LAJMI I FUNDIT:

Përplasje të reja për naftën e Arktikut

Përplasje të reja për naftën e Arktikut

Pas deklaratës së Rusisë vitin e kaluar se pretendon sovranitet për Detin e Ngrirë të Veriut, duket se SHBA-të dhe Kanadaja, dy rivalët kryesorë, kanë lidhur një aleancë për të kundërshtuar këtë pretendim. Gjatë javës së fundit, një anije amerikane dhe një kanadeze që shërbejnë për thyerjen e akullit, janë vendosur në Arktik për të kryer një studim sizmik të nëndetit pranë brigjeve të ngrira të Alaskës dhe Jukonit.

Të dyja vendet janë duke mbledhur të dhëna për të mbështetur teorinë se Deti i Ngrirë i Veriut mbart rezerva të mëdha nafte e gazi, si dhe mund të hapet duke krijuar rrugë më të lehta tregtare. Kanadaja dhe SHBA-ja kanë patur më herët një debat për një sipërfaqe prej 12 mijë miljesh katrore territor arktik, por duket se i kanë lënë mënjanë mosmarrëveshjet e vogla për t’u përballur me pretendimet ruse. Danimarka e Norvegjia janë gjithashtu pretendente.

“Rusët e dinë se çfarë po kërkojnë në Arktik dhe Putini e Medvedev janë treguar shumë agresivë”, – deklaroi Rob Huebert, një ekspert për çështje të strategjive ushtarake në Kanada. Teorikisht, vendet mund të zgjerojnë pretendimet e tyre territoriale në det, në rast se vërtetojnë se sipërfaqja e pretenduar është vijim linjës së tyre kontinentale. Rusia pretendoi se kishte një vargmal nënujor që lidhte Siberinë me Detin e Veriut.