, pasi shqyrtoi tri ditë radhazi problemet që dilnin nga lufta kundër pushtuesit, Konferenca doli me një dokument përfundimtar, ku thuhet: “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë”.
Fadil Hoxha kërkonte: Vetëvendosje
Në një intervistë për TV Klan, me Blendi Fevziun, më 2000, Hoxha për Bujanin kishte thënë: “Përfundimet e konferencës në plan të gjerë ishin që Kosova duhej të vetëvendoste në mbarim të luftës, normalisht në një datë të afërt. Por, kur u duk që ky vendim u mor nga shqiptarët, ashtu edhe nga jugosllavët, në qershor të vitit 1944, Milovan Gjilasi – një nga drejtuesit më të lartë të Partisë Komuniste jugosllave, një nga njerëzit më pranë Titos – dërgoi një letër në të cilën nuk i hidhte poshtë vendimet e Konferencës së Bujanit, por sqaronte se nuk ishte koha për t`u marrë me këto probleme. E, koha nuk erdhi kurrë për t`u marrë me këto probleme”.
Sipas tij, për vendimet e Konferencës së Bujanit i ishin dërguar telegrame Winston Churchillit (Britani e Madhe), Iosif Stalinit (BRSS), Enver Hoxhës (Shqipëri) dhe Josip Broz Titos (Jugosllavi).
“E kemi shumëzuar proklamatën të cilën ia kemi drejtu popullit të Kosovës, gjerë e gjatë, në disa mijëra copa”, ka thënë Hoxha.
Ai në këtë intervistë përmend edhe takimin me Enver Hoxhën në Tiranë, ku kërkon mësues shqiptarë dhe shkronjat (për sistemin Gutenberg të shtypshkronjës) meqë kishin hapur gazetën Rilindja. Sipas tij, menjëherë në Kosovë arritën 200 mësues, të cilët vazhdojnë emancipimin e shqiptarëve të Kosovës që kishte filluar më parë me mësuesit që i kishte dërguar gjatë pushtimit italian, ministri i Arsimit – Ernest Koliqi. Ndërsa, thekson se për padrejtësitë që bëheshin ndaj shqiptarëve të Kosovës, e të cilat ky ia kishte shprehur Enver Hoxhës, ishte spiunuar nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Koçi Xoxe, tek një nëpunës i shërbimit sekret të Serbisë.
Po sipas Hoxhës, kur Enver Hoxha më 1947 kishte shkuar në Beograd, ai nuk kishte kërkuar ta takojë asnjë zyrtar të Kosovës, për çka këta janë ndier të zhgënjyer. Kërkesa e vetme për takim e Enver Hoxhës ishte me nënën e Milladin Popoviqit. Pra, në këtë vit Enver Hoxha ndërpret marrëdhëniet me komunistët e Kosovës, ndërkaq pas vitit 1948, kur prishen marrëdhëniet mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, shqiptarët humbin mbështetjen edhe nga Shqipëria, shkruan Telegrafi.
Se a ka mundur të bëjë diçka Shqipëria për shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të këtij shteti, kjo ende nuk është sqaruar, siç nuk ka përgjigje të saktë se a kanë mundur ta bëjnë Kosovën republikë politikanët e Kosovës. Por, nuk mund të mohohet se ka pasë indoktrinime me ideologjinë e Shqipërisë, sidomos tek rinia që kudo në botë është e prirë të kundërshtojë sistemet.
Komunistët shqiptarë e mbrojtën “Trepçën” shumë më mirë se të tjerët sot
Ish-kryetari i Komitetit krahinor, Azem Vllasi, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se organizatorët e demonstratave të vitit 1981 nuk kanë kërkuar përmirësimin e kushteve të shqiptarëve të Kosovës, porse kanë synuar që komunizmin jugosllav ta zëvendësojnë më atë stalinist. Kjo deklaratë ka nxitur reagime të mëdha nga shumë organizatorë të këtyre demonstratave, përfshirë edhe deklaratën e Vllasit se janë të pabaza arsyetimet se protestat e vitit 1981 e kanë ngritur vetëdijen kombëtare në mesin e shqiptarëve të Kosovës, meqë “vetëdija kombëtare ka qenë vazhdimisht në ngritje”.
“Kemi pasur shkolla, universitet, media, Akademi të Shkencave. Nuk ishim pa vetëdije kombëtare. Në bazë te asaj vetëdije ne kemi arritur që të institucionalizohemi”, ka thënë Vllasi.
