LAJMI I FUNDIT:

Përvoja jonë në trajtimin e tumoreve sipërfaqësore të fshikëzës urinare me resekcion transuretral (TUR)

Përvoja jonë në trajtimin e tumoreve sipërfaqësore të fshikëzës urinare me resekcion transuretral (TUR)

Qëllimi i këtij punimi është të raportojmë eksperiencën tonë në trajtimin e tumoreve sipërfaqësor të fshikëzës urinare me resekcion transuretral (TUR).

dr. Fahredin Veselaj, mr. sci., urolog
tel. 044-174 627
e-mail: fahredin_veselaj@yahoo.com

Materiali dhe Metodat: Në periudhën janar 2005 – mars 2007, në Repartin e Urologjisë (njësia e endourologjisë) në Prishtinë, janë trajtuar me TUR (resekcion transuretral) 93 raste me tumore sipërfaqësore të fshikëzës urinare. Janë analizuar 18 raste, që gjitha të trajtuara nga i njëjti urolog. Shumica e pacientëve janë paraqitur për shkak të hematurisë. Para intervenimit, diagnoza është konfirmuar me ultrasonografi të urotraktit dhe uretrocistoskopi.


Rezultatet: Mosha mesatare e të operuarve ka qenë 63 vjet (34 – 83 vjet). Raporti gjinor, M:F=5:1. Në 10 raste tumori ka qenë solitar, ndërsa në 8 raste multipël (2-4 formacione). Nuk ka pasur komplikacione të hershme dhe nuk është dhënë transfusion. Kateteri është hequr pas një dite në 12 raste (67%) , ndërsa pas 2 ditësh në 6 raste (33%). Pas ekzaminimit histopatologjik, 14 raste kanë qenë me Ta-T1 G1 dhe 4 raste me T1 G2. Në të gjitha rastet është instiluar një dozë intravezikal doxorubicin 50 mg në 2-6 orët e para, pas operacionit. Në 4 raste është indikuar terapia profilaktike me doxorubicinë. Në 22% të rasteve kemi pasur recidiv të tumorit. Striktura e urethres ka qenë i vetmi komplikacion, i vonë, i evidentuar. Në një rast, karcinoma e fshikëzës ka qenë e shoqëruar me tumor epitelial të cungelit të ureterit.

Konkluzion: Resekcioni transuretral i (TUR) është “Gold standard” në trajtimin e tumoreve sipërfaqësore të fshikëzës urinare. Pacientët me karcinomë sipërfaqësore të fshikëzës urinare me shkallë të ulët të rrezikshmërisë, nuk përfitojnë nga terapia profilaktike.

Epidemiologjia dhe faktorët që ndikojnë në paraqitjen e kancerit të fshikëzës urinare
Vlerësohet se në vitin 2007, në SHBA do të diagnostikohen 67.160 raste të reja me kancer të fshikëzës urinare. Kanceri i fshikëzës urinare atakon moshat e shtyra, por konstatohet paraqitja e saj edhe në moshat e reja. Më shpesh atakon meshkujt. Shkaqet e paraqitjes së kancerit të fshikëzës urinare ende janë të panjohura. Mendohet se faktorët më të shpeshtë që provokojnë paraqitjen e kancerit të fshikëzës urinare janë: faktori gjenetik, pirja e duhanit, infeksionet, substancat që lirohen në industrinë e përpunimit të naftës, gazit, industrinë e përpunimit të hekurit dhe aluminit, industrinë kimike dhe të gomës, etj.

Klasifikimi i kancerit të fshikëzës urinare

Në vitin 1997, nga Unioni ndërkombëtar kundër kancerit ( UICC) është miratuar TNM (Tumor, nod, metastaza), klasifikimi ndërkombëtar që bazohet në shkallën e infiltrimit të tumorit në murin e fshikëzës urinare (Stadiumi T), metastazimi në nyjet limfatike (stadiumi N) dhe metastazat e largëta (Stadiumi M). Gjithashtu, sipas shkallës së diferencimit histopatologjik, tumoret e fshikëzës urinare klasifikohen si mirë të diferencuara (G1), mesatarisht të diferencuara (G2) dhe dobët të diferencuara (G3).


Fig. 1. Anatomia e fshikëzës urinare dhe uretrës te meshkujt dhe femrat

Fig. 2. Anatomia e murit te fshikëzës urinare dhe shkalla e infiltrimit te kancerit te fshikëzës urinare (T stadiumet).

Fig. 3. Tipat histopatologjik të kancerit të fshikëzës urinare.

