LAJMI I FUNDIT:

Përqeshja me rolin e presidentit!

Përqeshja me rolin e presidentit!

Ka qenë e pritshme që Hashim Thaçi të përfundonte në Gjykatën Kushtetuese, me t’u zgjedhur president.

Keq do të ishte sikur të mos ndodhte kjo gjë, për faktin se Gjykata ndryshe nuk do ta shtjellonte lëmshin që e ka krijuar me “rastin Pacolli”, dhe për gjatë kohë do t’i linte të hapura mëdyshjet nëse Kuvendi do të mund ta zgjidhte ndonjëherë presidentin pa qenë të pranishëm 120 deputetë në ditën e votimit.


Se a ka qenë procesi i votimit të Thaçit president në harmoni me rregullat kushtetuese dhe me aktgjykimin në “rastin Pacolli”, duhet të presim që ta sqarojë vetë Gjykata.

Por, ajo që me gjasë nuk do të jetë objekt i shqyrtimit nga gardianët e Kushtetutës, e që në vazhdimësi po e dëmton procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit, është sjellja e deputetëve para dhe gjatë procesit të votimit të presidentit.

Konsiderohet se kur i zgjedhuri e merr mandatin përfaqësues, me të shkelur në Parlament, shkëputet nga zgjedhësit. Nga ai moment, ai bëhet autonom në përfaqësim të interesave të elektoratit, sepse praktikisht e ka të pamundur t’i pyesë çdoherë votuesit se si duhet të sillet brenda organit ligjbërës. Njëjtë, edhe zgjedhësit nuk mund të jenë kurrë unik rreth një çështjeje të diskutueshme për të cilën i zgjedhuri duhet të votojë.

Krejt çka i duhet deputetit është që të sillet me përgjegjësi, që i bie të jetë në funksion të zhvillimit të demokracisë, të jetë në mbrojtje të interesit të përgjithshëm shoqëror dhe të mos jetë i robëruar nga etja e përfitimeve personale në kundërvlerë të votës që jep në Kuvend.

A kemi të tillë deputetë në Kuvendin e Kosovës?

S’dyshoj që nuk ka!

Por, a ka edhe të atillë që ndërrojnë qëndrim orë e çast?

Prapë, s’dyshoj që nuk ka!

E keqja është se numri i atyre që i përkasin kategorisë së dytë nuk është i vogël. Dhe, me sjelljet e tyre, ata e shndërrojnë Kuvendin në tezgë të shitjes së vullnetit të zgjedhësve.

Filozofi francez, Condorset thoshte se: “Si i mandatuar prej popullit, do të bëja atë që do të besoja se është më shumë në interes të tij”.

Mbi bazën e këtij parimi, deputeti e gëzon të drejtën e pakushtëzuar juridike për t’u përcaktuar “për” ose “kundër” një vendimi që ai beson se është në interes të atyre që e kanë votuar, por kjo e drejtë, assesi nuk do të duhej keqpërdorur për ta ndryshuar qëndrimin nga “për” në “kundër”, dhe anasjelltas.

Procesi i zgjedhjes së Hashim Thaçit president e pasqyron më së miri mungesën e kurrizit që kanë një pjesë e njerëzve që e bëjnë parlamentarizmin në Kosovë.

Në raundin e parë, Thaçi ka marrë 50 vota nga 120 deputetë sa i ka në tërësi Kuvendi. Kjo i bie se në këtë raund ai ka marrë më pak vota se që i janë dashur në raundin e tretë.

Në demokracitë parlamentare, aty ekziston minimumi i të bërit përpjekje për ruajtjen e një fije morali politik, ekziston një rregull i pashkruar se: “Ajo që kërkohet në fund, nëse nuk arrihet në fillim, s’ka pse vazhdohet më tutje”.

Por, pse vazhdoi tutje Thaçi e nuk u tërhoq?

Logjika të thotë se ai e ka ditur që në Kosovë, parlamentarizmi bëhet ndryshe dhe se në Kuvend ka deputetë që hyjnë në pazare.