Se kjo është e vërtetë, si dëshmi mund ta marrim Kombinatin “Trepça”, e cila që në kohën kur udhëhiqej nga Veli Deva, në vitet ’70 të shekullit të kaluar, kishte 11 njësi (secila me nga 250-1000 punëtorë) e ku 75 për qind e kuadrove ishin shqiptare dhe në pozitat udhëheqëse. Për këtë, udhëheqësit shqiptarë të Kosovës ishin nën presion. Madje, thuhet se Deva në një takim politik kishte thënë: “Ngushtë jemi prej shkieve këtu në ‘Trepçë’”!
Ndërkaq, mos të harrojmë se më 1978, për vetëm 24 vite nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, Kosova kishte 400 mijë nxënës në shkolla të mesme e fillore. Sipas akademikut Mark Krasniqi, vetëm nga viti 1970-1990 u diplomuan mbi 33 mijë studentë shqiptarë, 213 doktorë shkencash, 160 magjistra…!
Pra, kishte emancipim dhe ngritje të vetëdijes kombëtare, e kjo dëshmohet edhe me ngritjen e statusit të Kosovës në federatën jugosllave.
“Për Fadil Hoxhën, komunizmi ishte ndërtimi i vendit, shkollat, universiteti, elektrifikimi, industrializimi, rrugët, spitalet, çrrënjosja e tuberkulozit, ngopja e barkut me buke. Përderisa të tjerat, si burgosjet, vrasjet, përndjekja e mendimit të lirë, censura – të gjitha ishin deformime, ishin stalinizëm. Komunizmi për te ishte ‘Nënë’ e Maksim Gorkit, ‘Anti Dyrringu’ i Engelsit e në veçanti tezat e Leninit mbi çështjen kombëtare, gjegjësisht evokimi i tij për vetëvendosje”, thuhet në librin “Fadil Hoxha në veten e pare”, me shënime dhe parathënie të Veton Surroit, në intervistën që Hoxha përmes magnetofonit ia kishte dhënë Rexhai Surroit në gusht 1963.
Natyrisht, nuk duhet harruar se Hoxha në këtë libër citohet të ketë folur edhe për rezistencën në Drenicë, ku thotë se me likuidimin e grupit të Shaban Polluzës është qetësuar Drenica. Kjo deklaratë, edhe pse nuk ka shumë detaje, nuk lë përshtypje të mirë tek shqiptarët, prandaj kjo periudhë e jetës së tij kërkon po ashtu sqarime shtesë.
Hoxha ia hoqi Metohinë emrit të Kosovës, ndërsa kërkoi edhe republikën
Vllasi në intervistën për Telegrafin përmend se “republikën e kemi diskutuar haptas edhe në kohën kur kanë qenë ndryshimet kushtetuese, në vitet ‘68 dhe ‘69”. Kjo thuhet edhe nga historianët serbë. Sepse, pas Plenumit të Brioneve (1966), pra pas rënies së ministrit të Brendshëm të Jugosllavisë, antishqiptarit Aleksandër Rankoviq, pozita e shqiptarëve në Jugosllavi nis të avancohet, sidomos pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974.
Mediat serbe, duke u cituar arkivin e TItos, kanë shkruar se Hoxha më 1966 kishte kërkuar që emrit të Kosovës t’i hiqet Metohija, gjë që edhe ka ndodhur, dhe se Kosova duhet të sjell ligjet e saj, përfshirë Gjykatën Supreme. Pra, të jetë e barabartë me njësitë tjera të Jugosllavisë. Ndërsa, historiani serb, Millosh Mishoviq, në librin e tij “Ko je trazio republiku: Kosovo 1945-1985” (Kush e kërkoi Republikën: Kosova 1945-1985), ka shkruar se më 22 prill 1968, në mbledhjen e Kryesisë së Komisionit Ekzekutiv të Kosovës, Fadil Hoxha kërkonte: “Flamuri i Kosovës nuk duhet të jetë një flamur i trilluar… Në Kosovë shumica janë shqiptarë dhe flamuri duhet të jetë shqiptar”. “Hoxha”, thuhet po aty, “kërkoi që Kosova të ketë flamurin zyrtar, stemën dhe festën e vetë shtetërore. Këtu është kërkuar Kosova Republikë”.