Mbi 90% të kancereve të fshikëzës urinare janë karcinoma të epitelit transitiocelular, ndërsa më rrallë, ato të epitelit planocelular dhe adenokarcinoma. Tumoret trasnitiocelualare klasifikohen si sipërfaqësore ( Tis-Ta-T1) dhe infiltrative (T2- T3-T4). Përafërsisht, 70-80% e tumoreve të fshikëzës urinare në momentin e diagnostikimit janë sipërfaqësore dhe kanë prognozë të mirë.

Simptomat dhe diagnostikimi:
Hematuria është simptoma më kardinal i tumoreve të fshikëzës urinare. Në shumicën e rasteve paraqitet pa dhembje. Mund të paraqiten edhe simptomat tjera iritative të fshikëzës urinare si urgjence, polakisuri dhe disuri.

Diagnostikimi i kancerit të fshikëzës urinare bëhet përmes analizës së urinës (mikrohematuri apo makrohematuri), citologjisë së urinës, ultratingullit (paraqitja e masave intraluminale nga muri i fshikëzës urinare), urografi intravenoze (defekt mbushje në lumenin e fshikëzës urinare), CT e fshikëzës urinare (masë intraluminale me densitet të indit) si dhe uretrocistoskopi (ku përcaktohet numri i tumoreve, forma, madhësia dhe lokalizimi i tumoreve).

Fig. 4. Dukja e kancerit të fshikëzës urinare në skenimin me CT.

Trajtimi i kancerit te fshikëzës urinare
Tumoret sipërfaqësore të fshikëzës urinare trajtohen me resekcion transuretral apo TUR. Një intervenim i këtij lloji me shume sukses kryhet edhe në Repartin e Urologjisë në Prishtinë. Intervenimi kirurgjik është i lehtë për pacientin dhe në shumicën e rasteve kërkon vetëm një natë qëndrim në spital. Në 6 orët e para pas resekcionit transuretral, të gjithë pacientët duhet të marrin një doze të kemioterapisë intravezikale (Doxiribicin, Mitomicin, Epirubicin ). Pas arritjes së rezultatit histopatologjik, në rast se kanceri i fshikëzës urinare është në stadiumin Ta,T1, me shkallë të ulet të malinjiteteit (G1), nuk rekomandohet dhënia e terapisë profilaktike me kemioterapi intravezikale. Në rast të stadiumit Ta,T1 me shkallë mesatare të malinjitetit (G2), rekomandohet dhënia e terapisë profilaktike me Doxirubicin apo Mitomicin C. Në rast të stadiumit CIS dhe T1 me shkallë të lartë të malinjitetit, rekomandohet terapia profilaktike me imunoterpi, BCG sipas shemës.

Fig. 5. Masat e nxjerrë me resekcion transuretral (TUR) të kancerit te fshikëzës urinare.

Kanceri infiltrativ (T2-T3-T4) i fshikëzës urinare dhe format recidivuese me shkallë të lartë të malinjitetit (CIS dhe T1 G3), trajtohen me heqje kirurgjike të fshikëzës urinare (cystektomi radikale).
Kanceri i avansuar (inoperabil) i fshikëzës urinare, trajtohet në mënyrë paliative me kemioterapi dhe radioterapi.

Faktorët prognozues

Faktorët që ndikojnë në ripërsëritjen e kancerit sipërfaqësor të fshikëzës urinare janë:
a. Numri i tumoreve prezente në dignozën iniciale,
b. Rekurenca në 3 muajt e parë,
c. Madhësia e tumorëve primare dhe
d. Shkalla e malinjitetit.

Në bazë të kësaj, shkalla e rrezikshmërisë nga ripërsëritja e kancerit të fshikëzës urinare mund prognozohet:

– Tumore me rrezikshmëri të ulët: Nëse primarisht gjendet vetëm një tumor, G1, < 3 cm.
– Tumore me rrezikshmëri mesatare: Nëse primarisht gjendet Ta-T1, G1-G2, >3 cm.
– Tumore me rrezikshmëri të lartë: Nëse kemi T1,G3, multifokal, riparaqitje të shpejtë dhe CIS.

Në fund duhet theksuar se diagnostikimi i hershëm i kancerit të fshikëzës urinare, resekcioni i suksesshëm transuretral i kancerit, diagnoza e saktë histopatologjike dhe përcjellja postoperative sipas protokolleve, është çelës për trajtimin e suksesshëm të kancerit sipërfaqësor të fshikëzës urinare. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori