LAJMI I FUNDIT:

Presidentja duhet ta respektojë Kushtetutën, e jo “marrëveshjen jokushtetuese”!

Është ironike që një shkelje kushtetuese të zgjidhet me një shkelje të re kushtetuese

Atë natë kur dolën publikisht z. Dell dhe tre liderët kosovarë në media për të na kumtuar lajmin se e kishin gjetur zgjidhjen e sagës së zgjedhjes të presidentit, i telefonova disa bashkëpunëtorë të ngushtë të dy akterëve të asaj marrëveshje, duke ju thënë se “a jeni të vetëdijshëm që kjo marrëveshje është antikushtetuese, sepse Kushtetuta (neni 87.2) thotë që Presidenti zgjidhet për pesë vite”. Dhe se “është ironike që një shkelje kushtetuese të zgjidhet me një shkelje të re kushtetuese”. Për habi, njëri nga ata (që mbahet për juristë) nuk e kishte të qartë dhe filloi të argumentojë se kjo marrëveshje është politike?! Zaten, ky argument edhe më tutje përdoret nga disa përfaqësues të partive të involvuara.


Të them të drejtën qëndrimi i juristit partiak më habiti shumë, nuk e kisha të qartë se si mundet një juristë të mos e dijë një parim elementar juridik i cili thotë se “asnjë marrëveshje (kontratë) pa marrë parasysh natyrën, nuk është e vlefshme nëse nuk është brenda kornizës ligjore (apo në përputhje me rregullat dhe procedurat ligjore). Për më tepër nuk duhesh të jesh domosdo juristë me profesion për ta ditur këtë, sepse është njohuri e përgjithshme. Fundja, shteti nuk është asgjë tjetër pos një grumbull i rregullave dhe procedurave, të cilat burimin e kanë te akti më i lartë juridik, pra te kushtetuta. Në të kundërtën, shtrohet pyetja se pse atëherë dy ish presidentët Sejdiu e Pacolli u larguan!?

Atë natë, ngase ky lajm (për “marrëveshjen antikushtetuese”) ishte tema me të cilën të gjithë ne u morëm, i kontaktova disa gazetarë (moderatorë) të RTK dhe KTV për këtë çështje. Por, edhe me ata ishte e kotë të diskutohej. Ata të RTK, kishin hall se në atë marrëveshje ishte i invovluar kryeministri (shefi) kurse ky i KTV nuk e kishte të qartë fare poentën. Prandaj, kontaktova Nexhin e TV Mitrovicës i cili pa hezitim më ftoi në emision për ta diskutuar “marrëveshjen e trojkës”.

Të gjitha këto më kujtohen tashti duke përcjell debatin lidhur me mandatin e Presidentes(it). Edhe më tutje nuk e kam të qartë sesi disa juristë (të partive politike), me aq lehtësi dhe me vetëdije, shkelin mbi profesionin e tyre!? Po ashtu nuk e kam të qartë pse personalizohet kjo çështje e cila është thjeshtë parimore. Se më, disa “patriotë” (të cilët s’kanë lënë send të zezë pa bërë në këtë dynja), s’po durohen hiq kur po na shesin mend për etikë, me argumentin (bajat) se “presidentja duhet ta respektojë marrëveshjen”. Përkundrazi, Presidentja(i) (edhe të gjithë ne të tjerët) është e obliguar ta respektojë ligjin e jo teket e kujtdo qofshin ato.

Çështja është se a dëshirojmë të bëjmë “shtet që sundohet nga ligji apo shtet që sundohet me ligj”? Nëse dëshirojmë të bëjmë shtet që “sundohet nga ligji” atëherë edhe zgjidhja e problemit është dashur të gjendet brenda e jo jashtë ligjit. Sepse kjo kushtetutë dhe këto ligje, nuk kanë pikë prej qiellit por janë hartuar dhe miratuar nga pikërisht këta njerëz d.m.th., nga politikanët në përgjithësi!

Kjo nënkupton që edhe ndryshimet kushtetuese duhen të bëhen ne baza juridike universale e jo sipas interesit ditor. Pra, amendamenti X duhet hartuar konform “parimit të jo-retroaktivitetit”, që d.m.th., se ndryshimet kushtetuese duhet të vlejnë për zgjedhjet e radhës presidenciale, e jo për zgjedhjet e kaluara, pra të vitit 2010-11.

Natyrisht, se edhe shkarkimi i Presidentes(it) është rregulluar me Kushtetutë, dhe nuk mundet të bëhet sipas tekeve të askujt. Dhe presidentja ka për obligim që ta respektojë kushtetutën e jo “marrëveshjen antikushtetuese”. Nëse nuk e respekton Kushtetutën (d.m.th., e shkel) kjo do t’i mbetet gjithmonë njollë në biografinë e saj. Me fjalë të tjera, nëse presidentja jep dorëheqje pa ndonjë arsye të fortë siç është rregulluar me ligj (bie fjala ndonjë sëmundje e rëndë) ajo del se e respektoi ‘marrëveshjen antikushtetuese” në vend të Kushtetutës. Prandaj, shtrohet pyetja logjike, se një shkelëse e Kushtetutës a mund të punojë si juriste pastaj? Për më tepër a mund të punojë në polici (qoftë në ndonjë post të lartë apo të ultë), sepse këto profesione janë të thirrura që ta respektojnë dhe ruajnë ligjin.

Prandaj, unë pajtohem me të gjitha ato zëra të arsyeshëm të cilët apelojnë që këtë rast mos t’a personalizojmë. S’ka lidhje individi që tani për tani është në këtë pozitë (se edhe ashtu ata që i patëm deri tani nuk e bënë namin), por me rëndësi është që në këtë shtet, ku problemi kryesor është mosfunksionimi i ligjit, ky kontest të zgjidhet konform ligjit. Përndryshe krijohet precedenti që në të ardhmen do të na paraqet shumë probleme organizative. Tekefundit, Kuvendi, me 7 prill 2011, votoi në bazë të neneve 65, pika 7 dhe 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovë, ashtu siç tha edhe kryetari i saj, z.Krasniqi, “mandati i presidentit është pesë vjet”.