Pozita e shqiptarëve avancohet pas vitit 1974, por gjërat ndryshojnë pas demonstratave të vitit 1981, për të cilat duhet pranuar se askush nuk di të japë një sqarim të qartë, sidomos për organizimin e tyre.
“Parulla kryesore me datën 26 mars, te Qendra e Studentëve, ku kam qenë prezent edhe unë, ka qenë: ‘Lavdi marksizëm-leninizmit”, thotë Vllasi në intervistën për Telegrafin.
Është e vërtetë se parullat e demonstratave shqiptare shpesh binin në kundërshtim me njëra-tjetrën. Kështu, Branko Horvat, në librin e tij “Kosovsko pitanje” (Çështja e Kosovës), ka shkruar se në demonstratat e vitit 1981, parullat dhe grupet ndahen kështu: I. “Duam Republikë, ja me hatër ja me luftë”, “Jemi shqiptarë, jo jugosllovenë”, “Kosova e kosovarëve”; II. “’Trepça punon, Beogradi ndërton”; III. “I duam shokët e burgosur”, “Rroftë Adem Demaçi”; IV. “Rroftë vëllazëria e popullit shqiptar”, “Bashkim i trojeve shqiptare”; V. “Rroftë marksizëm-leninizmi”, “Poshtë revizionizmi”; VI. “Dikush në kolltuk, dikush pa bukë”, “Deri kur në podrum”, “S’ka bisedime me borgjezinë e kuqe”, “Rroftë klasa punëtore”, “Kërkojmë kushte më të mira”!
Pra, siç shihet, kishte indoktrinim me doktrinën staliniste të Shqipërisë të përfaqësuar nga Enver Hoxha, për të cilin po ashtu ka mendime të ndryshme: pro dhe kundër tij?
Fadil Hoxha nuk kishte hezituar ta përmendte as bashkimin kombëtar
Historiani Shaban Braha ka thënë se “për tragjedinë e Tivarit dinin më mirë Koçe Xoxe në Tiranë dhe Aleksandër Rankoviqi në Beograd”. Po ashtu, sipas tij, në shkurt 1945 Fadil Hoxha i tha Titos: “Ju e dini çfarë premtimesh na keni dhënë gjatë LANÇ-së dhe ato duhet t’i mbani, ndryshe Jugosllavia do të jetë për një kohë të gjatë në luftë me shqiptarët”.
Me rastin e vdekjes së Brahës, Hashim Thaçi – i cili e kishte këshilltar politik, Azem Vllasin – ka dërguar një telegram ngushëllimi më 2013, me këtë përmbajtje: “Vepra dhe figura e Shaban Brahës do të mbetet shëmbëlltyrë e paharruar e veprimtarit të palodhshëm dhe patriotit që angazhimin dhe dashurinë për atdheun e kanë të pashterur dhe konstant”.
Pra, nderohet figura e Brahës, që nuk e vë në pah pozitiv sistemin e Enver Hoxhës, e aq më pak në dritë negative Fadil Hoxhën.
Në anën tjetër, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili nderon Konferencën e Bujanit, në një emision të RTK-së më 2008, “Një kafe me politikanët e Kosovës”, shihet se e mban fotografinë e Enver Hoxhës në bibliotekën e tij. Ai thotë se kjo ishte dhuratë dhe se nuk kishte kohë të sistemonte bibliotekën. Krasniqi ka pohuar se është mjaft i lidhur me Shqipërinë, por si politikan që ishte për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, ka ndërruar mendje.
“Edhe unë kam të drejtë të ndryshoj mendje”, ka thënë ai.
Ta ndërlidhin këtu Vllasin. “Është e pavërtetë ajo që e thonë organizatorët e protestave se demonstratat (1981) se kanë synuar edhe bashkimin kombëtar… Jugosllavia, e cila ishte pengesë për bashkim kombëtar, u shkatërrua dhe bashkimi nuk ndodhi. Pse?”, ka theksuar Vllasi në intervistë me Telegrafin, që pikërisht ndërlidhet me këto ndryshime të qëndrimeve të atyre që cilësohen si organizatorë të demonstratave të vitit 1981.
