LAJMI I FUNDIT:

Plavë, banorët vazhdojnë kundërshtimin e deponisë për mbeturina në Martinaj

Plavë, banorët vazhdojnë kundërshtimin e deponisë për mbeturina në Martinaj

Synimi i Komunës së Plavës dhe Gucisë për grumbullimin e mbeturinave në Kodrën e Jerinës, ka has në rezistencën e vazhdueshme të banorëve te cilët mbajnë të bllokuar rrugën për tek lokacioni i synuar. Grumbullimi i plehrave në ketë vend, në rrënojat e qytetit të lashtë të mbretëreshës ilire Jerina është e papranueshme për banorët e Martinajve të Plavës dhe Gucisë, të cilëve iu janë bashkangjitur edhe banorët e fshatrave Dosugje dhe Zagrajë dhe diaspora e tyre.

Ky vendimi i njëanshëm për lokacionin e përzgjedhur nga komuna e Plavës buzë rrugës, 350 metra larg lagjeve të banuara të Martinajve dhe mbi burimet dhe depozitat e ujit, shkel mbi çdo konventë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe ruajtjen e mjedisit.

Këta banorë të hënën e kaluar, u sprovuan edhe një herë, kur në orët e hershme të mëngjesit dy automjete të Ndërmarrjes Higjieniko-sanitare dhe për çështje Banesore përplot mbeturina, janë nisur për t’ u zbrazur ne Kodrën Jerina. Situatën e kanë mbikëqyrur rreth 40 policë të Plavës dhe Beranit, të cilët kanë pritur urdhrin për të carë bllokadën. Naim Prelvukaj, koordinator i këshillit të fshatit për kundërshtimin e kësaj deponie tha për mediat se banorët do të qëndrojnë pranë kërkesave të tyre.


“Ne do të jemi këmbëngulës në pengimin e hapjes së këtij vendgrumbullimi të hapur mbeturinash. Gjithçka është punuar në mënyrë të jashtëligjshme dhe ne nuk do të lejojmë të realizohen interesat personale të kryetarit të komunës dhe të përfaqësuesve të partive të cilat bëjnë pushtetin në Plavë”, tha Prelvukaj.

Pas mbi një orë pritjeje, policinë dhe kamionët e ndërmarrjes komunale i zbrapsi prezenca e banorëve të gatshëm të mbrojnë mjedisin e tyre edhe me jetë. Përderisa, kryetari i komunës Orhan Shahmanovic i cili mbetet i hapur vetëm për mediat malazeze, për këtë ka fajësuar inspekcionin komunal duke i kërcënuar me shkarkim.

E në bazë të argumenteve që prezantojnë banorët e Martinajve të cilët kanë ngritur edhe aktpadi,ai që duhet shkarkuar është vet kryetari Shahmanovic sepse e tëra bie aromë korrupcioni dhe me parë do duhej te mbyllej dikush prapa grilave sesa te hapet rruga për tek deponia."Për qëllimet e errëta Komuna e Plavës me ndërmarrjen në fjalë, për hedhjen e mbeturinave kishte përzgjedh gjoja parcelën kadastrale 1/1/9 Ko dosugje 2., e cila në të vërtet ndodhet në KO, Martinaj 1. Kjo dëshmon dredhitë e qëllimkëqija duke shtrembëruar të vërtetën, dhe jo vetëm aq!“, ka thënë Prelvukaj.

Për të martën në Martinaj ishte paralajmëruar protesta e radhës, e cila është anuluar përkohësisht pasi pushteti lokal ka shtyrë punimet për vendgrumbullimin e mbeturinave,edhe me mbështetjen e policisë. Qëndresa e popullatës së këtushme do duhej të shërbejë si shembull se si mbrohet e drejta qytetare .Trysnia të cilën përdor pushteti malazez ndaj shqiptarëve të Martinajve, të kujton metodat e regjimit të Milloshevicit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ndërsa, Shqipëria dhe Kosova, duhet të reagojnë kundër presionit dhe nxitjes ndaj një fshati etnikisht të pastër,më parë se Martinajt të shndërrohen në një pikë të re konflikti në Ballkan. /A.B/Telegrafi/