Thaçi e ka ditur se shumë deputetë nuk janë konsistentë në qëndrime, siç nuk kanë qenë disa kur është zgjedhur Fatmir Sejdiu president dhe siç nuk kanë qenë disa të tjerë kur në krye të shtetit është ngjitur Behgjet Pacolli.

Thjesht e ka ditur se ata janë tregtarë, prandaj edhe e ka vazhduar lojën deri në përmbysje të rezultatit. Dhe, ia ka dalë!

Shtrohet pyetja: A do të ndodhte ajo që ndodhi më 26 shkurt sikur në Kuvendin e Kosovës të aplikohej tradita e Westminster, dhe deputetët do të detyroheshin të ndaheshin fizikisht varësisht nga mënyra e votimit: ata që do të ishin pro Thaçit të dilnin nga njëra derë, ndërsa ata që do të ishin kundër të dilnin nga dera tjetër.

Thellësisht besoj se procesi do të përfundonte ndryshe.

Meqë Kosova është në fillet e parlamentarizmit, e para punës do të duhej që deputetët të fillojnë të mësohen të mos mbeten të papërcaktuar.

Një i zgjedhur nuk ka pse të abstenojë – s’ka pse të jetë edhe “për” edhe “kundër”. Thjesht ai duhet të kalojë në njërën anë e jo të qëndrojë në mes. Zgjedhësit nuk i kanë dhënë atij mandat për neutralitet apo indiferencë.

Për sa kohë që Kuvendi të jetë organi që e zgjedh njeriun e parë të shtetit, nuk duhej lejuar as përqeshja e rolit të presidentit.

Praktika e të bërit lojë me kundërkandidatin për president, e cila po përcillet nga legjislatura në legjislaturë, është aq e ulët e aq neveritëse, sa e kthen Kuvendin në një arenë cirku, ku brenda amfiteatrit bëjnë numra elefanti dhe miu.

Përqeshjen me funksionin e presidentit, me apo vetëdije e bënë edhe dy deputetët e PDK-së, Ganimete Musliu e Rafet Rama. E para duke e nominuar të dytin për president e pastaj duke i kërkuar ndjesë se nuk do ta votonte atë por kundërkandidatin e tij, Hashim Thaçi, dhe i dyti duke e pranuar kandidaturën e duke mos votuar as vetë për veten e tij.

Kjo sjellje joserioze do të duhej t’i kishte lënduar jo vetëm ata që ua kanë dhënë votën por edhe vetë presidentin e zgjedhur.

Marrë parasysh faktin se si bëhet parlamentarizmi në rrethanat aktuale, kur shumë deputetë e shohin mandatin në Kuvend si vend pune, pritshmëritë që gjërat ta marrin kahun e duhur, nuk mund të jenë gjithaq reale.

Kur deputetin e përcjell frika se: “Humbi mandati – humbi ekzistenca”, nuk mund të pritet prej tij se do ta hedhë votën në mënyrë të pavarur ashtu siç e sheh të arsyeshme.

Rastet e zgjedhjeve të presidentëve na e shpërfaqin edhe një karakter tjetër të deputetëve dhe kastës politike: Neglizhencën dhe të qenët mistik në raport me publikun.

Pesë vjet më herët dihet se presidenti i ri duhet të zgjidhet së paku një muaj para përfundimit të mandatit të pararendësit të tij. Ta zëmë, nëse Hashim Thaçi arrin ta ushtrojë mandatin pesëvjeçar, më 7 mars të vitit 2021, Kuvendi do të duhet ta ketë të zgjedhur pasardhësin e tij.

Por, çka ndodh te ne?

Kuvendi, pas pesë vjetësh mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për ta zgjedhur presidentin.

Absolutisht e panevojshme – shumë më tepër e papërgjegjshme.

Gjithë këto vite jemi marrë drejtpërdrejt me presidentin/en duke e shpërfillur sjelljen e deputetëve në procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit.

E duke mos u marrë me “shitësit parlamentarë”, ata do të vazhdojnë ta përqeshin rolin e presidentin duke luajtur si me votë, si me kandidatët që synojnë ta zënë ulësen më të lartë të shtetit.
Sjelljet e tilla vërtet imponojnë zgjedhjen e presidentit nga vota e drejtpërdrejtë e qytetarit.

Sa më herët, aq më mirë!