Në anën tjetër, akademiku Mark Krasniqi, në një intervistë për KTV, kishte thënë se pas konflikteve që kishte Hoxha me Stanoje Aksiçin e Lipjanit, që ishte zyrtar i lartë në Serbi, ai kishte thënë në katër sy (Krasniqit): “Nuk ka zgjidhje tjetër për Kosovën, përveç bashkimit me Shqipërinë”. Ndërsa, Milan Vuçiniq, në librin e tij “Zašto Kosovo ne može da bude republika” (Pse Kosova nuk mund të jetë republikë), thotë se Fadil Hoxha më 1958 kishte thënë: “Me qenë se është shumica e shqiptarëve në Kosovë, gjithsesi se kjo do të shkojë në Shqipëri”. Pra, për dallim nga politikanët e sotëm të Kosovës, Hoxha në një sistem monist megjithatë kishte guxuar ta përmendte bashkimin me Shqipërinë.
Luftëtarë të dy blloqeve: Fadil Hoxha përqafohet me Hysen Tërpezën
Sidoqoftë, kemi shumë versione të historisë, pro e kundër Enverit, pro e kundër Fadilit, siç kemi pro e kundër shumë figurave tjera, që nga Skënderbeu. Por, askush nuk mund ta mohojë se ka pasur tendenca nga disa personalitetet komuniste që, siç ka thënë Kaçusha Jashari për BBC, në dobi të shqiptarëve të ndërrohet sistemi brenda sistemit ekzistues jugosllav.
Jakup Krasniqi është arrestuar pas demonstratave të vitit 1981. Natyrisht, askush nuk mund të pajtohet me këtë arrestim dhe as vuajtjet nëpër të cilat ka kaluar ai. Megjithatë, ai dhe secili duhet të jetë i hapur për debatet që bëhen për rrethanat e ndryshime historike, siç ishin demonstratat e vitit 1981.
Për këtë duhet të merret model Hysen Tërpeza dhe Fadil Hoxha. Te pjesa dërrmuese e popullatës së Kosovës, të të dy taboreve, në versionin e ri të historisë i pari ishte dhe mbetet model i rezistencës, i lëvizjes për liri dhe çlirim, ndërsa i dyti model i poltronistit të komunizmit jugosllav. Versioni se Hoxha mund të ketë qenë më vigjilent për pafuqinë e shqiptarëve dhe se të drejtat e tyre është munduar t’i realizojë përmes sistemit që është imponuar, nuk është shumë bindës për bashkëluftëtarët dhe ithtarët e dikurshëm e të tashëm të Tërpezës. Por, përqafimi i Hoxhës dhe Tërpezës, pas çlirimit të Kosovës dhe pak para vdekjes së të dyve, është shembull që rrënon shumë paragjykime. Ata dëshmuan se rivalët politik në fazat e tranzicionit jo gjithmonë janë rivalë të koncepteve patriotike në njërën anë dhe të koncepteve të tradhtisë në anën tjetër, shkruan Telegrafi.
Vllasi në intervistën e tij qëndron pro bindjeve që kishte dikur. Por, natyrisht, siç kërkon nga organizatorët e demonstratave të vitit 1981 “të vërtetën për atë se kush i ka nxitur ato protesta”, duhet të sqarohet edhe për termin kundërrevolucion dhe diferencimet ideo-politike. Sepse, në vitin 1981, Mahmut Bakalli, si kreu i Partisë Komuniste në Kosovë, dha dorëheqje nga të gjitha funksionet në shenjë mospajtimi me qëndrimet e udhëheqjes në Beograd se këto ngjarje ishin kundërrevolucionare. Bakalli ishte deputet në legjislaturën e parë të Kuvendit të Kosovës gjatë viteve 2001-2004, nga radhët e AAK-së, dhe një kohë këshilltar i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Por, edhe në këto vite është deklaruar se ishte kundër demonstratave të vitit 1981 e edhe kundër etiketës së kundërrevolucionit.
Fadil e Sharr Hoxha, që të dy të urryer nga politika serbe
Fadil Hoxha është akuzuar që nga Konferenca e Bujanit e gjer në vdekje të tij si armik i serbëve. Ai më 1986 shkarkohet nga të gjitha postet. Ndërsa, më 1991, nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit akuzohet për tradhti.
Më lartë u përmendën parullat e thëna nga demonstruesit gjatë vitit 1981. Shumë nga pjesëmarrësit e këtyre demonstratave, të burgosur ose jo, pas luftës kishin poste udhëheqëse në Kosovë. Mirëpo, nuk duhet të harrohet një fakt: para tyre, parulla kundër sistemit të Jugosllavisë ka shkruar i biri i Fadil Hoxhës, Sharri. Pikërisht për këtë, gjatë viteve ’80 ka shkruar shtypi serb, madje edhe se Sharri në hotelin “Bozhur” në Prishtinë nga kamerieri kishte kërkuar t’i shërbehet një “kokë serbi”. Përderisa kjo deklaratë mund të jetë pjesë e propagandës, ajo që dihet është kjo: Branko Horvat ka shkruar se më 1963 Sharr Hoxha me një grup ka shkruar parullat: “Poshtë Tito”, “Poshtë Jugosllavia”, “Rroftë Enver Hoxha”, “Rroftë Shqipëria”.
Telegrafi si dëshmi ua sjell pjesë të “Raportit të Komisionit të Sekretariatit të Komitetit Krahinor të LK të Serbisë për hulumtimin e përgjegjësisë politike të anëtarëve të Komitetit Krahinor, të cilët kanë punuar në shërbimin e Sigurimit Shtetëror në Krahinë”. Ky Komision është formuar pas Penumit Brioneve. Ndërkaq, për Sharrin dëshmi jep Stanislav Gërkoviq, kryeshefit të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Qarkut dhe Komunës së Prishtinës.
Një pjesë e dëshmisë së Gërkoviqit dhënë më 16 korrik 1966, është kjo: “Para dy vjetësh, me sa më kujtohet, me rastin e zbulimit të veprimtarisë armiqësore të një grupi të rinjsh – nxënës të shkollës së mesme – gjetëm edhe emrin e njërit djalë të Fadil Hoxhës (Sharri). U konstatua se ai kishte ditur për këtë veprimtari dhe në njëfarë mase edhe vetë kishte marrë pjesë në të. Këtë grup nuk e ndoqëm, sa më kujtohet, as në mënyrë kundërvajtëse, meqë ishim marrë vesh që për tërë këtë të lajmërohet shoku Fadil…”.
Sipas dokumenteve në Arkivin e Jugosllavisë, UDB-ja mikrofonat i ka instaluar edhe në shtëpitë e Ismet Shaqirit, Ymer Pulës, Mehmet Hoxhës dhe Fadil Hoxhës. Në këtë fushatë është përcjellë puna e intelektualëve shqiptarë, si Mark Krasniqi, Gjon Shiroka dhe Enver Gjergjeku. Dyshimet janë se janë përgjuar edhe Veli Deva, Xhevdet Hamza e Drita Dobroshi.
Akademiku Mark Krasniqi, në një prononcim për Telegrafin, thotë se ka qenë i vetëdijshëm për përgjimet që i janë bërë dhe se për këtë ishte paralajmëruar nga Fadil Hoxha.
“Unë kam respekt për punën e Fadil Hoxhës, sepse ai ka kërkuar më shumë të drejta për shqiptarët. Ai ka përmendur të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje”, ka thënë Krasniqi.
Se cili version duhet të besohet para dhe pas vitit 1981, se a ka saktësi dhe se a duhet të revidohet historia dhe të jemi më të hapur në debate, për këtë duhen studime dhe… studime. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëIsmail Bej Qemali në Kongresin e Xhonturqve në vitin 1902 në Paris
Qyteza ku ende përdoret aramaishtja - gjuha të cilën e fliste Jezu Krishti! (Video)
A është ky mbreti më i keqkuptuar në histori?
Saga e dinastisë Cakrani
Thënie të Bajronit: Nëse do që 100 italianë të heshtin, vrit një; nëse do që 100 shqiptarë të heshtin, duhet të vrasësh 99
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Rahatoj kamt’ qysh është ma s’miri këtë verë
Më të lexuarat
Arda Guler nga Turqia i dërgon mesazh Carlo Ancelottit për minutazhën te Real Madridi
Çfarë janë uraganet, sa të rrezikshëm janë dhe çfarë mund të ndihmojë në zbutjen e dëmeve?
Mbi 160 mijë euro, 696 kilogramë mjaltë e 250 kilogramë fasule ia gjejnë në shtëpi – Policia arreston të dyshuarin në Ferizaj për kontrabandë e tregti të ndaluar
Pamje nga vizita e Jakup Krasniqit te varri i vëllait, më pas i takon familjarët në fshatin e tij
Kaloi 50 mijë konkurrentë në audicion - kush është Nora Tushi, shqiptarja që po mahnit jurinë gjermane
Berisha: Do të dalin audio-incizime të tjera, do të na vijë turp